Thursday, June 4, 2015

Rrëfim mbi bazën e modelimit  të përrallave tona popullore


Xhahid Bushati

Rrëfim mbi bazën e modelimit  të përrallave tona popullore


-Shënime për novelën-përrallë “Tërfili me katër fletë”                                     të shkrimtarit Bardhyl Xhama. Botim i tretë, Nereida, 2003-
 
            Ky libër, ashtu si shumë të tjerë që përbëjnë opusin letrar të shkrimtarit Bardhyl Xhama, njeh disa ribotime. Botimi i këtij libri (i tretë) daton në një periudhë kohore, kur krijimtaria e autorit i është drejtuar kryesisht lëvrimit të zhanrit të rrëfenjës.
            Novela-përrallë shoqërohet me një parathënie që titullohet: “Vështrime për vlerat ideoartistike të novelës-përrallë “Tërfili me katër fletë” me autor Prof. Doktor Jakup Mato, kritik letrar; si dhe në fund me një aparat pedagogjik në ndihmë të mësuesve dhe të nxënësve.
            Personazhi kryesor i kësaj novele-përrallë është Gjeka. Të gjitha ngjarjet që rrjedhin në mënyrë lineare lidhen me të. Biografia e tij artistike përkon me heronjtë e përrallave tona popullore. Si i njëjti model, ai mbart tipare e cilësi që shfaqen gjatë udhës së tij (udhë e vështirë e plot peripeci) në kërkim të lumturisë së vërtetë. Janë plot episode lirike, dramatike, të shkruara me frymëzim që na sjellin në reliev mençurinë, trimërinë, ndershmërinë, zgjuarsinë, këmbënguljen e triumfin e protagonistit kryesor, Gjekës ndaj forcave regresive, forca që kërkojnë mjerimin e njerëzve dhe zvetënimin e vyshkjen e ëndrrave të jetës. Gjeka me vendosmërinë e tij gjen çelësin e zbërthimit të së vërtetës të simbolikës së Tërfilit me katër fletë, simbolikë që e zbërthen plaku përmes fjalëve të tij: “E ç’kërkon të gjesh tjetër, mor bir? E ku ka tërfil me katër fletë?! Atë e sajoi populli nga dëshira për të jetuar i lumtur”. 
             Novela-përrallë “Tërfili me katër fletë”, mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve është  konceptuar dhe strukturuar nëpërmjet dhjetë rrëfimeve. Nga pikëpamja tipologjike, rrëfimi i krijimit është qasje e plotë e ndërtimit dhe e modelimit të përrallave tona popullore. Atë e gjen në rrafshin e funksioneve të personazheve, në bëmat, aventurat e të papriturat e tyre, në triumfin e së mirës ndaj së keqes e negatives, në raportet e reales me fantastiken, konkretes me figurativen, ideales me realen, logjikes me emocionalen, te prania e figurave të tilla si: Gjoka, Gjika e Gjeka, Cinxoja (Gishtoja apo Kacimicrri), gjiganti, kuçedra, divat, plaka e mençur, burri i ditur, apo te mrekullitë magjike: bluza me diellin e qëndisur, unaza magjike etj., etj. Për këtë arsye, mendojmë se, lënda përrallore me ngjyrat dhe dinamikën e saj, me kureshtitë e të papriturat, etj., paraqet interes te lexuesi i vogël. Modeli i ofruar i bën më shumë jehonë përrallës popullore si rrëfim i të jetuarit ekzistencial, sesa aktualitetit që ka një frymëmarrje dhe problematikë të caktuar. Për rrjedhojë bashkëkohësinë novela-përrallë e ka të vështirë ta përligj si krijim artistik.
              Autori e njeh mirë letërsinë gojore dhe rrëfimin e saj. Nuk mungojnë elementet poetikë. Ashtu sikundër nuk mungojnë edhe elementet didaktikë. Fraza e shkurtër i ka dhënë emocion dhe zhdërvjelltësi mikro e makro ngjarjeve.
            Studiuesi Mato në parathënien e tij, në mes të tjerave shprehet: “Nuk mund të saktësoj nëse novela-përrallë “Tërfili me katër fletë” është krijimi më i mirë i tij. Por si kritik e studiues them se kjo është një novelë shumë interesante, shkruar mjaft bukur, nga një penë e talentuar”.
            Duke pasur një fushëpamje tjetër për këtë krijim, më lart prekëm problemin e bashkëkohësisë së krijimit. Tani dua të prekim dhe funksionin e kohës, më saktë të koherencës në raport mes krijimit popullor dhe atij të kultivuar në këtë novelë-përrallë.      
Shkrimtari duke i mbetur besnik tradicionales së këtyre krijimeve popullore, mendojmë që elementin e koherencës e ka vënë sa në funksion të lëndës së novelës aq dhe në mendësinë dhe psikikën e krijuesit të saj popullor. Ndaj, nocioni i ‘folklorizimit’ – siç e quan në një trajtesë studimore mbi këto probleme Rexhep Qosja, - e, që shfaqet dukshëm në shume vepra letrare te kësaj gjinie siç përralla; kjo novelë me vlerat që mbart jo vetëm e ka kapërcyer një nocion të tillë, por mbetet, dhe një model interesant në trajtimin e motiveve popullore duke i përballur me realitetin, si vlerë e si mesazh.      


Shkodër, qershor 2013



Sunday, May 10, 2015


       Xhahid Bushati

    (Pjesa e parë)

Pse Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj ‘asht nji kafshatë që s’kapërdihet…’?
                                                           -opinione, impresione dhe zhgënjime-

            Në vend të parathënies
Gjithë vëmendje, duke fiksuar edhe detajet më të vogla, kaloj nga një stendë të një shtëpie botuese në tjetrën. Janë gjithësej 55. Mysafire  të një Festivali të artit dhe të librit, që zhvillohet në Tiranë nga data 06 – 13 maj 2015. Është emërtuar: Tirana Open 1. Diku kisha lexuar: “Tirana Open 1” – paraqet për të parën herë një event të këtij lloji në Ballkan.” Si një natë e bukur me xixëllonja maji me shfaqej ky event!.. Drejt tij u nisa me këtë mendje leximi dhe përfytyrimi…
            Përsëri, diku kisha lexuar për dimensionin e këtij eventi, që thoshte: “…sjellë së bashku nën një çadër një koleksion të shumëllojshëm të institucioneve kulturore shqiptare dhe ndërkombëtare që paraqiten në një program të pasur shumë-disiplinor ekzpozitash, ngjarjesh, dhe eventesh publike. Duke reflektuar në një qytet që është njëkohësisht një qendër e vjetër romake, post-osmane, arketip i Novecento-s italiane, ëndrra utopike fashiste, një shembull i brutalizmit stalinist dhe më në fund një model i një vrapi amok bashkëkohor (jo) arkitekturial. Tirana Open hulumton bashkëqytetarët e saj si në një laborator të gjallë të kulturës hibride dhe një model alternative për zhvillimin urban dhe angazhimin e audiencës.”
Në fillim u stepa nga leximi i këtij teksti. Ai që e ka hartuar me siguri duhet të kenë qenë dhe është i zoti në artikulimin dhe përdorimin e fjalës, sigurisht kur ajo zë vendin e duhur, por… Ky “I zoti hartues” mund të jetë i aftë për të ndërtuar një aliazh sintaksor të shqipes, por jo strukturë, ndërtime e brumë të shqipes sonë të bukur! Jo! Me fjalë pompoze, me terma çudibërëse historike, me fraza që nuk lidhen me njëra-tjetrën  por e kundërshtojnë, e përçudnojnë… etj., etj., i zvogëlojnë me mjeshtëri edhe hapësirat e frymëmarrjen këtij evinti, duke u fokusuar vetëm te dhe në Tiranë, duke harruar edhe qytetet e tjera të Shqipërisë e më gjerë. Një tekst (si ky I mësipërmi) që nuk merret vesh se çfarë thuhet. Një tekst që i ngjan më shumë një litari, ku ai, hartuesi i këtij teksti nuk e ka kuptuar që ka lidhur vetveten. Sa për vërtetim, po shkëpusim një fragment: “…dhe më në fund një model i një vrapi amok bashkëkohor (jo arkitekturial)”. Sigurisht, ai hartues i këtij teksti nuk njeh edhe termat që përdor. Pra, është model i një vrapi amok bashkëkohor… Ç’domethënë kjo: model  i një vrapi amok bashkëkohor?... Përveç që fjalët nuk kanë lidhje logjike e sintetike me njëra-tjetrën (alogjika mbisundon), por fraza në vetvete është dhe fyese, dhe denigruese për bashkëqytetarët dhe audiencën që i fton. Vazhdojmë arsyetimin tonë. Fjala amok – do të thotë: sëmundje psikike. Po kujt ia drejton këtë fjalë? Kush është fajtori?.. Për të mos e zgjatur e për ta mosinterpretuar më gjerë e më më thellë: po them është një shprehje e pakulturuar e përdorur si mos më keq në këtë kontekst. Mjeran dhe i mjereruar!
            Me këtë aliazh-titulli “Tirana Open 1” që mbart mbi vete, synon të paraqesë  një program shumëdisiplinor ekzpozitash, ngjarjesh dhe eventesh publike; por vetëm ajo, Letërsia shqipe për fëmijë e të rinj… sikur s’ka vend, sikur s’kujtohet kush, sikur… Dhe m’u kujtua një thënie e shkrimtarit të shquar për fëmijë e të rinj Tasim Gjokutaj, i cili thoshte: “Në një familje me të rritur dhe fëmijë, më të privilegjuarit janë fëmijët. Në një vend me letërsi për të rritur dhe me letërsi për fëmijë, më e paprivilegjuar është letërsia për fëmijë”.
Gjithashtu m’u kujtua dhe Migjeni, që me të drejtë nga studimet   është cilësuar si një nga poetët e rrallë të letërsisë sonë dhe  i gjithëkohshëm. Ai, ka edhe këtë varg universal: “Kafshatë që s’kapërdihet, asht, or vëlla, mjerimi”. Brenda këtij vargu qëndrojnë tre arketipe: kafshata, vëllai (vëlla) dhe s’kapërdihet, të cilat brenda simbolikave të tyre marrin e japin drama brenda dramës tragjike që prodhon Mjerimi. Dhe Migjeni është një figurë që meriton vlerësim e rivlerësim të vazhdueshëm. Ashtu siç poeti flet për mjerimin, me keqardhje pohoj se po ndodh edhe me letrat shqipe për fëmijë e të rinj. Është  kthyer në “një kafshatë që s’kapërdihet…”, pasi aty mbizotëron spontaneiteti e konfuzioni, zbehtësia e vlerave dhe provincialiteti, mosnjohja e vërtetë dhe komercializmi, mosvlerësimi dhe moskritika.





            Histori dhe vrojtime…
            Më parë kishim një Panair libri. Zakonisht zhvillohej në vjeshtë.
            Vjet u shfaq dhe një panair tjetër. Zuri rrënjë në stinën e pranverës, me vendndodhje: Muzeun historik. E kujtoj edhe tani, kur e vizitova. Hyrja ishte e errët, pakëz e pistë dhe kishte një ngjyrë tmerruese. Të gjitha këto të pahijshme për një panair që e ndante jetën mes librit dhe arteve pamore. Megjithatë aty gjeta botues-shitës përgjithësisht të përgjumur, pa buzëqeshje, disa të tjerë që shkonin e vinin me qese librash, me tenda ndarëse, nga më të çuditshme e nga më ordineret.
            Dhe, ja erdhi pranvera – 2015. Panairi që hodhi rrënjë në atë stinë të vjetshme, sivjet u bë dy vjeç. Ngjante si një bisk i gjelbër, tashmë i përforcuar me vendndodhje të re: që zakonisht e kemi quajtur: Pallati i Kongreseve dhe i titulluar: ‘Tirana Open 1”. Nuk kam asgjë më tipolologjinë e panairit; pavarësisht, se ky i sivjetmi, kështu siç ishte konceptuar, më shumë ngjante si konklomerat, e thënë ndryshe një përzierje që është e vështirë të krijosh themel shtëpie a çati. Pavarësisht këndvështrimit dhe qëndrimit tim, dëshirës vetjake, frymëmarrja e tij pranverore ishte më e gjerë, me fatlume, libri kishte zaptuar tërë katin e parë të këtij pallati. Natyrisht po zgjerohej. Ishte bërë dy vjeç. Shumë shtëpi botuese, tashmë, kundërshtare (me ato të vjeshtës), sigurisht mungonin. Siç duket, në një Festival libri dhe arti pamor, stina e vjeshtës sikur nuk shkon me stinën e pranverës. Konfliktualiteti, hatërqejfet, perandoria e të sunduarit, protagonizmi i unit fatkeq që ‘unë e askush tjetër…’, mungesa e kulturës dhe socialiteti për të mos kapërcyer vetveten… etj., etj., janë dukuri të zakonshme që i shohim rëndom në jetën tonë aktuale. Të duket sikur janë bërë kaq ‘familjarë’ sa nuk mund të jetosh pa to. Ndaj, dhe reflektojnë dukshëm edhe në këtë event. Siç duket ende s’u ka ardhur koha disa fjalë kyçe, si: buzëqeshje e sinqertë, përqafim, ka vend për të gjithë, fiton më i miri, mirësi, ndihmësi, zemërgjerësi, etj., etj. Ndonëse ato jetojnë në Fjalorin e Gjuhës së sotme Shqipe, në fjalorin e përditshëm nuk ekzistojnë. Janë fshirë, ose më mirë i fshijmë. Ndaj dhe janë kthyer në fjalë malli.
            Më interesonte libri, pasi me të e kam lidhur jetën dhe profesionin tim si krijues i letrave shqipe, përparësisht për fëmijë e të rinj. Vizitova, me kujdes e me shënime, çdo shtëpi botuese të katit të parë. i rashë rreth e rrotull disa herë, aq sa më dukej sikur i mësova përmendsh jo vetëm pllakat por edhe hapat e mia të ngadalta,  por edhe hapësirat që kishte çdo shtëpi botuese. Ndonëse vizionet e mia nuk përputheshin me vizionet e shtëpive botuese, që nga një vit më parë asgjë nuk kishte ndryshuar, me përjashtim të ‘shtëpisë së re’. Në finale ata, si zakonisht do të shisnin libra, dhe po shisnin libra... Një ritual i vjetër dhe avaz i zakonshëm. Ndonëse drejtuesit synojnë që në fjalët e tyre të krijojnë një imazh të ri.
Përqendrohem dhe dua të di se ç’po ndodh me librat për fëmijë e të rinj. Konstatoj se ka  disa shtëpi botuese, kush më shumë e kush më pak e kanë pranuar në stendat e tyre librin shqip për fëmijë e të rinj. Ashtu siç kishte edhe shtëpi botuese që ngjanin si kinkaleri, si magazine, si depo, si supermarkete çudi-shqiptarëshe për moshat fëmijërore. Të gjitha të ftonin: për të blerë libra, paçka se nuk kishte qoftë edhe ndonjë fotografi të ndonjë krijuesi të kësaj letërsie. Së paku, si për njohje, nderim dhe kujtim të kontributit fisnik të tij. Por ajo që shfaqej e nuk shfaqej, por që syrit tim nuk mund t’i shpëtonte ishin: pak lexues, pak vizitorë (më pak fëmijë), më shumë përkthime (ndonëse kjo është problematikë më vete: se si përkthehet e çka përkthehet dhe pse gjithkush i ka dalë zot përkthimit…). Kësaj radhe, kështu m’u duk mua kishte më pak, shumë më pak letërsi shqipe për fëmijë e të rinj, dhe shumë-shumë më pak libra të rinj.
Tek ecja përmes stendave shumë libra shqip për fëmijë e të rinj i njihja që një vit më parë. Sigurisht që edhe ata më njihnin. Përshëndeteshim herë pas here. Disave nuk u ishte hequr ende pluhuri. (Po kush t’ia heq, kur mendja është te shitja?..) Edhe botuesit nga Kosova , kësaj radhe, ishin më të pakët. Vazhdojmë të mos ndërtojmë ura kulturore, edhe pse flasim shqip. Ç’strategji mund të ndërtosh apo ura komunikimi, kur takohesh vetëm në panaire. Dhe varet se si takohesh…

                                                                                  -vazhdon-       

Tuesday, May 5, 2015



            Xhahid Bushati                                                        

Fat, po cili fat?..

                                                                      -opinion-
           
Ben Blushi është i vetmi njeri që i ulur në karrigën e Parlamentit shqiptar, manifeston dukshëm dy zeje të çmueshme: të deputetit dhe të shkrimtarit. Fatlumësi, apo?.. Se në ç’raporte janë ato, cila ka përparësi dhe në cilën kohë apo situatë shfaqet njëra apo tjetra, a të dy njëherësh; është e drejta dhe vetëm e drejta legjitime e Ben Blushit, e koncepteve, ndjesive dhe filozofisë së tij. Kjo e fundit mbart: prekje të saktë të realitetit, ballafaqim, optimizëm dhe udhëtim të vështirë në një mision të vështirë… E pritshme kjo…, ndryshe nga të tjerët, ai me të vërtetën dhe vetëm me të vërtetën (shpesh në kohë dhe në hapësirë) ka ndërtuar një komunikim realist, bashkëkohor, vizionar dhe të admirueshëm. Komunikim, që në pikëpamje të artit gojor por edhe të tekstit e metatekstit shënjon gjurmë. E gjurmë do të thotë histori. E histori do të thotë: përjetësim, mençuri, burrëri, daljezot, mospasje frikë, respekt e njerzillëk.
Ben Blushi, edhe pse me këto dije dhe me këtë kulturë, mbetet më i përgojuari, më i sulmuari, më ‘tradhtari’, më “kokëforti”, më bukëshkelësi, më kundrarrjedhësi, më… Ndaj, dhe mbetet shpesh  “i përlyer” e i papëlqyer… Kaq i papëlqyer, sa duan t’ia heqin edhe zërin origjinal, duan ta tjetërsojnë, t’i hedhin baltë dhe në fund edhe ta shesin, dhe në fund edhe ta fundosin… Kështu që disave, që frikësohen nga “furtuna Blushi” u mbetet qejfi, pakënaqësitë lindin moçalet e tyre, cinizmi shton dendësinë e reve të zeza ogurzezë, pësh-pëshet nisin udhëtimin e tyre fatkeqë, nisin të turfullojnë, të flasin me vete, po dhe të telashohen, po dhe të mërziten, po dhe u mbetet hatëri, po edhe… Dhe mbi të, si për një të ‘padëshiruar’ vërshojnë akuza nga më të pashembulltat, epitete dhe metafora nga më të papëlqyerat…, sa dhe zili mund t’i kenë dhe filmat horror.  Këto, të shkretët, harrojnë që, gjithmonë pas një furtune vjen një ditë, e cila është me qiell të kaltër, pa re e me një diell të qeshur. E kush nuk e dëshiron një ditë të tillë!
            Po ç’është në vetvete Ben Blushi, ky profil: i pazakontë në këtë Parlament? I pazakontë dhe befasues, veçanërisht kur flet, arsyeton me dinjitet, analizon thukshëm dhe tregon plagët e vërteta të realitetit, që s’po na hiqet e s’po na hiqet nga goja e nga jeta që po jetojmë fjala dramatike e plot dhimbje: trancizion
Dëgjojeni me vëmendje kur flet: një copëz jete prej së vërteti shfaqet në argumentet e tij, jetë ku gëlojnë: dëshira e ëndrra, pohime e mohime, drama e komedi, … Ajo copëz jete që shfaqet, që shpesh edhe më shumë se sa aq nuk është e zbrazët, por mbart personazhe, të cilët janë realë dhe po realisht, pa zbukurime, pa kanone, pa frikë, me guxim qytetar, me guxim shkrimtari dhe deputeti flet me to dhe për to… Shpesh duke i vënë ‘me shpatulla për muri’, ndonëse kjo gjë nuk ka pëlqen… Vërtet, e duam ujin e kthjellët, të pastër si një pikë loti; por ja disa ende duan të lahen në të shumtën e herës edhe me ujë të ndenjur e pse jo të pistë, të cilit i thonë pa prishur qeder: ‘ujë paqësor’, ‘jemi mësuar me të’ …
            Po ç’është në vetvete Ben Blushi, ky profil: i pazakontë..? Në Parlament, si shkrimtar nuk ka një të dytë. Veprat e tij zgjuan interes edhe në letrat shqipe. Doemos, do të zgjonin interes: pëe mënyrën e vështrimit të historisë, të ngjarjeve, të konceptuarit e të kundruarit, të raportve të së djeshmes me të sotmës, të rrëfimit, ndërtimit kompozicional, etj., etj. Por e përsëris edhe një herë: ngjarjet (fabula) e ndodhura në rrjedhat e historisë lidhen pazgjidhshmërisht me ekzistencën e kombit shqiptar, me pikat e tij nevralgjike, të jetuarit të tij sot e në të ardhmen. E kështu do të ndodhte… Se ‘tharmin’ e nivelit të dijes së tij, të nivelit të kulturës, po ta gërmojmë, do ta gjejmë të strehuar fisnikërisht te gjyshi i tij, Dhimitri, një nga burrat e ditur dhe të mençur të këtij kombi, do ta gjejmë te i ati, Kiçoja, një nga prozatorët më interesantë por të pastudiuar të letrave shqipe, te e ëma Mira, një përkthyese e talentuar e filmave të huaj artistikë. Të kuptohemi dhe vë theks, geni ka vlera të pazëndësueshme, por Ben Blushi jo vetëm nuk I “tradhtoi”, por i ndriti dhe i e pasuroi, Por çdo hap i tij (që bën e që hedh) e fisnikëron të vërtetën e kulturon atë, e intelektualizon atë, i jep dimension. Mbase kjo është një nga arsyet që studiuesi Behar Gjoka në studimin e tij analitiko-shkencor për veprat e Blushit, e quan “Fenomeni Blushi”. Po i tillë është. I tillë është edhe si deputet. Kuptohet fati i shkrimtarit Blushi është jetëgjatë. Po pse të ndodh që fati i deputetit Blushi të jetë fatkeq apo fatpërfolur, apo..? Përse?.. Ku qëndron konflikti?.. Po mundohem të bëj një arsyetim. Në legjislacione Parlamenti, ka pasur deputetë që s’kanë folur qoftë edhe një fjalë ose e thënë ndryshe kanë qenë deputetë ‘pensionistë’; ka pasur deputetë që kanë diskutuar dhe nuk kanë kuptuar asgjë nga ato çfarë kanë thënë, ka pasur deputetë-boksierë, gojëndytë, shamataxhinj…; ka pasur deputetë që kanë artikuluar fjalët me rrokje ndonëse kanë pasur më shumë se një fakultet… Këtyre modeleve as u dihet emri, as gjurma… Është pakëz e çuditshme, por në fakt është e papranueshme të jesh deputet e të mos lësh gjurmë, të harrohet emri… Është njëlloj sikur të thonë: “Po, mor po, ka ekzistuar… Ka qenë gjallë… Në fakt ka qenë një i gjallë i vdekur…” Deputetëve të tillë që nuk kujtohen apo harrohen shpejt: nuk u ka ndodhur asnjë e keqe, nuk kanë pësuar asnjë atentat a kanosje, kanë qenë “të përkëdhelur” dhe asnjë ‘gjemb nuk u ka hyrë në këmbë’… Ndërsa Ben Blushi është format tjetër, është arritje që nuk e shohim rëndom, veçanërisht në sferat ku militon ai. Dhe, pikërisht, këtu qëndron “e keqja” e tij. Ai për vlerat që mbart, për besimin që të ofron, ka konflikt me dijet dhe kulturën ekzistuese në parlament, ka konflikt me ndryshkun dhe provincialitetin, moscivilizimin, komunikimin dhe fjalorin ordinerë, që fatkeqësisht janë të pranishëm në jetën, realitetin dhe ekzistencën tonë. Kjo lloj kulture e pakulturë që administron një hapësirë jo të paktë, e ka të vështirë të pranojë e të ofrojë profilin e qytetarit, shkrimtarit dhe deputetit Ben Blushi. Dhe për këto e me këto ‘thesare’,  që është i pajisur, vërtet, është e vështirë ‘të jetosh në ishull’… Dhe njëherësh më vijnë vetiu në mendje këto vargje:
            Unë urrej luftënxitësit, gënjeshtrën, fyerjen,
            urinë urrej e zgjedhë kudo që ka.
            Me shkëlqimin e diellit dhe dashurinë time
            s’mund të rrinë pranë – e – pranë
                                                           shfrytëzimi,
                                                           mjerimi
                                                           dhe frika.
                                               (poezia: “Unë e dua diellin”, autori: Nexhati Xhumalli)

Shkodër, 05.05.2015

Sunday, May 3, 2015

            Xhahid Bushati

                                    Përballë një videoje… të paligjshme
                                                            -Opinion-

            Kohët e fundit, si shumë shpesh, gazetarin e mirënjohur Sokol Balla po e marrin nëpër gojë. Si mos më keq. Deri në denigrim. Pa etikë e kulturë… Gojëdashakeqësia nuk njeh moshë. Mjetet e përdorura prej saj (tani të sofistikuara dhe me zhvillime të papara teknologjike) gjithmonë e përjetësisht na i kujton Shekspiri në tragjeditë e tij, që në kohën tonë mbeten aktuale. Veçanërisht në situata tranzicioni merr zhvillime nga më të çuditshmet e më të pabesueshmet. Siç duket, qetësisht e pa pikë përgjegjësie, ka hyrë në hullinë e trendy-t. I ngjan një ‘kostumi’ që ka filluar të jetë rëndom, por edhe të shitet lirë në dyqanet e kulisave. Kësaj radhe… radhën e paska gazetari Sokol Balla.
            Balla është profili i një gazetari, që nuk është shumë i shpeshtë në mediat tona. Përballja me tipologji emisionesh shumëdimensionale, me rrafshe të ndryshme përceptimesh, ndjesish dhe arsyetimesh, për këtë nuk ka qenë e lehtë; ka qenë sprovë në drejtim të thellimit të natyrës së gazetarit mediatik në një media të fuqishme, siç është Top-i. Edhe shpesh, i ndodhur, në situata të vështira komunikimi me personazhet e ftuar, Balla falë cilësive të tij prej gazetari dhe ‘produktit’ jetëdhënës para audiencës së pranishme, ka dalë faqebardhë. Puna këmbëngulëse dhe formuese si intelektual ka bërë që ta zotërojë profesionalisht emisionin, por edhe të jetë i aftë t’i japë edhe vizion. Është kjo arsyeja që në vlerat e arritura, disa nga emisionet e tij politike, edhe pse delikate në zhanrin e tyre, ai i ka zbërthyer dhe evidentuar në favor të së sotmes dhe ardhmërisë së kombit, për të cilat kemi nevojë.
            Por ja që vjen një ditë, që i gjithë produkti i grumbulluar, CV-ja e pasur dhe e lakmueshme e këtij gazetari, me gjithçka që ka arritur deri tani në jetë të përballet me një video. (Besoj se Sokoli, as që e ka menduar se do të vijë momenti të përballet me një “personazh” të tillë.) Në fakt përballet me një video-Brut, i cili pa përgjegjësi, me një të rënë lapsi (me ca pamje) errëson jetën e një njeriu që ka kontribuar efektshëm jo vetëm në media e me libra si autor, por edhe si një intelektual me reputacion. Ç’domethënie ka kjo? Një video-Brut të bëjë të paqenë, të asgjësojë jetën e një njeriu, vlerat e arritur me aq sakrifica dhe mundime… Ç’është kjo dukuri që ka nisur të kthehet në një “sukses”? “Sukses” duke rrënuar një gazetar, duke rrënuar një model me vlerë, i kërkuar dhe vyer në jetën tonë shoqërore. Aq më shumë kur këtë gazetar me arritjet e tij, sikur nuk i kemi të shumtë në këtë fushë. Qoftë në planin psikologjik, moral, didaktik, familjar…; tentimet të këtij lloji… me video, për zbrazëti intelektuale janë shumëfish të dëmshme e fatkeqe. (Mendoj që ai apo ajo kompani që shpiku videon, patjetër që ka menduar dhe ka qenë e prirur që, njerëzimit t’i japë dritë e shpresë e jo errësirë trishtuese e natë të pabesë.) Si mundet, një video… e paligjshme të jetë kandar në vlerësimin, uzurpipimin, urrejtjen dhe zhvlerësimin deri në asgjësimin e një ‘prone’ intelektuale me plot vlera të gazetarit Sokol Balla.
            Teksa jap këtë opinion për gazetarin Sokol Balla, më vijnë ndër mend ca vargje nga poezitë e poetit turk, themeluesit të poezisë së re turke, Nazim Hikmet, që thotë:
            …
            Sa shumë mjerime,
            Sa pak miq.
            Të shurdhët
                        veshët e zemrave. (poezia: “Të digjemi si Qeremi”)
            …
            Jo!
                        Unë nuk jam dezertor!
            Nuk më tremb shekulli im.
            Shekulli im i mjerë, plot skandale,
                        që më bën të skuqem prej turpit;
            Shekulli im trim,
                        madhështor dhe heroik – shekulli im. (poezia: “Shekulli XX”)


Shkodër, 04.05.2015   

Wednesday, April 29, 2015

Hadithe rreth mirësisë së diturisë

1.
            Transmetohet nga Hudhejfe ibn jeman (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:
“Mirësia e diturisë është më e mirë se mirësia e adhurimit. Fetarizmi juaj më i mirë është devotshmëria.”
2.
            Transmetohet nga Vail ibn Eskai (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë:
“Kush kërkon dituri dhe e arrin atë, Allahu e shpërblen dy herë dhe, kush kërkon dituri, por nuk e arrin atë, Allahu e shpërblen një herë.”
3.
Nga Enes ibn Maliku (r.a) transmetohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë:
“Kërkimi i diturisë është detyrë për çdo mysliman.”
4.
Nga Ebu Hurejra (r.a) transmetohet se Pejgamberi (a.s) ka thënë:
“Mësojeni diturinë. Mësoni për diturinë qetësinë dhe seriozitetin dhe jini të përulur (modestë) ndaj atyre, prej të cilëve mësoni.”
5.
Transmetohet nga Ebu Dardai (r.a) se ka dëgjuar prej Pejgamberi (a.s), i cili ka thënë:
“Kush shkel në një rrugë për të kërkuar dituri, Allahu ia lehtëson atij rrugën për në xhennet. Melekët shtrijnë krahët e tyre për kërkuesin e diturisë, në shenjë kënaqësie për veprimin që po bën.”
6.
            Transmetohet nga Aliu (r.a) se Pejgamberi (a.s), ka thënë:
“Sa herë që një njeri është veshur dhe mbathur për të kërkuar dituri, Allahu ia ka falur gjynahet për çdo hap që ka hedhur.”



            

Wednesday, April 22, 2015

Xhahid Bushati


Rubrika: Gicilimet e shkodranit të vogël


1.
-Genta, mos vono, hidhi ujë lules, se…
-Jo, moj mami, se lulja ende nuk ka pirë ujin e djeshëm.
2.
-Gledis, për cilin mësues ke simpati më shumë?
-Për mësues Rasimin. Më lajmëron një ditë përpara, se do të më çojë në mësim.
3.
Gjyshi i thotë nipit:
-Bledi, a po shkon të më blesh…
Bledi fut gishtrinjtë në veshë dhe i përgjigjet:
-Nuk dëgjoj, o gjysh…
4.
Bledi porosit të atin:
-Të lutem, o babi, hyr me kujdes në kuzhinë; pa bërë zhurmë se tremb gjyshen, sepse ka dy ditë që ka vënë dhëmbët.
5.
Frani erdhi me biçikletë në qytet. Si çdo ditë, abonentëve të tij, u sillte shishet e qumështit. Kur i erdhi radha shtëpisë së Hajrijes, nga që ishte zevzeke, e provoi dhe i tha:
-E paske mbushur shishen me ujë.
-S’ka mundësi!..
-Provoje, dhe ti! – i tha Hajrija.
-Ke të drejtë. Paskam harruar t’i hedh qumësht…
 

Shkodër, prill, 2015

Tuesday, April 21, 2015

Xhahid Bushati

                     
Dhjetë gjëegjëza


             
                  1.
                Ka folenë lart në male,                      
            Nuk i trembet syri kurrë;
            Është trime, guximtare,
            Vënë e kemi në flamur…
                        (Shqiponja)



              2.
          Njëri lag, tjetra pi,
          Mendo pak, se e gjen ti.
                (Shiu dhe toka)





            3.
         Dy vëllezër në ujë shikohen
         Dhe asnjëherë nuk takohen…
               (Brigjet e lumit)

           




             4.
         Ndonëse gojë s’kam,
         Juve ju tregoj:
         Kur duhet të flini,
         Kur duhet t’ju zgjoj…
                 (Ora)
           




        5.
        Shokë kam yjet, shoqe retë,
        Drita ime është e zbehtë.
                (Hëna)



        


            6.
        Ditën flejnë, natën zgjohen,
        Porse dot nuk numërohen…
                  (Yjet)






           
         7.
         Shkon e vjen, vjen e shkon,
         Ka dy rrota, një timon,
         Dhe një zilkë që tringëllon…
                        (Biçikleta)





            8.
        Trupin e zvogëlon,
        Kur na korrigjon…
                   Goma)
            





        

        9.
        Unë prej druri jam,
        Katër këmbë kam,
        Kam dhe një çati,
        Mbi të ulesh ti.
               (Karriga)
           







10.
        Sapo e shikon,
        Shpejt të vizaton,
        Pa zë e pa fjalë,
        Kush na qenka vallë?
                (Pasqyra)




Shkodër, prill, 2015