Friday, February 21, 2014


     Me rastin e 6-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë të Kosovës






Xhahid Bushati

Eci rrugëve të Prishtinës…

1.
          Eci rrugëve të Prishtinës
            takoj njerëz e lumturohem,
            më dhurojnë mijëra buzëqeshje,
            me Prishtinën dashurohem…

            Tani andrra nuk është andërr,
            baj kuvend unë me Lirinë,
            lulëzojnë ëndrrat e çdo moshe,
            s’njeh Kosova pleqërinë…

            Kosovë-loke, andërr-dritë,
            Kosovë-loke, Kosovë-shpirt! -
            Nusja je, e Azem trimit,
            Trimja e Isë Boletinit.

            Nëpër vite, nëpër shekuj
            nuk e humbe shqiptarinë, 
            shpirti yt – fole shqiponje
            bisedonte me Lirinë…

            2.
Eci rrugëve të Prishtinës
            diellin shoh, i bukur nur,
            dielli i shumëëndërruar
            më mbështjell si një flamur.

            Afroj buzët dhe e puth,
            më mbulojnë mijëra kujtime,
            rreh kjo zemra e flamurit,
            shqipja rreh në zemrën time.

            Kosovë-loke, andërr-dritë,
            Kosovë-loke, Kosovë-shpirt! -
            Moj nanloke, trimja e malit,
            Ec me besë të Adem Jasharit.

            Nëpër vite, nëpër shekuj
            nuk e humbe shqiptarinë, 
            shpirti yt – fole shqiponjash
            bisedon veç me Lirinë…


No comments:

Post a Comment