Xhahid Bushati
Kënga
e Folezës
-përrallë-
Dimri
plak u zemërua. Hajt-hajt, kaloi një mal dhe e zbardhi. Hajt-hajt, kaloi një
fushë dhe e zbardhi. Hajt-hajt, po i
afrohej një pylli me pisha të moçme.
-Edhe ty do të të zbardh, - i tha
pyllit. – Dhe hodhi e hodhi pa pushim mijëra flokë të mëdhenj dëbore.
Nuk vonoi dhe pylli i gjelbër u
zbardh i tëri si mali e si fusha.
Tani kjo bardhësi e pafund ia hoqi
zemërimin Dimrit plak. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Papritur… diku larg… dëgjoi
një këngëz.
Dimri plak u zemërua. Mori bastunin
dhe me hap të shpejtë rendi nëpër pyll. U ndal pranë një pishe. Poshtë saj
rridhte e qetë rrëkeza e vogël e ujit.
-Ti, moj Rrëkezë e vogël, vazhdon të
këndosh? Ti..?! – dhe u vrenjt. Po kur u vrenjt, i hodhi ca fluturza dëbore. Rrëkeza
ndjeu të ngrohtë dhe e zuri një gjumë i ëmbël.
Tani bardhësia e pafund ia hoqi
zemërimin Dimrit plak. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Papritur… diku larg… dëgjoi
përsëri një këngëz.
Dimri plak vrenjti vetullat edhe më shumë. Me bastun në dorë vazhdoi
rrugën nëpër pyll. U ndal pranë një pishe të moçme dhe tha:
-Ti, Zog i vogël i dëborës, vazhdon
të këndosh?!.. Ti..?! – dhe i hodhi një grusht dëborë, sa i zbardhi folezën.
-Zogu i dëborës cicëroi ci-ci,
zgjati sqepin si një lopatëz e vockël dhe nisi të heqë dëborën. Ci-ci-ci-ci,
pakëz nga pakëz dhe foleza u pastrua.
Dimri që s’ia ndante vështrimin, u
çudit nga kënga e zogut, sa i foli:
-Ti je i vogël sa një topth, dhe më
kundërshton mua?!.. Ja, shiko… - dhe i hodhi shumë dëborë.
Zogu i dëborës cicëroi ci-ci, zgjati
si një lopatëz dhe nisi përsëri të heqë dëborën. Ci-ci e ci-ci, pakëz e nga
pakëz dhe foleza u pastrua.
Dimri plak u çudit dhe më shumë me
guximin e Zogut.
-Do të hedh aq shumë dëborë, sa do
të bëj ta pushosh këngën tënde, o Zog i vogël.
-Ci-ci jo, ci-ci jo, - tha zogu i
vogël. Unë do të këndoj përsëri ci-ci-ci!
-Do të hedh aq shumë dëborë, sa do
të bëj të largohesh nga foleza jote, o Zog i vogël.
-Ci-ci jo, ci-ci jo, - tha Zogu i
vogël. - Unë do të këndoj përsëri: ci-ci-ci në folezën time.
-Shikoje, pra… - foli Dimri i
egërsuar. – Dhe hodhi e hodhi dëborë mbi folezën e Zogut të vogël. “Të tillë
mal prej dëbore s’kam bërë asnjëherë”, - tha me vete Dimri plak dhe buzëqeshi.
Ndërsa Zogu që s’ndiente lodhje me
këngëzën ci-ci, pakëz nga pakëz pastroi malin e dëborës.
Dimri plak e kuptoi që po mundej.
Para se të largohej, e pyeti Zogun e vogël të dëborës:
-Si e ka emrin kënga që mposhti
forcën e zemërimit tim?
-Kënga e Folezës, - u përgjigj Zogu
i vogël që cicëronte pa pushim e i gëzuar. Cicërimat
e tij ngjanin me lulet e pranverës.
Shkodër,
nëntor, 2014
No comments:
Post a Comment