Wednesday, October 1, 2014




            Xhahid Bushati

POROSIA E NËNËS



Zog i vogël më nuk priti
sa folezën e çuditi!
Hapi krahët gjithë gëzim,
mori udhën fluturim...

Fluturonte fluturaku,
pa një lule, pa një bletë,
pa një çadër që shëtiste,
ish një flutur krahëlehtë...

U çudit zogu i vogël
me një valëz, me një re,
(Pyeste veten, ku fle reja,
Po kjo vala, vallë, ku fle?)

U çudit zogu i vogël
me një xixë, e me një plep,
dhe u tremb pak fluturaku,
kur iu ul xixa mbi sqep...

(Ishte muzg kur ndodhi ngjarja,
e pa ngjarjen veç një yll…
U afrua, i tha ylli:
            -Të do trim i gjelbri pyll!)

U çudit zogu i vogël
me një gjethe, një rrëke,
(Pyeste veten, ku fle gjethja,
Po rrëkeja, vallë, ku fle?)

E na zuri plot miq zogu,
(Cicëronte e s’pushonte!)
Porosinë që i dha nëna
fluturaku s’e harronte...

“Ku ta vë, mos ta humbas
porosinë që më la nëna.” -
Mendoi zogu. Cicëroi...
-Po e lë këtu te zemra!

            Shkodër, tetor, 2014

No comments:

Post a Comment