Monday, December 1, 2014



                  Xhahid Bushati
                     
                                  Pse u vonua zogu?

            
       Shokët ikën herët,
            i vetëm në pyll…,
            ngjan si një gjeth vjeshte,
            ngjan edhe si yll.

            Pse po vonon zogu?
            Kush në pyll e thirri?..
            Gjyshi Pyll e puthi
            e bekoi si prindi.

            Pse po vonon zogu?
            Kush në pyll e ndali?..
            Një fole e vjetër
            i tha fjalë malli…
            ***

           Më pas fluturoi
            lehtë si gjethe pylli,
            në shpirt - fjalë malli,
            në sy - dritëz ylli.

            Nëntor, 2014

Sunday, November 30, 2014

Xhahid Bushati

Era vjeshtore…


Gjethet ranë, heshti pylli,
            zogjtë ikën radhë-radhë,
            tani heshtën dhe folezat,
            heshtën drurët vetmitarë….

            Vetëm era shëtit pyllit
            për një gjethe kishte mall,
            në çdo pemë tak-tak, trokiti,
            nuk dëgjoi zërin e saj…
           
            U hidhërua, edhe pyeti
            një rrëkezë valë-valë,
            ah, adresë dot nuk gjeti
            e nuk mblodhi asnjë fjalë…

            Prapë shëtiti, u lodh era,
            qau e qau e derdhi lot…,
            pa dëgjoj një zë të vockël:
            “Erë moj erë, më ndihmon dot?

            Se kjo Vjeshta duarartë
            ngjyrë të verdhë po kërkon,
            që ta endë bukur qilimin
            veç një gjethe i mungon…”

            Ishte gjethja që po fliste,
            në një degëz kishte mbetur…
            (ngaqë ishte vocërrake
            ajo rrinte ende fjetur…)

            E zgjoi era, u bë fllad,
            dhe udhëtuan dalëngadalë
            si dy shoqe të një stine,
            dorë për dore, e plot mall!..

            Po kur Vjeshtëzën takuan,
            u habitën, ndjenë gëzime…,
            pastaj ëmbël gjethja foli:
            “Unë e solla ngjyrën time!”
           

            Shkodër, nëntor, 2014

Monday, November 24, 2014


            Xhahid Bushati

                            Kënga e Folezës
                                  -përrallë-

            Dimri plak u zemërua. Hajt-hajt, kaloi një mal dhe e zbardhi. Hajt-hajt, kaloi një fushë dhe e zbardhi. Hajt-hajt, po i afrohej një pylli me pisha të moçme.
            -Edhe ty do të të zbardh, - i tha pyllit. – Dhe hodhi e hodhi pa pushim mijëra flokë të mëdhenj dëbore.
            Nuk vonoi dhe pylli i gjelbër u zbardh i tëri si mali e si fusha.
            Tani kjo bardhësi e pafund ia hoqi zemërimin Dimrit plak. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Papritur… diku larg… dëgjoi një këngëz.
            Dimri plak u zemërua. Mori bastunin dhe me hap të shpejtë rendi nëpër pyll. U ndal pranë një pishe. Poshtë saj rridhte e qetë rrëkeza e vogël e ujit.
            -Ti, moj Rrëkezë e vogël, vazhdon të këndosh? Ti..?! – dhe u vrenjt. Po kur u vrenjt, i hodhi ca fluturza dëbore. Rrëkeza ndjeu të ngrohtë dhe e zuri një gjumë i ëmbël.
            Tani bardhësia e pafund ia hoqi zemërimin Dimrit plak. Por kjo nuk vazhdoi gjatë. Papritur… diku larg… dëgjoi përsëri një këngëz.
            Dimri plak vrenjti vetullat  edhe më shumë. Me bastun në dorë vazhdoi rrugën nëpër pyll. U ndal pranë një pishe të moçme dhe tha:
            -Ti, Zog i vogël i dëborës, vazhdon të këndosh?!.. Ti..?! – dhe i hodhi një grusht dëborë, sa i zbardhi folezën.
            -Zogu i dëborës cicëroi ci-ci, zgjati sqepin si një lopatëz e vockël dhe nisi të heqë dëborën. Ci-ci-ci-ci, pakëz nga pakëz dhe foleza u pastrua.
            Dimri që s’ia ndante vështrimin, u çudit nga kënga e zogut, sa i foli:
            -Ti je i vogël sa një topth, dhe më kundërshton mua?!.. Ja, shiko… - dhe i hodhi shumë dëborë.
            Zogu i dëborës cicëroi ci-ci, zgjati si një lopatëz dhe nisi përsëri të heqë dëborën. Ci-ci e ci-ci, pakëz e nga pakëz dhe foleza u pastrua.
            Dimri plak u çudit dhe më shumë me guximin e Zogut.
            -Do të hedh aq shumë dëborë, sa do të bëj ta pushosh këngën tënde, o Zog i vogël.
            -Ci-ci jo, ci-ci jo, - tha zogu i vogël. Unë do të këndoj përsëri ci-ci-ci!
            -Do të hedh aq shumë dëborë, sa do të bëj të largohesh nga foleza jote, o Zog i vogël.
            -Ci-ci jo, ci-ci jo, - tha Zogu i vogël. - Unë do të këndoj përsëri: ci-ci-ci në folezën time.
            -Shikoje, pra… - foli Dimri i egërsuar. – Dhe hodhi e hodhi dëborë mbi folezën e Zogut të vogël. “Të tillë mal prej dëbore s’kam bërë asnjëherë”, - tha me vete Dimri plak dhe buzëqeshi.
            Ndërsa Zogu që s’ndiente lodhje me këngëzën ci-ci, pakëz nga pakëz pastroi malin e dëborës.
            Dimri plak e kuptoi që po mundej. Para se të largohej, e pyeti Zogun e vogël të dëborës:
            -Si e ka emrin kënga që mposhti forcën e zemërimit tim?
            -Kënga e Folezës, - u përgjigj Zogu i vogël që cicëronte pa pushim e i gëzuar. Cicërimat e tij ngjanin me lulet e pranverës.
           

Shkodër, nëntor, 2014


Sunday, November 9, 2014

Xhahid Bushati

         Sfidat letrare të fishtologut Tonin Çobani
                   -fragment i një studimi në proces-



Herë pas here kam shfaqur në shtypin e shkruar këndvështrimet e mia lidhur, por veçanërisht me studimet interesante dhe plot vlera të Tonin Çobanit. Por në fushën e letrave shqipe, deri tani, portreti i Tonin Çobanit shfaqet në dy plane: të prozatorit dhe të studiuesit. Nga pikëpamja përmbajtësore kemi te bëjmë me dy  raporte dhe me dy rrafshe. Veçantitë  dhe përqasjet ndërmjet tyre, aktualisht, ravijëzojnë portretin e tij sa artistik aq dhe shkencor. Duke lexuar tekstin e opusit të veprave të Tonin Çobanit, me theks anën ligjërimore që përmban teksti, mendoj që këto dy rrafshe  bashkëjetojnë në disa pika të caktuara, duke ruajtur veçoritë e gjinisë, zhanrit a të procesit studimor. Në rrjedhën e botimeve të veprave, si gjini, njëra mund të ketë përparësi ndaj tjetrës në një vit botimi a proces letrar të Toninit, por, t’i vështrosh me vëmendje, përsëri ato bashkëjetojnë në disa shqyrtime, si: në konceptim, në mënyrën e vëzhgimit e të rrëfimit, në peshën e fjalës, në ndërtimin e strukturave ligjërimore, në veçoritë stilistike etj. etj.
         Proza e Çobanit ka prirjen drejt tregimit të shkurtër, në ndërtime sintagmash me ngarkesa emocionale dhe ngjyra poetike, që në përzierjen e tyre kontrastojnë dukshëm. Fjalën e ka të menduar mirë dhe të shenjtë. I pëlqen qielli i meditimit dhe vizatimi i kujdesshëm i personazheve, personazhe që i merr nga jeta e që në komunikim me lexuesin i japin atij brumin e subjekteve që vijnë nga copëza jete. Parapëlqen fabulën klasike aq sa dhe absurdin e fabulës.
         Në vitet e fundit vërejmë se kanë përparësi studimet tek Tonin Çobani. Por të mos harrojmë se edhe në studimet në fjalë, ndjejmë veçoritë e ngjyrat e një tregimtari, ku reflektojnë dhe konvergojnë motivueshëm në hapësirat kohore disa nga shkrimtarët e traditës. Duke qenë i njohur, në rrjedhën e viteve, me tekstet studimore të Toninit, shpesh herë i kam bërë pyetje vetes: “Cilat janë sfidat e këtij studiuesi?” Ndriçimi i atyre krijuesve që ndriçuan traditën mbetet një sfidë. Mendoj, se më kryesorja është dritësimi i figurës së Fishtës. Koha më ka dhënë të drejtë që Tonin Çobanin e kam quajtur fishtolog. E tregojnë prurjet e tij shkencore e kualitative. Në librat e tij studimorë (përfshire edhe këtë të fundit “Gjergj Fishta dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”), fishtologu Tonin Çobani herë pas here i është qasur dhe vazhdon t’i qaset figurës së Fishtës dhe problematikës që ofron vepra e tij madhore. Qasja nuk i ngjan një rituali të zakonshëm me një refren përsëritës, përkundrazi, autori Tonin Çobani rreket të ndriçojë copëza të reja të procesit krijues të shkrimtarit, shtresëzime të tekstit letrar, simbolika që kanë ngjallur diskutime, etj., e, që kritika letrare i ka kundruar shpesh herë zbehtë, në mënyrë anemike, nganjëherë edhe me keqdashje disa nga këto rrafshe. Duke zbuluar shkëlqime të reja, studiuesi Tonin Çobani sjell sprova drejt interpretimit të mëtejshëm të thellësisë së tekstit përmes thellësisë së fjalës. Një kumt të tillë fishtjan që ka marrë përsipër studiuesi Çobani, na bën të pohojmë se Tonin Çobani e ka një skedë, sigurisht të dallueshme dhe ndryshe nga studiuesit e tjerë. Fenomenet që trajton i njeh mirë, peshojnë realisht e qartësohen në marrëdhënie me kohën. Tezat shkencore që hidhen për shqyrtim zbërthejnë fenomenin dhe ruajnë elementin krahasimtar në marrëdhënie me bibliografinë shqyrtuese të mëparshme, çka i japin fenomenit universin e duhur. Fraza është e qartë, e saktë dhe me ngarkesë emocionale. Është larg formateve të atyre monografive që vuajnë nga inflacioni i mbingarkuar teknik i termave, që shpesh bëhen qëllim në vetvete dhe i shërbejnë erudicionit personal, por që humbasin marrëdhënien e komunikimit me lexuesin.
         Monografitë dhe esetë e botuara, duke shtuar dhe studimet: “Kërkime letrare”, “Miti dhe antimiti fishtjan”, “Paralele kulturore të një qyteti”, “Princi i përfolur Lekë Dukagjini”, “Variacione me fjalën komb”, krijojnë “një kreshtë malesh”, - siç thoshte poeti i mirënjohur Ndoc Gjetja, tani po shtoj dhe unë: krijojnë një opus të denjë përfaqësimi të studiuesit Tonin Çobani.
          


Xhahid Bushati,
Shkodër, nëntor, 2014








Tuesday, November 4, 2014

Xhahid Bushati

Gjyshi Dimër, zogu dhe vogëlushi




            1.
            Dimri plak
            ec me bastun,
            udhën mbush
            me borë shumë…

            2.
            Nga një pemë
            një zog foli:
            “Gjysh, ty, rruga
            a të lodhi?”

            “Eh, më lodhi
            se jam plak…,
            mbi bastun
            pushoj nga pak…”

            3.
            Zog i vogël
            më nuk priti,
            fluturoi
            në xham trokiti:

            “Vogëlush,
            mos rri, dil, shpejt!
            Në oborr
            “gjyshi” të pret!”

            “Nipi” doli,
            hop, përjashta,
            por me shall,
            kapuç, dorashka.

            Se për gjyshin
            kishte mall!..
            (dhe pse gjyshi
            plak i bardhë…)

            Gjyshi tha:
            “Do akullore,
            a pëlqen
ca topa bore?”

“Pse, ti, gjysh
bëhesh si unë,
apo nipin
e do shumë?!”

Gjysh qesh,
i hedh ca borë…
“Forca, nipçe,
hyr në lojë!”

Gjuan nipi,
gjyshi pret
si portjer
i vërtetë.

“Gjuaj, gjysh
ke radhën ti..”
Gjyshi qesh
si çilimi...

Bën një top,
gjuan lehtë,
dhembje nipi
të mos ketë.

“Mos më mbaj
gjysh me hatër,
do të vë
notën “katër”!

Më fort gjuaj,
gjysh, më fort!..”
Zemra, gjyshit,
s’i bën dot!..

Më pas nipin
kap për dore,
si një gjysh
e plak prej bore…




Shkodër, nëntor, 2014

Monday, October 27, 2014




            Xhahid Bushati

                 Drita e xixëllonjës
                        -përrallë-


            Ora e shëtitjes erdhi edhe për Xixëllonjën e vogël. Ajo doli nga guva dhe fap-fap ndezi fenerin.
            Xixë-xixa nisi të shëtiste e të ndriçonte me fenerin e saj hapësirat e pyllit. Në këtë orë pylli po flinte. Në këtë orë nata i falte qetësi pyllit. Veç një fllad i lehtë rrinte zgjuar dhe herë pas here, si lozonjar që ishte, i trembte dritën xixëllonjës. Xixa qeshte me flladin naiv. Ajo vazhdonte shëtitjen në pyll, pa trazuar gjumin luleve, gjetheve e zogjve.
Kur po i afrohej një shelgu lotues, papritur dëgjoi një zë të dobët, që i tha:
            - Të lutem, më ndihmo!
            Xixëllonja u tremb. Ndezi e fiku fenerin disa herë. U afrua. Ishte një rrëkezë e vogël që zhurmëronte pa pushim. Xixa e pyeti:
            - Përse nuk fle?!
            - Nuk mund të fle, se i kam dhënë fjalën një fidani gjelbërosh. Ai më pret sonte. Ai ka etje. Do të rritet. Kurse unë... u bëra vonë se humba rrugën,  nga që nata, sonte, erdhi pa yje e pa hënë. Më ndihmo, të mbaj premtimin!
            - Po, - tha Xixëllonja dhe i ndriçoi rrugëzën rrëkesë së vogël.
            - Drita jote qenka e çuditshme dhe magjike. Ajo m’i largoi edhe lotët nga sytë e mi, - tha rrëkeza, që udhëtonte e udhëtonte pa pushim.
            - Vogëlushja-rrëkezë, drita ime është e zakonshme. Ajo kurrë nuk shuhet e kurrë nuk zbehet, sepse nuk e mbaj për vete, por, për të ndriçuar e dritësuar të tjerët, - tha xixa dhe vazhduan udhën... 
            - Me dritën tënde, unë arrij te fidani në orarin e caktuar, ashtu siç i kam premtuar. Sepse, edhe pse e vogël, drita jote Xixëllonjë është e vërtetë! – foli rrëkeza, që nuk ecte, por kësaj nate vraponte... 


Shkodër, tetor, 2014