Thursday, October 16, 2014



Xhahid Bushati


Po foleja, vallë ku rri?..



Nëna ime pakëz fle,
nënë moj, a ke fole?..

Si një zog, kërkoj, ci-ci...,
po foleza, vallë, ku rri?..

Pyes zemrën, pyes fjalën,
buzëqeshjen që ka dritë...,
dhe ninullën, pagjumësinë... -
janë fole për çiliminjtë!..

Pyes qiellin, pyes yllin,
pyes notat e një kënge,
pyllin, shtegun, fëmijërinë;
-Kudo pashë fole nëne!..

Folezë malli që shëtit,
që të pret, ndaj mos trokit...
Bëhet dritë e bëhet sy:
-Bisedon nëna me ty!..

Shkodër, tetor, 2014

Thursday, October 9, 2014



Xhahid Bushati

Hëna më buzëqesh...
                        -poemth-

1.
Hëna shëtit sonte
si dritë nëpër pyll,
fshihet pas një dege
e ngjan si një yll.

Ylli kërkon yje
erdhën radhë-radhë…,
u çudit dhe pylli,
kaq shumë s’kishte parë…

“Sikur… t’i numëroj” -
tha i vogli pyll.
Nga që i ngatërroi,
u kthye në yll…

2.
Si një kureshtare,
syçkat, ku s’i hedhë...,
hëna, si çapkëne
mana toke ‘mbledhë’...

Ndoshta arush Pipit
do t’ia bëj dhuratë…,
(por… është në gjumë,
tani është natë...!)

Hëna e palodhur
mbledh e rend si era,
një shportëz prej hëne
seç ia lë te dera…

3.
Rend porsi një ketër,
fshihet pas një pishe,
e pyet sygjelbra:
‘Boçe, ti ku ishe?!..

Përse, kështu, bijë?!..
Sikur… u vonove,
gjumë s’vura në sy,
pakëz më shqetësove…’

Hëna buzëqeshi…
pishës i fal dritë…
‘Sikur do t’i thotë:
Mami, unë jam rrit!’

4.
Ec, e shëtit hëna,
pas një dege fshihet,
ngjan, ajo, si fletëz,
si një fletëz dridhet...

Dhe pret hëna-fletëz
mos vjen ndonjë zog…,
ti bëhet folezë,
por askush s’vjen dot…

është tepër vonë,
pylli është në gjumë…
Hëna i thotë fletës:
“Të mos bëjmë zhurmë!”

5.
Shëtit e hedh dritë,
ndalet te një plep,
fshihet pas një dege
e ngjan si një sqep.

“Dua të jem zog
dhe të fluturoj…
pyllit t’i jap jetë
dhe të cicëroj…”


Kështu foli hëna,
kur dëgjoi një zë:
“O zog, mirë se erdhe!
Sa vonë?!.. Tani fle!”

6.
Shëtit e nuk lodhet,
ndrit, e nuk njeh zbehje,
fshihet pas një dege
e ngjan si një çerdhe.

“Çerdhe, o moj çerdhe,
që mban emrin hënë,
po s’të erdhi zogu,
ti nuk quhesh Nënë!”

E hëna gjithë natën
agun zgjuar priti…,
tok me cicërimën
një zog tak!- trokiti…

“Erdha, erdha nënë,
Po ku ishe mbrëmë?!”
Çerdhja-hënë në heshtje
i fali buzëqeshje.

7.
Hënën nga dritarja
në çdo çast e ndjek,
ajo... më afrohet
dhe më....buzëqesh.

Dhe… i buzëqesh.
Më fal dritë në heshtje…
“Unë nuk mund të fle
pa këtë buzëqeshje…”

Hëna mbeti hënë,
u bë e vërtetë
gjatë udhëtimit,
Hëna, Hëna-Jetë!..


Shkodër, tetor, 2014

Tuesday, October 7, 2014



           
Xhahid Bushati

                                                  Përse “Gërzheta” nuk duhet të jetë në tekstin shkollor?[1]

            Në rubrikën: “Letërsia gojore” të tekstit shkollor “Gjuha shqipe 8”, përshihet edhe përralla popullore shqiptare “Gërzheta” (f. 22-23). Tipologjia e këtij krijimi, e marrë nga trevat e Shkodrës, për ngjarjen që na rrëfen dhe si e rrëfen, për personazhet që veprojnë e përballen me të njohura dhe të panjohura, me të papritura e çuditë, për strukturën e ndërtimin kompozicional (klasik); hyn në grupimin e Përrallave të moçme. Aq më shumë se ruan edhe një tipar mes tipareve të tjera të kësaj gjinie, nuk dëften kohën dhe vendin e ngjarjes. Aq më shumë se personazhi kryesor Gërzheta ‘lëviz’ në dy kohë: ireale dhe reale, ku e mrekullishmja ka funksionin e saj çudibërës. Vetë Gërzheta, kjo qenie mitologjike ruan një linjë bashkëveprimi me vëllain e katërt (personazh real). Në këtë rrafsh lëviz në vijë lineare edhe subjekti i përrallës.
            Hartuesit e këtij teksti, për t’i njohur dhe orientuar shkollarët e klasës së tetë, si kredo kanë vënë këto fjalë hyrëse, ndonëse një pjesë janë marrë nga vetë teksti i përrallës. E citojmë: “Gërzheta është një figurë mitologjike, fantastike. Përfytyrohej si një vajzë e bukur që jetonte në natyrën e pastër: në liqene me ujë të kulluar, mes pyjeve gjithë freski, në fusha tërë bar e lule. Ajo i ngjan figurës të së Bukurës së Dheut dhe ka të gjitha vetitë e jashtëzakonshme të saj.” Kjo e thënë, krahas vlerave pozitive, ruan si mangësi sqarimin: a) të thelbit të figurës së Gërzhetës, e ndriçimit të figurës së saj mes të jashtëzakonshmes dhe të zakonshmes, si dhe të evidentimit të funksionit të së mrekullishmes, dhe b) nuk është bindës krahasimi me të Bukurën e Dheut. Në mendësinë dhe psikologjinë popullore kjo figurë ka pasqyrime, situata, ndërtime dhe rrafshe të tjera përfytyrimi, ekzistence dhe konceptimi, aq më shumë se, te kjo figurë, fenomeni i braktisjes që ndodh te Gërzheta, nuk ekziston.  
            Gërzheta në përrallë: mbart si personazh raportet e ireales dhe të reales, të jashtëzakonshmes dhe të zakonshmes, mitologjikes, fantastikes me njerëzoren. Sa dhe si përftohen ato? Ky modul përgjithësisht mungon, si në Reflektimin kuptimor edhe në atë gjuhësor e stilistik.
            Le të ndjekim ecurinë e përrallës. Citojmë: “Të gjitha punët (Gërzheta, - nënvizimi im) i kryente pa mërzi; por, me folë me gojë nuk folte. (Tek Gërzheta kanë nisur të bashkëjetojnë elemente njerëzor dhe elementi fantastik.) Vazhdojmë me citimin dhe ndalemi te kjo skenë: “Pas një viti i leu nji djalë i shëndoshë e i bukur, që me të kënaqë veç tue e pa, por as kësaj here nuk foli. I shoqi u mundue me ia nxjerrë nji fjalë, por s’qe punë. Atëherë kapi djalin e, me shpatë në dorë, i tha së shoqes: - Ja po flet, ja e preva djalin! Gërzheta tue kujtue se përnjimend po donte me e pre, çeli gojën e tha: - Mos ma pre djalin! …, por Gërzheta vijoi e tha: - Edhe katër ditë kam pasë me ndejë pa folë. Ju s’e batë mirë që më ngushtuet me folë para kohë”. (Kjo skenë që problemin njerëzor e zgjidhë më shpatë, mendojmë se është e papranueshme. Përveç një skene dhune, por edhe makabre. Ç’mund t’ju themi për këtë shkollarëve?.. Të tilla skena nuk na mësojnë virtytin, që e ka karakteristikë përralla. Megjithatë Gërzheta si nënë e mbart këtë virtyt, ndonëse nuk është çliruar nga funksioni i të mrekullishmes. Është kjo arsyeja që raporti i ireales me realen, në ecurinë e subjektit, vazhdon ta mundojë e ta tundojë Gërzhetën. Është kjo arsyeja që kërkon të kthehet në origjinë, të shkojë të jetojë te gjoli, atje ku kishte lindur. (qenie mitologjike). Është kjo arsyeja që ia kërkon të shoqit teshat fillestare. Citojmë fundin e përrallës: “Gërzheta i vuni synin arkës e, kur pa se s’umd ta hetonte kush, nxuri teshat, i veshi, ngau te gjoli, ra brenda e u zhduk njiherë e përgjithëherë”. Veprimi i Gërzhetës për të kërkuar qenësinë është i pranueshëm, por është i papranueshëm akti i saj, veçanërisht duke braktisur djalin. Ishte kjo qenie e pafajshme dhe e shtrenjtë, që e bëri të flasë, pikërisht ai i “dha jetë e mëmësi” Gërzhetës. Përse të ndodh kjo? Përveç një kontradikte të personazhit, të një pabesie që mbart, dukuria e braktisjes, gjithashtu është e papranueshme. Dhe nuk mund të përligjet me arsyetimin dhe… për ta “shpëtuar” përrallën, me këtë pyetje që kanë menduar ta thonë hartuesit e këtij teksti: “Si mendoni ju, a mund të realizohet një ëndërr , e cila nuk ka asnjë bazë reale?” Na duket kjo pyetje, ndonëse është e prirur dhe kërkon një rrezatim kolektiv të një bashkëbisedimi të gjerë; pakëz naïve, e papërligjur funksionalisht me përbajtjen, kumtin dhe mesazhin e vërtetë të përrallës. Gërzheta, pavarësisht ndodhi ruan “interesat” e saj: Mitologjiken.
            Të kuptohemi, nuk kërkojmë që përralla “Gërzheta” të privohet nga ekzistenca e saj si krijim artistik. Ajo i përgjigjet një mendësie, psikologjie të caktuar zhvillimi dhe interpretimi i shumë dukurive dhe fenomeneve në kohë dhe hapësirë. Si i tillë, i takon më shumë studiuesve ta thonë fjalën e tyre. Por në tekstet shkollore, për argumentet që thamë më sipër, për skenat që nuk na japin mesazhe qëllimmira veçanërisht tek fëmijët e kësaj moshe, mendoj që “Gërzheta” nuk duhet të jetë në tekstin shkollor.
Shkodër, tetor, 2014.
























[1] Gjuha shqipe 8, autorë: Rita Petro, Idriz Metani, Adelina Çerpja; Botime shkollore Albas, Albas, 2007; ribotim: 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014.