Friday, February 20, 2015


Disa nga veprat e shkrimtarit për fëmijë Xhahid Bushati 
















“Shpresoj tek Letërsia për fëmijë e të rinj, sepse shpresoj tek autorët që e shkruajnë atë…” –


-Intervistë me shkrimtarin për fëmijë e të rinj Xhahid Bushati-

            Bisedoi: Eraldo Harlicaj

Pavarësisht vargjeve që e rëndojnë mbi supe, e mospërkushtimi institucional ndaj kësaj letërsie që shkruan ky krijues, Profesor Xhahid Bushati ruan freskinë për t’i servirur lexuesve të tij të vegjël edhe shumë libra të tjerë. Ai është ndër ato shkrimtarë që i kanë kushtuar jetën letërsisë. Jo nga përfitimet, jo, pasi e di mirë se në Shqipëri nuk mbijetohet me letra ,por pasioni për të shkruar e mban gjallë, dashuria për letërsinë i jep forcë për të vazhduar përpara dhe koha e vërteton këtë. Që nga viti 1976, që hodhi në treg librin e parë ai nuk është ndalur më, pothuajse çdo vit e gjen profesorin me një libër të ri. Për të ardhmen ka shumë pikëpyetje që nga vlerat e vërteta e deri tek mësimdhënia, por ai është i bindur të vazhdojë misionin e tij, pasi skicat që mban në sirtare dhe planet bashkërendëse në palimpseste presin dritën e botimit. Së fundmi dhomës së trofeve i është shtuar edhe çmimi “Skënder Hasko” për librin me poezi “Foleja me ëndrra zogu, por çmimin më të madh Xhahid Bushati e ka nënshkruar me penën e tij. –

-Si e shihni ecurinë e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj?
Përgjigje: Kjo letërsi e ka një rrugë dhe mendoj se është e mbarë. Sepse ka autorë që i janë përkushtuar kësaj letërsie që është kaq e dashur. Tek ata autorë e kam shpresën. Por kjo letërsi nuk çmohet sa duhet. I mungon vlerësimi (qëndrimi), i mungon studimi dhe kritika letrare. Këto të fundit çuditërisht e bëjnë shkrimtarët dhe përgjithësisht është spontane. - Kush janë problematikat më të mëdha që has kjo letërsi në Shqipëri? Përgjigje: Problematika më e madhe është institucionale. Nga ana e institucioneve që e kanë për detyrë ta vlerësojnë, ka një heshtje e mosdëshirë. Kohët e fundit Ministria e Kulturës dha një grant për të botuar Antologjinë e Letërsisë për fëmijë e të rinj (2000-2014). Mendoj ishte një rreze shprese ose ogur i mirë. Por kur u promovua kjo antologji, nuk ishte i pranishëm asnjë punonjës i kësaj Ministrie. Problematike tjetër është se, e shohim si komercialitet shumë shtëpi botuese, po nga ana e këtyre të fundit pak, shumë pak botojnë letërsi për fëmijë e të rinj, veçanërisht libra shqip, kur krijuesit e talentuar nuk mungojnë. Ndërsa, rëndom në panaire, së paku këto pesë vjet, dëgjoj shprehjen famëkeqe: “Nuk ka prurje, etj., etj.) Një dukuri e tillë u manifestua edhe në Panairin e fundit të Librit, ku u premtua çmim për fëmijë dhe nuk u dha. Ishte një Panair mosmirënjohës dhe gënjeshtar në raport me librin shqip për fëmijë e të rinj. Në një festë libri, t’i mohosh librit shqip për fëmijë e të rinj çmimin, do të thotë të mos e njohësh atë. Turp të kenë!

-Fëmijët shqiptarë, a lexojnë letërsi me vlera të mirëfillta letrare? Këtu kam parasysh edhe përkthimet që i bëjnë shtëpitë botuese librave të huaj dhe autorëve bashkëkohor.
Përgjigje: Fëmijët, aktualisht, kanë probleme me leximin. Sepse, ka probleme vetë shkolla, kanë probleme bibliotekat. Aq më shumë ku librin e “sulmojnë” pa mëshirë celulari, komputeri (interneti, etj), filmi, etj. Në këtë problematikë të ndërlikuar, duhet ta thotë më shumë fjalën familja, pastaj shkolla. Mendoj që janë shumë larg këtyre problemeve të rëndësishme diturore e pedagogjike, me vlera e vizione për vendin tonë. Ndërsa për përkthimet që bëjnë disa shtëpi botuese, lënë për të dëshiruar dhe është e nevojshme të ketë dhe tavolina ku të diskutohet me seriozitet këto problem që agrravohen dita-ditës. Këto lloj përkthimesh ngjajnë si pazarhane, ku shet edhe gjëra të kalbura, por që, gjithsesi të sjellin fitim.

- Kush janë autorët më të mirë shqiptarë për fëmijë, sipas jush?
Përgjigje: Sigurisht janë shumë. Një gjë është e vërtetë: ata janë dhe mbeten thellë në kujtesën time, gjurma e tyre për mua është udhërrëfyese dhe dritësuese. Ata u ngjajnë margaritarëve dhe letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj i kanë dhënë përherë dritë. Kjo dritë do të ndriçojë, sa të ketë frymë njerëzimi.

- Ju keni mbaruar specializimin për kritike letrare, a ekziston kritikë e mirëfilltë letrare në vendin tonë? Nëse po, në çfarë niveli e shihni atë?
Përgjigje: Po është e vërtetë. Ajo më ndihmon edhe sot e kësaj dite. Ishin profesorë të nderuar ata që na jepnin leksionet. Kam nderim dhe i respektoj sa here që i përmend. Kritike letrare ka. Por më shumë është didaktike e recensionale. Mungojnë studimet, vërtet mungojnë. Është për të ardhur keq.

-Për vite me radhë jepni mësim. Në qoftë se do të bënit një krahasim ndërmjet brezit të ri dhe atë më të vjetër, ku qëndrojnë dallimet kryesore ndërmjet tyre?
Përgjigje: Unë e kam dashur këtë profesion. E kam të trashëguar edhe brenda familjes. Mësuesit që më kanë dhënë mësim, unë i kujtoj të gjithë. Kanë qenë të përkushtuar dhe të devotshëm, ndonëse figura e tyre nuk është e vlerësuar aq sa duhet. Mendoj, se edhe brezi im është i përkushtuar. Mbase mund të jetë brezi i fundit i këtij përkushtimi diturak në shërbim të gjeneratave. Duke mos qenë mohues, them që për brezat e mësuesëve që janë aktualisht dhe ato që po vijnë, rrugën e tyre po e ‘qëndisin” me shumë pikëpyetje. Jo më kot, sot dëgjon një refren të mërzitshëm e prozaik: “Reformë, kredite e testim”. Po t’i përkthesh në shqip: paaftësi. Arsimi ynë ka nevojë për përgjegjësi. E theksoj: përgjegjësi, dhe kjo është individuale dhe duhet të japësh llogari.

- Keni shkruar 34 libra për fëmijë. I fundit në vitin 2014. Bile, para një jave u nderuat me çmimin letrar “Skënder Hasko”, si libri më i mirë në gjininë e poezisë për vitin 2014. A do vini me një libër të ri së shpejti?
Përgjigje: I jam përkushtuar kësaj letërsie. Jeta ime si krijues është gdhendur në këto libra e në librat që kam dëshirë të botoj. Deri në frymën e fundit do të jem pranë kësaj letërsie që për mua është e shtrenjtë. Mendoj se për 2015 dëshiroj të botoj një libër me vjersha, si dhe me studime me autorë nga letërsia për fëmijë e të rinj. Shpresojmë…

-Libri më i dashur për ju, nga ato që keni shkruar ?
Përgjigje: Nëna i do të gjithë fëmijët njësoj. Unë lexuesin e kam të shenjtë, ndaj dhe letërsia ime që përpiqem të bëj është e shenjtë. Kështu gjithnjë e konsideroj atë.

- Pse keni zgjedhur të shkruani për fëmijë? A i qëndroni thënies se, Letërsia për fëmijë është më e vështirë?
Përgjigje: Siç duket Zoti më ka thënë e më ka thirrë që t’i shërbej letërsisë për fëmijë e të rinj me talentin tim, me atë talent aq sa e kam. Letërsia për fëmijë e të rinj është e vështirë. Me të duhet të merren të talentuarit.

- Libri i parë që keni lexuar dhe çfarë i rekomandoni fëmijëve për të lexuar?
Përgjigje: E kujtoj dhe tani, quhej “Lipka dhe panja”. Unë nuk jam njeri që rekomandoj. Unë për vete librin e kam të dashur e të shtrenjtë. Unë s’e heq kurrë nga dora. Nga mençuria e librit kanë dalë mençuritë e tjera. Një gjë të mos harrojnë fëmijët: Të mos djegin etapat e fëmijërisë, pra në çdo moment ta jetojnë moshën dhe të lexojnë librin e moshës së tyre. Më vonë do ta kuptojnë, se ç’vlera ka mosha e tyre në çdo etapë.

- Ç’ mendim keni për "shkrimtarët e facebookut"?
Përgjigje: Me facebook nuk mund të bëhesh as shkrimtar dhe s’mund të bësh as letërsi. Një rrugë e tillë tregon mënyrën se si e djeg moshën tënde, dëshirat dhe ëndrrat. Kështu djeg edhe kohën. Jo më kot thonë: “Pasha kohën!” Gjërat e çmueshme dhe të shtrenjta që të japin identitet dhe personalitet, kurrën e kurrës nuk duhet t’i djegësh. Nuk është mirë të bëhesh inkuizitor i vetvetes.


Jeta dhe krijimtaria letrare e autorit Xhahid Bushati

Xhahid Bushati ka lindur më 17 maj 1953 në qytetin e Shkodrës. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në fakultetin Gjuhë shqipe-letërsi. Specializimin pasuniversitar e mbaron në Tirane për kritikë letrare, ku mbron temën: “Letërsia fantastiko-shkencore dhe fëmijët”.Për shumë vite ka punuar mësues. Më vonë punoi 15 vjet si gazetar i Departamentit të emisioneve artistike në Radio Shkodra, Shkodër. Aktualisht punon mësues i lëndës Gjuhë shqipe-Letërsi në Medrezenë “Haxhi Sheh Shamia”.Që nga viti 1986 e deri në vitin 2010 ka qenë pedagog i jashtëm i Lëndës letërsi për fëmijë (për C.U. dhe C. Parashkollor) pranë Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kohët e fundit është zgjedhur dhe N/ kryetar i Shoqatës së pavarur të shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj shqiptarë. Xhahid Bushati është i pranishëm me botimet e tij nëpër të gjitha revistat e fëmijëve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Ulqin. Para dhe pas vitit 1990 është nderuar me çmime kombëtare në konkurset letrare-artistike që janë organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, nga Shoqata e pavarur e Shkrimtarëve të letërsisë për fëmijë e të rinj, si dhe nga organet e ndryshme letrare-artistike.Shkruan prozë dhe poezi, pjesë për kukulla, merret me publicistikë e studime të letërsisë për të rritur e fëmijë, etj., por kryesisht i është përkushtuar fushës së letrave për fëmijë. Ai ka botuar 34 libra dhe është nderuar me shumë çmime.

Përgatiti: ERALDO HARLICAJ



Shkodër, shkurt, 2015

Wednesday, February 4, 2015





Xhahid Bushati

                        Lule për lulet[1]
                                   -Antologji e letërsisë për fëmijë (2000 – 2014)
-Botim: Shoqata Mbarëshqiptare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Tiranë, 20l4-

            Përmes një simbolike të gjetur e të beftë metaforike, kuptimplote, të pranueshme, erëkandshme, fluide dhe përceptuese për botën dhe psikikën fëmijërore, ndërtuar harmonishëm si një marrëdhënie sa përrallore, floreale dhe poetike; “Lule për lulet” është Antologjia e parë e Letërsisë për fëmijë që përfshin një prodhim letrar të viteve (2000-2014), që prej afro 25 vjetësh të një ecurie të një sistemi të ri demokratik. Pra, prania e saj si një domosdoshmëri e fatlumësi përmban në radhë të parë pasaportën e bashkëkohësisë, jo vetëm për shkrimtarin e historinë e letërsisë për fëmijë e të rinj, studiuesin a kritikun, por edhe për lexuesin që i adresohet krijimtaria, për shkollën si vatër të dijes, për prindin që duhet të jetë partner në këtë lexim teksti, e më gjerë. Një antologji e prirur drejt një skeme të thjeshtë: fotografia e shkrimtarit, njohja autobiografike e bibliografike e tij; krijimi autorial, burim i krijimit (librat, revistat a dorëshkrimet). Ashtu, si në një polifoto qëndrojnë pranë e pranë brezash krijuesish, individualitete e mjeshtëri artistike, stile e mënyra rrëfimi, koncepte e dukuri estetike, përvojat e talentet, këndvështrime të motiveve e ndërtime arkitekturore të krijimeve, vendlindje e mesazhe, i të jetuarit aktualisht të shkrimtarit e të ndikimit të kultura letrare, ndjesi e përgjegjshmëri, treva shqipfolëse apo nga vende evropiane e kontinente ku me dashuri artikulohet poetika dhe sintaksa shqipe etj., etj. Ashtu pranë e pranë në një kuvendim në dhe për botën e madhe të letrave, me zërin e moçëm ilir e me kumbimin shqip, përmes gjuhës shqipe, gjuhës sonë të shtrenjtë. Në këtë këndvështrim Antologjia flet shumë, veçanërisht me parathënien e saj, por është edhe një udhërrëfyese dritëdhënëse e dritëshprese të një ecjeje të sigurt të kësaj letërsie që i flet kohës dhe të ardhmes e që të fton drejt vizioneve të reja.
            Pranë e pranë 87 krijues të nderuar..., që mbi bazën e statusit të tyre të shkrimtarisë, shpërfaqin me dinjitet krijimet e tyre  letrare mbështetur mbi bazën e lëvrimit gjinor apo të zhanrit. I gjithë ky palimpsest jo pak i mundimshëm është kurorëzuar me shije dhe kulturë nga një grup përzgjedhës – me redaktorë Pandeli Koçi (kryetar)  Astrit Bishqemi, Fatmir Gjestila, Riza Braholli, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Xhahid Bushati, Xhevat Syla, të cilët, besoj, kanë falënderimet dhe mirënjohjen tonë të pafund. Po ashtu edhe një falënderim i veçantë i shkon edhe Ministrisë së Kulturës, që e mbështeti këtë projekt. Shpresojmë që kjo rreze mirësie të jetë si një ogur i mirë për një qëndrim e vlerësim më të dukshëm ndaj letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, për të cilat ka shumë nevojë.
            Duke vërejtur e studiuar me kujdes çdo faqe të kësaj Antologjie, të cilën e kam krahasuar me një lulishte plot lule shumëngjyrëshe e plot aroma, mund të flasim e mund të shënjojmë disa karakteristika të saj:
a)      Po të bëjmë një bilanc artistik, konstatojmë se, pjesën më të madhe e zë poezia me 45 autorë; mozaiku gjinor e zhanror, si: përralla, rrëfimi, legjenda, gojëdhëna, animalistika, florealja, faunorja, didaktika... e deri te tregimi fantastiko-shkencor  me 22 autorë; tregimi i mirëfilltë me karakteristikat e tij fabulore me 20 autorë.
b)      Çdo autor, përmes krijimit të tij, shpreh tiparet më të mira të krijimtarisë së tij, përcaktueshëm individualitetin artistik dhe shpirtin poetik përmes rrëfimit e ligjërimit të tij.
c)      Vlerat e kësaj Antologjie përcillen përmes trajtimit të problematikës së krijimit për fëmijë me një dimension të gjerë kohor, të përpjekjes maksimale të talentit krijues për të njohur në thellësi botën dhe psikikën e fëmijës, etj., etj.; për ta përmbledhur: përkushtimi dhe idealiteti juaj të nderuar krijues bën që të ekzistojë dhe të jetojë Letërsia për fëmijë e të rinj. Mendoj se kjo është një dhuratë e çmueshme e fatlume, që ka një të djeshme, ka një të sotme dhe me gjuhën e zemprës e të shpirtit i flet së ardhmes. Kjo është dhe arsyeja që dhurata magjike me emrin Antologji vjen si lule për lulet-fëmijë!




Shkodër, 04.02.2015.      

             


[1] Pjesëmarrës në antologji: Abdullah Thaçi, Adelina Mamaqi, Adem Abdullahu, Adil Zeka, Agim Bajrami, Agim Deva, Aleko Likaj, Alketa Dervishaj, Anton Nikë Berisha, Anton Papleka, Aqif Malaj, Arian Leka, Arif Demolli, Astrit Bishqemi, Avdi Shala, Avdush Canaj, Bardhosh Gaçe, Bardhyl Xhama, Dionis Bubani, Elmaz Qerreti, Erinë Rrahmani, Faslli Haliti, Fatmir Gjestila, Fatmir Terziu, Fejzi Bojku, Ferit Lamaj, Flamur Topi, Frederik Reshpja, Gani Xhafolli, Gaqo Bushaka, Gjikë Kurtiqi, Gjon Gjergjaj, Hajro Ulqinaku, Hamdi Meça, Hasan Hasani, Hysen Kobellari, Ibrahim Kadriu, Iliaz Bobaj, Islam Balaj, Izet Çulli, Jonuz Fetahaj, Kalosh Çeliku, Kastriot Mahilaj, Kismete Hyseni, Klara Kodra, Konstandin Dhamo, Kostandin M. Leka, Kozma Gjini, Kujtim Stana, Mark Krasniqi, Milianov Kallupi, Mina T. Qirici, Moikom Zeqo, Nase Jani, Naum Prifti, Nehas Sopaj, Niko Tyto, Nikolla Spathari, Odhise K. Grillo, Petraq Risto, Petraq Zoto, Piro Kuqi, Qamil Batalli, Qibrie Demiri – Frangu, Ramadan Pasmaçiu, Rexhep Hoxha, Rifat Kukaj, Riza Braholli, Rovena Rrozhani – Kalaja, Sazan Goliku, Skënder Zogaj, Syrja Etemi, Shahbaze Vishaj, Shkëlzen Zalli, Shpresa Vreto, Tatiana (Prifti) Kurtiqi, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Viktor Canosinaj, Viron Kona, Xhahid Bushati, Xhemë Karadaku, Xhevahir Spahiu, Xhevat Beqaraj, Xhevat Syla, Zejnullah Halili, Zymber Elshani.
Grupi përzgjedhës – redaktorë Pandeli Koçi (kryetar)  Astrit Bishqemi, Fatmir Gjestila, Riza Braholli, Vangjush Saro, Vasil Premçi, Xhahid Bushati, Xhevat Syla.