Xhahid Bushati
Te ‘Venecia’…, një
kafe me Skënder Drinin
-Ese në
kujtim e nderim të mikut tim të shtrenjtë shkrimtarit
Skënder Drini-
01
janar 2015. Dal nga shtëpia ime, po në të njëjtën orë që dilte çdo ditë nga
shtëpia e tij miku im, i paharruari Skënder Drini. Dhe… ‘vizitën’ e parë, i
kisha vënë vetes si qëllim, do ta bëja në kafe “Venecia”, në atë kafe ku
shkrimtari fali një pjesë të jetës së tij të çmueshme.
E
njoh mirë atë lokal. Së paku, dy herë në javë, të shtunave e të dielave para
dite, aty, isha i pranishëm si klient dhe si mik i shkrimtarit. Është një lokal
simpatik, që me heshtjen e tij të fton. Klientët e rregullt e dijnë mirë
‘sekretin’ e derës së këtij lokali. Dera e tij është shpirti i pronarit, që fal
dëlirësi, buzëqeshje e mirësi. Ndaj, këtu, hyn edhe pa trokitur… Kështu hynte
Skënder Drini, kështu hyjmë dhe ne… Emri që mbart lokali është larg gondolave
veneciane, ndonëse me Venecien këtë lokal e ofron uji i rrëmbyeshëm apo
përmbytjet që pëson në mënyrë të beftë ky qytet. Është pranë monumentit të
‘Katër Heronjve të Demokracisë’. Përreth gëlon gjelbrimi, që shpesh na mungon a
na merr malli. Çdo 2 prill kujtohen heronjtë, mbi mermer u vihen kurora, tufa
lulesh e lule, nderohen… Çuditërisht i nderojnë…, para një monumenti të pa
përfunduar ende… Të tilla simbolika në këtë gjendje, nuk mund t’i artikulojnë
mesazhet plotësisht, aq më shumë kur lidhen me ndarje epokash dhe lirinë e
shumëndërruar…
Rrugës më shoqëron me një qiell kujtimesh për ty, miku
im; ndonëse dita e parë e këtij viti të ri është e ftohtë dhe me një erë
idhnake që t’i skuq faqet dhe hundën. Të zakonshme për këtë qytet, por jo për
ata që nuk janë mësuar t’u skuqet faqja.
Nuk e di ç’të kujtoj më parë, për ty… Sikur na ike
papritur… Sikur nuk e besojmë… Sikur… ende të presim… të dëgjojmë zërin tënd të
kumbueshëm, fjalën e urtë dhe erudicionin kulturor… Të presim, mik!..
Rruga
ku po eci, është pothuajse boshe. E natyrshme, për shkak të ftohtit, por jo si
për një ditë të parë të një Viti të ri. Vetiu të vjen në mendje pyetja: Po
hapin si do ta hedhim..?
Në këtë rrugë, edhe pse
kryesore, kalimtarët janë të rrallë. Shumica kësaj rrallësie, që i dallon
menjëherë nga veshja, janë emigrantë. Vetëm ata i japin gjallëri rrugës, ‘e
ndriçojnë’ atë duke folur tek-tuk edhe ca fjalë nga e përditësia e tyre
italiane, ndonëse shpesh akcenti shpirtëror i gënjen dhe u fal nota komizmi. Në
atë artikulim mblidhen dhe përplasen gjallëria jetëshkurtër, atdhedashuria dhe
përpjekjeja modeste drejt evropianizimit... Dhe kjo ndodh në ditën e parë të
2015-ës. Në fund të fundit, edhe kështu jetohet. Fjala ‘shtegtim’ mbetet
parësore në mendësinë dhe shpirtin e tyre. Udhëton nxitimthi nëpër kapilarët e
gjakut. Duan të kapin kohën?.. Pavarësisht se nuk e kanë të qartë: cilën kohë…:
Atë që e ‘përqafuan’ si emigrantë, atë që po jetojnë aktualisht, apo kohën që
po ikën si kohë… Mbase kjo është arsyeja
që edhe kësaj rruge, pjesë e vendlindjes, janë disi të hutuar, kurreshtarë të
çuditshëm e ndalojnë vend pa vend… Kodet e mirësjelljes dhe të mjedisit i
shkelin nga pak… Megjithatë nxitojnë e flasin me zë të lartë, shpesh me këmbë e
me duar…
Unë vazhdoj të ec. Kësaj radhe paralel me teatrin
“Migjeni”. Në skenën e këtij teatri shumë vite më parë u shfaq drama “Rrënjët e
hekurta” të Skënder Drinit. E rikujtoj mirë. U shfaq në një kohë, kur teatri
kishte marrë goditje nga liberalizmi i tepërt. Drama u shfaq, por, mendoj se
nuk u kuptua as nga regjisori, as nga kritika letrare dhe as nga juria e
festivalit në të cilën konkuroi pjesa. Arsyeja ishte se nuk njihnin strukturën
ligjërimore të filozofisë së shkrimtarit Skënder Drini. Dhe kjo ishte dramë më
vete për to. E të tillë njerëz që mbartnin një të tillë dramë, e kishin të
vështirë kulturalisht të flisnin për një dramë të vërtetë dhe realiste,
poetike, meditative dhe filozofike. Dhe u kujtova menjëherë se në homazhet që u
bënë në bibliotekën “Marin Barleti” (nga ora 12.00 – 13.30) njoha vetëm dy
aktore sypërlotur: Merita Smajën dhe Rita Gjekën. Të tjerët mungonin. Ashtu siç
mungonin pothuajse pedagogët e katedrës së Letërsisë, ashtu siç mungonin
deputetët, dhe qëndronin hijshëm e mirënjohëse kurorat e deputetes Mimoza
Hafizi dhe e Akademisë së Shkencave. Gjithashtu nuk mungoi e folura e magjishme
e krijuesit erudit Moikom Zeqo, dhe prania e dinjitetshme e studiuesve Jorgo
Bulo e Nasho Jorgaqi.
E gjithë rruga ime e mbarsur nga kujtimet, sikur nuk u
ndje. Tani ndodhem para lokalit. Para se
të vinte stina e ftohtë e dimrit, kishte plot tavolina. E kujtova menjëherë
vendin e tavolinës, pozicionin e karrigave, ku qëndruam përballë njëri-tjetrit
dhe biseduam me mikun Drini, atë ditë të shtunë. Ishte e fundit. As që më
kishte shkuar ndërmend të ishte e tillë. Sapo u ulëm më tha: “Eh, miku im, miku
yt është i sëmurë rëndë! Të hënën dua të nisem për Tiranë. Koronarja është e
vështirë, por do t’ia dal”. “Nuk ka gjë për t’u shqetësuar! Pastaj ti shquhesh
për trimëri”, - i them. Qeshi pak dhe thithi cigaren, pa më dhënë përgjigje.
Kjo ishte biseda e fundit, që përsëri s’dua ta besoj. Bisedë që kishte si fund
heshtjen. E çuditshme, por njerëzore.
E vështrova. E pashë të
menduar. Shumë të menduar. I kishte rënë hija e mendimit apo… Portreti i tij
humbiste herë pas herë në tymin që lëshonte cigarja, që ishte e pandalshme për
të… Më bëhej sikur më ikte, e më bëhej sikur e kisha pranë. I them: “Lëre
duhanin, o burrë!” Më përgjigjet: “Jo s’mund ta lë, se me të kam bërë alencë
dhe ‘bashkëjetesë’ plot mistere…”
Heshta. Dhe dhimbja mbuloi heshtjen time. Nga dhimbja dhe nga heshtja,
ai portret, përsëri, herë më largohej e herë më afrohej, herë më krijonte
dhimbje e herë më falte fisnikëri… Nuk fola. Më pas ndërrova bisedë. Folëm për
librin që sapo kishte botuar me titull “Testamenti”. Pjesën dërmuese të
tregimeve i njihja që më parë. Dhe kurrë nuk kisha menduar që titulli i tregimit
të parë do të ishte homonim i një libri
të fundit.
Teksa
vazhdoja të vështroja portretin e tij, më feksi (siç feks një yll i bukur) ky
fragment, i lexuar në këtë tregim: “Në rrugën T., te cepi i Shkollës së
Muzikës, është një fakir cigareshitësi. Kur më njohu, më kërkoi t’i recitoja
një poezi, dhe unë i thashë atë që më erdhi ndërmend aty për aty: “Qielli mbi
tokë, toka nën qiell, / Nuk shoh as re, nuk shoh as diell…” Ai nuk pranoi kurrësesi të merrte paratë dhe
filloi të qante, duke më lënë në një gjendje shumë të vështirë. Ju lutem,
ndaluni tek ai dhe i thoni që nuk po iki krejt pa diell…”
E kujtimet për mikun tim krijues vazhdojnë… ‘Në një nga
dhomat e reanimacionit të spitalit të QSUT-së “Nënë Tereza”, ku dhe heshtja ka
fytyrën e vdekjes, në orën 10.00 (paradite), të datës 16 dhjetor 2014, në
moshën 79 vjeçare, do të pushonte së rrahuri zemra e shkrimtarit Skënder Drini.
Por jo shpirti. Ndërroi jetë. Jetë ndërroi… udhëtari i kësaj bote Skënder
Drini, si vetë mbiemri i tij, duke vazhduar udhëtimin e tij sa qiellor aq dhe
njerëzor. U prefsh në paqe miku im i shtrenjtë!..
Në atë dhomë heshtane, prej më se dy javësh luhej një
dramë më e egër se varfëria e mosmirënjohja, ndryshkësia provinciale e
shfrymjet etiketore të pavlera. Luhej… Shkrimtari i rënë në gjendje komo
kacafytej me vdekjen, në emër të etjes për liri, për t’i shtuar një frazë
poetiko-filozofike më shumë kulturës dhe letrave shqipe. Kacafytej… me “… me dëshirën time më të fundit, më të
rëndësishmen dhe më kapitalen: Do t’u përgjërohem të gjithëve që të bëni të
pamundurën dhe të mos më lini të vdes”. Kështu thoshte shkrimtari Skënder Drini
në mbyllje të tregimit “Testamenti”, - amanet e një qetësie olimpike,
njerëzillëku e fisnikërie, ardhurimi e prometeizmi. “O Jetë!..” – shpesh më
thoshte në biseda apo kur e shoqëroja rrugës drejt shtëpisë.’
Kujtimet
më kthejnë shumë vite më pas. Më sjellin si dhuratë “Tregimet e së shtunës”.
Libri i parë i shkrimtarit Skënder Drini. Më këtë libër trokiti në dyert e
letërsisë. Për kohën dhe stadin e letërsisë për fëmijë e të rinj, ky libër qe
nga më interesantit. Ky libër ma zbukuroi fëmijërinë time. Mbeti në kujtesën e
saj. E lexoj përsëri… dhe më duket se takoi autorin e shumëdashur… Sikur rend
drejt botës së tij… Dhe… në një të shtunë (të hënën do të udhëtonte për në
Tiranë) u ndava me mikun tim për të mos u takuar më. Jo, për ta rikujtuar
gjithnjë...
Hyra brenda. ‘Venecia-n’ e gjeta të mbushur plot me
klientë. U drejtova nga tavolina, ku rrinte përherë miku im. Aty gjeta dhe u
përshëndeta me Kokëfortin Aktiv, Pacuku-n dhe Dajën. Karriga jote miku im,
ishte bosh. U ula. Karrigen tënde kisha pranë. Ndërsa përballë kisha disa nga
personazhet e tregimit tënd “Testamenti”. I vështroja me vëmendje. Dhe m’u
kujtuan këto rreshta nga krijimi yt: “Vendosa të shkruaj testamentin tim. … Për
përmbushjen e vullnetit tim kuptohet që do të angazhohen njerëzit e mi më të
shtrenjtë dhe patjetër mes tyre do të jenë edhe Kali Arab, Dhelpra, Kokëforti
Aktiv dhe Pacuku.”
Kujtimet m’u arratisen, kur në një moment Daja tha: “Na
mungon profesori..! (Kështu e thërrisnin të gjithë. Në të rrallë me emër.)
Pavarësisht moshës, kulturës, profesionit, shkollës… me të gjithë dinte të
bisedonte e nuk mërzitej…Eh, ç’njeri ishte ai, i çuditshëm!..”
Dhe m’u kujtuan përsëri këto rreshta nga krijimi yt:
“Kokëforti Aktiv patjetër që do të japë një kafe në kujtimin tim atje te
kafeneja “Venediku”, në përvjetorët e mi. Në rastin e Dajës (një tjetër
pseudonim ky), duhet të shtojë edhe një fernet Branka. Për shumë kohë, derisa
të mërzitet dhe nuk besoj që kjo të ndodhë shpejt, nuk do të lejojë askënd në
poltronin ku ulesha unë. Kokëforti Aktiv më ka robëruar përgjithnjë vetëm me
një buzëqeshje, të hollë, elegante, me një bonhomi universale… Po Pacuku, që
është një “hilexhi pa hile”, që është edhe një proverb i gjallë lindor, sepse
ka lexuar shumë Hafëzin dhe Rumin, përpiqet të më zhgënjejë. Thotë që atë
buzëqeshje Kokëforti Aktiv ua dhuron edhe të tjerëve. Nuk e besoj. Po të jetë e
vërtetë kjo, do të ishte një katastrofë. Pacuku lëshoi një ditë një tjetër ide
lindore. Ai tha që për njerëzit si unë do të preferonte një varr vertikal, si
ai i Rumiut në Konja. Më do shumë Pacuku dhe nuk çan kokën për asnjë lloj
teprimi…”
Ashtu, të mbledhur rreth asaj tavoline flasim pak e
kujtojmë shumë. Kështu nuk bëjmë asgjë tjetër, veçse gdhendim figurën e mikut
tonë Skënder Drini. Iku në një orë…, të cilën Karolina nuk e deshi asnjëherë.
Ishte ajo orë që e bëri shpesh të mekej, të drithërohej, të mbushej në detin e
lotëve, sa herë përmendte emrin e tij përmes dhimbjes së padurueshme. Ishte ajo
orë e atij burri model që shpesh ndalte dhe orën e zemrës së Karolinës…
Ashtu,
të mbledhur rreth asaj na kaplon heshtja. Nuk e di, a është heshtja monument
për shkrimtarin e shquar të letrave shqipe, që u nda 16 ditë më parë apo një
testament që Skënderi na la dinjitetshëm. Vetë jeta e tij ishte një libër,
testament. Dhe kjo ishte arsyeja që “Testamenti” ishte prijëtar i librit me të
njëjtin titull. Një tregim i trishtë, shpesh me kontraste por me rrezatim
universal. Universale dhimbja, dinjiteti e papërkulshmëria. Një rrëfim plot
dhimbje e tragjizëm i ligjëruar në vetën e parë: për kohën që jetoj
fisnikërisht, për njerëzit e tij të shtrenjtë; për raportet me jetën, me
letërsinë, me përjetësinë, dashurinë njerëzore… Një rrëfim që koha dhe njerëzit
e mirë do ta gdhendin në gjurmë lavdie e nderimi e mosharrese.
Unë u largova nga ajo tavolinë, në atë orë që zakonisht
largohej Skënderi. Nuk e di pse m’u dha që ta bëja këtë ritual, sot më 01 janar
2015. Ndoshta se më thirri kujtesa, bota e shkrimtarit, gjurma e tij… Nuk e di…
Teksa
largohesha, ktheva kokën pas; pashë personazhet që janë miqtë e mi teksa
bisedonin dhe karrigën bosh... Jo, në atë karrigë fle një testament. Ndoshta,
nuk do të ketë lokal në botë si ky i yni me emrin “Venecia”, me vendlindje
Shkodrën, që në historikun e saj ka një objekt me vlera të pashlyeshme, të
patjetërsueshme: një karrigë-testament!.. Ndoshta dhe monument…
Shkodër, 01 janar 2015.