Tuesday, October 7, 2014



           
Xhahid Bushati

                                                  Përse “Gërzheta” nuk duhet të jetë në tekstin shkollor?[1]

            Në rubrikën: “Letërsia gojore” të tekstit shkollor “Gjuha shqipe 8”, përshihet edhe përralla popullore shqiptare “Gërzheta” (f. 22-23). Tipologjia e këtij krijimi, e marrë nga trevat e Shkodrës, për ngjarjen që na rrëfen dhe si e rrëfen, për personazhet që veprojnë e përballen me të njohura dhe të panjohura, me të papritura e çuditë, për strukturën e ndërtimin kompozicional (klasik); hyn në grupimin e Përrallave të moçme. Aq më shumë se ruan edhe një tipar mes tipareve të tjera të kësaj gjinie, nuk dëften kohën dhe vendin e ngjarjes. Aq më shumë se personazhi kryesor Gërzheta ‘lëviz’ në dy kohë: ireale dhe reale, ku e mrekullishmja ka funksionin e saj çudibërës. Vetë Gërzheta, kjo qenie mitologjike ruan një linjë bashkëveprimi me vëllain e katërt (personazh real). Në këtë rrafsh lëviz në vijë lineare edhe subjekti i përrallës.
            Hartuesit e këtij teksti, për t’i njohur dhe orientuar shkollarët e klasës së tetë, si kredo kanë vënë këto fjalë hyrëse, ndonëse një pjesë janë marrë nga vetë teksti i përrallës. E citojmë: “Gërzheta është një figurë mitologjike, fantastike. Përfytyrohej si një vajzë e bukur që jetonte në natyrën e pastër: në liqene me ujë të kulluar, mes pyjeve gjithë freski, në fusha tërë bar e lule. Ajo i ngjan figurës të së Bukurës së Dheut dhe ka të gjitha vetitë e jashtëzakonshme të saj.” Kjo e thënë, krahas vlerave pozitive, ruan si mangësi sqarimin: a) të thelbit të figurës së Gërzhetës, e ndriçimit të figurës së saj mes të jashtëzakonshmes dhe të zakonshmes, si dhe të evidentimit të funksionit të së mrekullishmes, dhe b) nuk është bindës krahasimi me të Bukurën e Dheut. Në mendësinë dhe psikologjinë popullore kjo figurë ka pasqyrime, situata, ndërtime dhe rrafshe të tjera përfytyrimi, ekzistence dhe konceptimi, aq më shumë se, te kjo figurë, fenomeni i braktisjes që ndodh te Gërzheta, nuk ekziston.  
            Gërzheta në përrallë: mbart si personazh raportet e ireales dhe të reales, të jashtëzakonshmes dhe të zakonshmes, mitologjikes, fantastikes me njerëzoren. Sa dhe si përftohen ato? Ky modul përgjithësisht mungon, si në Reflektimin kuptimor edhe në atë gjuhësor e stilistik.
            Le të ndjekim ecurinë e përrallës. Citojmë: “Të gjitha punët (Gërzheta, - nënvizimi im) i kryente pa mërzi; por, me folë me gojë nuk folte. (Tek Gërzheta kanë nisur të bashkëjetojnë elemente njerëzor dhe elementi fantastik.) Vazhdojmë me citimin dhe ndalemi te kjo skenë: “Pas një viti i leu nji djalë i shëndoshë e i bukur, që me të kënaqë veç tue e pa, por as kësaj here nuk foli. I shoqi u mundue me ia nxjerrë nji fjalë, por s’qe punë. Atëherë kapi djalin e, me shpatë në dorë, i tha së shoqes: - Ja po flet, ja e preva djalin! Gërzheta tue kujtue se përnjimend po donte me e pre, çeli gojën e tha: - Mos ma pre djalin! …, por Gërzheta vijoi e tha: - Edhe katër ditë kam pasë me ndejë pa folë. Ju s’e batë mirë që më ngushtuet me folë para kohë”. (Kjo skenë që problemin njerëzor e zgjidhë më shpatë, mendojmë se është e papranueshme. Përveç një skene dhune, por edhe makabre. Ç’mund t’ju themi për këtë shkollarëve?.. Të tilla skena nuk na mësojnë virtytin, që e ka karakteristikë përralla. Megjithatë Gërzheta si nënë e mbart këtë virtyt, ndonëse nuk është çliruar nga funksioni i të mrekullishmes. Është kjo arsyeja që raporti i ireales me realen, në ecurinë e subjektit, vazhdon ta mundojë e ta tundojë Gërzhetën. Është kjo arsyeja që kërkon të kthehet në origjinë, të shkojë të jetojë te gjoli, atje ku kishte lindur. (qenie mitologjike). Është kjo arsyeja që ia kërkon të shoqit teshat fillestare. Citojmë fundin e përrallës: “Gërzheta i vuni synin arkës e, kur pa se s’umd ta hetonte kush, nxuri teshat, i veshi, ngau te gjoli, ra brenda e u zhduk njiherë e përgjithëherë”. Veprimi i Gërzhetës për të kërkuar qenësinë është i pranueshëm, por është i papranueshëm akti i saj, veçanërisht duke braktisur djalin. Ishte kjo qenie e pafajshme dhe e shtrenjtë, që e bëri të flasë, pikërisht ai i “dha jetë e mëmësi” Gërzhetës. Përse të ndodh kjo? Përveç një kontradikte të personazhit, të një pabesie që mbart, dukuria e braktisjes, gjithashtu është e papranueshme. Dhe nuk mund të përligjet me arsyetimin dhe… për ta “shpëtuar” përrallën, me këtë pyetje që kanë menduar ta thonë hartuesit e këtij teksti: “Si mendoni ju, a mund të realizohet një ëndërr , e cila nuk ka asnjë bazë reale?” Na duket kjo pyetje, ndonëse është e prirur dhe kërkon një rrezatim kolektiv të një bashkëbisedimi të gjerë; pakëz naïve, e papërligjur funksionalisht me përbajtjen, kumtin dhe mesazhin e vërtetë të përrallës. Gërzheta, pavarësisht ndodhi ruan “interesat” e saj: Mitologjiken.
            Të kuptohemi, nuk kërkojmë që përralla “Gërzheta” të privohet nga ekzistenca e saj si krijim artistik. Ajo i përgjigjet një mendësie, psikologjie të caktuar zhvillimi dhe interpretimi i shumë dukurive dhe fenomeneve në kohë dhe hapësirë. Si i tillë, i takon më shumë studiuesve ta thonë fjalën e tyre. Por në tekstet shkollore, për argumentet që thamë më sipër, për skenat që nuk na japin mesazhe qëllimmira veçanërisht tek fëmijët e kësaj moshe, mendoj që “Gërzheta” nuk duhet të jetë në tekstin shkollor.
Shkodër, tetor, 2014.
























[1] Gjuha shqipe 8, autorë: Rita Petro, Idriz Metani, Adelina Çerpja; Botime shkollore Albas, Albas, 2007; ribotim: 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014.

1 comment:

  1. Unë jam me burrin tim për 7 vite pa fëmijë, unë dhe burri im provuam gjithçka që ishte e mundur por nuk pati rezultat, derisa takova një mike timen shumë të mirë e cila më tregoi për Dr. Dawn acuna dhe si e ndihmoi ajo, i shpjegova. gjithçka për Dr dawn acuna pasi e kontaktova në Whatsapp, ajo më premtoi të më ndihmonte, më dha disa udhëzime të cilat i bëra të gjitha në mënyrë perfekte, për habinë time mbeta shtatzënë 2 javë pasi ajo më ndihmoi dhe tani kam një fëmijë të bukur tani. faleminderit Dr dawn acuna, kontaktoni me të për një zgjidhje të shpejtë të problemit tuaj,
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje.
    *Nëse dëshironi fat të mirë në jetën tuaj.
    *Nëse doni të ndaloni abortin dhe të tjerët,
    : email { dawnacuna314@gmail.com}
    Whatsapp: +2348032246310

    ReplyDelete