Wednesday, January 29, 2014

Kujtesa e një vepre përmes kujtesës së folklorit



Xhahid Bushati

Kujtesa e një vepre përmes kujtesës së folklorit

-Optikë rileximi për librin “Trimat e Jutbinës” të shkrimtarit Arif Gjyli-


Nuk e di sepse, por një gjë është e sigurt për mua se, sadoherë që dua të shkruaj diçka për letërsinë shqipe, më duket sikur kjo është një shtëpi e vogël, fare e vogël, ende në ndërtim e sipër, pa themele të forta, ku dy shemra përleshen ditë e natë dhe në vend që të duhen e të shkojnë mirë për lumturinë e shtëpisë, kacafyten dhe grihen njëra me tjetrën.[1]
                                    ...
Një ditë më ra në dorë një libër dhe në “Mbasthanën” e saj këndova për habinë time më të madhe këto fjalë, të cilat po i rreshtoj këtu më poshtë pa hequr dhe pa shtuar as edhe një germë. Bëhet fjalë për një libër folklori dhe autori pasi shpjegon rëndësinë e madhe që ka grumbullimi i këngëve dhe i zakoneve tona, pasi tregon bukuritë e hershme të jetës sonë patriarkale, hidhet në një lëmë që s’e kishte aspak në mendje, që s’e kishe në mendje ti, por që autori e kishte fare mirë. E fillon frazën kështu: “Gjuhën e maleve e çmonte tek s’ve i paharrueshmi D. Ndre Mjeda. (Mjedja, - shënimi im Xh. B.) Edhe në pleqni rrekej me njohtë, me mbledhë e me xanë imtimet, shpehet, thanet, ftyrat retorike, aq të përshtatshme dhe të bukura, e fjalët e rralla qi tingëllojnë në gojë të banorit të maleve. Kahë i ndiete kënaqej e i rritej jeta..[2]

            Shkrimtari Arif Gjyli vdiq, në një ditë vjeshte të vitit 1989, në moshën 76 vjeçare, në Tiranë. Emri dhe veprimtaria e tij e luftës dhe ajo letrare u kujtuan vetëm nëpërmjet një shkrimi[3]. Më vonë, koha vërtetoi se, ky shkrim-kujtimi ishte i fundit, por jo përmendja e emrit, e kontributit të tij si mësues e didakt (nga të parët që, pas një pune të gjatë e të durueshme, u mor gjerësisht e me hollësi me problemin e mprehtë të teksteve të leximit dhe të letërsisë për fëmijë), krijues e studiues (ka meritën për vënien në pah për të parën herë, të figurës së poetit popullor tiranas Zenel Bastari[4] dhe të një vlerësimi poetik - analitik të jetës dhe problematikës së veprës të Migjenit).
Si krijues, Arif Gjyli la “gjurmën” e tij në fushën e letrave për fëmijë e të rinj. Konfiguracioni i kësaj “gjurme” ka dhe mbart në thelbin e saj, modelin e një krijuesi që përvetësoi disa tipare, si: idealin, përkushtimin dhe natyrën që e kishin rilindësit tanë të shquar e të ditur që mesa duket ia mëkuan me dashuri edhe intelektualit Arif Gjyli. Duke përqafuar këtë model, ndoqi atë rrugë të ndritur; u mor dhe dha ndihmesë në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj e më gjerë (pedagogji, psikologji, mësuesi), kuptohet në një kontekst të ri historik, i cili shpërfaqte dita-ditës dukuri të reja në jetën shoqërore e kulturore.
Arif Gjylin nuk e kam takuar qoftë edhe një herë në jetë, ndonëse emri i tij ishte i “shëtitur” në Shkodër. Pra, nuk pata rast ta njoh personalisht dhe të bisedoj me të, ndonëse kam pasur shumë dëshirë... Së paku t’i bëja në mënyrë poetike një portret sa njerëzor aq dhe artistik. Pas shumë vitesh, i gjeta si relikte të çmueshme, disa grimca të portretit të tij në librin “Muhamet Uruçi, babai im”.[5] Në pjesën e titulluar: “Në vend të hyrjes” të këtij libri memuaristik, citoj: “Ka një memorie të jashtëzakonshme..., ... ka mbetur si gjithmonë i ndershëm.”[6] Gjithashtu citoj: “Më shikoi drejtpërsëdrejti dhe unë për herë të parë dallova nën xhamat e tejdukshëm një palë sy plot dritë.”[7]; ... “Pas kaq vitesh mund të them se takimi me Arif Gjylin më ka lënë një shije shumë të ëmbël, jo vetëm për kulturën e gjithanshme që rrezatonte, por edhe për saktësinë me të cilën ai kujtonte dhe njihte gjithçka me detaje nga ato vite të vështira.”[8]
Edhe pse kanë kaluar disa dekada nga çlirimi i Shqipërisë, Arif Gjyli nuk është i shkëputur nga kujtimet e luftës, që për të në thelb, ato, duhet të ishin realizueset e ëndrrave të tij të vërteta. Siç duket për Arif Gjylin, ata, mbeten vetëm ëndrra... Dhe si të tilla ata merrnin ‘jetë’ vetëm kur ai i kujtonte (herë pas here) nëpërmjet bisedës së tij të heshtur me plagët e luftës... 

            Marrëdhënia e krijuesit Arif Gjyli me letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj  janë objekt i këtij studimi. Përmes këtyre rreshtave, artikullshkruesi përpiqet të krijojë një drejtim-shikim ndryshe, një optikë rivlerësimi veçanërisht në dialog me kohën e pas kohën që jetoi e krijoi ky shkrimtar.  Librat[9] e botuar, duke parë vitet përkatëse të botimit, nuk përkojnë me fillimet e vërteta të ndihmesës së Arif Gjylit në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Pra, vitet e  “ndajnë” dhe e “largojnë” nga fillimet dhe të vërtetat letrare. Arsyet... sikur mbeten të pakuptueshme, nganjëherë absurde. 
Si krijues, në fakt, i takon brezit të shkrimtarëve që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Si krijues vetëm emri i përmendët. Në të rrallë edhe nja dy gisht rreshta. Kur në të vërtetë ai dhe brezi i tij: “... zgjeruan shumë diapazonin tematik, që thelluan fondin realist dhe që e ngritën në një nivel më të lartë cilësinë ideoartistike...”[10]. ... Më tej, po për këtë shkrimtar thuhet ... “Në këtë kuadër, gjithashtu, duhet parë edhe kontributi i shkrimtarëve më me stazh si M. Kuteli, Arif Gjyli, M. Zaloshnja, që bënë një punë të mirë për popullarizimin e letërsisë së pasur të popullit për fëmijë, ose përmes ritregimit, në formë të përshtatshme, të rapsodive dhe baladave të moçme shqiptare, ose përmes përpunimit të përrallave popullore dhe tregimeve të tjera të kësaj natyre. Në traditën e re hyn edhe kriteri  i vlerësimit, tek i cili u mbështetën shkrimtarët B. Dedja, M. Gurakuqi, Arif  Gjyli, M. Zaloshnja dhe N. Jorgaqi për të mbledhur dhe redaktuar vepra të disa autorëve të shquar të së kaluarës për fëmijë”[11]. Dhe për të vijuar  mendimin e mësipërm, me atë që një studiues tjetër e quan absorbim të folklorit, gjejmë nga ai këtë formulim, formulim që gjen mbështetje në marrëdhëniet të ndërsjelltë të krijimit letrar dhe folklorit: “Një pjesë shumë e konsiderueshme e vjershave me subjekt ose e poemave të De Radës, Darës, Serembes, Sakos, Çaçit, Jakovës, Siliqit, Balës, Qafëzezit, Çomorës, Gjylit e më vonë akoma Agollit, Kadaresë, Arapit, Dedes, Beqarajt e Gjokutajt, dëshmojnë për lidhjet e qëndrueshme të poezisë sonë për fëmijë me folklorin, për absorbimin që i kanë bërë të gjithë këta poetë folklorit për nevojën e përhershme që ata kanë ndier për t’u dhënë fëmijëve të brezave të ndryshëm vargje, ku njomështia dhe shpirti popullor të ndihen me po atë forcë që i ka edhe populli”[12].
            Në mes shumë studiuesve, gjykimet dhe interpretimet e Prof. Vehbi Balës për këtë model krijuesi, sikur kanë hyrë më në thellësi të procesit krijues të tij, gjë që kanë sjellë më njohje dhe interpretim të veprës letrare. Mendoj se edhe sot, ata janë aktuale në shikimin dhe zbërthimin e figurës së Arif Gjylit në këtë lëmë letrar, lëmë që mbart vlera bashkëjetuese e bashkudhëtuese. Kjo është arsyeja që, studiuesi i mirënjohur i Letërsisë për fëmijë dhe të rinj Prof. as. Dr. Astrit Bishqemi në veprën e tij[13]., me të drejtë ndihmesën letrare si parësore të shkrimtarit Arif Gjyli e vendos te kapitulli “Përshtatja dhe rikrijimi”, ku e pozicionon vlerësueshëm dhe meritueshëm, duke e lidhur emrin e tij me lëvrimin e këtyre dy zhanreve (veçanërisht me të parin), qëllimi i të cilit, (dhe të tjerëve krijues që u morën me këto dy zhanre) është: “... që ta bëjnë të kuptueshme e të këndshme për lexuesin e vogël një krijim madhor të folklorit ose një vepër të shquar të letërsisë për të rriturit”[14]. Hulumtimet tona për këtë figurë që, (shkëlqimi, denigrimi dhe heshtja jetuan brenda shpirtit dhe jetës së tij të ndershme) si brez i parë që krijuan traditën e re të letërsisë shqipe për fëmijë, na flasin se në periudha të ndryshme kohore studiuesit, kur kanë dhënë mendime për veprat e Arif Gjylit, pothuaj vëmendjen e kanë përqendruar më shumë te libri “Trimat e Jutbinës”. Ky interesim, mendoj, se duhet pranuar, duke iu drejtuar më shumë kohës kur u botua libri, por paraqet interes edhe për pas kohën e tij.
Pranimi i asaj kohe është i lidhur edhe me stadin e zhvillimit të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Duhet të mirë pranojmë ato vlera dhe të metat e asaj letërsie në zhvillim. Pra, është fjala për kontekstin historik. 
Nga një vështrim i hedhur në rrafshin historik të procesit të zhvillimit të kësaj letërsie, emri i Arif Gjylit i takon të jetë nga të parët që lëvron përshtatjen dhe rikrijimin, këto dy zhanre, që ende përbëjnë një traditë të re botimi në Shqipëri. Ky mendim i imi, përkon me atë të një poeti të mirënjohur, i cili thotë: “Është meritë e Arif Gjylit që, me veprën e tij më të mirë “Trimat e Jutbinës”, nisi nga të parët traditën e rrëfimeve të shkruara në bazë të ciklit tonë të mrekullueshëm të kreshnikëve, ...”[15]. Ndërsa për dy veprat e tjera të këtij autori: “Historia e dhelpnës plakë”[16]. dhe “Djathtas, majtas 1, 2, 3”[17]., janë më në periferi nga ana e kritikës sonë letrare. Edhe atëherë kur është dhënë mendimi për to, më shumë ka ngjasuar me ato rrezet e vagëlluara të diellit vjeshtak, që ndoshta kishin nisur t’i përjetonte pak e pak trishtueshëm edhe vetë shkrimtari, jeta dhe koha e të cilit, dikur ishte ëndërrimtare... Për librin “Djathtas, majtas 1, 2, 3” mund të themi se disa nga poezitë e kësaj vepre poetike zgjojnë interes pranimi në tekste shkollore e antologji[18].

            Me të drejtë, nga disa studiues të kohës, është thënë se, “Trimat e Jutbinës” është vepra më e arrirë artistikisht e shkrimtarit Arif Gjyli. Kjo vepër zgjoi dhe interes diskutimi për kohën kur u botua[19].
 Sipas studiueses dhe bibliografes Faire Tabaku kjo vepër shfaq disa marrëdhënie  e disa rrafshe vlerash. Në mënyrë të përmbledhur autorja e shkrimit nënvizonte këto:
            *Libri “Trimat e Jutbinës” i A. Gjylit doli në qarkullim në tremujorin e fundit të vitit 1960.
             *Brendia e tij është vetë Eposi popullor, janë rapsoditë e Veriut, këngët e bukura të kreshnikëve që populli ynë i ka përcjellë gojë më gojë gjatë shekujve.
*Fëmijët i kanë shumë qejf veprat fantastike dhe me aventura, ... Ja, pra, pse libri “Trimat e Jutbinës” u bë i dashur për fëmijët.
*Suksesi i librit qëndron në subjektin e tij.
*Burimi kryesor i librit është Eposi i Veriut. A. Gjyli ka ditur të zgjedhë disa nga më të bukurat, që u përshtatën më tepër veçorive të moshës së fëmijëve, që janë më afër psikologjisë së tyre.
            *A. Gjyli për të shkruar librin “Trimat e Jutbinës” është mbështetur në dy botime “Visaret e Kombit” 1937 dhe “Këngët popullore legjendare” 1955.
            *Në këto tregime mëshihet dëshira për pamvarësi. (Jutbina bëhet simbolikë e trimërisë, e lirisë, e vlera dhe e virtyteve të shqiptarëve, - nënvizimi im Xh. B.). 
*Në tregimet paraqiten qartë dhe në mënyrë të gjallë të gjitha karakteristikat e shqiptarit, si: besa e Zanave e Orëve dhe e kreshnikëve, trimëria dhe burrëria e tyre..., besëtytnitë e popullit tonë; doket, miku, dashuria dhe nderi i familjes, trimëria, etj.
*Vetë A. Gjyli thotë se duke u dhënë për botim këtë libër është nisur nga dëshira që t’u bëjë të njohur fëmijëve disa nga rapsoditë e bukura të Veriut, t’i përgatisë ato që t’i shijojnë në origjinal mbasi, për shkak të gjuhës arkaike, fëmijët nuk mund të kuptojnë bukurinë e tyre.                                                                                                                                                                                                                            
Mendoj që ka një pasaktësi në këtë mendim se, në të vërtetë Eposi ka “..., një gjuhë që kuptohet pa ndonjë vështirësi të veçantë (nga brezat e rinj të asaj kohe, - nënvizimi im Xh. B.) si dhe të kohës sonë, jo vetëm në Gegëni, po edhe më gjerë. Kjo dëshmon se Gjuha e Eposit ka pasur përpunim të një shkalle të lartë, prandaj edhe është konsideruar me të drejtë si “përmendore e artë e gjuhës sonë poetike”.[20]
            *... le të krahasojmë tregimet e librit “Trimat e Jutbinës” dhe Këngët e Eposit popullor. Nga ky krahasim del se nga të gjitha këngët e vetmja që është punuar pak a shumë lirisht është kënga e parë “Fuqia e Mujit”.
            *Edhe një herë e përmendim se merita e tij është vetëm në zgjedhjen e këngëve, në renditjen e tyre logjike... (?, - shenja e pikësimit është vënë si nënvizimi im, - Xh. B. Mendoj se, vërtet kanë vlerë zgjedhja e këngëve, por nuk mund të jetë meritë kryesore e librit një dukuri e tillë, dukuri që, sigurisht, ka pjesën e vet në piramidën meritore. Në të vërtetë meritat e librit i gjejmë në zbërthimin e kodeve të këngëve të Eposit që si vlera kulturore, shpirtërore, kulturore e epokale,  autori me talentin e tij diti që këtë ‘ushqim’ të vyer t’ua adresojë me dinjitet shkrimtari dhe prindi, kësaj radhe fëmijëve e të rinjve). 
            *Libri është shkruar në dialektin gegë dhe kjo është bërë me qëllim që të ruhet bukuria e origjinalit. (Për plotësim të mëtejshëm të argumentit: Eposi i Veriut i shkruar në dialektin e gegërishtes, vjen si rezultat i substratit palcor i të folmes ekzistenciale të Veriut, e cila ruan identitetin e krijimit dhe mbështetet fuqishëm mbi të, ndryshe nuk mund të jetonte e të jetojë. Ndaj dhe për autorin nuk mund të ndodhte ndryshe.... Parësore për të ka qenë ruajtja e identitetit., - nënvizim i im Xh. B.).
            *Libri do të fitonte më shumë dhe tregimet do të kishin më tepër larmi në qoftë se autori do të merrte herë pas here vargje nga Eposi. Edhe në ato raste kur citohen vargje nga rapsoditë, ato nuk merren ashtu siç janë, por mbi të vihet dorë.

            Autori A. Gjyli ka zbatuar metodën e përshtatjes në veprën e tij “Trimat e Jutbinës”. Pra, të një adoptimi e ritregimi. Gjyli procesin krijues të prurjes së Eposit për fëmijë e të rinj e ka realizuar përmes një përpunimi të lehtë e të domosdoshëm artistik që ai e ka parë të arsyeshme, duke mos prekur madhështinë e këngëve të Eposit. Duke iu përmbajtur kësaj linje, studiuesi me të drejtë thotë: “Aty autori rrëfen thjeshtë, duke pasur për bazë ciklin tonë të kreshnikëve. Veç ai i ka ndenjur besnik origjinalit, ka bërë përshtatje të tij. Vargjet i ka radhitur në prozë, ka zëvendësuar disa fjalë të vështira dialektore e barbarizma për të bërë rrëfimin sa më të kuptueshëm për fëmijët”[21]. 
            Vepra “Trimat e Jutbinës” ka një marrëdhënie të shumëfishtë me folklorin. Kjo marrëdhënie është së brendshmi e së jashtmi.
Për periudhën kohore që flasim, pra, kur u botua vepra, kjo dukuri nuk mbetet si fakt i vetëm tek A. Gjyli. Kjo është karakteristikë e dukshme, ku më shumë e ku më pak për gjithë shkrimtarët të këtij brezi. U kultivua gjerësisht marrëdhënia me krijimet folklorike, aq sa  ‘preku’ edhe brezin e krijuesve të viteve ’60, krahas risive që sillnin si problematikë jetësore, shumësi individualitetesh krijuese e lëvrim gjinish. Kjo “prekje” vazhdoi pak përtej. Kjo dukuri do të kthehet sërish pothuajse me të njëjtat tipare, pas viteve ’90. Në këtë rrugëtim të kësaj marrëdhënieje ka shumë pika takimi e vazhdimësie. Për shembull para përrallës është rishfaqur problemi i thënë që atëherë: “Po kur përralla bëhet gjinia e vetme e një shkrimtari dhe, ca më keq, kur ajo mbisundon në tërë aktivitetin e shkrimtarëve për fëmijë, atëherë ajo bëhet shkas që t’i pritet rruga temave të tjera, kryesisht temës aktuale...”[22].
Po le kthehemi edhe një herë te kjo marrëdhënie, që për këta shkrimtarë u kthye në ‘traditë’. Por mënyra e lidhjes dhe e mbështetjes në folklor, sa “pjesë” apo “pjesëza” u morën “hua” dhe u mishëruan si konceptim, perceptim, formë, strukturim, frazeologji, subjekt a fabul, etj., që u realizuan në këto vepra, janë çështje përkatësie e formimi të individualitetit krijues e talentit të çdo shkrimtari, të mënyrës së paraqitjes së tij sa më origjinale. Këto aspekte kërkojnë  studime më të thelluara.
Një nga shtysat e shkrimtarit që rend drejt përrallës popullore, në mes të tjerave mund të jenë dhe këto: “Te përralla popullore, fëmija gjen forcën e ndjenjës, freskinë, naivitetin, thjeshtësinë, sinqeritetin e vet; zhvillon shijen për ngjyrat e tingujt e gjallë, gjithmonë në lëvizje[23]. Jo më kot dalin si të vërteta, që në atë kohë, edhe piketat e vëna që në laboratorin e tij krijues nga shkrimtari Arif Gjyli.
Duke shtjelluar më tej raportet mes letërsisë gojore dhe letërsisë së shkruar për fëmijë dhe të rinj është e nevojshme që ato duhet të: “... zgjidhen në studimin historik ...[24]. të kësaj letërsie, si dhe kemi një mendim më të qartë shkencor edhe për: “... periodizimin e saj... (që ka nevojë të rishikohet e të rishkruhet, - nënvizimi im Xh. B.), dhe brenda këtij rishkrimi zë vend edhe: “...çështja e letërsisë popullore”[25].
            Kjo tezë e Prof. Rexhep Qoses mbetet aktualisht e hapur dhe e pastudiuar edhe në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, duke përfshirë një opus më të gjerë shqiptar. Kjo marrëdhënie letërsie pati shumë paqartësi, po aq paqartësi sa raporti i reales me fantastiken në gjininë e përrallës, në periudhën e gjatë të realizmit socialist. Studiuesit dhe kritikët nuk arritën dot t’i zgjidhnin këto probleme e të tjera të gjinisë së përrallës, sepse optika e tyre ishte e përqendruar vetëm në një rrafsh, në atë që ata e quanin: “... përralla e re socialiste përmes moralit dhe ideve të saj”. Edhe për këto probleme mungojnë studimet në lëmin e letërsisë për fëmijë e të rinj. Vështirësia e këtyre problemeve merr edhe një përmasë tjetër të kësaj natyre që, gjithashtu është larg zgjidhjes së vërtetë. Aktualisht botimet për fëmijë në Kosovë pothuajse janë të panjohura në Shqipëri, dhe anasjelltas. Jemi larg njohjes, shtegtimit dhe përcjelljes së këtyre vlerave. Me të drejtë Prof. Qosja thotë: “Vetëm duke i trajtuar bashkë letërsinë gojore dhe letërsinë e shkruar bëhet e mundshme paraqitja e letërsisë kombëtare në gjithë identitetin e saj. Këndej del përfundimi se letërsia kombëtare mund të shihet dhe mund të periodizohet në gjithë shtrirjen e saj kohore vetëm po të jetë e përfshirë në historinë e saj edhe letërsia gojore”[26]. Dhe kjo ishte arsyeja që pak rreshta më lart përmenda shprehjen duke përfshirë një opus më të gjerë shqiptar.  
Duke mos iu larguar problemit që po trajtojmë rreth krijimtarisë së shkrimtarit Arif Gjyli, një studiues që e njeh mirë veprën e këtij autori, thotë se: “Aspekt i veçantë i mbështetjes së shkrimtarëve te folklori ishte, ndër të tjera, përshtatja për të vegjlit e pjesëve nga cikli i kreshnikëve. Disa nga këngët më të bukura të rapsodive të Veriut përfshihen në librin “Trimat e Jutbinës” (1959) e A. Gjylit. Autori i mblodhi dhe i përpunoi ato me kujdes, duke ruajtur vlerat origjinale të tyre. ... Gjatë përpunimit të motiveve, autori ka ruajtur veçoritë e ligjërimit popullor, si përdorimin e fjalive të shkurtra e të ngjeshura me mendim, përforcimin e ideve dhe të veçorive të personazheve me anë të përsëritjes dhe të rimarrjes së situatave, përzgjedhjen e shprehjeve dhe të figurave karakteristike për krijimtarinë gojore të popullit, etj. Mirëpo, përshtatja në prozë e Eposit të kreshnikëve, solli në shumë raste humbje të ritmit të veprimit, si dhe dobësim të forcës shprehëse të gjuhës e të figurave artistike të origjinalit”[27].
             “Trimat e Jutbinës” e kapërcyen me “trimëri” kohën kur u shkrua. Autori ruajti më shumë se një marrëdhënie me Këngët Kreshnike. Reflektimin shumë kuptimor e shumë shtresor e gjeti autori duke pasur parasysh këto vlera të krijuara që më parë, por duke i shtuar edhe vlerat që i përçoi në libër, siç janë:
            *”Veprat janë krijime popullore-gojore dhe mbajnë shenjat e thella të kësaj forme në strukturë e në destinim. Duke qenë vepra kolektive, që rrinë të gjalla në kohë, ato kanë në vete edhe shenja të kohëve të ndryshme”[28].
            *”... në Kangët kreshnike gjithëçka  është e mundshme, ngase e thëna bazohet në mrekullitaren dhe në fantastiken”[29].
            *”Këto këngë, prandaj, e japin ndodhinë, apo ngjarjen të figuruar, nëpërmjet një procesi krijues të tregimit, përshkrimit dhe sigurimit”[30]. (gjithashtu nënkupto dhe “Trimat e Jutbinës”).
Vepra jeton dhe sot. Kjo është vlerë e veprës. Për arsye se, autori i ruajti hapësirat e Jutbinës. I njohu mirë dhe i dashuroi. Ashtu siç i përftoi me ndjesinë e shkrimtarit, ashtu edhe i dhuroi si “Jutbinë” krijimtarie. Mbi këtë bazë, optika e sotme e rileximit na thotë se, vepra e Arif Gjylit i mbarti dhe i ruajti vlerat përmes një fenomeni të  njohur, siç ishte ai i marrëdhënies mes letërsisë së shkruar shqiptare dhe folklorit e letërsisë gojore, ( ekuilibër që e ruajti artistikisht si në formë, strukturë e veçanërisht në përmbajtje, - nënvizimi im Xh. B.).
Në mënyrën e perceptimit dhe të paraqitjes në  shtjellimin artistik, ashtu siç e theksuam më lart, shkrimtari preferoi përshtatjen. 
            Po ta vështrojmë me vëmendje strukturën e Eposit “Trimat e Jutbinës”, duke marrë përsëri ca fjalë poeti hua, do të thosha se: “... e ka një bërthamë”[31]., dhe se ende “rrezaton”[32].   Duke u marrë në konsideratë pohimi i Faire Tabakut kur thotë se: “... merita e tij është vetëm në zgjedhjen e këngëve...”, por përveç kësaj që thotë studiuesja, problemi ka nevojë për një zgjerim të mëtejshëm, veçanërisht për elementë përqasjeje të vlerave që mbartin këngë si autorësi popullore e të vlerave që kanë marrë brenda hapësirës së librit artistik. Kështu, shkrimtari Arif Gjyli zgjodhi këngën “Gjergj Elez Alia” se: “... është një nga gurët më të çmuar të poezisë legjendare shqiptare”[33]. Zgjodhi këngën “Fuqia e Mujit”, sepse: “... kjo këngë është nga të parat në qerthullin e këngëve që formojnë protomaterien poetike të ciklit shqiptar “Mujit dhe Halilit”[34]. Zgjodhi këngën “Martesa e Mujit”, sepse: “Studiuesit e kritikët e ndryshëm, shqiptarë e të huaj, gati të gjithë janë të një mendjeje se kjo këngë është ndër  më të bukurat e ciklit tonë dhe lënda prej së cilës ajo është mbrujtur është nga më të lashtat në poezinë epikë popullore të Ballkanit. Në shqip “Martesa e Mujit” ka 368 vargje. Struktura e saj është karakteristike për gjitha këngët që formojnë “bërthamën poetike” të ciklit shqiptar të “Mujit dhe Halilit”[35]. Zgjodhi këngën “Omeri i Mujit” (studiuesi Fatos Arapi e emërton: “Omeri prej Mujit”), sepse: “Kjo këngë në ciklin shqiptar përbëhet prej dy motivesh bazë: çlirimi i babës prej djalit të tij nga burgu dhe prova nëse Omeri është me të vërtetë djalë i Mujit, sepse kur ka rënë në burg, ai e kishte lënë “nusen me barrë”. Tani shqiptari do të provojë nëse i biri është jo “mish e gjak” prej trupit të tij, pse për këtë s’ka pikë dyshimi, por nëse djali është “mish e gjak – prej shpirtit të tij... Dhe kjo është prova më e vështirë, që e ka kaluar me sukses të mrekullueshëm edhe vetë kënga shqiptare”[36].
Apo siç do të thoshte M. Lambertz: “Nga përpjekja      burrnore që bën Omeri për të mos iu prekur miqtë e tij, Muji sheh se Omeri është gjaku i tij, biri i tij”[37]. Zgjodhi këngën “Halili merr gjakun e Mujit”, sepse: “Këngët më të mira të eposit shqiptar janë klithma të egra të tragjedive të mëdha njerëzore, të lumenjve të gjakut, derdhur për të qenë i lirë, për të mbrojtur tokën, të një dashurie tronditëse të vëllait për motrën, të motrës për vëllamë, të vëllait për vëllamë, të nënës për fëmijët; të një shqetësimi të madh për të ruajtur dashurinë, bashkimin midis anëtarëve të familjes, fisit, etnisë të një dinjiteti njerëzor dhe të edukimit të gjeneratave që vijnë që ato të jetojnë të lira, ta përbuzin frikën, skllavërinë, vdekjen. Dhe këto tema, në njëfarë kuptimi, janë “të përjetshme”[38]. Zgjodhi këngën “Martesa e Halilit”, sepse “Vetiu kjo këngë (“Martesa e Halilit”, - nënvizimi im Xh. B.) na bën të kujtojmë “Fuqia e Mujit” dhe “Martesa e Mujit”. Është po ajo gjeni poetike popullore, veçse këtu gjithçka ka një frymëmarrje më të gjerë, realja dhe fantastikja, heroikja e tragjikja, vetë personazhet janë aq transparentë e të tejdukshëm, sa përtej tyre ne shohim vetë përmbajtjen e gjenisë popullore që krijon. E ky është i papërsëritshëm”[39]. Zgjodhi këngën: “Ajkuna kjan (qan) Omerin”, sepse: “... është një nga këngët më të bukura e më tronditëse të eposit tonë. Ka diçka të vërtetë në mendimin e shprehur se në zërin e saj, (të Ajkunës, - nënvizimi im Xh. B.) ndihen “elementet e lashta të mitit që vdes  e që përfaqëson botën bimore”, d. m. th. “vdekjen” dhe pastaj përsëri “ngjalljen” e botës bimore mbi tokë. Por në këngën shqiptare lënda e mitit të lashtë është përzier me fatet historike të një populli, me jetën e tij, në mënyrë të tillë, që na ka dhënë një nga monumentet më madhështore të shpirtit shqiptar”[40].
            Gjykimet dhe konkluzionet e studiuesit e poetit të mirënjohur Fatos Arapi, na bëjnë të mendojmë e të besojmë se, shkrimtari Arif Gjyli e ka njohur mirë Epikën legjendare dhe në veçanti Eposin e kreshnikëve. Këngët e përzgjedhura, të kthyera në prozë kanë dhe ruajnë “aromën” e kësaj madhështie krijuese. Kjo marrëdhënie që mbart vlera, të cilat janë të konkretizuara në librin e Arif Gjylit, studiuesja Qibrije Demiri-Frangu ndien nevojën që në këto vepra të këtij lloji, interteskti (ndikimet dhe përshtatjet nga letërsia popullore dhe veprat e tjera, ...) të jetë objeksion i studimeve të ardhshme. Duke i mëshuar pranisë së kësaj dukurie të rëndësishme, studiuesja thotë: “Studimet intertekstuale kërkojnë njohuri paraprakisht nga letërsia popullore, pastaj nga letërsia për të rritur, e natyrisht edhe nga letërsia botërore, në mënyrë që të caktohet vepra më e mundshme për një lakim të tillë dhe para së gjithash të njihet kodi i letërsisë për fëmijë, në mënyrë që ajo vepër pas “ripunimit” vërtet të bëhet vepër për fëmijë. Në rastet e përmendura, autorët kanë ruajtur bërthamën e variantit të parë, kështu që interteksti i tyre shënon lehtë origjinën e krijimit”[41].

Dimensionet e këtyre këngëve (Eposi i kreshnikëve, - nënvizimi im Xh. B.) dhe dimensionet e mesazheve që përcjellin ato, bëjnë që ta rijetojnë edhe më tej veprën e këtij shkrimtari që në vetvete ruan shpirtin e këtij Eposi. Mbi bazën e kësaj përkatësie, me të drejtë studiuesi Shaban Sinani shprehet: “Në eposin e kreshnikëve nuk ka hapësirë dhe kohë të përcaktuar historike. Jutbina është një atdhe shpirtëror i rapsodëve”[42]. Duke u ndalur te sintagma e fundit e studiuesit Sinani, gjejmë thelbin, shtysat dhe motivet, pse autori Gjyli e titulloi veprën e tij “Trimat e Jutbinës”. Kjo vepër ka rrezatimin e Eposit të kreshnikëve, rrezatim që flet se “këto rapsodi kanë një shpirt tërësisht shqiptar,...”[43]. Por, edhe për një rrafsh tjetër leximi, si ky: “Duke lexuar Ciklin e kreshnikëve, të bëhet nganjëherë sikur ndodhesh përpara një poeme të madhe, prej së cilës kanë mbetur këto këngë të mrekullueshme”[44]. 
Në vazhdim të këtyre interpretimeve, na u duk me interes edhe teza e studiuesit Sabri Hamiti, i cili thotë: “Kurrkush nuk do të kërkojë vërtet dukshmëri kur lexon Kangët, pos të përkundet në krahët e fantazisë, duke pasur në dije se Kangët kreshnike në fakt janë fillimet e letërsisë fantastike si zhanër në letërsinë shqipe”[45]. Vetiu të lind pyetja: Mos vallë Arif Gjyli, autori i librit “Trimat e Jutbinës”, është nga të parët që nis dhe lëvron zhanrin e letërsisë fantastiko-shkencore? Një mendim i tillë na fton për studime të mëtejshme në shërbim të këtij zhanri, dhe njëkohësisht ndriçon më tej edhe procesin historik të zhvillimit të letërsisë fantastiko-shkencore, sepse ndryshe nga gjinitë e tjera të lëvruara e të studiuara, kjo letërsi ende mbetet me një jetëshkrim e histori modeste.

            Vepra “Trimat e Jutbinës” ka shenjën dhe koherencën e saj. Nocioni kohor, nocion që shoqëron veprën mbetet një marrëdhënie që duhet parë e studiuar. Për këtë problem studiuesi Jorgo Bulo thotë: “Në qoftë se me “Tregimet e moçme shqiptare” M. Kuteli, duke çelur rrugë në prozë, ritregoi me një ndjenjë të hollë artistike subjektet dramatike të këngëve të ciklit heroik dhe legjendar, stilizimet e disa prej tyre dhe motive të shkëputura formojnë bazën e subjekteve të shumë krijimeve në prozë, sidomos për të vegjël, por edhe për të rritur. Rëndësia e këtyre krijimeve (të N. Priftit, A. Gjylit, M. Zeqos etj. ) qëndron në radhë të parë në popullarizimin e traditës folklorike dhe në pohimin e mundësive të saj për të ushqyer zhvillimin e prozës së re me subjekte dhe ide që e ruajnë aktualitetin edhe në kohën tonë dhe i shërbejnë edukimit të brezit të ri me virtyte morale të trashëguara nga të parët edhe përmes folklorit.
            Por, ndërmjet kësaj mënyre të shfrytëzimit të motiveve të eposit heroik, që u mbetet besnike subjekteve tradicionale dhe mënyrës tjetër, ku subjektet folklorike shërbejnë vetëm si pikënisje për të ndërtuar një ngrehinë të re artistike, qëndron një mënyrë e tretë, ajo e integrimit të motiveve të ndryshme të këngëve të eposit në subjekte që s’kanë asnjë lidhje me kontekstin social-historik të ciklit, të cilit i përkasin ato motive”[46].                                                                                                                                                                                                                                                 
            Në optikën tonë të rileximeve sollëm në kujtesë veprën “Trimat e Jutbinës” të shkrimtarit Arif Gjyli, edhe për një arsye tjetër, se “Brezave të rinj ai do të vazhdojë t’u rrëfejë për “Trimat e Jutbinës”. Si gjysh i mirë ai do t’u tregojë vogëlushëve “Historinë e dhelpnës plakë”[47]*, kurse në përmbledhjen me vjersha për fëmijë “Djathtas, majtas 1, 2, 3!” do t’u flasë për stinët e bukura të Atdheut tonë të shtrenjtë, ...”[48].    



[1] Kokona, Vedat: “Quo Vadis Letërsi shqipe dhe shkrime të tjera kritike” (1937 – 1944), Botimet Kokona, Tiranë, 2006; studimi “Quo Vadis letërsi shqipe?”, f. 18.
[2] Po aty., f. 19.
[3] Siliqi, Llazar: “Me mendjen te brezat e rinj”, Drita, 01.10.1989
[4] Shumë vite më vonë për vlerat e kësaj figure, poeti Romeo Çollaku do të shprehej poetikisht kështu: “O! nder e lavdi, nder e lavdi për Zenel Bastarin / dhe për të gjithë ata terzinj që lanë një ditë mënjanë perin e gjilpërën, / për t’u vetëflijuar në shtigjet e pashkelura deri atëherë të poezisë.” (Çollaku, Romeo: “heshtjen duke gërmuar”, poezi, poezia: “Ditiramb për Zenel Bastarin, nga një studiues i regjur i letrave shqipe, akademik”, f. 39.; Botimet Princi, Tiranë, Tetor, 2011.
[5] Uruçi, Dashamir: “Muhamet Uruçi, babai im”, Geer, Tiranë, 2011.
[6] Po aty., f. 23., thënie e Xhavit Gjylbegajt, mjek pediatër. Ishte ky, Piciruku i famshëm që u bë burim frymëzimi për veprën me të njëjtin emër të shkrimtarit Teufik Gjyli.
[7] Po aty., f. 24., thënie e Dashamir Uruçit, autor i librit “Muhamet Uruçi, babai im”, Geer, Tiranë, 2011.
[8] Po aty., f. 25., thënie e Dashamir Uruçit, autor i librit “Muhamet Uruçi, babai im”, Geer, Tiranë, 2011.
[9] Gjyli, Arif botoi këto libra: “Historia e dhelpnës plakë” (përrallë në vargje,  Naim Frashëri, Tiranë, 1958), “Trimat e Jutbinës” (punue simbas motiveve popullore,  Naim Frashëri, Tiranë, 1959), “Djathtas, majtas 1, 2, 3”, Naim Frashëri, Tiranë, 1960), “Trimëri e burrëri”. Naim Frashëri, Tiranë, 1964 (përzgjedhje nga tekstet e këndimeve të përdorura deri në vitin 1927).
[10] Simpoziumi i parë kombëtar për problemet e letërsisë për fëmijë” (27 - 28 maj 1974),  Naim Frashëri, Tiranë, 1975; shkrimi: “Probleme të studimit të traditës së re të letërsisë sonë të sotme për fëmijë” autori: Prof. Vehbi Bala, f. 38.
[11] Po aty., f. 38.
[12] “Probleme të traditës dhe të aktualitetit në letërsinë tonë për fëmijë”, Naim Frashëri, Tiranë, 1976; Adriatik Kallulli: “Poezia jonë për fëmijë dhe folklori”, f. 117.
[13] Bishqemi, Prof. As. Dr. Astrit: “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (kapitulli: Përshtatja dhe rikrijimi), 4.2.2.3.6, f. 537 – 538., Botim i tretë, i plotësuar dhe i përmirësuar, dy Lindjes dhe dy Perëndime, Tiranë, 2008.
[14] Po aty., f. 537.
[15] Siliqi, Llazar: “Me mendjen te brezat e rinj”, Drita, 01.10.1989.
[16] Bibliografia e Letërsisë për fëmijë dhe të rinj (1945 – 1964), përpiluar nga: Faire Tabaku dhe Diana Kosturi, (Instituti i Studimeve dhe Botimeve shkollore, Tiranë, 1965), zëri: 59. Gjyli, A. Historia e dhelpnës plakë. (Përralla). (Pikt. V. Lalo), Tiranë, “Naim Frashëri”, 1958. 56 f. Me ill. 18 cm. Tir. 3000, L. 15.
                Libri përmban: Bishtcubele, bishtcubele! – Dhelpna e vjetër dhe ariu. – Me ndenjë në shtëpi, s’më le gruaja, me dalë n’arë, më ha harusha. – Ujku zë peshq. – në shpellë të ujkut. – Gryk-uli, mes-uli, fund-uli. – Betimi në kurthë. – Ujku shkollar. – Ujku mbi shpinë të gomarit. – Në gosti.
                Historitë e dhelprës plakë janë të shumta; për zgjuarsi dhe dinakëri asaj nuk ja kalon asnjë dhelpër tjetër, prandaj edhe shoqet, sa herë që mbeten ngushtë, e thërresin për ndihmë. Kështu, me mëndjemprehtësinë e saj, ajo i shpëton dhelprat nga ariu që ka zënë pellgun dhe nuk lë asnjë prej tyre që të pijë ujë. Ajo ia punon dhe ujkut mizor që është tmerri i dhelprave dhe kafshëve të pyllit. Ajo herë e gënjen ujkun që të shkojë në lumë se atje do të gjejë shumë peshq, herë i thotë që të shkojë në mal për gjah se shpellën e pasurinë do t’ja ruajë vetë dhe nga ana tjetër ia përlan ujkut mjaltin dhe gjithë ushqimet e tjera duke e lënë me gisht në gojë.
                Për moshën e ulët shkollore, (faqe 31 – 32).
[17] Po aty., zëri: 58. Gjyli, A. Djathtas, majtas 1, 2, 3! (Vargje për fëmijë), (Ill. S. Marko). Tiranë, “Naim Frashëri”, 1960, 19 f. Me ill. 24 cm. P. Tir. L. 20.
                Çdo mëngjes fëmijët duhet të bëjnë gjimnastikën ashtu siç bëjnë edhe gjeli, bilbili, pëllumbi, pata, lopa, qeni, macja që janë vizatuar në këtë libër.
                Për moshën parashkollore, (faqe 31). (Teksti i mësipërm riprodhohet sikundër është).
[18] “Anija e çuditshme”, vjersha për fatosat, Naim Frashëri, Tiranë, 1962. Në këtë antologji poeti Arif Gjyli përfaqësohet me poezitë: “Unë e babi”, “Kukulla Mirushkë e sëmurë”, “Rreth e rrotull”, “Treni ynë”.
[19] Më 23.04.1961 Komisioni i letërsisë për fëmijë pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve organizoi një diskutim krijues rreth librit “Trimat e Jutbinës” të shkrimtarit Arif Gjyli. Mbi këtë vepër foli Faire Tabaku, përgjegjëse e bibliotekës për fëmijë të Pallatit të pionierëve në Tiranë.
[20] Shkurtaj, Prof.dr. Gjovalin: “Eposi i Kreshnikëve si përmendore madhështore e kulturës ligjërimore të shqipe”, revista Univers, Tiranë,  2011,  nr.13, f. 177.
[21] Bishqemi, Prof. As. Dr. Astrit: “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” (kapitulli: Përshtatja dhe rikrijimi), 4.2.2.3.6, f. 537, Botim i tretë, i plotësuar dhe i përmirësuar, dy Lindjes dhe dy Perëndime, Tiranë, 2008.

[22] Zheji, Gjergj: “Fëmijët presin” (Drejt plenumit të letërsisë për fëmijë), “Drita”, 20.10. 1963.
[23]  “Probleme të traditës dhe të aktualitetit në Letërsinë tonë për fëmijë”, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976. (Jorgo Panajoti: “Përralla popullore dhe fëmija”, f. 32.)
[24] Qosja, Rexhep: “Semantika e ndryshimeve historiko – letrare”, Instituti Albanalogjik i Prishtinës, Prishtinë, 2009; pjesa: “Letërsia gojore dhe letërsia e shkruar”, f. 335.
[25] Po aty., f. 335.
[26] Qosja, Rexhep: “Semantika e ndryshimeve historiko – letrare”, Instituti Albanalogjik i Prishtinës, Prishtinë, 2009; pjesa: “Letërsia gojore dhe letërsia e shkruar”, f. 336.
[27] Çadri, Prof. As. Dr. Ramazan: “Lindja dhe formimi i Letërsisë shqipe për fëmijë”, Redona, Tiranë, 2009, ( Nga pjesa 1.1. Fillimet e përrallës së re për fëmijë, F. 113 – 114)
* Në përshtatje (adoptim, ritregim) kemi përpunim të lehtë artistik të një kënge të eposit folklorik, të ciklit të kreshnikëve, të një këngë historike, të një balade, legjende a gojëdhëne, etj., ose edhe të ndonjë krijimi të shkurtër klasik të letërsisë së kultivuar për të rriturit.
[28] Hamiti, Sabri: “Albanizma”, Botues: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Botime të veçanta CIII, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Libri 42, Prishtinë, 2009; (Letërsia Monumentale, 2. Monumentet: Historia, Kanuni, Kanga), f. 62.
[29] Po aty., 3. Diferencimi i diskurseve, f. 65.
[30] Po aty., 4. Mimetika e jetës, f. 66.
31, 32  Arapi, Fatos: “Këngë të moçme shqiptare” (studime), Botimet I-T, 2007, kapitulli “Cikli i kreshnikëve – bërthama dhe rrezatimi i tij”
33 Po aty., kënga “Gjergj Elez Alia”, f. 125.
34 Po aty., kënga “ Fuqia e Mujit”, f. 140.
35 Po aty., “Martesa e Mujit”, f. 152 .
36 Po aty., “Omeri prej Mujit”, f. 176-177.
37 Lambertz., M.: “Epika popullore e shqiptarëve”, “Cikli i Mujit dhe Halilit”, Lajpcig 1954-1955.
38 Arapi, Fatos: “Këngë të moçme shqiptare” (studime), Botimet I-T, 2007, kapitulli “Cikli i kreshnikëve – bërthama dhe rrezatimi i tij”, pjesa”Halili merr gjakun e Mujit”, f. 189 – 190.
39Po aty., “Martesa e Halilit”, f. 190.
40 Po aty., “Ajkuna kjan Omerin”, f. 211.
[41] Demiri – Frangu, Qibrie: “Letërsia për fëmijë” (gjeneza, fenomene dhe autorë),  Rozafa, Prishtinë, 2011, f. 90.
[42] Sinani, Shaban: “Etnos në epos” (studim monografik), Botues “Naimi”, Shtëpi Botuese dhe studio letrare, Tiranë, 2011, studimi: “Eposi heroik legjendar shqiptar” ( II. Etnosi në eposin shqiptar), f. 13.
[43] Shatro, Baviola: “Analizë dhe interpretim”, Botimet “Dita 2000”, Tiranë, 2010, shkrimi “Eposi i kreshnikëve”, f. 43.
[44] “Cikli i Kreshnikëve” (antologji) zgjedhur dhe përgatitur nga: Prof. Gjergj Zheji, Prof. As. Dr. Natasha Xhafka,
Leximplus, Albas, 2005; pjesa “Këngët e Kreshnikëve”, f. 5.
[45] Hamiti, Sabri: “Albanizma”, Botues: Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, Botime të veçanta CIII, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Libri 42, Prishtinë, 2009;    (Letërsia Monumentale, 3. Diferencimi i diskurseve), f. 65.                                                                                          
[46] Bulo, Jorgo: “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, Dituria, Tiranë, 1998, shkrimi: “Eposi legjendar në prozën e sotme”, f. 99.
[47] *  Në veprën “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1971), në studimin “Rruga dhe problemet e Letërsisë sonë të realizmit socialist për fëmijë”, faqe 162, Bedri Dedja shkruan: “Aty-këtu, nëpër vepra poetike për fëmijë vihen re edhe vargëzime, vjersha të zgjatura me vargje të tepërta, ku mungon mendimi ose ideja e shprehur në mënyrë lakonike. ...  ..., po në mënyrë të veçantë përrallat e A. Gjylit nga vëllimi “Historia e dhelprës plakë”. Për shembull, në përrallën e parë të A. Gjylit “Bishtcubele, bishtcubele” ka një subjekt  tipik fabulash që me më shumë kujdes autori mund ta realizonte e shumta në njëzet vargje, duke shkruar poezi. Kurse ai e ka shtjelluar këtë subjekt në 60-70 vargje. Vetëm  për të thënë se dhelpra është bishtcubele, autori shkruan shtatë vargje tetërrokëshe.”
                Krijimi “Bishtcubele, bishtcubele” si “subjekt tipik fabulash”, i lëvruar në gjininë e përrallës është formësuar si modelim tipik i përrallave popullore dhe ruan  po këtë fytyrë, e cila është shpërfaqur me të gjitha veçoritë e saj të njohura, si: në koncept e mendësi, në mënyrën e të rrëfyerit, në strukturë, në tipizimin e personazheve, në përshkrimin e mjedisit që zhvillohet ngjarja në mënyrë lineare, koncize dhe plot të papritura. Për të gjitha këto që përmendëm më sipër ajo ka mënjanuar “vargëzimet dhe vargjet e tepërta”, duke na paraqitur një mjedis përrallor interesant, i cili është në funksion të vepruesve në përrallë. Përralla ruan konotacionin e saj dhe ngjyrimet stilistike të shprehura nëpërmjet personazheve, si dhe ruan tiparet e përrallës popullore në formë e në përmbajtje. Sintagma: “Dhelpra bishtcubele” nuk është “vetëm për të thënë se dhelpra është bishtcubele, autori vërtet “shkruan shtatë vargje tetërrokëshe “, por ruan trinitetin dhe refrenin përligjës të strukturave ndërtimore të përrallave popullore, jep impulse tempo-ritmi krijimit, vë theksin në historinë rrjedhëse të ngjarjes që i ka ndodhur dhelprës, shenjon vijimësinë e kohës dhe moshën e krijimit me fjalorin përkatës, etj.
                Ky krijim , ndonëse i shkruar më shumë se pesë dekada, nuk e ka humbur freskinë e motivit, sepse i jep jetë aktualiteti. Me pak fjalë, ç’përmban ky krijim? Është historia e një dhelpre që ka mbetur bishtcubele. Historia nuk mbetet e fshehur. Brenda llojit, dhelprat si motra duke ruajtur natyrën dhelpërake të tyre, ia kujtojnë, e përqeshin, e tallin, e fyejnë Bishtcubelen. Nga vargu në varg tragjizmi, hakmarrja, mëria, nervozizmi i Bishtcubeles jo vetëm rritet, por dhe ashpërsohet me shumë konflikti mes dhelprës dhe shoqeve të saj. Bishtcubelja kërkon  të triumfojë.  Triumfon përmes pabesisë së saj. Nga mënyra se si e paraqet autori, ajo është e urtë dhe e zgjuar. Brenda natyrës së saj, duke mbartur cilësinë e dhelpërakes,  i fton shoqet për të mbledhur dardha në kopshtin e një katundari. Shoqet i besojnë urtësisë dhe zgjuarsisë së saj. Tani, ajo tani i ka futur në “çark” shoqet që e tallnin çdo ditë. Bishtcubelja i lidh në një mënyrë të tillë, aq sa kur ata kërkojnë të çlirohen bëhen të gjitha bishtcubele si Bishtcubelja. Bishtcubelja triumfon përmes bishtcubeleve, duke i bërë as më pak e as më shumë por si vetvetja. Kështu ëndrra e saj hakmarrëse realizon  gjymtimin brenda llojit, duke mos pasur asnjë lloj mëshire. 
 Mesazhi aktual i përrallës qëndron te vlera e ballafaqimit të veseve negative që mbartin  vetë personazhet brenda llojit të tyre. Brenda këtij qerthulli e keqja dënon të keqen, veçanërisht kur vepruesi e ka tipar e cilësi të tij të  brendshme e natyrale. Ky mesazh  i guximshëm për kohën që u krijua përralla, nuk u vu në dukje nga kritika letrare. Optika e rileximit beson tek ky mesazh  i përcjellë shumë dekada më parë nga ana e autorit Arif Gjyli, i cili nuk ka humbur rrugës, por vazhdon udhëtimin e tij, i freskët, i gjallë, jetues, aktual edhe në ditët tona.
[48] Siliqi, Llazar: “Me mendjen te brezat e rinj”, Drita, 01.10.1989.

No comments:

Post a Comment