Xhahid Bushati*
Aktor i modelimit mjeshtëror të figurës
Aktorit
të talentuar të teatrit “Migjeni” Paulin Lacaj, që lindi 100-vjet më parë e që
vdiq, më, 14.01.1976 në moshën 60-vjeçare; këtu e 18 vjet më parë i pata bërë
një emision biografik prej afro 50 minutash në radio Shkodra, kur punoja aso
kohe. Pas një viti, pra, më 1998 botova për të, një shkrim biografiko-artistik,
ku e rreshtova me 28 aktorë të tjerë të këtij teatrit zëmadh në veprën time studimore
të titulluar: “Drita e kujtimeve”.
Ndryshe
nga aktorët e tjerë, që mbase duheshin kohë për të kristalizuar
individualitetin e tyre artistik, tek Paulin Lacaj kjo rrugësi e proces bënte
përjashtim. Ai, që në fillesat e tij aktoriale, ishte Aktor i modelimit mjeshtëror
të figurës. Kjo ngjizje vinte se dukuritë e karakterit të tij përputheshin me
cilësitë, botën e brendshme të personazhit që ai interpretonte. Paulinin në jetë,
por edhe në jetën artistike, si dhe në çdo punë që bënte, ai kishte një
lajtmotiv: korrekt. Korrekt, - ishte
fjala e nxjerrë nga shpirti i tij i bardhë, nga vështrimi i tij i heshtur dhe
domethënës, i përsëritur shumë herë në biseda e procese pune… Në fakt, korrekt ishte universi i tij, të cilën
e nderoi dhe e respektoi, dhe kështu, me seriozitetin e tij, e kërkonte dhe nga
të tjerët. Dhe kjo reflektoi edhe në bilancin e tij artistik: deri në vitin
1939 mori pjesë në 20 premiera dhe doli në skenë 91 herë, ndërsa nga viti 1944
deri në vitin 1949 mori pjesë në 10 premiera dhe doli në skenë 59 herë. Më pas
si profesionist doli në skenë në 71 premiera, ku interpretoi në 30 role kryesore,
në 30 role të mesme dhe në 11 episodike. Dhe nuk mund të harrojmë interpretimet
e Paulinit, në pjesët: Themistokli Gërmenji, Moisi Golemi, Dredhitë e Patukut,
Dy princa për një vashë, Përmbysja, Zëri i Amerikës, Kopraci, Shtatë shaljanët,
Votra e huej, etj., etj. Dhe për ti përmbledhur: na dha role bindëse,
personazhe të përpiktë përmes një diksioni të plotë, të një zëri të shkrifët, të
ëmbël dhe të qartë skenik.
Me
emrin e aktorit Paulin Lacaj lidhet krijimi i arkivës së teatrit “Migjeni”. Për
të ka qenë e rëndësishme çdo gjë: një telegram, një ftesë teatri, një pjesë, një
shirit inçizimi, data se ku është dhënë shfaqja, platforma e regjisorit, e kështu
grumbullonte e grumbullonte për çdo shfaqje material që ta mbushte sa më shumë
dosjen e asaj premiere… Ai i shkruante me bishtpenë. Asnjëherë me stilograf apo
me stilolaps. Edhe me makinë shkrimi asnjëherë, megjithëse dikur kishte punuar
në gjykatë, dhe e zotëronte shumë mirë makinën e shkrimit. E bënte, se ajo
bishtpenë, sipas mendimit të tij, i jepte arkivës: jetëgjatësinë.
Në
këtë përvjetor të lindjes, më bëhet sikur dëgjoi hapat e tij, hapat e aktorit
dhe arkivistit të shkëlqyer Paulin Lacaj. Sikur vjen ende… si gjithnjë i
heshtur, me fjalën e mirë që gjithnjë e mbante në gojë, me atë cigaren në qoshe
të buzës; ashtu trupdrejtë, flokëkrehur gjithmonë me kujdes, me një pamje të
ëmbël megjithëse kishte vetulla të trasha. Gjithmonë me çantë në dorë. Vjen,
po, po vjen… të shkruajë përsëri bishtpena e tij nga ajo dorë që su lodh kurrë
për të plotësuar më tej arkivën, e që fatlume në këtë rast është aktorja e
talentuar Merita Smaja…. I ndiej hapat e tij…ndoshta brenda jetës së tij don ti
japë jetë teatrit, a ndoshta jeta e teatrit që e gdhendi me aq dashuri, don ti
jape jetë e përjetësi aktorin të nderuar Paulin Lacaj. Gjithsesi, një gjë është
e vërtetë: Paulin Lacaj i dha jetë jetës njerëzore…
*Diskutim i mbajtur në hollin e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, me rastin e
promovimit të filmit dokumentar “Hapa në skenë”, kushtuar aktorit shkodran
Paulin Lacaj, me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Filmi dokumentar është
prodhim i RTSh-së, me regji e skenar të Engjëll Ndocajt.
No comments:
Post a Comment