Saturday, January 25, 2014

Ky shkrim që po publikoj, është përmbushje e një dëshirë nëne, dhe është ime shoqe Ikbali, që të gjithë e thërrasim: Piti. Me datë 26.01.2014 bija jonë, Eris, ka ditëlindjen.

Ky shkrim që po publikoj, është përmbushje e një dëshirë nëne, dhe është ime shoqe Ikbali, që të gjithë e thërrasim: Piti. Me datë 26.01.2014 bija jonë, Eris, ka ditëlindjen. Ikbali, si person mirëdashës, donte t’i bënte vajzës një surprizë, që për të ishte shumë e rëndësishme dhe do të vlente sa njëmijë dhurata, nëse  ky shkrim do të botohej të dielën në ndonjë gazetë (dhe u botua në gazeten "Nacional"). Këtë shkrim që mban për autore time shoqe Pitin ia ka kushtuar Erisit me shumë dashuri,  është shkruar para 14 vitesh. Dhe unë, nga ana ime, duke vazhduar surprizën, mendova ta publikoj në blogun tim.



Ikbale Kalaja (Bushati)
                                                                Dy dashuritë…
                                                                                                      (Bijës sime Eris, 16.03.1997)

            Ndjeva zgjimin e saj dhe me padurim, me sytë mbyllur po prisja puthjen e saj, ritin e zakonshëm. Hapat s’i ndali pranë meje. Ç’kish ndodhur?
            E kisha detyruar të shkonte të flinte, duke e shkëputur nga loja e saj përthithëse, loja e ngjyrës. Dhe sa e vështirë është shkëputja, kur atë e mbërthen “harrimi”!
            I premtova që pas zgjimit, do ta lejoja që menjëherë të vazhdonte vizatimin e saj. Si duket kish fjetur me ngutjen e madhe për t’iu kthyer sa më shpejt lojës, që dhimbshëm përgjysëm ishte lënë.
            Ja pse, këtë pasdite më mungoi puthja.
            E shoh që me shumë kujdes po mundohej të hapte kutinë e ngjyrave, e cila s’donte që s’donte t’i hapej. A thua po ruhej se mos me zhurmën e saj më prishte gjumin, apo donte që ai vizatim të përfundonte si surprizë për mua, shtuar vargut të gjatë të surprizave të tilla.
            Fillova ta vëzhgoj. E kthyer me shpinë nga unë, punonte e përqëndruar. Herë – herë, zbuloja fare sytë, e sigurtë që ajo e përthithur në botën e saj s’më shihte, ashtu siç ajo punonte e qetë dhe e sigurtë që unë e “tretur në gjumin tim” nuk e shihja.
            E ndiqja e paduruar, e papërmbajtur që të ngrihesha, të shkoja pranë saj, ta shtrëngoja, ta puthja, ta puthja…
            Por unë isha… “në gjumë”…
            Kur trupi im ishte në qetësi, loja e lapsave në duart e saj ishte e kujdesshme për të mos prishur pra, “gjumin” tim, por teksa nën rrokullimën e eshtrave të mi të parehatuar, divani kërciste, lapsat fillonin të luanin zhurmshëm, të bindur që krrau-krrau e divanit e mbulonte zhurmën e lojës së tyre.
            Kjo lojë zhurmë-heshtje, vazhdoi deri atëherë, kur pasioni nuk iu bind më mendjes, ndërsa loja ishte plotësisht nën pushtetin e tij, deri atëherë, kur mendja bile, pushoi së qeni brenda kokës së vogël hirplotë e vendin e saj e zuri loja e magjishme e pasionit.
            Atëherë…, atëherë asgjë më nuk ekzistonte rreth saj, as edhe unë, as edhe bota vetë.
            Botë, tani për të ishte vetëm ajo çka pranë, fare pranë vetes kishte: një fletë e bardhë, një libër për mbështetje, kutia e magjishme me ngjyrat dhe… një gomë. Asgjë më shumë.
Kjo ishte bota. Çudi, si mund të ishte “botë” kaq, kaq pak gjë!? Kjo ishte bota e saj. Mos u çudisni!
            Po, po. Ajo kishte të drejtë. Me to, ajo mund të krijonte botën si të donte, si ta donte dhe… kur të donte ajo. Mund “ta krijonte” të bukur, të qetë, pa krisma, mund…
            Eh, e ç’nuk mund të krijonte ajo me kutinë e vet, që pasioni magjike ia bënte, aq sa një botë të tërë me të mund të krijonte.
            Dhe kjo asaj i mjaftonte, i mjaftonte, i mbushte boshin, i cili të tjerët këto ditë po i mbyste.
            E ç’i duhej asaj të jetonte “në botën e marrë” ku të gjithë po çmendeshin?
            Ajo kishte botën e saj që ia kishte krijuar pasioni, apo ajo vetë me pasion po e krijonte, apo diçka mes të dyjave, apo të dyja bashkë, apo…
            E ç’rëndësi kishte kjo!
            Ajo kishte atë botë ku vetë, lumturisht e qetë ndjehej. Bota, pasioni. Çfarë vallë ishte pasioni për të? Mos vallë diçka edhe mbi dashurinë, aq sa edhe rënkimet e mia të vazhdueshme të mos e tërhiqnin vëmendjen e saj tashmë, as rënkimet pra, rënkimet e mia po them, ato ndaj të cilave, në momentet kur është jashtë “botës së saj”, ajo aq e ndjeshme është, aq e gatshme që sapo pak, qoftë edhe me puthjen e saj, t’i zbusë.
            Pasioni. Pasioni i saj, dua të them. Ku ta dish! Apo ndoshta dashuria shumë e madhe e ka shtyrë drejt një pasioni thithës.
            Apo vetë pasioni ishte dashuri?
            Mos ndoshta nga dashuria e madhe, pasioni i saj ishte kaq i madh sa ndoshta kërkonte që me të, të mundohej sadopak të zvogëlonte dhimbjen time  për shkëputjen nga pasioni im, i cili në mënyrë krejt të natyrshme, intuitivisht ishte transferuar  tek ajo?
            Mos donte të më thoshte: “Qetësohu mami, tashmë ti e ke zëvendësuesin tënd. Jam unë… Jam unë!
Sa bukur! Është ajo, ime bijë.
            ….
            “O, oooh” – një dhimbje e fortë më shkuli nga krahërori një rënkim të thellë, që medet… medet!
            Një “ëhh” e trembur dhe “bota e saj” u shkërmoq, u shpërbë dhe ajo, me një ngritje koke, me një vështrim të dhembshur e të vëmendshëm nga unë, hyri në “botën” ku jetonim të dyja, aty ku të gjithë ne jetojmë, desha të them.
            Medet, medet..! Si u shpërbë kështu “Bota e saj”?!.
            Duart vazhdoja t’i kisha të kryqëzuara para syve.
            Dhimbja kish qenë aq e  rrufeshme, sa po aq shpejt  sa më kishte shkëputur “o, oooh-un” mëkatar nga krahërori, po aq shpejt solli edhe qetësinë.
            “Eh, mami përsëri fle” – u qetësua ajo.
            Kaq u desh dhe çuditërisht thërmijat e “botës së saj” të shkërmoqur një minut më parë, u mblodhën, e formuan shpejt “botën e saj” përsëri dhe përsëri ajo u përhumb në të.
            Tashmë përballë meje.
            Kështu kisha mundësi ta shihja fytyrën e saj aq ekspresive që shpenguar, qartësisht, pasqyronte përjetimet që kalonte, teksa “botën e saj” po krijonte.
            E vëzhgoja, por tashmë, përmes një të çare të vogël që më lejonte kryqëzimi i krahëve para syve të mi.
            Doja ta çoja deri në fund “lojën” time që të shihja se si natyrshëm do të merrte fund.
            Herë-herë, vjerdhurazi, mundohesha të zbuloja sytë që të ngopesha më mirë me mrekullinë që më përballej.
            Doja…, doja të ngopesha pra.
            Një e çarë mes duarve nuk më mjaftonte. Ishte aq e vogël ajo e çarë për të përfshirë mrekullinë time me “botën e saj” bashkë.
            Zbulohesha, e sigurtë që  e përhumbur siç ishte, nuk më shikonte. Kjo lojë kukafshehti që po bëja me imazhin e saj, brenda të çarës dhe jashtë saj, zgjati mjaft, derisa në një moment krejt papritur, kur vetëdijshëm ngriti sytë lart, ndeshi në sytë e mi.
            -Çfarë? – tha trembshëm.
            Kaq tha dhe me fletët e vizatimit në dorë u derdh drejt meje si një lumë i ngarkuar duke gurgulluar nga gëzimi që i kishte dhënë “loja”, apo zgjimi im ndoshta? Ku ta dish?!
            Unë mezi ç’kisha pritur fundin e atij vizatimi, ajo mezi mezi ç’kishte pritur zgjimin tim.
            E putha, e putha fort.
            Në pikturën e saj ishte një “botë” e mbushur me ylbere…

Wednesday, January 22, 2014


Nga: Xhahid Bushati






                          B.Xhama

I qetë nga natyra, me një shpirt paqësor që mbart mistere deti, me një vështrim sa të vëmendshëm aq dhe prej kureshtari e sportive, duke sfiduar pleqërinë, si gjithnjë duke treguar rrëfenjat e tij me brumë nga mençuria e urtësia popullore, që janë sa pedagogjike aq dhe artistike, të cilat zënë vendin më të gjerë në opusin e krijimtarisë së autorit, të gjitha këto ia kanë gdhendur më së miri portretin, i kanë falur të veçantën si individualitet në letrat shqipe, për fëmijë e të rinj.
Ky është një portret i vizatuar me penelata të shpejta i shkrimtarit për fëmijë e të rinj, Bardhyl Xhama. E, si thellim i mëtejshëm i portretit të tij, i shoqëruar edhe me misionin  shkrimtar i kësaj letërsie, shtojmë edhe këto radhë: “Gjënë më të bukur e bëjnë këta shkrimtarët për fëmijë. Nuk janë shumë të mëdhenj, që të trondisin dheun kur kalojnë, si ca shkrimtarë të rëndë, por janë përherë të pranishëm dhe hyjnë në zemrën tonë, në gjakun tonë, ashtu të përzemërt dhe secili mbart me vete kujtimet e fëmijërisë. (Dizdari, Limos: Fjalë e mbajtur në Takimin jubilar kushtuar 70-vjetorit të lindjes të mësuesit, shkrimtarit dhe gazetarit Bardhyl Xhama.-Veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në bashkëpunim me komunitetin fteriot të Tiranës).


Kopertinat e disa librave, nga B.Xhama

Shkrimtari Bardhyl Xhama i takon brezit më të vjetër të letrave shqipe për fëmijë dhe të rinj. Kjo moshë, sot, është e paktë në tempullin e kulturës sonë bashkëkohore e të ardhmërisë. Ndaj, kemi të drejtë t’i krahasojmë me gurë të çmueshëm; përkujdesja ndaj të cilëve është më shumë se një falënderim, më shumë se një respekt, më shumë se një dashuri, më shumë se një nderim. Të mos harrojmë se ata janë identitet dhe kujtesë, mësues të heshtur dhe mëkues të fjalës shqipe, përhapës të palodhur të diturisë e të kulturës shqipe, gjyshër që, edhe përmes një mijë e një sakrificave, falin buzëqeshje, dashuri e ëndrra për nipërit e mbesat e tyre, respektues deri në dhembjen e madhështisë së krijimit, ndaj lexuesit të vogël. Jo vetëm kaq, por po të “Ulesh me të në tavolinë, dhe bashkë me kafenë dhe shishen e rakisë, të cilën s’e ndan nga çanta e librave, të dhuron bukurinë e shpirtit dhe bujarinë, humorin e hollë dhe krenarinë, vlagun e mençurisë dhe energjinë, me të cilat “vret” problemet dhe plogështinë për të ringjallur shpresën e sigurisë dhe për të mundur stresin dhe pleqërinë.” (Harka. Sejdo: “I arti” Bardhyl Xhama, gazeta “Shekulli”, 27.06.2013.)
Bardhyl Xhama “... i përket brezit të dytë të shkrimtarëve të letërsisë së re për fëmijët, të cilët, me krijimtarinë e tyre të spikatur, i ngritën më lart e i konsoliduan themelet, që vunë paraardhësit e tyre: Qamil Guranjaku, Teufik Gjyli, Spiro Çomora, Zihni Sako, Moisi Zaloshnja, Bedri Dedja etj., duke qenë bashkëkohës e bashkëpunëtorë me autorë të njohur të këtij brezi, si: Odhise Grillo, Dionis Bubani, Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Adelina R. Mamaqi, Bekim Harxhi, Petraq Zoto etj. Krijimtaria letrare e këtij autori zë fill në vitet ’50...” (Nelaj. Milaim: “Bardhyl Xhama – shkrimtari që sfidon moshën”, gazeta “Telegraf”, 08.04.2010.)
Dhe krijimtarinë e tij letrare, si process, duhet ta kërkojmë te lëvrimi i përrallës shkencore. Jo vetëm këtë lloj të kësaj gjinie, por edhe atë fantastiko-shkencor, ne duhet ta kërkojmë profilin e këtij shkrimtari, i cili nga viti në vit vjen duke u pasuruar. Studiuesi i problemeve fantastiko-shkencore, Astrit Bishqemi vëren: “Shumicën e tregimeve fantastiko-shkencore, autorët tanë i kanë ngritur mbi bazën e një fabule interesante. Nëpërmjet kësaj fabule, jo vetëm jepen njohuri shkencore, por del edhe një moral i saj.” (Bishqemi, Astrit: Probleme të tregimit fantastiko-shkencor për fëmijë”, f. 148, revista Nëntori, 10/ 1976.)
Duke iu drejtuar rrëfenjave më të realizuara artistikisht, vërejmë se ato i karakterizon “...  humori dhe ironia... . Shpesh edhe ky humor e kjo ironi është huajtur nga folklori ynë i pasur.” (Bishqemi, Prof. as. Dr. Astrit: “Histori e Letërsisë Shqiptare për fëmijë e të rinj”, Botim i tretë, i plotësuar dhe i përmirësuar, Sh. B. “Dy Lindje dhe dy Perëndime”, Tiranë, 2008; “Pse qau delfini?, 1996, f. 722.)
 Duke iu drejtuar rrëfenjave, që Bardhyl Xhama i realizon artistikisht, vërejmë se, pavarësisht kohës apo vendit ku zhvillohen ngjarjet, parakalojnë personazhe-fëmijë që mbartin cilësi, dëshira, përpjekje e ëndrra…; gjithashtu, parakalojnë nëna, baballarë, gjyshër, të rritur… që mbartin këshilla, qortime, porosi, që shoqërohen me një aparat pedagogjik të pasur, të cilat kanë vlera dobiprurëse dhe rrezatojnë fuqishëm në shpirtin e personazheve. Këto rrëfenja flasin për besueshmëri dhe përçojnë mesazhe të rëndësishme e jetike, si për fëmijët ashtu edhe për prindërit. 
Leximi i lëndës së këtij shkrimtari (po rikujtoj edhe leximin e rrëfenjave) “... është sa mes vlerave artistike e gjuhësore, aq edhe mes arsyes së mbrujtur me karakter edukativ e shkencor. Krijimet e tij, të ardhura vitesh, mes një transferte të pasur e mjeshtërore, janë thurur në mënyrë të tillë “që të fitojë e mira ndaj së keqes”.  (Terziu, Fatmir: “Ndërtesa” e krenarisë letrare e shkrimtarit Bardhyl Xhama.) Më tej, po ky studiues, vazhdon: “Kalimet nga realja në fantastiken, mes arsye dhe qëllimit, e bëjnë leximin e shkrimtarit Xhama një arsye më shumë, në atë zinxhir të gjatë vitesh, që kthen vlerat Kombëtare gojore në artin e të shkruarit.” (citim, po te shkrimi i studiuesit të mësiprm).
Duke parë lëvrimin e rrëfenjës, që zë pjesën kryesore të krijimtarisë së shkrimtarit Bardhyl Xhama, e njëkohësisht duke parë dhe natyrën e botimeve të kohëve të fundit, konkludojmë se krijuesit, si pa dashur, janë grupuar në këtë mënyrë: a) disa ruajnë statusin e letërsisë për fëmijë e të rinj, si të mirëfilltë b) të tjerë ruajnë statusin e letërsisë arstistike, por të bashkëngjizur me atë pedagogjike e didaktike. Mendojmë që shkrimtari B.Xhama hyn në grupin e dytë. Se si do të jenë prirjet e kësaj letërsie në të ardhmen, nuk mund të themi një mendim të saktë, pasi mungojnë edhe studimet në këtë fushë. Por  mendimi im është se kjo letërsi po vjen gjithnjë duke e tkurrur elementin e parë dhe prirjen e ka drejt grupimit të dytë. Le të shohim...
E, për ta përmbledhur këtë skicim të shpejtë të krijimtarisë së shkrimtarit Bardhyl Xhama, mendojmë se ai lë këto shenja në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj: a)Trajtimi me mjeshëtri i motivit të detit; b)Përjetimi i shkrimtarit si pjesë e procesit të tij krijues; c)Individualiteti në rrëfimin e përrallës shkencore; ç)Krijimtaria popullore, burim jetëdhënës i krijimtarisë artistike të shkrimtarit, në veçanti i llojit të rrëfenjës, që mendojmë se autori e ka më për zemër; d)Lënda artistike e ofruar gërsheton më së miri: mësuesin, shkrimtarin dhe gazetarin.

Shkurt, 2014