Xhahid Bushati
Sfidat
letrare të fishtologut Tonin Çobani
-fragment
i një studimi në proces-
Herë pas here kam shfaqur në shtypin e shkruar
këndvështrimet e mia lidhur, por veçanërisht me studimet interesante dhe plot
vlera të Tonin Çobanit. Por në fushën e letrave shqipe, deri tani, portreti i
Tonin Çobanit shfaqet në dy plane: të prozatorit dhe të studiuesit. Nga
pikëpamja përmbajtësore kemi te bëjmë me dy
raporte dhe me dy rrafshe. Veçantitë
dhe përqasjet ndërmjet tyre, aktualisht, ravijëzojnë portretin e tij sa
artistik aq dhe shkencor. Duke lexuar tekstin e opusit të veprave të Tonin
Çobanit, me theks anën ligjërimore që përmban teksti, mendoj që këto dy
rrafshe bashkëjetojnë në disa pika të
caktuara, duke ruajtur veçoritë e gjinisë, zhanrit a të procesit studimor. Në
rrjedhën e botimeve të veprave, si gjini, njëra mund të ketë përparësi ndaj
tjetrës në një vit botimi a proces letrar të Toninit, por, t’i vështrosh me
vëmendje, përsëri ato bashkëjetojnë në disa shqyrtime, si: në konceptim, në mënyrën
e vëzhgimit e të rrëfimit, në peshën e fjalës, në ndërtimin e strukturave
ligjërimore, në veçoritë stilistike etj. etj.
Proza e Çobanit ka
prirjen drejt tregimit të shkurtër, në ndërtime sintagmash me ngarkesa
emocionale dhe ngjyra poetike, që në përzierjen e tyre kontrastojnë dukshëm.
Fjalën e ka të menduar mirë dhe të shenjtë. I pëlqen qielli i meditimit dhe
vizatimi i kujdesshëm i personazheve, personazhe që i merr nga jeta e që në
komunikim me lexuesin i japin atij brumin e subjekteve që vijnë nga copëza
jete. Parapëlqen fabulën klasike aq sa dhe absurdin e fabulës.
Në vitet e fundit vërejmë
se kanë përparësi studimet tek Tonin Çobani. Por të mos harrojmë se edhe në
studimet në fjalë, ndjejmë veçoritë e ngjyrat e një tregimtari, ku reflektojnë
dhe konvergojnë motivueshëm në hapësirat kohore disa nga shkrimtarët e
traditës. Duke qenë i njohur, në rrjedhën e viteve, me tekstet studimore të
Toninit, shpesh herë i kam bërë pyetje vetes: “Cilat janë sfidat e këtij
studiuesi?” Ndriçimi i atyre krijuesve që ndriçuan traditën mbetet një sfidë.
Mendoj, se më kryesorja është dritësimi i figurës së Fishtës. Koha më ka dhënë
të drejtë që Tonin Çobanin e kam quajtur fishtolog. E tregojnë prurjet e tij
shkencore e kualitative. Në librat e tij studimorë (përfshire edhe këtë të
fundit “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”), fishtologu Tonin Çobani
herë pas here i është qasur dhe vazhdon t’i qaset figurës së Fishtës dhe
problematikës që ofron vepra e tij madhore. Qasja nuk i ngjan një rituali të
zakonshëm me një refren përsëritës, përkundrazi, autori Tonin Çobani rreket të
ndriçojë copëza të reja të procesit krijues të shkrimtarit, shtresëzime të
tekstit letrar, simbolika që kanë ngjallur diskutime, etj., e, që kritika
letrare i ka kundruar shpesh herë zbehtë, në mënyrë anemike, nganjëherë edhe me
keqdashje disa nga këto rrafshe. Duke zbuluar shkëlqime të reja, studiuesi
Tonin Çobani sjell sprova drejt interpretimit të mëtejshëm të thellësisë së
tekstit përmes thellësisë së fjalës. Një kumt të tillë fishtjan që ka marrë
përsipër studiuesi Çobani, na bën të pohojmë se Tonin Çobani e ka një skedë,
sigurisht të dallueshme dhe ndryshe
nga studiuesit e tjerë. Fenomenet që trajton i njeh mirë, peshojnë realisht e
qartësohen në marrëdhënie me kohën. Tezat shkencore që hidhen për shqyrtim
zbërthejnë fenomenin dhe ruajnë elementin krahasimtar në marrëdhënie me
bibliografinë shqyrtuese të mëparshme, çka i japin fenomenit universin e duhur.
Fraza është e qartë, e saktë dhe me ngarkesë emocionale. Është larg formateve
të atyre monografive që vuajnë nga inflacioni i mbingarkuar teknik i termave,
që shpesh bëhen qëllim në vetvete dhe i shërbejnë erudicionit personal, por që
humbasin marrëdhënien e komunikimit me lexuesin.
Monografitë dhe esetë e
botuara, duke shtuar dhe studimet: “Kërkime letrare”, “Miti dhe antimiti
fishtjan”, “Paralele kulturore të një qyteti”, “Princi i përfolur Lekë
Dukagjini”, “Variacione me fjalën komb”, krijojnë “një kreshtë malesh”, - siç
thoshte poeti i mirënjohur Ndoc Gjetja, tani po shtoj dhe unë: krijojnë një
opus të denjë përfaqësimi të studiuesit Tonin Çobani.
Xhahid Bushati,
Shkodër, nëntor, 2014
No comments:
Post a Comment