Thursday, June 4, 2015

Rrëfim mbi bazën e modelimit  të përrallave tona popullore


Xhahid Bushati

Rrëfim mbi bazën e modelimit  të përrallave tona popullore


-Shënime për novelën-përrallë “Tërfili me katër fletë”                                     të shkrimtarit Bardhyl Xhama. Botim i tretë, Nereida, 2003-
 
            Ky libër, ashtu si shumë të tjerë që përbëjnë opusin letrar të shkrimtarit Bardhyl Xhama, njeh disa ribotime. Botimi i këtij libri (i tretë) daton në një periudhë kohore, kur krijimtaria e autorit i është drejtuar kryesisht lëvrimit të zhanrit të rrëfenjës.
            Novela-përrallë shoqërohet me një parathënie që titullohet: “Vështrime për vlerat ideoartistike të novelës-përrallë “Tërfili me katër fletë” me autor Prof. Doktor Jakup Mato, kritik letrar; si dhe në fund me një aparat pedagogjik në ndihmë të mësuesve dhe të nxënësve.
            Personazhi kryesor i kësaj novele-përrallë është Gjeka. Të gjitha ngjarjet që rrjedhin në mënyrë lineare lidhen me të. Biografia e tij artistike përkon me heronjtë e përrallave tona popullore. Si i njëjti model, ai mbart tipare e cilësi që shfaqen gjatë udhës së tij (udhë e vështirë e plot peripeci) në kërkim të lumturisë së vërtetë. Janë plot episode lirike, dramatike, të shkruara me frymëzim që na sjellin në reliev mençurinë, trimërinë, ndershmërinë, zgjuarsinë, këmbënguljen e triumfin e protagonistit kryesor, Gjekës ndaj forcave regresive, forca që kërkojnë mjerimin e njerëzve dhe zvetënimin e vyshkjen e ëndrrave të jetës. Gjeka me vendosmërinë e tij gjen çelësin e zbërthimit të së vërtetës të simbolikës së Tërfilit me katër fletë, simbolikë që e zbërthen plaku përmes fjalëve të tij: “E ç’kërkon të gjesh tjetër, mor bir? E ku ka tërfil me katër fletë?! Atë e sajoi populli nga dëshira për të jetuar i lumtur”. 
             Novela-përrallë “Tërfili me katër fletë”, mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve është  konceptuar dhe strukturuar nëpërmjet dhjetë rrëfimeve. Nga pikëpamja tipologjike, rrëfimi i krijimit është qasje e plotë e ndërtimit dhe e modelimit të përrallave tona popullore. Atë e gjen në rrafshin e funksioneve të personazheve, në bëmat, aventurat e të papriturat e tyre, në triumfin e së mirës ndaj së keqes e negatives, në raportet e reales me fantastiken, konkretes me figurativen, ideales me realen, logjikes me emocionalen, te prania e figurave të tilla si: Gjoka, Gjika e Gjeka, Cinxoja (Gishtoja apo Kacimicrri), gjiganti, kuçedra, divat, plaka e mençur, burri i ditur, apo te mrekullitë magjike: bluza me diellin e qëndisur, unaza magjike etj., etj. Për këtë arsye, mendojmë se, lënda përrallore me ngjyrat dhe dinamikën e saj, me kureshtitë e të papriturat, etj., paraqet interes te lexuesi i vogël. Modeli i ofruar i bën më shumë jehonë përrallës popullore si rrëfim i të jetuarit ekzistencial, sesa aktualitetit që ka një frymëmarrje dhe problematikë të caktuar. Për rrjedhojë bashkëkohësinë novela-përrallë e ka të vështirë ta përligj si krijim artistik.
              Autori e njeh mirë letërsinë gojore dhe rrëfimin e saj. Nuk mungojnë elementet poetikë. Ashtu sikundër nuk mungojnë edhe elementet didaktikë. Fraza e shkurtër i ka dhënë emocion dhe zhdërvjelltësi mikro e makro ngjarjeve.
            Studiuesi Mato në parathënien e tij, në mes të tjerave shprehet: “Nuk mund të saktësoj nëse novela-përrallë “Tërfili me katër fletë” është krijimi më i mirë i tij. Por si kritik e studiues them se kjo është një novelë shumë interesante, shkruar mjaft bukur, nga një penë e talentuar”.
            Duke pasur një fushëpamje tjetër për këtë krijim, më lart prekëm problemin e bashkëkohësisë së krijimit. Tani dua të prekim dhe funksionin e kohës, më saktë të koherencës në raport mes krijimit popullor dhe atij të kultivuar në këtë novelë-përrallë.      
Shkrimtari duke i mbetur besnik tradicionales së këtyre krijimeve popullore, mendojmë që elementin e koherencës e ka vënë sa në funksion të lëndës së novelës aq dhe në mendësinë dhe psikikën e krijuesit të saj popullor. Ndaj, nocioni i ‘folklorizimit’ – siç e quan në një trajtesë studimore mbi këto probleme Rexhep Qosja, - e, që shfaqet dukshëm në shume vepra letrare te kësaj gjinie siç përralla; kjo novelë me vlerat që mbart jo vetëm e ka kapërcyer një nocion të tillë, por mbetet, dhe një model interesant në trajtimin e motiveve popullore duke i përballur me realitetin, si vlerë e si mesazh.      


Shkodër, qershor 2013