Monday, February 3, 2014






NOBELISTËT e Letërsisë për fëmijë


 Xhahid Bushati

                        SHPIRTI MBRETËROR I SHKRIMTARES
                        DHE SHPIRTI PËRRALLOR I PERSONAZHEVE TË ÇUDITSHËM

             -Tipare të krijimtarisë së Astrid Lindgrenit përmes veprave të saj-

                                                                        -Koncept leksioni-

            Shkrimtarja suedeze Astrid Anna Emili Lindgren (Ericsson) (1907 – 2002) është njëra nga shkrimtaret më të shquara në fushën e letërsisë për fëmijë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Shumë nga librat e saj kanë burim frymëzimi dhe “tharm” familjen e saj, peizazhet e vendlindjes dhe ato që e shoqëruan gjatë jetës, si dhe kujtimet e fëmijërisë. Megjithatë, duhet thënë se Pipi Çorapegjata, është një nga personazhet e saj më të famshëm, i cili lindi, u krijua dhe “u shpik” nga lutjet dhe kërkesat e njëpasnjëshme të bijës së saj, Ka(e)rinit, që aso kohe ishte e sëmurë, dhe i kërkonte me këmbëngulje nënës së saj t’i tregonte përralla. Dhe rrëfimet e saj përqëndroheshin  te tregimet me emrin Pipi. “Pipi është një kokëkuqe, atlete dhe jetime. Ajo është aq e fortë sa mund të ngrejë tre kuaj. Pipi është gjithashtu e shrregullt, vesh mismatching stockings, dhe ajo e do lirinë e saj. Pipi e humbi nënën në një moshë të re. Babai i saj, një kapiten në det, u zhduk në një stuhi.
            Astrid lindi në Nas, pranë Vimerbisë, në krahinën Smoland të Suedisë së Jugut. Ishte bija e Samuelit gusht Ericsson dhe Hanna Johnsson Ericsson. Ajo kishte dy motra dhe një vëlla, Gunnar Ericsson, i cili më vonë u bë anëtar i Parlamentit suedez. Pra, Astrid ishte e dyta e katër fëmijëve të Samuel gusht, i cili ishte një bujk qiramarrës. Prindërit i dhanë shumë liri fëmijëve të tyre. Një pjesë e natyrshme të edukimit të tyre reflektuan në rrëfimet e Lindgrenit, hynë natyrshëm në botën e letërsisë me imagjinatën dhe fantazitë e tyre çudibërëse.
            Lindgren ishte një nxënëse e shkëlqyer. Më vonë, në vitet 1924 – 1926 punon si gazetare në gazetën lokale, Ëimmerby Tidning. Ka marrë pjesë në shërbimet në kompleksin Salvation Amy, ku ajo u takua me miqtë e saj dhe këndoi himne. Kjo periudhë e lumtur e jetës së saj mori fund në moshën 18 vjeçare. Më pas u zhvendos në Stokholm. Punon në zyrën e Klubit Automobile Royal. Në vitin 1931 u martua me Sture Lindgren, që ishte menaxheri i asaj zyre. Midis viteve 1946 dhe 1970, Lindgren ishte redaktore e librit për fëmijë në Raben&Sjogren. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Suedia arriti të mbetet neutrale. Në vitin 1940 Lindgren punon në shërbimin e zbulimit suedez, Censurimi letra.
Gëzimi i saj do të jetë lindja e djalit, Larsit, në Kopenhagën, të cilin e la nën një kujdestari familjare. Edhe pse nga gjendja ekonomike nuk ishte mirë, ajo udhëtonte shumë, së paku fundjavave e kishte të domosdoshme, per t’u gjendur pranë Larsit të saj të shtrenjtë. Shpenzimet e mëdha, shpesh të papërballueshme, bënë që ajo të vendos ta sjell Larsin në shtëpi. E lë në kujdesin e prindërve të saj. Në vitin 1934, Lindgren lind fëmijën e saj të dytë, Ka(e)rin, e cila më vonë u bë përkthyese. Në vitin 1941, familja Lindgren u vendos në një apartament në Dalagatan, me një pamje mbi Vasaparken. Në vitin 1952 burri i saj, Sture Lindgren vdiq. Po ashtu vdiq dhe djali i saj, Larsi, në vitin 1986. Astrid vdiq në vitin 2002, në moshën 94 vjeçare. Disa vjet para se të vdiste, ajo ishte pothuajse e verbër.
            Madhështia e profilit të kësaj shkrimtareje të njohur suedeze e librave për fëmijë, qëndron në faktin se po rinovonte letërsinë suedeze për fëmijë me personazhet e saj, të cilët ishin të një natyre e mendësie të pavarur, energjikë, të pazakontë..., si: Pipi i çrregullt, fëmijët e zhurmshëm Nyman, Emil – mjeshtër i prapësive. Duke vazhduar me këtë tipologji personazhesh që na dhuroi shkrimtarja, ne i shohim: tërheqës, pak anarkistë brenda çdo fëmije të vogël. Lindgren thyen traditën e vendosur nga Elsa Beskoë, ku gjejmë personazhe që sillen mirë, dhe ata bëjnë më të mirën e tyre për të jetuar deri në pritjet e prindërve të tyre.
            Papa im është një mbret kanibal, kjo sigurisht nuk çdo fëmijë që ka një të tillë papa një stil” -  është një shprehje që e përdor herë pas here Pipi gjithë kënaqësi. “Dhe sa më shpejt që Papa im ka ndërtuar vetë një varkë, ai do të vijë të më marrë mua, dhe unë do të jem një princeshë-kanibal. Heu-ho, nuk do të jetë emocionuese? (Nga “Pipi Çorapegjata”, 1945)   
            Në vitin 1952 autorja e Pipit u nderua në Suedi me çmimin “Nils Holgerson Plakette”, kurse në vitin 1958 me çmimin më të lartë ndërkombëtar të letërsisë për fëmijë, medaljen “Hans Kristian Andersen”. I është dhënë dy herë titulli “DOKTOR” (në Suedi e në Amerikë), pa pasur nevojë të japë qoftë edhe një provim të vetëm.
            Librin e parë e botoi më 1944, kur ishte 37 vjeçe. Ndërsa në vitin 1954, botoi librin e vet ‘më të zymtë’ të deriatëhershëm të titulluar “Vogëlushi im, Imi”.
Astrid Lindgren e fitoi shpejt kohën e humbur dhe, kur mbushi të 50-at jehona e vlerave dhe e madhështisë ishte përhapur në botë dhe e kishte “pushtuar” atë. Ka shkruar gjithsej 83 libra, shumica dërmuese për fëmijët, përfshirë edhe fëmijët e vet. Nga  to janë xhiruar 43 filma e seriale televizive. Suzan Ohman – Sudem, redaktore në Shtëpinë Botuese “Raben Sjorgen” të Stokholmit, ka thënë: “Astrid Lindgren mbetet themeli i firmës sonë”.
            Krijimtaria e saj letrare, veçanërisht me veprat madhore “Pipi Çorapegjata”[1] e “Piciruku dhe Karlsoni - njeriu që banonte mbi çati”[2] “trokiti” në mënyrë magjike në çdo shtëpi suedeze dhe u bë e pranishme, si dhe në miliona familje anë e kënd botës, duke u bërë kështu vepra e saj një pjesë e rritjes së miliona fëmijëve në gjithë rruzullin tokësor. Ajo është botuar në mbi 100 milion kopje dhe është përkthyer në mbi 80 gjuhë të botës. Ka marrë 45 çmime kombëtare e ndërkombëtare. Por gjëja më e rëndësishme në jetën e shkrimtares-gjyshe, deri sa jetoi, kanë qenë shtatë nipat e nëntë stërnipat, për të cilët dashuria e saj ishte e pakufishme, a po të perifrazojmë një varg poezie “... nuk njihte perëndim”.

            Portreti i shkrimtares, që me të drejtë u quajt si Nëna e Pipi Çorapegjatës, dhe ndodhi nga jeta e saj [3]

            “... një zonjë e moshuar, por me pamje energjike. Pasi shpiu këmbët e lodhura... si nikoqire e mirë kaloi përbri tezgave me fruta e perime për të vërejtur se cila nga ato ofronte çmime më ekonomike.
            ...
            Kur vonë në mbrëmje u kthye në apartamentin e vet në rrugën Dula të Stokholmit, zonja në fjalë e vuri rrushin të ziente dhe u kujdes për të deri në orët e vogla për t’u siguruar djemve e nipave reçel për dimër. Familja mund të mbështetej tek ajo! Megjithëse si autore pat fituar qindra miliona nga të drejtat e librave të saj, si dhe prej skenarëve të shkruar mbi to për pjesë teatrale e filma shkrimtarja Astrid Lindgren, në të gjithë botën, ruan ende virtytet shtëpiake, të fituara në fëmijërinë e hershme në rajonin jugor të Smalandit. Ajo ka mbetur një grua modeste, shumë e vëmendshme ndaj të tjerëve dhe kurdoherë e gatshme të kapë rastet që i ofron jeta.
            Mikesha e saj e ngushtë Margeret Stromstedt pohon: “Me sa duket janë këto veti të karakterit të saj, që e bëjnë të dashur për shumicën e suedezëve. Njerëzit e zakonshëm, të cilët nuk fitojnë sa ajo, gjejnë vetveten tek mënyra e saj e jetesës pa shumë pretendime”.
            E gjithë jeta e shkrimtares Astrid Lindgren ka qenë dhe mbetet model thjeshtësie, kurse vepra mund të quhet më se e jashtëzakonshme.
            ...
            Në një dimër Astrid Lindgreni rrëshqiti mbi trotuarin përpara shtëpisë dhe nxori kaviljen. E detyruar të qëndronte në shtrat për një farë kohe, nisi të shkruante ndodhitë e saj të dashura. Dorëshkrimi iu dërgua shtëpisë botuese të Albert Bonier, më e madhja e Suedisë, por iu kthye mbrapsht me një letër shoqëruese mirësjelljeje. Siç u pa më pas, ky ishte gabimi më i madh në historinë botuese suedeze: në fakt librat e Pipi Çorapegjatës përbëjnë suksesin më të madh letrar të vendit dhe janë shtypur në 20 milionë kopje.
            ...
            Astrid Lindgren ka treguar se është një person me aftësi tepër të mëdha për të ndikuar në shoqërinë suedeze. Hyrjen e papritur të saj në politikë më 1976 shumë njerëz e lidhin me ndikimin vendimtar të rezultatit të zgjedhjeve të atij viti, që u mbyllën me humbjen e socialdemokratëve dhe ardhjen në pushtet të të djathtëve.
            ...
“Më vinë shumë letra (nga lexues, - nënvizimi im Xh. B.)  dhe prekem kur i lexoj. Një lexuese kohët e fundit më shkruante: “Faleminderit që më ndriçove fëmijërinë time të errët”.
E nëse kam arritur të bëj këtë qoftë edhe për një lexues, jam vërtet njeriu më i lumtur në botë.

            Biografia letrare, procesi krijues dhe talenti i shkrimtares[4]

Në kujtimet e saj, Astrid Lindgren thotë: “Librin tim të parë e kam botuar në moshën tridhjetë e ca vjeçare. Pra, siç e shihni, është një biografi letrare, pak a shumë jo e zakonshme kjo imja. Bijë fshatari, unë linda dhe e u rrita në fshat, ku im atë punonte me qira ca dynym tokë të një prifti famullie. Bashkë me qumështin e nënës, atje në vendlindje mora edhe mushtin magjik të sagave e të legjendave popullore suedeze.
            Me kalimin e viteve u shpërngula në qytet dhe u bëra nënë. Nënë ndikimin e atyre këngëve të lashta, nisa të thur vetë lloj-lloj historish interesante me të cilat shpeshherë jeta reale gërshetohej me trillimin, faktet jetësore me fantastiken dhe të gjitha këto ua rrëfenja fëmijëve të mi. Vajzës sime i pëlqenin sidomos peripecitë e Karinit, që ishte një vogëlushe nja shtatë vjeçe. Të dyja së bashku, ne i vumë kësaj nofkën: “Pepli-çorapëgjata”.
            Një ditë duke shëtitur nëpër parqet e qytetit, rrëshqita dhe theva këmbën. Halli më detyroi të heq dorë nga punët e shumta të shtëpisë dhe nga kujdesi për fëmijët. Për herë të parë në jetë m’u dha rasti të kisha kaq kohë të lirë. Një herë tek mendoja, thashë me veten time: Po sikur të provoj të hedh në letër disa nga këto rrëfime e t’ia dërgoj shtëpisë botuese? Me të thënë e me të bërë. E nisa dorëshkrimin tim me ankth në zemër. Përgjigjja më erdhi me shpejtësinë dhe korrektësinë karakteristike të postës suedeze. Emri im i panjohur s’kishte ngjallur asnjë respekt te redaktorët. Por thonë mirë që askush s’ka pasur dëm nga këmbëngulja. Kuturisa t’i drejtohem sërish një shtëpie tjetër botuese, veçse kësaj radhe me betimin se kjo do të ishte përpjekja ime e fundit. Dhe sakaq, ndodhi çudia. Dorëshkrimin tim jo vetëm e kishin pëlqyer dhe pranuar, por edhe e kishin vlerësuar me çmim të parë në një konkurs veprash letrare për fëmijë, që organizohej asokohe. Nuk u besoja syve të mi tek vështroja libërthin tim, me atë kapakun elegant, ku qe shkruar me të zeza në të bardhë: Astrid Lindgren...
            Ndërkaq, po ajo shtëpi botuese më mori në telefon e më pyeti: a kisha ndonjë krijim tjetër në dorë dhe kur mund ta mbaroja? Një pyetje tradicionale botuesish, të cilës nuk e kisha kollja t’i përgjigjesha. Në të vërtetë, e kisha në kokë një novelë tjetër dhe vetëm kaq, asgjë më shumë. Çdo mëmë, ndonëse e përfytyron fëmijën e ardhshëm të bukur e të mirë nga të gjitha pikëpamjet, nuk ia ka ënda ta shprehë këtë me zë të lartë. Ashtu është edhe me punën e librit të ardhshëm. E di që ka shkrimtarë që e llogarisin lëvizjen e personazheve, ashtu sikundër dhe shahistët gurët e shahut. Ndoshta kjo metodë është e suksesshme, por unë nuk e bëj dot. Në të shkruarit e një libri, unë i shëmbëllej atij shtegtari që niset në një rrugë të panjohur dhe në fillim nuk shikon veçse dy-tri kthesa, ndonjë bregore, pasqyrën e një liqeni të praruar atje tej e asgjë më tepër, pavarësisht se ai e di ku do të përfundojë.
            Edhe tani unë tregoj përralla dhe ngjarje interesante, veç jo vajzës, por nipërve dhe mbesave dhe, duke treguar kështu, personazhet e këtyre ndodhive s’më ndahen nga sytë e vjen një çast fatlum që sikur këta trupëzohen e marrin jetë, fillojnë të bëjnë çamarokllëqe, të zemërohen. Dhe mua, s’më mbetet veçse të shkruaj e, papritur e pa kujtuar, çatis një grimë e hidhur dhe heronjtë e mi pushojnë së lëvizuri, u fiket ajo gjallëri djaloshare e vajzërore dhe ato ngjasin me ca eksponatë të një muzeu figurash dylli... Unë shtangem, pezmatohem, bile dhe zemërohem. “E po bëni de ndonjë gjë, dreqi e martë!” – u bërtas me zë të lartë e me një ton aspak pedagogjik. Ngandonjëherë ata tregohen kokëfortë e s’më dëgjojnë. Në kësi rastesh lë penën dhe ndërpres punën. Por më të shumtën e herës thirrja ime bën efekt (thuajse ndonjë njeri i padukshëm shtypi një sustë të padukshme) dhe skenat këndellen e unë sërish  nis të shkruaj e të shkruaj.
            Fëmijët janë lexuesit më të ndjeshëm dhe më mirënjohës, por njëkohësisht edhe më ekzigjentë. Ata stepen menjëherë nga notat false, nuk e durojnë dot didaktikën dhe ndaj ndonjë libri të mërzitshëm e shprehin hapur qëndrimin e tyre duke e hedhur pa teklif në ndonjë qoshe e duke u marrë, mandej, me lodra të tjera tërheqëse e gazmore. “Po s’dite të këndosh, mos ia merr fare këngës!” Urtësia e kësaj sentence të moçme do të ishte mirë të ngrihej në rangun e një ligji për shkrimtarët që edukojnë fëmijët. Te librat që lexojnë të vegjëlit duhet të gjejnë vetveten, tek këta libra ata duhet të shikojnë vazhdimin e mëtejshëm të jetës rreth e rrotull. Ky është synimi im.
            Disa nëna pedante edhe më kanë qortuar, duke më thënë: Ju Astrid po ndikoni për keq te fëmijët tanë, duke përshkruar disa shamataxhinj e çamarrokë, disa anarkistë”. Unë u përgjigjem kështu këtyre zonjave: Të gjithë fëmijët normalë janë, kush më shumë e kush më pak, çapkënë... Por atë anën tjetër përse nuk e keni vënë re te librat e mi, ku tregohen ca çamarrokë zemërmirë, me karakter të qëndrueshëm, fisnikë e të ndershëm; që nuk e lënë kurrë shokun në baltë, që s’janë qaramanë? Dhe mbajeni mend, fëmija po s’qe pak çapkën, s’ka si të bëhet i zoti për jetën.
            Ndër librat që preferoj e lexoj më shumë janë: “Trilogjia e Maksim Gorkit: “Fëminia”, “Njerëzit” dhe “Universitetet e mia”, “Ura” e Hamsonit dhe “Fausti” i Gëtes. Kolegët e mi habiten me këtë larmi shijesh. Por këto libra që citova, për mendimin tim, sa janë të largët nga njëri tjetri aq janë dhe të afërt. Ata i bashkon humanizmi i thellë dhe dashuria për njeriun e për jetën. Natyrisht, unë e kuptoj se këtu bëhet fjalë për majat e letërsisë botërore, të cilat për mua janë vetëm një ëndërr.
Veç, çdo shkrimtar, në qoftë se ai vërtet është i tillë, duhet të derdhë në veprën e tij një pjesë të zemrës dhe duhet t’u japë lexuesve vetëm atë që për të është e shtrenjtë...
                       

            Bota e shkrimtares dhe bota e personazhit, raporte dhe njëjtësime[5]

            1.
            Shkrimtarja e shquar suedeze Astrid Lindgren na dhuroi një personazh si Pipi Çorapegjata, që u bë i dashur dhe “pronë” e shumë fëmijëve të rruzullit tokësor. 
A ishte shkrimtarja që i dha famën Pipit, a ishte Pipi që i dha famën shkrimtares? Një pyetjeje të tillë, asnjëherë nuk mund t’i jepet një përgjigje e saktë. Por disa të vërteta që i marrim vesh gjatë optikës së leximeve, është e udhës t’i pohojmë, si: talenti dhe magjia Lindgren, përkushtimi dhe njohja në thellësi e botës së fëmijëve, dashuria deri në dhembje për shpirtin e tyre, shpirt të cilin e mbron, e shpirtëzon, e respekton, i jep hapësirë, fluturim ëndrre, kultëzim dhe liri (në kuptimin e meritueshëm të këtyre fjalëve), etj.
            Astrid Lindgren dhe Pipi Çorapegjata u bënë të lexueshëm e të admirueshëm për fëmijët. Përjetësisht zunë vend në bibliotekat e tyre, si gurë të çmueshëm. Për t’u mos u plakur!
Dhe shfaqja e një Pipi si personazh ndryshe përmes aventurës krijoi një figurë dhe univers të ri të panjohur të botës fëminore që nuk ishte dukur më parë dhe të çuditshëm, debatues dhe mosbesues në përballje me studimet që ende jetonin të formatuara e të ngurta nga disa studiuesë të kësaj letërsie. Autorja krijoi një personazh, veç të tjerave, u bë edhe model imitimi në jetën e përditshme nga bashkëmoshatarë të Pipit, por që kapërceu shekullin e saj.

            2.   
Në këtë libër ne njihemi me një vajzë të çuditshme, gati me pamje kllouni, qukse, me bishtaleca si shtupa, me gojë të madhe që vazhdimisht zgërdhihet vesh më vesh, me këpucë të mëdha dhe me çorape të gjata, njërin të zi e tjetrin bojë kafe. Po kaq të çuditshme janë edhe sjelljet e saj. Ajo vazhdimisht fantazon për njerëz e popuj të jashtëzakonshëm. Sipas rrëfimeve të saj njerëzit në Egjipt ecin mbrapsht,, në Indokinë vetëm me duar, kurse në Kongon Belge nuk gjen një banor të vetëm të thotë të vërtetën. Kjo vajzë është vetëm nëntë vjeç, por ka një forcë të jashtëzakonshme, ndeshet me policët, mund vjedhësit, del më e fortë dhe më e shkathët se mjeshtrit e sprovuar të cirkut. Edhe emri i kësaj vogëlusheje është po kaq i pazakontë e  qesharak, e quajnë Pipi Çorapegjata (në gjuhën suedeze emri Pipi ka kuptimin e marrëzisë apo të çmendurisë).
            Pasi mëson për suksesin e kësaj shkrimtareje, menjëherë të lind pyetja: Çfarë ka ditur Astrid Lindgreni të zbulojë në botën e fëmijëve, ç’gjë të veçantë fshehin rrëfimet e saj? Te Pipi çdo fëmijë gjen diçka nga vetja, nga dëshirat dhe ëndrrat që i gjallojnë thellë. Pipi nuk është ana e dukshme e fëmijëve, por fantazia e tyre. A nuk janë fëmijët që mendojnë se pas çdo kaçube apo gardhi fshihet diçka që vërtet mund t’ia vlejë? Kështu Pipi bëhet zhbiruese, eksploratore që ndërmerr ekspedita të mëdha në nje hapësirë tepër të vogël. Çdo fëmijë dëshiron të jetë i guximshëm, sypatrembur, i jashtëzakonshëm, dhe Çorapegjata është e tillë, ajo vë në lojë policët e ndeshet me ta, kap hajdutët e rrezikshëm, i tall, i flak majë dollapit dhe, si shpërblim për argëtimin që i dhuruan, u fal nga një monedhë ari. Çdo fëmijë i ka zili mjeshtrit e cirkut, po quksja e vogël ua kalon atyre pa ndonjë mundim të madh. Në vend që të jetojë një spektatore e urtë, ajo korr duartrokitjet e publikut. Atë askush nuk e detyron të shkojë në shtrat kur vjen ora e gjumit, punë kjo e prindërve, që çdo fëmije ia sjell në majë të hundës. Ajo është vetë kuzhiniere, gatuan ç’të dojë, si t’i mbushet mendja dhe ha pa orar. Në faqet e këtij libri ne shohim një botë ku të rrityurit ose nuk ndërhyjnë ose nuk duken fare, një botë ku shumë mirë mund të jetohet pa tutelën e tyre.
            Veç Pipit në hapësirat e librit njihemi edhe me dy fëmijë të tjerë, me Tomin e Anikën. Atyre u pëlqen aventura, por janë më se të zakonshëm, u binden prindërve dhe rregullave që ka vënë shoqëria. Kështu lexuesi kurrsesi nuk e identifikon veten me çamarroken Pipi, me gjithë gëzimin që u sjell ky personazh.
            Në vetvete fëmijët kurrsesi nuk mund të jenë Pipi, Pipi është ajo që ata dëshirojnë të jenë. Pamjen e saj të jashtme asnjë fëmijë nuk do ta pëlqente për veten e vet. Të vegjlit i mrekullon forca e shoqes së tyre, sepse ky është një mjet që të siguron pavarësinë, por është i pamundur, se një fëmijë nuk mund të jetë kurrë më i fortë se një i rritur. Po kështu Pipi Çorapegjata ka një valixhe të madhe plot me monedha ari, ajo ble gjithçka dhe sa të dojë, gjë që ngelet në kufirin e ëndrrës.
            Pipi të zbavit me pikëpyetjet që u vë rregullave të të rriturve, të cilat sikur janë krijuar enkas për të kufizuar lirinë e fëmijëve. Ajo bën ato që do t’i pëlqenin çdo fëmije, kacavaret nëpër pemë, lëpin kremin e pastave, ha shumë ëmbëlsira dhe trillon me një fantazi që është për t’u pasur zili. Tomi dhe Anika krijojnë një raport të drejtë me figurën e saj. Ata nuk kanë se si të jenë si ajo, por, brenda së zakonshmes së tyre i pëlqejnë e i duartrokasin aventurat. Pipi është dëshira e çdo fëmije, por kurrsesi realiteti. Ajo i bën fërtele moralizimet, nuk do t’ia dijë për to. Kurse dy fëmijët e tjerë as që guxojnë ta çojnë nëpër mend këtë gjë.
            Në fund të librit të tretë Pipi vendos të mos rritet, dhe kjo është bindëse se ajo është krijuar si një ëndërr nga fantazia e një fëmije dhe dëshiron të ngelet gjithmonë e tillë, një çupëlinë çamarroke dhe e jashtëzakonshme.

            3.
            Astrid Lindgren në krijimtarinë e saj të pasur letrare përgjithësisht, fëmijën e sheh nga brenda, nga bota e tij e brendshme, nga prizmi i psikologjisë së brendshme të fëmijës, nga ëndrrat, dëshirat, shpresat, fantazia dhe imagjinata e fëmijës, e fëmijës i cili gjithmonë do ta ndërrojë botën, do ta mund të keqen dhe do ta përqafojë të mirën. Pra, fëmija në krijimet e saj gjithmonë do të përkrah të sinqertën, të drejtën dhe do ta mund djallëzinë e padrejtësinë. Për të bërë një gjë të tillë, fëmija gjithmonë i referohet imagjinatës së tij, fantazisë së tij, prandaj atje ai e gjen të pamundurën për të realizuar ëndrrën dhe dëshirën e botës së tij të brendshme. Këtë Astrid Lindgren e ka kuptuar me kohë, e ka hulumtuar me këmbëngulje dhe ia ka arritur më mirë se kush ta zbulojë botën e brendshme të fëmijës, një botë shumë të pasur. Ajo zbulon ëndrrat, shpresat, dëshirat, fantazinë e pakufishme të fëmijës dhe të gjitha këto i ka shfrytëzuar dhe i ka përdorur me mjeshtri pothuajse në të gjithë krijimtarinë e saj të pasur të saj. Pra, Astrid Lindgren fëmijën nuk e sheh nga jashtë si një fëmijë të rëndomtë, por e sheh nga brenda si një botë të pasur dhe skajshmërisht të begatë me fantazi, ëndrra e dëshirat të shumta. Fëmija në krijimtarinë e Astrid Lindgrenit e bënë të pamundurën. Dhe ajo e pamundur është krejt ireale, por megjithatë është diçka që i përkon dëshirës dhe ëndrrës së fëmijës në realitet. Pikërisht kjo në fillim ishte ajo droja nga veprat e Astrid Lindgrenit. Ishte droja se krijimtaria e saj s’përkonte me realitetin, se ajo zgjonte rebelim e padëgjueshmëri. Kritikët, po edhe disa nga lexuesit e komentuesit e rritur konservator kishin mendime të këtilla sepse deri më atëherë nuk ishin mësuar të lexonin diçka të tillë, nuk ishin mësuar që fëmija të shihej si botë e brendshme shumë e pasur dhe komplekse, me plot ëndrra e dëshira për të ndërruar shumë gjëra të rëndomta e shumë rregulla bajate. Mu për këtë në fillim krijimtaria e A. Lindgrenit u pranua me druajtje nga qarqet letrare dhe nga kritika konservatore. Por, në të vërtetë ajo pranohej këndshëm nga miliona lexues të vegjël dhe të rritur. Dhe atë mu falë zotësisë së autores të depërtojë në botën e brendshme të fëmijës, të zë me penë ëndrrat, dëshirat e fantazinë e begatë të fëmijës.
            Një qasje e tillë në krijimtarinë e vetë letrare, Astrid Lindgrenin padyshim e bëri nga krijueset më të mëdha të botës, nga shkrimtarët më të adhuruar nga lexuesit dhe jo vetëm të moshave të reja por edhe të rriturve. Një letërsi e tillë për të vegjlit, bëri një kthesë të madhe në gjithë letërsinë për fëmijë, në Suedi e më gjerë. Mund të themi lirisht e pakurrëfarë hamendje, që kjo kthesë e letërsisë për fëmijë nga bota e brendshme psikologjike, nga ëndrrat, dëshirat, fantazia dhe imagjinata e pasur e botës së fëmijës, shënon një lloj revolucioni në fushën e letërsisë për fëmijë. Të kujtojmë me këtë rast personazhin e saj fëmijën rebel Pipi e cila do të thyejë ligjet e rëndomta të cilave duhet t’u nënshtrohet një fëmijë në familje, në shkollë a në shoqëri, duke u bërë kështu i pazakonshëm dhe me ambicie për të ndërruar botën, mënyrën e jetës dhe të të gjykuarit për fëmijën e mbi fëmijën. Libri i saj “Pipi Çorapegjata”  në letërsinë për fëmijë bënë një kthesë të veçantë. Hapën një kështjellë të re në këtë letërsi e të panjohur deri më atëherë. Prandaj me të drejtë konstatojmë se letërsia për fëmijë, me Astrid Lindgrenin shënon nismën e një periudhe të re të letërsisë për fëmijë. Krijimtaria e saj hap një kapitull të ri  në letërsinë për fëmijë që kudo në botë ishte e panjohur më parë.
            Ku është merita e autores që ia arrin një gjëje të tillë?
            Merita e sa më e madhe mendoj unë është se ajo botën në krijimtarinë e saj e sheh dhe e percepton nga brendësia, nga brendësia e botës së fëmijës. Ajo në krijimtarinë e saj nuk e sheh as nuk e percepton fëmijën me sytë e botës e të parë nga jashtë. Por, ajo fëmijën e sheh nga brendësia, nga brendësia e botës së fëmijës. Duke hyrë në këtë botë të brendshme të fëmijës dhe duke parë, perceptuar e gjykuar botën e jashtme (nëse kështu mund ta përceptojmë botën si tërësi) ajo më mirë do t ë hetojë të gjitha të metat, devijimet, prapësitë, shabllonizimet bajate dhe mangësitë e jetës përgjithësisht. Me një fjalë ajo hyn brenda në botën e fëmijës dhe shkruan për fëmijën në familje, në shkollë, a në shoqëri. Në krijimtarinë e saj pra, ajo fëmijën as botën përgjithësisht nuk i sheh me sytë e një të rrituri, por me sytë e botës së brendshme të fëmijës. Me një fjalë, ajo fëmijën e sheh me sytë e fëmijës. Botën e brendshme të fëmijës e sheh me sytë e botës së brendshme të fëmijës. Ëndrrën e fëmijës e sheh me sytë e ëndrrës së fëmijës. Dëshirën e fëmijës e sheh me sytë e dëshirës së fëmijës. Fantazinë e fëmijës e sheh me sytë e fantazisë së fëmijës. Imagjinatën e fëmijës e sheh me sytë e imagjinatës së fëmijës...         
            Pikërisht një qëndrim i tillë, një qasje e tillë në krijimtarinë e saj, Astrid Lindgrenin e bënë aq të dashur për lexuesin, aq të kërkuar për fëmijën, aq të dashur, aq të pëlqyeshme dhe aq të çmuar në fushën e letërsisë për fëmijë përgjithësisht.
            Të rrëfyerit e Astrid Lindgrenit është plot ndjenjë. Fjala dhe të rrëfyerit e saj është plot magji, e rrëmben fëmijën menjëherë dhe e bën për vete, sepse është rrëfim, është fjalë që buron nga shpirti, nga zemra, nga ëndrra, nga dëshira, nga imagjinata, nga dashuria e sinqertë e fëmijës. Prandaj edhe fëmija-lexues s’ka se si të mos dashurohet në këtë rrëfim, këtë fjalë...
Astrid Lindgren me shumë sukses në krijimtarinë e saj u ik shablloneve moralizuese, nga çka shpesh herë letërsia për fëmijë ka vuajtur e aty-këtu ende vuan. Ajo krijon personazhin e saj si antipod i skajshëm i këtyre moralizimeve, i rregullave të ngurta e predikimeve të mërzitshme. Dhe shih për këtë ajo arrin me mjaft suksese që në veprën e saj letrare të krijojë si botë reale botën e brendshme të fëmijës me të gjitha ëndrrat, dëshirat dhe me gjithë fantazinë e pakufishme të tyre. Personazhet e saj në të shumtën janë vetë tipizime të një karakteri nga brendësia e fëmijëve. Ata pak ose fare janë fëmijë nga realiteti. Ata janë fëmijë të jashtëzakonshëm. Ata janë fëmijë të krijuar për të kënaqur fëmijët, pra, janë fëmijë të imagjinuar nga autorja. Fëmijë që në realitet paraqesin dëshirën dhe fantazinë e tyre për të qenë të tillë. Ashtu siç është edhe bota e brendshme e tyre, siç janë ëndrrat dhe fantazia e tyre. E atyre fëmijëve të cilët  duan ta krijojnë botën ndryshe. Siç e thamë edhe më herët të jenë të fortë, trima e guximtarë, por edhe qesharakë, çapkënë e hokatarë... P. sh.  Një karakter i tillë është Pipi Çorapegjata.

Analizë: Libri: “Pipi Çorapegjata”[6]

Eshtë roman fantastik. Çdo gjë aty shihet përshkruhet jashtë moralizimeve, të cilat të vegjlit nuk i honepsin fare. Me aventurat e saja Pipi sikur u vë pikëpyetje rregullave të të rriturve, të cilat sikur janë krijuar për t’ua cunguar lirinë fëmijëve. Ajo rron e vepron pa rregulla të tilla, jashtë tutelës, despotizmit, moralizimeve që predikojnë gjithmonë të rriturit. Për ta vendosur në një mjedis të pavarur, autorja “ia vdes” prindërit vajzës. Por këtij fakti ia zbut tragjizmin. Dhe ne, lexuesit, sikundër protagonistja, e jetojmë pa dhimbje. Kështu, Pipit i duket sikur prindërit i ka ende gjallë. Babai, megjithëse i mbytur, i duket sikur jeton ende dhe është diku mbret i kanibalëve, kurse mamaja është ngjitur në qiell e së andejmi e ndjek të bijën, gjendet gjithmonë pranë saj, e vështron nëpërmjet një bire që ka hapur në qiell.
            Pipi është një vajzë e çuditshme në pamje e në sjellje. Portreti i saj fizik është mëse i rëndomtë: Flokët, që ngjyrën e kishin si të karotës, i mbante bishtaleca dhe ato i rrinin përpjetë si të ngrira, anash kokës. Hunda, e praruar nga qukat, ishte si një patate e parritur mirë. Nën hundë ishte një gojë që shkonte nga njëri vesh te tjetri, me ca dhëmbë të bardhë si rruaza. Po ishte fustani ai që të linte vërtetë pa mend. S’kishte pikë dyshimi që Pipi e kishte sajuar vetë. Dukej që fustani qe nisur për blu, por pastaj, meqë coha s’kishte dalë, kish vendosur t’i shtonte aty-këtu ca mballoma të vogla të kuqe. Çorapet e gjata, me të cilat kishte mbathur këmbët si shkarpa, ishin njëra kafe dhe tjetra e zezë. Veç këtyre kishte mbathur një palë këpucë të zeza, që ishin dy herë sa këmba e saj. 7 Edhe emri i kësaj vogëlusheje, siç thotë shkrimtari ynë Valter File, përkthyes i librit, është po kaq i pazakontë e qesharak, e quajnë Pipi Çorapegjata (në gjuhën suedeze emri Pipi ka kuptimin e marrëzisë apo të çmendurisë). Po Pipi nuk është aspak e çmendur. Ky personazh është krijuar nga autorja duke marrë për bazë jo anën e dukshme, por atë të padukshme të fëmijëve, ëndrrat e tyre, dëshirat e tyre. Ç’gjëra do të dëshironte të kishte një fëmijë? Së pari, që të ishte i pajisur me një forcë të jashtëzakonshme, me një fuqi çudibërëse. Së dyti, të kishte një pasuri të pa matë, një thesar me të cilin të plotësonte çdo dëshirë praktike në jetë. Së treti, fëmija dëshiron të jetë i guximshëm, ka etje për trimëri, për të kryer heroizma, për t’u bërë hero i ditës, për t’u dukur, për t’u afirmuar, për të qenë në qendër të vëmendjes të bashkëqytetarëve. Së katërti, të jetojë sipas qejfit të vet, pa e detyruar kush të shkojë në shkollë apo të bëjë këtë e atë punë a detyrë. Së gjashti, fëmija ka interes e dashuri për faunën, për kafshët. Së shtati... E pra, të gjitha këto dëshira, ëndrra e fantazi të të vegjëlve janë të plotësuara e të konkretizuara në figurën e Lindgrenit. Pipi i saj ka fuqi të jashtëzakonshme. Ngre lart si pupël një kalë apo një lopë, lodh demin, i këput atij brirët, mundet në skenë me pronarin e cirkut dhe fiton, kap kusarët e policët si të ishin foshnje etj. Pipi ka pasuri një valixhe me flori dhe i harxhon paratë pa kursim. Ajo shpëton nga zjarri dy fëmijë dhe bëhet kësisoj heroina e ditës. Së bashku me të atin marinar, i ka rënë kryq e tërthor botës, ka parë vende të ndryshme, banorë e gjëra nga më të çuditshmet. Në shtëpinë Vilekula ku vjen të banojë, jeton sipas qejfit, nuk shkon në shkollë, por merret me aventura të këndshme. Për qejf të vet ka blerë një kalë e një majmun, për të cilët kujdeset e i trajton si miq. Gjithashtu, kjo vajzë nëntëvjeçare ka fantazi të ndezur, trillon gjëra të bukura e me humor. Por që të dalë i plotë portreti i saj, duhet të tregojmë se ajo ka botë të pasur fëmijërore. Forcën e saj nuk e përdor për qëllime të mbrapshta, për t’u rrahur me të tjerët, por për t’i mbrojtur ata (kujtojmë këtu episodin kur Pipi  i del krah Uillit nga rrugaçi i tmerrshëm Beng). Ajo vë në lojë policët kur duan të përdorin dhunën ndaj saj, apo tall e flak në majë të dollapit kusarët etj. Pipi ka zemër të artë. Fëmijëve të tjerë u fal dhurata dhe pret për ta bileta cirku të shtrenjta, në radhë të parë; i fal mësueses një varëse të artë; nga një monedhë ari u jep edhe dy hajdutëve, si shpërblim për argëtimin që i sollën. Vajza,  jeton sipas qejfit, bie në shtrat pa larë duar e këmbë, pa u zhveshur, gatuan si i do qejfi, ha, fle e ngrihet pa orar, organizon piknikë të këndshëm, bëhet sendzhbiruese etj. etj.
            Në libër na jepen edhe dy personazhe të tjera fëmijë. Ata janë vëlla e motër, Tomi dhe Anika. Të dyja këto figura krijojnë një raport të drejtë me atë të Pipit. Tomi dhe Anika janë realja, Pipi – fantastikja. Motër e vëlla e admirojnë shoqen e tyre, miqësohen, kalojnë kohën e lirë, po kurrsesi, nuk e identifikojnë veten me të. Ata janë fëmijë të mbarë, ndjekin me dëshirë shkollën, i dëgjojnë prindërit dhe u binden rregullave të mirësjelljes. Ja pra, miqësia e tyre me vajzën çamarroke Pipi nuk ndikon aspak për të keq tek ata. Ky fakt hedh poshtë ankesat e atyre që duan ta denigrojnë figurën e Pipit.
            Ashtu sikurse Piter Pani, Pipi në fund vendos që të mos rritet. Motivet janë të njëjta. Edhe Pipi është figurë e ëndërrt, fluide, që dëshiron të mbetet e tillë, çamarroke, trilluese, të jetojë midis aventurës zbavitëse.
            Romani “Pipi Çorapegjata” dëshmon për fantazinë e gjallë dhe trillin krijues të autores, për talentin e saj, për njohjen e thellë të botës e të psikologjisë së të vegjëlve. Ajo përdor shumë hiperbolën në të dyja kahet, zmadhues e zvogëlues. Kështu, Pipi gatuan, për mëngjesin nja 500 gurabije duke e hapur brumin në dysheme: ajo trillon se ka parë në Shangaj një kinez që i kishte veshët aq të mëdhenj, sa mund t’i përdorte edhe si mushama. 8 Për Martën ajo tregon se vidhte sikur të ishte ndonjë laraskë: Njëherë e dini ç’bëri? Një ta përlarë pianon e gjyshes dhe shkoi e rrasi me plaçkat e tjera në sirtarin e sipërm të komosë së vet. 9 Autorja përdor befasinë, të papriturën, që është kaq e këndshme për lexuesit e vegjël. Ja një pasazh i tillë, sa për ilustrim:
            ... ajo mbajti këmbët dhe i pyreti:
            -Mos ju ka zënë sytë gjë babin tim të kalojë këndej?
            -S’di çfarë të them, - iu përgjigj Pipi. – Si ngjan? Mos i ka sytë bojë qielli?
            -Po, - tha vajza.
            -Mos ka edhe një kapelë të zezë dhe këpucë të zeza?
            -Po, i ke rënë pikës, - tha vajza, që s’po e mbante vendi.
            -Jo, - tha Pipi shkoqurazi, - njeri të tillë s’kemi parë.
            Humori na ndjek kudo, gjatë gjithë librit, në çdo situatë, në çdo replikë. Sa gazmore janë rrëfimet e Pipit për bëmat e shërbyeses së vogël Martë, sa qesharak pozicioni i policëve në majë të çatisë apo ai i kusarëve, kur i vë të kërcejnë polka! Autorja i individualizon personazhet me anë të gjuhës. Jo vetëm Pipin, po edhe shitësen e biletave, pronarin e cirkut etj.
            Nga ana kompozicionale, romani nuk ruan ndërtimin klasik. Ai më tepër ka formën e një mozaiku ngjarjesh, çdonjëra prej të cilave qëndron fare mirë në mënyrë të pavarur. Libri mund “të fryhej” edhe me episode të tjera ose, e kundërta, mund t’i hiqej ndonjë kapitull, pa e dëmtuar në ndërtimin kompozicional.

            “Picirruku dhe Karlsoni – njeriu që banonte mbi çati”

Shkrimtarja suedeze Astrid Lindgren në vendin tonë njihet si autore e një libri tjetër shumë të bukur, të romanit “Picirruku dhe Karlsoni, njeriu që banonte mbi çati”. Vetë botimi i tij dy herë, në vitin 1964 dhe 1984, dëshmon për suksesin e këtij libri në gjuhën shqipe.
            Ka ca fëmijë që, kur bëjnë ndonjë gabim ose prapësi, nuk thonë të vërtetën, por përpiqen t’ia hedhin të gjitha ndonjë tjetri. Ata nuk bëjnë mirë, se njeriu duhet të mësohet që të ketë guximin të thotë kurdoherë të vërtetën. Po ja që frika se mos e qortojnë a mos i shkulin ndopak veshin e shtyn nganjëherë edhe çapkënin e vogël të gënjejë. Kështu ndodh edhe me Picirrukun, historitë e të cilit i njohim në librin që po flasim.
            Picirruku është një çunak shtatëvjeçar. Si gjithë çunakët e tjerë kudo në botë, atij i pëlqen të lozë, i pëlqen të bëjë shakara, i pëlqen të trillojë lloj-lloj gjërash e marifetesh, mjafton që të qeshë e të kënaqet!.. Domosdo, lodrat e tij janë të bukura dhe ai zbavitet së tepërmi, por nganjëherë bën edhe lodra të rrezikshme, bën edhe ndonjë të pabërë... Prindërit, domosdo, në këto raste e qortojnë dhe i kërkojnë shpjegime. Pikërisht këtu Picirruku nis të gënjejë: ai thotë se është krejt i pafajshëm, se të gjitha ato që prindërit i quajnë prapësi e lodra të rrezikshme, i ka bërë Karlsoni, njeriu i vockël që banon mbi çatinë e shtëpisë së tyre!.. Edhe kur, duke luajtur, i vë zjarrin raftit (domosdo pa dashje), edhe kur merr qoftet dhe me to përlyen dhomën, edhe kur merr të gjitha të hollat që ka mbledhur në kumbarë, dhe i bën rrush e kumbulla, edhe kur hipën majë çatisë dhe vijnë zjarrfikësit për ta shpëtuar, edhe kur bën e ç’nuk bën, gjithmonë fajin e ka Karlsoni, njeriu që banon mbi çati!.. Gënjeshtër me bisht, domosdo, se në çati nuk ka Karlson e as ndonjë njeri tjetër. Nga ana tjetër, këtë Karlson, që Picirruku bën be e rrufe se e sheh përditë, të tjerët nuk e shohin kurrë! Por edhe kjo kuptohet, sepse gjërat që nuk janë, nuk ka se si të shihen.
            Historia e Picirrukut dhe Karlsonit na bën për të qeshur, sepse Picirruku ngatërrohet aq shumë me ato që thotë, saqë më në fund arrin t’u besojë edhe ai vetë gënjeshtrave që i shpëtojnë nga goja... Jo vetëm kaq, por edhe ca shokë të tij nisi të besojnë se, po, Karlsoni është me të vërtetë majë çatisë! Megjithatë, e vërteta është kurdoherë më e fortë se gënjeshtra dhe ajo më në fund fiton. Picirruku nis dora-dorës t’i vërë gishtin kokës, derisa më në fund nuk e “sheh” më Karlsonin dhe tërë kjo do të thotë se tashmë ai ka nisur të piqet , ka nisur t’i mendojë e t’i peshojë më mirë ato që bën e thotë.
            Me këtë histori kaq gazmore dhe ca të çuditshme, shkrimtarja na thotë, pra, se si ne duhet të themi kurdoherë të vërtetën, nëse nuk duam të bëhemi qesharakë në sy të të tjerëve e nëse nuk duam të bëhemi njerëz të këqij e frikacakë.

                        Emili i Lonebergës”

            1.        
            Ndjesia për këtë roman, me të cilin herë pas here “bisedoj”, m’u shfaq si një parathënie, si një mosharrim, si vlerë e pazbehur; teksa lexoja librin “Emili i Lonebergës” të po kësaj autoreje, i cili ishte përkthyer në 43 gjuhë të huaja. Isha fatlum se “Pipi...” nuk ishte më jetime, se po njihesha edhe me personazhe të tjerë, njëkohësisht po thelloja njohjen time mbi krijimtarinë e Lindgrenit.
            Emili, për nga mënyra se si është konceptuar dhe ndërtuar, mbart peshën kryesore në fabulën e librit ashtu si Pipi. Ecën dhe menjëherë të kujton gjurmët e Pipit. Nuk flasim për përsëritje. Flasim për  hapësirat e personazhit si qasje dhe përkim, si elemente përbashkësie e krahasimi, si dimension dhe vlerë.
            E rrëfyer në vetën e tretë, herë pas here në forma strukturash përrallore, Emili mbart lirinë e aventurës së moshës, që Lindgreni ia ka besuar personazhit në jetën reale e në jetën artistike. Besim që e ruan përmes ngjarjeve të shumta, të çuditshme e që kanë jehonë, besim që nuk e zhgënjejnë autoren e njëkohësisht nuk duhet të trembin dhe prindërit. Mjafton të kujtojmë këto dy fragmente: “Emili në të vërtetë përpiqej ta mbante fjalën e dhënë e nuk përsëriste kurrë të njëjtat gabime, por krijonte prapësira të tjera.” (fq.55) Banorët që merrnin pjesë në festë i pëshpërisnin njëri-tjetrit: “Ishte vërtet një fëmijë i mirë, ai Emili i vogël! Nuk ishte trazovaç, jo... Unë nuk kam thënë kurrë se ishte një trazovaç!” (fq.65)
           
            2.
Në veprat e veta, ajo përshkruan me dashuri të veçantë natyrën dhe bukuritë e saj p.sh. “Emili në Lëneberga”. Aty më mirë se në veprat e cilitdo shkrimtar do të pasqyrohet natyra, jeta dhe mënyra e jetës me të mirat dhe me përballjet e saj. Shpesh herë përshkrimin e natyrës e bën duke pasqyruar realitetin jetësor gjithnjë të parë nga prizmi i botës së fëmijës. Për më tepër, shpesh herë përveç kësaj Astrid Lindgren këtë e bën duke e ngritur një jetë a ambient tjetër, ashtu si duhej të ishte, ashtu si krijohet në botën e brendshme të fëmijës, ku e keqja duhet flakur, e mira dhe e bukura duhet të ngadhënjejë, ku drejtësia duhet mposhtur padrejtësinë, etj. Duke u vënë kështu gjithmonë direkt ose indirekt në anën e të ligjëve, në anën e të drejtës që duhet të ngadhënjejë, në an`n e të mirës që duhet të na udhëheqë në qëllimet tona, etj. Të kujtojmë me këtë rast vetëm disa nga personazhet e krijimtarisë së pasur të A. Lindgrenit që e plotësojnë këtë imazh dhe që tashmë janë bërë të afërt, të dashur e tërheqës për çdo fëmijë, për çdo lexues, p.sh. Emili, Moi, Pipi, Ronja, Madikena, Karlsoni, etj.
            Gjithë veprimtarinë e saj do ta përshkrojë edhe një vijë tejpërtej me një nuancë e ngjyrim tjetër, e cila nuk del e vrazhdë, por shumë harmonike me ngjyrat tjera, shpesh herë e mbështjellë me një humor të lehtë e shumë të këndshëm. Dhe kjo nuancë tjetër që e përshkon krijimtarinë e saj është padyshim angazhimi për të mirën e fëmijëve e çfarëdo race qofshin apo kudoqofshin ato. Me krijimtarinë e saj Astrid Lindgreni angazhohet gjithë fëmijëve të botës t’i gjendet pranë edhe atëherë kur ata kanë dhembje, vuajtje, brenga e halle, apo ndonjë plagë tjetër shpirtërore. Atëherë ajo do të jetë pranë tyre dhe me krijimtarinë e saj, me personazhet e saj, me rrëfimet e përrallat e saj t’ua lehtësojë e t’ua largojë dhembjet, t’i shoqërojë e t’ua heqë vuajtjen e vetminë dhe t’ua shërojë plagët e shpirtit... Në krijimtarinë e saj ajo do të mendojë gjithmonë për fëmijët e vuajtur, të lënë mënjanë a të përbuzur. Ajo fëmijët e tillë do t’i ngrohë me dashuri, t’u gjendet pranë në momentet më të vështira, p.sh. kur ata mbesin pa dashuri prindërore, kur nuk kanë për të ngrënë e për të pirë apo edhe kur u shkelen të drejtat dhe liritë e tyre. Astrid Lindgren, me krijimtarinë e saj, vihet në anën e fëmijëve pa prindër, në anën e atyre fëmijëve të cilët ngacmohen e përqeshen nga të tjerët, në anën e atyre fëmijëve të varfër të cilët përqeshen e nënçmohen vetëm pse janë varfanjakë, etj. ... Ajo fëmijëve gjithmonë do t’u gjendet pranë me fantazinë e saj prej krijueseje, do të krijojë krijime me personazhe shumë të fortë, shumë çapkën, po njëherësh edhe shumë të dashur e zemërmirë, të cilët do t’u bëjë ballë gjitha vështirësive vetëm e vetëm për t’u ndihmuar atyre më të ligjëve, ose atyre që kanë nevojë për ndihmë. Të tilla personazhe janë p.sh. Pipi, Jonatani e Skorpani tek “Vëllezërit Zemërluanë” e ndonjë tjetër.
           
            Në vend të përfundimit

Astrid Lindgren me krijimtarinë e saj, me personazhet e saj, ka hyrë menjëherë në zemrat e lexuesve në mbarë botën, ka hyrë në zemrat e tyre dhe është bërë një pjesë e botës së tyre, një pjesë e rritjes dhe jetës së tyre. Prandaj për një shkrimtar përqafimi i veprës së tij nga miliona zemra në mbarë botën padyshim është gjëja më e çmueshme, është çmimi më i madh. Lum ai shkrimtar si Astrid Lindgreni që lë pas vetes një krijimtari të tillë, të begatë dhe të dashur për të gjithë!.. Një krijimtari e tillë shkrimtarin e bënë të pavdekshëm, të përjetshëm! Prandaj edhe pse Astrid Lindgreni ka ndërruar jetë, ajo nuk ka vdekur, por bashkë më veprën e saj ka hyrë në përjetësi!.. E përjetësi dhe gjithnjë nderim i ka dhënë edhe Gjuha Shqipe. Astrid Lindgren është e njohur dhe shumë e dashur me librat e saj në shqip. “Pipi Çorapegjata” ka pasur disa botime e ribotime, bile është futur edhe si libër për lexime jashtë klase. Por edhe një libër tjetër është gjithashtu shumë i dashur dhe është i përkthyer në shqip për lexuesit shqiptar. Ky është libri “Picirruku dhe Karlsoni, njeriu që banonte mbi çati”, libër që u botua më 1964, më 1968 u ribotua, duke pasur edhe disa ribotime në vitet e mëvonshme.



[1]Autorja, librin e parë rreth Pipi Çorapegjatës e botoi në vitin 1945. Në të vërtetë, Historitë dhe aventurat e Pipit janë përmbledhur në tre libra.
[2]Piciruku dhe Karlsoni – njeriu që banonte mbi çati” (1961, 1997, përkthyer nga Petro Zheji) dhe “Pipi Çorapegjata” (1990, përkthyer nga Virgjil Muçi).
[3]“Nëna e Pipi Çorapegjatës”, përgatitur nga Kristofor Grillo, gazeta “Drita”, 26. IV. 1998.
[4]“Po s’dite të këndosh, mos ia merr këngës”, përgatitur nga Lili Bare, gazeta “Drita”, 10. 08. 1986.
[5]Lindgren, Astrid.: “Emili i Loneberges”, Botim: Botimet “Vëllezërit Tafa”
6Sheqiri, Rizah: “Vepra e Astrid Lindgrenit një botë në vete – një mbretëri përrallore e ngritur nga bota e brendshme e fëmijëve, revista “Besa”, nr.1, 2002, USHSHS.
[6] Bishqemi, Astrit.:  Astrid Lindgren, “Pipi Çorapegjata”, T. 1990, f.16; po aty, f. 88; po aty, f. 179; po aty, f. 86.
*Intervistë me shkrimtaren e madhe suedeze Astrid Lindgren, përgatiti Irena Dono.

No comments:

Post a Comment