Friday, March 13, 2015

Xhahid Bushati


      Bisedë me diellin


-Diell, o rrezear,
Lart në qiell ku rri,
Lodërza, ke vallë,
Me shokë luan ti?

“Shpesh pas lagashiut
Luaj me ylberin,
Vogëlush, mes ngjyrash
Eh, sa ëndrra çelin!..

Shpesh me një balonë,
Me zogj shpesh lodroj...,
Udhës takoj yje,
Dhe hënën takoj...

Lart në qiell, vetëm
Asnjëherë nuk rri...,
Se kam miq në botë,
Miq kam dhe fëmijë...

Dil, pak në dritare”, -
Dielli ec dhe flet:
“Ëndërrzën e bukur
Një rreze e pret...”    



      Gugat një pëllumb...


Gugat një pëllumb,
Më fal fluturime...
Ndalet dhe... fole
Bën në zemrën time.

“Erdha” – tha pëllumbi.
Emrin tim thërret...
Më flet si një mik,
Si një shok më flet.

Më fali plot ëndrra,
Plot ëndrra i fala,
Me ne ish Pinoku,
Edhe Borëbardha.

Ishte Kacimicrri,
Ishte Kësulkuqja,
Xhuxhi, Piter Pani,
Ishte dhe Hirushja.

Ishte, kush nuk ishte...
Dritë e bardhësi,
Askush nuk lotonte,
Ëndërr, mrekulli...

U fali dhe qiell
Pëllumbi, miku im...,
Hënë edhe yje,
Ëndrra – pambarim...   

Shkodër, mars, 2015.



Monday, March 2, 2015


             Xhahid Bushati
           

Pranvera erdhi…


            1.
            Plot me dallëndyshe
            erdhi kjo Pranvera,
            pylli puth folezat,
            puhizë u bë era.

            2.
            Plot me lule vjollca
            kjo Pranvera erdhi,
            u zgjua arushi,
            sytë ngadalë i çeli.

            3.
            Një fidan i vogël
            pyet si fëmijë:
-Kush me gjelbëroi?
            Kush? – Dua ta di?..

            4.
            Qielli buzëqesh…
            Balona shëtisin…,
            ngjajnë porsi lule,
            qiellin e qëndisin!..

            5.
            Një gjysh e një mbesë
            të qeshur, të lumtur,
            thanë: Kjo Pranvera
            është stinë e bukur!..


Shkodër, mars, 2015