Thursday, January 30, 2014

 Xhahid Bushati


  Kur bisedoj me Agim Devën dhe poezinë e tij  

-me rastin e 5-vjetorit të vdekjes së poetit dhe studiuesit të shquar kosovar Agim Deva-

            Krijuesi Agim Deva (6 prill 1948 – 2 shkurt 2009) ishte mik i ngushtë, veçanërisht, i poezisë shqipe për fëmijë e të rinj. Të tillë ishin: Vehbi Kikaj e Rifat Kukaj, Odhise K. Grillo, Tasim Gjokutaj e Bekim Harxhi. Të tillë janë:  Xhevat Beqaraj, Adelina R. Mamaqi, Gani Xhafolli e Xhevahir Spahiu. E për ta mbyllur kurorën poetike, të tillë ishin dhe janë: Ndre Mjedja, Migjeni, Fishta, Esat Mekuli, Fahredin Gunga, Frederik Reshpja, Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Skënder Buçpapaj, Azem Shkreli, Ali Podrimja.
            Poezinë e Agim Devës e lexoj me ëndje edhe sot e kësaj dite. Gjithëherë më kujton lindjen e një dite të mbarë, përndritjen e agimit të pranverës, buzëqeshjen e një ylli dhe moslargimin e hënës si një magji nga kaltërsia hyjnore e qiellit. Më kujton lojën e fantazisë e lojën e urtësisë brenda qerthullit të poezisë së tij, ku bredhin lirshëm ëndrrat dhe protagonisti (personazhi) e lexuesi njëherësh vrapojnë pas ëndrrave të reja... E çfarë nuk më kujton… Agimi dhe poezia e tij rrezedritëse.
Jo më si një ëndërr por si një realitet, kujtoj edhe takimet me poetin Agim Deva. Rastet sollën, ndonëse dëshirat ishin të shumta, të takohem tri herë me të. ‘Herën e parë’, në vitin 1986, në Tiranë. Kisha shkuar për një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, të cilën e zhvillonim pranë Filologjikut. Ishte privilegj … se ishim 12 vetë nga e gjithë Shqipëria. Gjithashtu, kishim dhe një privilegj tjetër: ishim të pajisur me një dokument special dhe mund të lexonim libra nga fondi rezervat, në Bibliotekën Kombëtare, pavarësisht ec-e-jakeve që na bënte, nganjëherë, ndonjë punonjëse jo fort dashamirëse. Ndryshe nga kolegët e mi pasuniversitarë, rruga ime ishte letërsia për fëmijë, pasi kisha botuar disa libra për fëmijë. Edhe tema e diplomës që do të mbroja ishte nga zhanri fantastiko-shkencor i kësaj moshe, ndaj kërkova krijimtari e libra me studime për fëmijë e të rinj të autorëve nga Kosova, ku informacioni im ishte i zbehtë. Doja të zgjeroja qiellin tim të  njohjes, doja të zgjeroja horizontin tim kulturor. Por edhe për të parë konceptet estetike mbi këtë letërsi, proceset e zhvillimit, dukuritë e ngjashme dhe ndryshimet, lindjet e fenomeneve, krahasimet, përngjasimet dhe veçantitë, etj.
Libri i parë që nisa të lexoj me shënime të zgjeruara ishte: “Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), Rilindja, P. 1982 të autorit Agim Deva. E kujtova menjëherë këtë emër. Sapo kisha lexuar librin me poezi: “Ankohet çanta e vogël…” (mbledhur e redaktuar nga O. Grillo, piktor: Qamil Prizreni, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1986). Ndonëse autorin nuk e njihja, libri në fjalë më kishte lënë përshtypje. Menjëherë i thirra kujtesës, dhe solla në përfytyrimin tim imazhe të disa prej poezive të librit, që më kishin lënë mbresë, si: “Gishti ngjyrë vjollcë”, “Era kërkon punë”, “Zonja e livadheve”, “Më besoni”, “Ankohet çanta e vogël”, “Harabeli”, etj. Në heshtje, nisa të rikujtoj edhe plot vargje të tjera. Tani, dalëngadalë po më plotësohej portreti i Agim Devës, si krijues, por duke mos e takuar ende...
E, duke iu rikthyer librit me studime, gjatë leximit, nuk më hiqeshin nga vëmendja dy momente nga libri, si: a) analizat e thella e shkencore, interpretimi i fenomeneve letrare gjatë procesit historik të zhvillimit të kësaj letërsie, terminologjia letrare e përdorur me vend, si dhe thellësia e fjalës shqipe, përdorimi i brumit të saj shpesh frazeologjik e kultura e gjerë e njohjes. b) Pak e çuditshme, mbase gjer në absurd, po kështu po ndodhte me mua… po lexoja një autor shqiptar, që shkruante të njëjtën gjuhë si unë, shqipen e bukur; me një ‘dokument special, dhe nga fondi rezervat’, që jo çdo kush kishte të drejtë të hynte aty. Edhe sot e kësaj dite pyes veten: “Ç’ishte ajo dorë që e ndërtoi atë mur famëkeq për të na ndarë për së gjalli edhe në leximin e shqipes sonë të shtrenjtë? Mur që s’mund të kapërcehej aso kohe?!..” Ky qe takimi i parë i ‘njohjes’ me Agimin e panjohur fizikisht. Do të vinte viti 2000, dhe datat 5-6 nëntor, në Tiranë, kur nën kujdesin e shkrimtares Shpresa Vreto, do të zhvillohej Takimi i Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj të Ballkanit. Aty u njoha me atë që isha ‘njohur’ më parë… U pamë sy më sy dhe folëm të përmalluar shqipen tonë të zemrës. Aty, me autograf (të cilin e kam të shtrenjtë), më dhuroi librin “Edhe rrugët udhëtojnë”, dhe mban datën 05.11. 2000.  I kujtoj ato orë bisedash të çmueshme me atë njeri të  dashur që të bënte menjëherë mik, që nuk i mungonte buzëqeshja. Pas disa vitesh, dhe ky do të ishte takimi i fundit, mbi bazën e një projekti të Soros-it e nën kujdestarinë e shkrimtares Shpresa Vreto, u mblodhëm, përsëri, në Tiranë për të marrë një javë leksione teorike dhe praktike rreth ‘Tregimit me figura’ nga një pedagoge amerikane. U ritakova përsëri me Agim Devën. U përshëndetëm si miq të vjetër e që na kishte marrë malli shumë… Isha i lumtur, sepse njoha dhe dy shkrimtarë të tjerë të shquar nga Kosova, Abdullah Thaçin dhe Ibrahim Kadriun, me të cilët miqësinë, urtësinë dhe dashamirësinë e tyre i ruaj ende si gjë të shtrenjtë dhe të vyer. Orët e bisedave brenda dhe jashtë leksioneve, kësaj here, ishin më të shumta. Kishim kohë më shumë. Pinim kafe më shumë. Në to, dukshëm, rrezatonte  kultura, fantazia dhe gjetjet e subjekteve në orët praktike  nga ana e Agimit. Dallonte nga gjithë të tjerët, sa i bënte përshtypje dhe pedagoges, e cila shpesh e vështronte me kurreshtje e habi, dhe pastaj... buzëqeshte. Ndaj…, dhe kjo nisi në ditën e dytë, ajo nisi të konsultohej me Agimin. E kuptoi se nuk ishte si të tjerët. Shpesh, mendimet e tij ishin bazë për shumë orë mësimi.
Takimet me Agim Devën u ngjanin ditëve të pranverës, ku dëgjoja një cicërimë zogu… ‘Zogu e poeti/ Rrojnë ku rrojnë fëmij’t, // Zemërohen dhe gëzohen / si t’ishin një – shpirt.; ku shihja një diell ëndërrimtar… ‘Për diellin e di / Gati çdo fëmijë: / Sa më i moshuar, / Duket më i ri…; ku ndjeja aromën e lule vjollcave... ‘Dallim tjetër, Vjollcë, nuk shoh që të ketë, / Ty të puth një nënëz, mua m’puth një bletë’. Se ishte talenti i Agim Devës që të falte këto mrekulli, të cilat më ndjekin pas edhe sot e kësaj ditë si një kujtim i paharruar…, teksa i lexoj përsëri librat e tij. Disa vite më vonë, më 28.10.2009, do të merrja pjesë në 70-vjetorin e ditëlindjes së shkrimtares Adelina R. Mamaqi, e cila bëhej në Prishtinë dhe ishte organizuar nga studiuesja Shukrije Rama, e cila kohë më parë kishte botuar monografinë “Shpirti plot rubinë, kushtuar veprimtarisë letrare të kësaj autoreje. Gjatë ditëve në Prishtinë, libra të tjerë të Agimit, me autograf, m’i dhuruan prindërit, të nderuarit Veli e Sabrije, si dhe e shoqja Drita. Më bëhet se edhe sot e kësaj dite, sikur… më ndjekin pas krahas shumë vargjeve, edhe këto vargje të poetit: ‘Jasht bie dëborë, / E në dhomë të fëmijëve, / Tërë çerdhja shndërrohet / Në botë të mrekullive.’
Poezia, për poetin e shquar Agim Deva, ishte biografi dhe autobiografi. Ishte:
‘Kur më del libri dhe sodit botën,
E marr si foshnjën dhe e shfletoj;
Sikut t’mos ishin strofat e mia,
Oh, sa çuditshëm që i shikoj…

Sa rrugë që bëri në shpirtin tim,
Me njëmijë kthesa, peripeti,
Por tani librin që n’duar e mbaj –
Se ç’rrugë e presin – as vetë s’e di…
……………………………………
Mirëpo, unë librin për pleq s’e shkrova,
Por për fëmijët që i dua shumë,
Shpesh për të linda e perëndova,
E shumë netë gjumin s’e bëra unë… (poezia “Kur botoj libër të ri” nga libri “Kush troket në mua” (vjersha për mësonjëtoret shqipe), Boton Zef Serembe, Prishtinë, 2008)
Poeti Agim Deva lëvroi gjini dhe zhanre të shumëllojshme të krijimtarisë për fëmijë e të rinj. I prirur drejt një poezie zhvillimore e detajuese në vështrime të subjektit dhe të fabulës. Kuvendar i sinqertë, plot pathos e dhembje, plot dramë e revoltë (kujtojmë veprën: “Po ma vjedh dikush qytetin”), dëshpërim e optimizëm. Rrëfimi i tij në marrëdhënie me tre nivelet e lexuesve që u drejtohet, ruan statusin e fisnikërisë. Këtë, në radhë të parë, e gjejmë në shpirtin e tij humanisto-njerëzor, në qenësinë poetike, në hapësirat dhe gamën tematikore të laryshisë së motiveve, të cilat i trajton herë në vijë lineare, herë me variacion, herë me rrëfimet dhe urtinë e gjyshit, të cilat, të marra së bashku e drejtojnë poezinë drejt antologjikes, e cila nuk e ka dëmtuar asnjëherë. E, po ta kërkojmë e gërmojmë antologjiken e tij devaniane, në formë dhe në përmbajtje të poezisë, do të na shfaqen edhe ‘thërrmijëzat’ çuditërisht antologjike, dhe ku: te fjalët-kyçe, te sistemi figurativ, te tropet, te mënyrat e komunikimit, … e deri te mesazhet që përcjellë.  
            Poeti Agim Deva është një krijues sa lirik aq dhe epik. Një ekuilibër i tillë poetik- refleks i një bibliotekë-veprash që na la, gjëndet jo shpesh në krijimtarinë e poetëve të letërsisë për fëmijë e të rinj. Kjo bibliotekë-veprash (më shumë në poezi se sa në prozë), po t’i qasemi biografisë së autorit, do të gjejmë një dukuri, përsëri, pak si të rrallë (në këtë mënyrë) te formimi kulturor i autorëve të kësaj letërsie. Agim Deva në ndihmë të krijimtarisë së vet por edhe të letrave shqipe për fëmijë e të rinj, vjen me një korpus studimesh në fushën e poezisë e të romanit, studime që edhe sot janë bazale e të paarritshëm në paraqitjen e procesit, stileve, individualiteteteve të autorëve, si dhe zhvillimit të dinamikës së historisë së letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj – një shpalosje me një konfiguracion të qartë, njohës, analizues, vlerësues përmes një kompetence shkencore.
            Krijimtaria e tij e gjerë poetike, që nis me librin e parë “Trumbeta e artë” (1968) e deri te “Trahoma” (2008) na flet për një prirje edhe drejt një lënde sociale, të cilën e ndërton dhe strukturon sa dramatikisht aq dhe artistikisht.
            Komunikimi me fëmijët mbetet tipari themelor i krijimtarisë poetike. Ato paraqiten si personazhe të vyera, të pikturuara me finesë e në mënyrë realiste. Ky realizim në horizontalitetin e vertikalitetin e tij flet për një vëmendje të autorit në zbërthim e shpalim të botës së tyre: me plot halle, me plot plagë, me ngjyra trishtuese, me ngjyra optimizmi dhe lirie, me ngjyra ëndërruese… Një botë që autori është shumë i varfër pa të!.. Për vërtetin, po përmendim tipologjinë seriale të figurës së Xhelës. Një produkt realitetesh e dhembjesh, dashurish e shpresash, besimesh dhe vlerësimesh… Pak i rrallë si personazh, do të thonim ekzistencial në ‘frymëmarrjen’ e tij, në mozaikun e motiveve dhe problemeve (të vogla e madhore) që e shoqërojnë. Autori dhe Xhela kanë një marrëdhënie solide me njëri-tjetrin. I bashkon dhe i plotëson mendimi, fjala, veprimi, loja, imagjinata, bota, arsyeja, idealja, dinjiteti… Kaq shumë e duan dhe kanë mall për njëri-tjetrin, sa autori i del zot personazhit, e personazhi i del zot autorit. Një vazhdimësi bisede e përjetëshme! Kjo është dhe arsyeja që figura e Xhelës mbetet rrezatuese në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj, si pikë referimi e bashkëbisedimi… Meqë u ndalëm te ky personazh përfaqësues e i dinjitetshëm i lëndës poetike të autorit, por kjo s’do të thotë që është i vetëm. Po kështu do të flisnim edhe për protagonistët e shumë poezive të tjera me subjekt, që janë në natyrën e krijimtarisë poetike të autorit Deva. Këtë e përligj edhe mendimi i drejtë i studiueses Qibrije Demiri –Frangu, kur thotë: “Agim Deva shënon vazhdimisht përpjekjen për t’iu kthyer buzëqeshjen dhe gëzimin fëmijëve. Asnjë skutë të shpirtit të fëmijës nuk e lë pa e hetuar që t’i mbushë më pastaj me jetë, ide, guxim e kureshtje të pashuar.”
            … dhe dua të kujtoj mes librave, atë me titull: “Edhe rrugët udhëtojnë” (Sh. B. Kozmos, Prishtinë, 2000). Autori me shumë përgjegjësi, dhe në përligjje të përmbajtjes poetike, i ka vënë librit, titullin kuptimplotë: “Edhe rrugët udhëtojnë”. Kjo marrëdhënie ngjyrash dhe hapësire, udhëtimi e përshkrimi, njohjeje dhe ekzistence, emocioni dhe fluoriteti, monumenti dhe ëndrre, lutjeje dhe besimi, ëngjëllore dhe bukurie fëmijërore, etj., etj., të cilat mishërohen përmes gamës së gjerë të motiveve, të përftesave e të një spektri të gjerë poetik, ku të gjitha fokusohen në paraqitjen e një bote të sinqertë fëmijërore, pa hile e plot ëndrra, ku dashuria si një marrëdhënie autor-fëmijë dhe anasjelltas shfaqet madhërishëm, si pasuri e virtytshme, si vlerë e patjetërsueshme. Drita poetike e këtij udhëtimi e bashkëbisedimi ngjizur me shpirtëroren e  poetit, “mbillet” në gjithë lëndën poetiko-dramaturgjike, flet figurativisht, ngjyron përmes një spektri të gjerë dhe po ashtu rrezaton. Kjo është arsyeja që rrëfimi i Agimit mbart një alfabet shenjëlënës, që ke dëshirë ta njohësh e ta mësosh. Është produkt i thjeshtësisë dhe i sublimes, i ëndrrës dhe i magjisë, ndërsa vetëdija në shpalosjen e saj bëhet e vetmja pasuri e qenies njerëzore. Nuk e di pse ky akt poetik më kujton një thënies të Dostojevskit, i cili thotë: “E bukura shpëton botën”. Më ngjan se kjo thënie si ato grimcat e dritës janë shpërndarë e kanë zënë vend në çdo poezi të poetit. Jo vetem kaq, por në çdo poezi, ku është i shfaqshëm subjekti apo aty ku rrëfimi është meditativ, autori si protagonist, nuk bën gjë tjetër veç i pikturon portretin vetvetes, duke zgjuar herë ndjenja njerëzore e herë ndjenja mitike në raport me fëmijët, duke marrë e dhënë, pa harruar përcjelljen e vlerave të njëmendta mesazheve fisnike.
Duke njohur natyrën e tij poetike dhe poezinë, mendimet dhe detajet në sofrën e saj  ruajnë freskinë e motivit, mirëmendimin, si në thelb ashtu edhe në materie. Spontaiteti e romantika janë të kudopranishme, si rrjedhojë e shpirtit frymëzues dhe shpalosjes së botës së autorit. Si këto e si ato që përmenda më sipër do të ishin disa karakteristika të shenjave të poezisë së Agim Devës, të cilat, sigurisht, kërkojnë një studim më të thelluar.
            E gjithë lënda poetike e ngarkuar me emocionalitetitn e saj mbart një alencë të gjithëhershmes midis hyjnores dhe artit. Duke pranuar aspektet funksionale në trajtesat e poezive, është e pamundur të mos i dëgjosh thirrjet e Agimit përmes intuitës së tij krijuese në favor të fëmijëve, të botës së tyre, të fjalës, të ëndrrës, të së nesërmes së tyre… Poeti është  përherë në anën e tyre, me të gjitha të vërtetat e fjalëve poetike bashkëbisedon e shpërfaq botën e tyre, pa të cilën nuk mund të ekzistojë dhe jetojë bota, dhe bota e vetë poetit. Ky bashkëbisedim i kalon caqet e një dialogu, dhe merr hapësirat e një universi. Dhe ajo fiton poetikisht se ka aleatin “Unë” (veta e parë e rrëfimit), ku shkrihet lirizmi i botës lodërtare të fëmijëve në botën e tij shpirtërore e psikologjike. Lënda që mbart vepra, rrëfehet përmes distikut, i cili zë pjesën më të madhe të hapësirës poetike. E përmenda hapësirën poetike, sepse edhe shtrirja metrike e vargjeve është e tillë, ka diapazon të gjerë. Rrëfimi, gjithashtu, “flet” përmes detajeve të gjetura, të cilat në përbashkësi plotësojnë dhe “shpirtëzojnë” motivin, si dhe fabulën e poezisë. Prania e të papriturës, bëhet e besueshme gjatë situatës dhe emocionit të leximit. Bëhet e besueshme dhe mirëdashëse estetikisht, sepse ka një ‘po’ të qëllimit patriotik e edukativ, i cili mplekset me një vështrim të poetit drejt së nesërmes, si në këto vargje që po citojmë: “T’i jap t’gjitha lulet që rrojnë brenda n’mua, / Vetëm mos më shtyj aty – ku nuk dua…” (poezia: “Unë dhe bota me bastun”).
            Figura e fëmijës që përmendet shpesh e më shpesh, e që lëviz lirshëm në rrugëtimin e poezive, vizatohet, si burim jete, shpirti, blerimi, dashurie, përqafimi, malli, loti, përralle, ëndrre… Jo, vetëm kaq, por është në një marrëdhënie të shumëfishtë me autorin. Çdo marrëdhënie mbart një parafytyrë të re fëmijërore, me liri të ëndërruar e të realizuar, lojë e humor. Për ilustrim, diku poeti thotë: “Unë t’i dëgjoj zogjtë, / Ti m’i puth fëmij’t, / N’ fyshekë akulloresh / I shkrijmë dashuritë. // Të dua sa Gjakovën, / Më do sa – Shqipërinë, / Prandaj bashkë i biem / Të njëjtës violinë. (poezia: “Maji”).    Është një botë, ku Agim Deva e paraqet dhe e ofron këndshëm, me dëshira e dukuri sociale; me aromë Kosove që ta mbushin zemrën e shpirtin. E poeti shprehet: “Ujit poeti – lulet e fëmijëve, / Kurse fëmijët – lulet e tij, / E në pranverë botës plot ngjyra, / Ia numërojmë gonxhet – me kënaqësi.” (poezia: “Jeta kërkon lule”).
            Kjo është arsyeja që rrëfimi i Agimit, si të vetmen pasuri ka FËMIJËT për të cilët shkruan: “Vjershat më të bukura, / E dinë edhe fëmij’t, / I shkruajmë me shpirt, / Dhe – vetëm me shpirt.” (poezia: “Me çka i shkruhen vjershat”).
E, për të vazhduar më tej, motivet dhe poezitë e tij burojnë, por edhe vazhdojnë të rrjedhin ëmbël e shushurishëm, pastërtisht si loti, ëndërrisht si vesa, - nga biografia e tij poetike. Dhe nuk është pak të depërtosh në misterin e vetvetes, sepse, siç thotë studiuesi Çesllav Milosh: “Njerëzimi gjithnjë e më shumë do të ushqehet me vetveten, do të thotë me të kaluarën e vet.” Dhe ti, i dashur dhe i paharruar, miku im Agim Deva me testamentin tënd letrar e studimor që na le, nuk i përket vetëm të kaluarës, por edhe të sotmes, por edhe të ardhmes…
Dhe me thjeshtësinë tënde gjer në madhështi, me talentin tënd të pashoq, shkruan:
            Agim Deva është një sy me dy sy
            Nëse – ti s’ke nevojë për të
            Ai ka nevojë për ty
            …………………………………..
            A.D. është një sy me shumë sy
            Nëse ta zë rrugën – ndalu

            Mos e shtyj. (poezia “Shënime për autorin:, nga libri “Trahoma”, Boton: T-KOM, Shkup, 2008)


Shkodër, 30.01.2014

1 comment:

  1. Unë jam me burrin tim për 7 vite pa fëmijë, unë dhe burri im provuam gjithçka që ishte e mundur por nuk pati rezultat, derisa takova një mike timen shumë të mirë e cila më tregoi për Dr. Dawn acuna dhe si e ndihmoi ajo, i shpjegova. gjithçka për Dr dawn acuna pasi e kontaktova në Whatsapp, ajo më premtoi të më ndihmonte, më dha disa udhëzime të cilat i bëra të gjitha në mënyrë perfekte, për habinë time mbeta shtatzënë 2 javë pasi ajo më ndihmoi dhe tani kam një fëmijë të bukur tani. faleminderit Dr dawn acuna, kontaktoni me të për një zgjidhje të shpejtë të problemit tuaj,
    *Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
    *Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    *Nëse doni të kuroni ndonjë sëmundje.
    *Nëse dëshironi fat të mirë në jetën tuaj.
    *Nëse doni të ndaloni abortin dhe të tjerët,
    : email { dawnacuna314@gmail.com}
    Whatsapp: +2348032246310

    ReplyDelete