XHAHID BUSHATI
Shkrimtari, personazhi, lexuesi
i vogël – marrëdhënie,
raporte dhe aspekte të komunikimit artistik
në poezinë për fëmijë të Adelina R. Mamaqit
-
Vështrime të një rruge poetike –
“Të shkruash për fëmijë nuk mjafton vetëm t’i kundrosh ata me ëndje,
por duhet t’i duash fort, të jetosh me ta dhe, nuk besoj se do të gaboja, po të
thosha të jetosh edhe ‘për ta’. Shkrimtari që jeton me fëmijët dhe për fëmijët,
ngazëllehet përpara një vogëlushi, që me buzëqeshjet e ‘gugat’ e tij, reagon
ndaj kontakteve të para me jetën, që, më pas, krijon lidhjet e tij me njerëzit
dhe shpreh mendimet e para.”
-Thënie e
autores Adelina R. Mamaqi gjatë një bashkëbisedimi me autorin e këtij studimi-
....................................
Anijeve
mijëra fëmijë,
Me
ty lundruan fëmijërinë,
Edhe
sot – në kokë ruajnë plot,
Plot
vargje të tua, Adelinë!
Mjeshtri
është t’i rrosh këto kohë,
Nga
shëmtia të ruash – bukurinë,
Pyes
shokët – ku vete, ku mbete...
Më
tregojnë për ty, Adelinë!
Koha
me një dorë na sjell – lule,
Me
tjetrën na endë – pleqërinë,
Por
në rafte e tituj cicëron
Përherë
ti e re –
Adelinë!
.........................................
Emri
i Adelina R. Mamaqit u shfaq në fushën e letrave shqipe, aty, nga fundi i
viteve ’50. Në agimin e viteve ’60 botoi librin e parë poetik për të rritur me
titull “Ëndrra vashërie”.
Atëhere ishte 16 vjeçe, kur çuditërisht,
libri fliste për dashurinë. Brishtësia poetike dhe intimiteti i shpirtit
sikur... nuk plotësonin kërkesat e letërsisë së realizmit socialist. Kjo më
vonë pati pasojat e veta tek udha letrare e poetes. Në vitet krijuese poezia
për të rritur, papritur, do t’i shndërrohej në një ëndërr... në sirtar. Por...
ëndrra nuk do të rend së kërkuari ‘ëndrrën e vashërisë’. Gjithsesi libri në
fjalë pati shumë jehonë në atë kohë. Më pas u botua edhe në Kosovë. Aq sa, kur
Adelina shkoi në “Mitingun e poezisë, në Gjakovë, më 1972, fjala e parë e
mirëseardhjes ishte: “Na e mbushe Kosovën, me Adelina, moj burrneshë!”
Si dëshmi e
kësaj vepre poetike, Adelina R. Mamaqi u bë poetja e parë në letërsinë shqipe;
të kësaj letërsie (nënkupto: letërsinë për fëmijë e të rinj) që, në kontekstin
historiko-shoqëror në të cilën u zhvillua për afro pesë dekada, një pjesë e
sistemit të vlerave që u krijua rezultoi i mirëpërcaktuar dhe i diktuar nga karakteri
angazhues, formati, dogma e metoda e realizmit socialist. Por, duke iu referuar
sistemit të vlerave që u krijuan gjatë asaj periudhe, e që i përmendëm më
sipër, nuk mund të mohohen ato vlera e zhvillime interesante, që në thelbin e
drejtimin e tyre ishin pozitive e bartnin mbarësinë, lulëzimin e një arti e
letërsie të vërtetë për fëmijë e të rinj. Përballja me këtë realitet historik
dhe zhvillimin e tij, shkrimtarë e breza shkrimtarësh patën dhe zhvilluan konceptet e tyre estetike në gjinitë e zhanret
të ndryshme që lëvruan, për rrjedhojë krijuan edhe profilet e tyre letrare. Mbi
këtë bazë krijuan veprat, mbi këtë bazë dhuruan vlerat, vlera që në sistemin e
ri demokratik të ardhur, domosdo kërkojnë një optikë të re rivlerësimi për
letërsinë pararendëse, që u krijua. Dhe kjo është domosdoshmëri.
Vrojtimi im
kësaj radhe është për letërsinë për fëmijë e të rinj; pasi kërkohen studime në
njohjen e vlerave të vërteta të kësaj letërsie. Kërkohet optikë e re vështrimi,
veçanërisht në përcaktimin e vlerave jetëgjata, si fond i asaj periudhe, që u
mbyll në vitet ‘90. Pastaj, sa është e pranishme fryma e metoda e realizmit
socialit i asaj letërsie në krijimtarinë letrare pas viteve ’90, është një
ftesë për diskutim dhe kërkon studim më vete.
Qasja me
objektivitet ndaj vlerave (të atyre që u krijuan para ’90-ës dhe të atyre që
vazhdojnë të krijohen pas ’90-ës), na shpien në shumë dukuri, fenomene dhe tipologji
të krijuara në marrëdhënie me kohërat e realitetet, të cilat na orientojnë për
të parë sa më qartë udhën dhe zhvillimin e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Shkrimtarja
Adelina R. Mamaqi, i takon brezit të shkrimtarëve për fëmijë e të rinj të
viteve ’60, një brez me kontribute të rëndësishme e me risi, si: në
problematikë, gjini, profil, ligjërim e rrëfim në letërsinë për fëmijë e të
rinj. Thuhet me të drejtë: ‘Vitet ’60, që përbëjnë një etapë të re në jetën
ekonomike-shoqërore të vendit, shënojnë një stad të rëndësishëm për procesin e
formimit të plotë të letërsisë shqiptare për fëmijë, si letërsi me tipare
ideore dhe artistike të përcaktuara. Shkrimtarë të ndryshëm, që ia kushtuan
energjitë e veta krijuese kësaj fushe të letërsisë, ishin të vetëdijshëm për
rolin e rëndësishëm të veprave letrare në edukimin ideoestetik dhe në formimin
e personalitetit të brezit të ri.’
Më pas, dekadat e mëvonshme do të flasin se, kjo shkrimtare solli një
krijimtari të pasur e të larmishme, krijimtari që vazhdon edhe sot. Kjo është
arsyeja që për vlerat që bart e sjell, shkrimtarja Adelina R. Mamaqi mbetet një
ikonë e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Lënda poetike
që na ofron shkrimtarja është e gjerë dhe e larmishme. Ajo të fton për shumë
këndvështrime. Shqyrtimi i një aspekti, i formuluar në krye të këtij studimi si
kredo, i selektuar nga krijimtaria e
gjerë dhe e larmishme poetike e Adelina R. Mamaqit, u bë, se i besova dhe u
udhëhoqa nga formula filozofike-letrare, e cila thotë: “Ndër librat që të
interesojnë, qëmto ata syresh që ia vlejnë të shqyrtohen e të konsiderohen dhe
që ju rrëmbejnë në botën e tyre, në të vetmen botë të pacenueshme nga tirania e kohës.”
E
kam ndjekur në proces krijimtarinë e Adelina R. Mamaqit. Ashtu siç kam ndjekur
dhe ndjek mendimin kritik e studimor në lidhje me krijimtarinë e saj e të
autorëve të tjerë të letërsisë për fëmijë e të rinj. Leximi i një vepre të një autori, aq më shumë disa vepra të tjera që
janë të një gjinie a zhanri poetik, lexuesi, aq më shumë studiuesi, krahas
përftesës së emocionit dhe kënaqësisë estetike, krijon marrëdhënie
shumëplanëshe me të ose me to, e, po në këto rrafshe marrëdhëniesh bisedon e
komunikon parreshtur... E kjo ndodh, sepse ‘është komunikim i ngritur në
sistem: të përcjelljes e të dërgimit të mesazhit e të marrësit, receptuesit,
dhe, ky sistem, sikur nënvizojnë njerëz të dijes që nga Barti e deri te Fuko;
duhet të bëhet hallka kryesore e interpretimit, shpjegimit dhe komentimit të
vlerave artistike.’
Kështu, të lexosh korpusin e veprave të një krijuesi, siç është në rastin tonë
të Adelina R. Mamaqit do të thotë: *‘t’ia dhurosh thelbin e përmbajtjen
estetike’
, *‘raporti
në mes veprës dhe lexuesit përpunohet, përsoset dhe bëhet i ngushtë e i afërtë’
, *‘statusi
i veprës letrare qëndron në varësi nga mënyra e receptimit të tij’
, *‘kurse
shumësia e leximit shtrin rrjetën e tij tutje, me kuptimet që zgjon teksti i
lexuar.
Gjatë
vështrimit tonë në lëmin shkrimor e historik, herë pas here në periudha të
ndryshme kohore kemi gjetur në disa shkrime e studime të botuara në organe të
ndryshme, mendime e interpretime shpesh kontradiktore në lidhje me fillimet e
sakta të jetës letrare të kësaj autoreje, pra në atë që e quajmë ‘pikënisje’ a etapë
brenda biografisë së krijuesit. Përgjigjen e saktë të këtij problemi, realisht, na e ofrojnë libri:
“Ëndrra vashërie” dhe krijimet letrare të kësaj autoreje botuar në periodikët e
gazetave e të faqeve letrare të tyre, para se të botohej libri me poezi për të
rritur.
Libri i parë
me poezi për të rritur për vlerat që mbarte, për shumë ‘tabu’ që thyente e
sfidonte zëri femëror i poetes e prezantuan denjësisht si krijuese të talentuar
Adelina R. Mamaqin. Ndonëse, rrezatimin dhe jehonën më të madhe e pati më shumë
në Kosovë se sa në Shqipëri. Me këtë libër poetik ajo hyri e sigurt e me
dinjitet në botën e letrave shqipe.
Në marrëdhënie
me kohën kur u botua ky libër dhe me lexuesin, më mirë se kushdo flet ky
fragment vlerësimi, të cilin po e citojmë: “Në vitin 1963 (Adelina Mamaqi,
nënvizimi im, - Xh. B.) e botoi librin me poezi për të rritur “Ëndrra
vashërie”, libri i parë i një poeteje shqiptare, i cili bëri jehonë te lexuesit
dhe te kritika, jo vetëm për vlerat artistike, por edhe për faktin se e theu
një tabu: Kjo poete e re merrte guximin t’i shprehte ndjenjat e dashurisë femërore,
në një kohë kur fjala ‘
dashuri’
ishte thuajse një mëkat.”
Siç ndodh jo
shpesh, zakonisht ndodh, veçanërisht te poetët dhe te poetët e vërtetë, po në
këtë vit poetja Adelina R. Mamaqi, në krijimtarinë e saj, ndërron vështrim e
objekt, problematikë e tematikë, personazh e psikologji, fantazi e situatë,
imazhe dhe lexues. Ndoshta pak e çuditshme, por ja që ndodhi në procesin
krijues e në jetën artistike të kësaj autoreje. Në vitin 1963 boton librin
poetik për fëmijë “Bubi i vogël”. Dukuria e parë e këtij libri është: edhe pse
tani flitet për një adresë të re, autorja ruan të patjetërsueshëm statusin e
shpirtit lirik që më parë e kishte shpalosur në poezinë për të rritur.
Gjithashtu të bien në sy edhe disa prirje (këtu si fillesa), të cilat më vonë do
të zhvillohen e do të thellohen në të mirë të shkëlqimit të personalitetit
artistik të autores, si, p.sh.: brenda ndërtimit dhe zhvillimit të fabulës
evidentimi i detajit figurativ dhe konkret,
shpirtëzimi i personazhit, mënjanime të moralizimeve e të rimave foljore,
largimi nga stili deklarativ e i gjuhës pa figura; meditime të autores e
fëmijës si bashkëlidhje e bashkëbisedim, të jetuarit e krijimit dhe të
përjetuarit fëmijëror, etj, etj. Thellimi i këtyre prirjeve pozitive, që do të
gjejnë përmasat e veta në veprat poetike, do të pasurohen edhe me: pozicionimin
(të narratorit) e vetës së parë ‘unë’, të rrjedhës së vetëdijes ‘unë’, të vetës
së dytë ‘ti’, të vetës së tretë ‘ai’; dialogun e magjinë e përrallës; pasurinë
e figurave letrare, si: epitetin, metaforën, anaforën. hiperbolën e
paralelizmin figurativ; imazhet si përsëritje, meditimet e thjeshta,
aliteracionin, onomatopenë, tonin si mëvetësi e si shkrirje organike brenda
strukturës së poezisë, që nga njëri vëllim në tjetrin merr ngjyrë e dritë. Me
këtë arsenal mjetesh e shprehësish në stil dhe në rrëfim kjo poete, është
cilësuar me të drejtë nga studiuesi e poeti Agim Deva, ‘si krijuese që hyn në
gjeneratën poetike që manifestojnë Poezinë
e imagjinatës së lirë’.
Krijimtaria
letrare e Adelina R. Mamaqit krahasuar me individualitetet krijuese të së njëjtës periudhë, si dhe ata që erdhën
më vonë, të cilët ende kontribuojnë në letërsinë për fëmijë e të rinj, qëndron
në vlera të spikatura, të dallueshme dhe me tipare të papërsëritshme. Në
prurjet cilësore, rrezaton veçanërisht opusi letrar i botuar pas viteve ’90,
opus që numëron afro 30 vepra letrare që u adresohen disa grup-moshave të
lexuesve të vegjël: parashkollorë dhe shkollorë.
Shkrimtarja
Adelina R. Mamaqi vjen si një vlerë jo e zakontë në qiellin e poezisë dhe të
prozës (si gjini lëvron përrallën, dhe brenda saj zhanrin shkencor) shqipe për
fëmijë e të rinj. Vjen me ngrohtësinë e nënës dhe të poetes, vjen me këshillat
e çmueshme të prindit, edukatores e psikologes, vjen me urtësinë e gjyshes dhe
të mësueses. Nuk përkon në rrëfim, stil, gjuhë e figuracion as me poezitë e
përrallat e O. K. Grillos, M. Krasniqit, S. Çomorës, K. Jakovës, M. Kutelit, R.
Hoxhës, R. Kukajt, A. Devës, V. Kikajt, B. Dedjes, Xh. Beqarajt, B. Harxhit...
Gjithashtu krijimtaria e saj poetike e në prozë veçantohet nga ajo e Rr.
Dedajt, T. Gjokutajt, A. Thaçit, G. Xhafollit, I. Kadriut, A. Demollit...
Gjithashtu nuk përkon as me stilin e N. Priftit, Xh. Spahiut, Ll. Rucit, A.
Paplekës, A. Huruglicës, S. Haskos, F. Reshpjes, D. Bubanit, Xh. Sylës, P. Zotos,
Y. Elshanit, P. Koçit, A. Bishqemit, Xh. Bushatit, H. Meçes... Gjithashtu nuk
përkon më vonë as me V. Canosinajn, N. Muçën, F. Lamajn, M. Meksin, Sh. Zallin,
F. Gjestilën...
Krijimtaria e
shkrimtares Adelina R. Mamaqi, paraqitet në dy tablo. Më saktë në dy periudha
kohore, dhe të një pauze (ndonëse
për një krijues të vërtetë termi pauzë është
një nocion i trishtueshëm, - siç po e emertoj unë.)
Periudha e parë nis me librin “Bubi i
vogël” dhe i takon vitit 1963. Pastaj vazhdon me një bibliotekë librash nëpër
vite, për të arritur në vitin 1990. Në mënyrë të përmbledhur dallojmë këto
veçori: *Zgjerim të spektrit tematik. *Lënda përmban ngjarje dhe tablo konkrete
që i përshtaten psikologjisë fëmijërore. *Rrëfime interesante, me të papritura
përmes një hapësire më të gjerë
trajtimi. *Pasurim të mozaikut të gjinive dhe zhanreve letrare.
Gjithashtu, duke marrë shkas nga
poema “Orizi i milingonave” (1965), një studiues thotë: ‘Aty dalin në pah dy
nga veçoritë kryesore që karakterizojnë krijimtarinë e poeteshës:
fantazia dhe
humori, veçori që janë çelësi i suksesit në krijimtarinë letrare për
të vegjëlit’.
Prurjet dhe
individualiteti krijues i Adelina R. Mamaqit, tani, i “interesojnë” kritikës
letrare. Bëhen objekt studimesh i shkrimtarëve dhe i studiuesve, si: Muzafer
Xhaxhiu, Odhise K. Grillo, Bedri Dedja, Naum Priftit, Pandora Dedja, Bekim
Gaçe, Agim Deva, Astrit Bishqemi, Muharrem Xhaxho, Viktor Qurku, Çapajev
Gjokutaj, Faik Shkodra, Xhevat Syla, Qibrie Demiri-Frangu, Fatos Kongoli,
Ramazan Çadri, Hasan Ulqini, Ibrahim Ibishi, Shukrie Rama, Milaim Nelaj, etj.
Kjo periudhë mbyllet si proces studimi me monografinë “Shpirti plot rubinë”
dhe shkrimi-studimor “Kopshti i bukur” i vjershave dhe përrallave të Adelina
Mamaqit”.
Në këto
shkrime dhe studime evidentohen disa tipare të krijimtarisë për fëmijë e të
rinj të kësaj autoreje, të cilat po i radhisim:
*Autorja
lëvron me sukses të gjitha gjinitë e zhanret letrare, por më të dashura ka
poezinë dhe përrallën.
*Përralla e kultivuar nga ana e
autores ka natyrë poetike.
*Zhvillon përrallën shkencore.
*Në fillimet e
krijimtarisë, autorja gjen mbështetje tek përralla popullore. Kjo marrëdhënie
shpeshtohet në vitet e mëvonshme të krijimtarisë së saj artistike.
*Njeh kërkesat
pedagogjike e artistike të fëmijëve, kërkesa që shtron koha dhe letërsia shqipe
për fëmijë e të rinj.
*Autorja
priret drejt vështrimit të fenomeneve më të rëndësishme që shtron e sotmja dhe
e nesërmja e fëmijëve.
*Shfaq aftësi
në njohjen e “enigmave” të botës dhe psikologjisë fëmijërore.
*Shquhet për
mënyrën e të rrëfyerit dhe të komunikimit të ngrohtë dhe të çiltër me fëmijët.
*Universi i
saj poetik shfaq këto dukuri: sinqeritet, çiltërsi, qartësi maksimale në të
shprehur, imagjinatë dhe zgjon së tepërmi kërshërinë e fëmijëve.
*Poezia,
krahas fabulës, priret drejt një lirizmi të lakmueshëm, lirizëm që vjen si
tipar i individualitetit artistik të autores.
*Mesazhet
mbartin probleme të kohës.
Shkrimet e
studiuesve dhe të kritikëve në zbërthimin e kodit poetik të shkrimtares, në të
shumtën e rasteve përmbajnë vlera të rëndësishme, që edhe sot e kësaj dite nuk
i kanë humbur shumë pika referimi. Por e
shohim me vend të themi se, është e nevojshme të paraqitet hopi i ri cilësor,
dhe sidomos zbërthimi i fjalëve kyçe të poetikës së autores, veçanërisht, pas
viteve ’90. Më pas disa aspekte, si: pasurimi tematik e lëvrimi i temës së
ditës në gjinitë të vjershës, përrallës në vargje e poemës, këndvështrimet e
trajtesat e reja si dhe elementet e humorit në zhanrin e fabulave, komunikimi
“intim” me personazhin, që është protagonist i ngjarjeve e i ndodhive brenda
tekstit të librit, etj., meritojnë trajtim e interpretim më të thelluar për të
dritësuar më tej individualitetin poetik të Adelina R. Mamaqit, që përmes
korpusit të veprave, si gjithnjë, fal dashuri, emocion e kënaqësi estetike jo
vetëm fëmijëve, por edhe të rriturve.
Periudha
e dytë, të cilën e quajta pauzë,
ka si cak vitin 1990. Vazhdon afro një dekadë. Janë vite emigracioni që autoren
e shoqërojnë një pafundësi dhembjesh, dëshirash dhe ëndrrash të trazuara si
vetë dallgët e detit. Malli dhe dashuria për lexuesit e saj nuk tjetërsohen.
Sepse kanë lindur nga ama e shpirtit të poetes dhe burojnë përjetësisht si një
krua që mbart ujë të pastër si një pikë loti. Dhe poetja në një poezi, që unë
do ta quaja kredo dhe qëndresë, dramatike dhe ëndërrimtare, thotë “për veten e
saj”:
:
Unë
jam si bari i livadhit:
Sa
ta kositësh, rritet prapë.
Megjithëse
fati, zemërthari,
Një
plagë më mbyll. Një plagë ma hap.
Unë
jam si pishat përmbi hone,
Që
gjelbërimin mbajnë mbi fletë.
Ndonëse
rrufe e ciklone
Dhuratë
ma bëjnë ndonjë shigjetë...
Në
këmbë rrojta. E në këmbë
Ngadalë
dua që të shkrihem...
Nuk
ka sëpatë të më shembë.
Dhe,
në më shembtë, prapë do ngrihem!
Dhe poetja gjatë një bashkëbisedimi për këtë
periudhë të dytë të krijimtarisë së saj, thotë: “ Vitet e para në emigracion, e
dërmuar shpirtërisht, siç të dërmon largimi nga çdo gjë e dashur, mendoja se po
jetoja pasvdekjen: emri dhe krijimtaria kishin vdekur bashkë me mua. Por, sapo
u ktheva për herë të parë, më 1995-sën, qysh në aeroport, te personeli i
shërbimit, e kuptova se isha ende e gjallë dhe jam ndjerë e lumtur. Këtë
lumturi e kam provuar edhe më 2009-tën në Prishtinë, ku, çuditërisht, më njohën
e më respektuan qysh në aeroport. Nuk kam si t’i harroj njerëzit që më ndalonin
në rrugë, ku do të veçoj një vajzë të re, e cila, pasi më ndali, më përqafoi e
më tha: “Të faleminderit për ato libra që na kanë rritur! Na e ke bërë
fëmijërinë edhe më të bukur”!
Ndonëse janë
vite që emri i poetes së mirënjohur sikur “hesht” në botime veprash e në
publikime të përditshme. Boton më pak, vëzhgon dhe akumulon më shumë. Rikthimi
te procesi krijues është diçka e natyrshme në jetën e shkrimtares Adelina R.
Mamaqi. Sepse natyra e saj krijuese ndjek këtë marrëdhënie: “Secili prej
njerëzve (fëmijëve, - nënvizimi im, Xh. B.) që takoj është një dallgë tek e
cila zhytem me kënaqësi. Dhe më pëlqen kush ëndërron, kush buzëqesh, kush
jeton..., kush nuk humbet besimin, kush mendon që një perëndim nuk është një
fund, por një fillim. Dhe e gjithë kjo nuk ka të bëjë me moshën. E dashuroj
kureshtjen kur është dëshirë për të njohur dhe jo ndërhyrje diku. ... Por besoj
se kureshtja është e bukur, ... Asnjë nuk të dëgjon nëse nuk je i besueshëm.
Dhe je i besueshëm kur nuk e fsheh
universin tënd.”
Akumulimet
gjatë një dekade do të bëhen realitet nga vëzhgimet e heshtura të autores në
realitetin e përditshëm, ku i zgjon në shpirt motive të pafund. Sikur në
horizontin e një shprese projektohen besueshmërisht librat e ardhshëm për
fëmijë, me të cilat autorja ka lidhur jetën dhe ka falur mijëra dashuri e
buzëqeshje. Ndonëse, përsëri në këto vite, zemra e saj e trishtuar thotë:
“Tallaz’i i jetës s’di ku më përplas.”
;
e më pas si një diell dashurie shpaloset universi i shpirtit të saj: “Të lutem,
zgjohu, zgjohu vetëm pak, / Sa përmbi zemër zemrën të të lë!”
Periudha e tretë fillon, aty, te pragu
i vitit 2000 e në vazhdim. Autorja ka një varg botimesh. Të pritshme,
sigurisht. Është në një moment vrulli krijues. E ka më se të nevojshme dhe të domosdoshme të ndjekë këtë
formulë si një akt besueshmërie e mirëbesimi: “Të rrëfehesh është të tejkalosh
veten. Pastaj t’u thuash të tjerëve, pa u pozicionuar, vetëm me dëshirën për
t’u njohur e për të ndarë bashkë diçka. Kush jam... pyetje e vështirë.”
Botimet
e kësaj periudhe flasin: për prirje drejt përsosjes së stilit, mënyrës së
rrëfimit, komunikimit me lexuesin e vogël dhe të një tematike sa më
bashkëkohore. Zbulohen pjesë të panjohura të personalitetit krijues, të cilat e
plotësojnë dhe i japin dimension të mëtejshëm. Krahas drejtimit artistik,
kërkon t’u jap fëmijëve sa më shumë njohuri, veçanërisht dije shkencore. Librat
e autores, ashtu si disa libra të autorëve të tjerë (ndonëse janë pak), tani
ballafaqohen me ardhjen e një realiteti të ri historiko-shoqëror, me ardhjen
dhe rrugëtimin e pandalshëm të Demokracisë.
Kjo
periudhë (e tretë) është pothuajse e ‘paprekur’ nga kritika e studimet tona
letrare. Lënda krijuese e ofruar nga
autorja kërkon optikë të re leximi e studimi. Mendojmë se autorja nis ta
ndërtojë profilin e saj përmes dy opuseve: a) krijimtarisë së mirëfilltë b) krijimtarisë që përfshin ripunime,
përshtatje e përpunime të veprave të ndryshme të botuar nëpër vite.
Në grupin e
parë hyjnë: “Përrallëzat e shkronjave”, “Lodërzat e alfabetit”, “Ora e Shibës”,
Xhoi Toi”, “Sa shtëpi ka dielli?”, “101 gjëegjëza”, “Fluturo, kërce e rend” 1,
2; “Ariu dhe dy karriget” (fabula), “Pinguini Ping Ping Pi”, “Unë e di, gjeje
ti”, etj. E përbashkëta e tyre është se motivi kryesor është përditshmëria e
ndodhive dhe e ngjarjeve të fëmijëve e të kafshëve, shpendëve, insekteve, sa në
mjedise reale aq dhe përrallore. Perceptimi i objekteve në largësi, onomatopetë
e gjetura me mjeshtëri, shpirti lodërtar, përcjellja e informacionit shkencor
dhe të një fjalori të zgjedhur poetik,
etj., etj., - janë disa nga veçoritë që flasin për një njohje të botës e të një
psikologjie fëmijërore.
Në grupin e dytë hyjnë:
“Bardhoshi, Xhepkoshi”
,
“Hedhin valle bletët”, Zogu Pup në shtëpinë prej xhami”, “Si e gjete folenë,
moj dallëndyshe”, etj. Konstatimi i parë që përftojmë në këto vepra është se, shkrimtarja kthen kokën herë pas here, ndalet
në vite dhe “bisedon” përsëri me ato vepra të botuara më parë. I sjell me një
koncept e strukturë të re, ku ndjehet në
këto vepra është se, shkrimtarja kthen kokën herë pas here, ndalet në vite dhe
“bisedon” përsëri me ato vepra të botuara më parë. Ndjehet freskia e motivit dhe aktualiteti i kohës.
Theksojmë se, bashkëkohësia është pjesë e personalitetit krijues të Adelinës.
Me këto vepra, autorja sikur shlyen një
detyrim ndaj ndërgjegjes së saj artistike e lexuesit të saj, njëkohësisht
ridimensionon dhe fisnikëron figurën prej krijueseje me emër në letërsinë
shqipe për fëmijë.
Opusi
përrallor
Opusin përrallor të shkrimtares e shoqëron
një botë mrekulli-madhe fantazie, ashtu siç e ka në të vërtetë, në palcën e saj
përralla si gjini e moçme krijuese, që nuk është gjë tjetër veçse produkt i
mençurisë, zgjuarsisë e urtësisë popullore. Kështu, në përrallat e Adelina R.
Mamaqit gjejmë thesarin e artë njerëzor, triumfin e së mirës ndaj së keqes,
rrugën drejt virtytit, gjejmë të pasqyruar doke, zakone, dukuri shkencore,
etj., etj., të shpërfaqura si motive e si subjekte, herë të realizuara në
përralla të mirëfillta e herë në
përralla të mbështetura mbi modele popullore. Rrafshi mbi të cilën vendosen
personazhet dhe mjediset ku ata veprojnë, flasin se: “..., krijimtarinë letrare
të Adelina Mamaqit e karakterizo-n (-jnë) ... imagjinata e bujshme e autores
për të bërë shpirtëzimin e gjallesave dhe sendeve, krejt me qëllim zhvillimi të
imagjinatës së fëmijëve dhe gërshetimit të saj me realitetin ekzistues.”
Marrëdhënia
autore - personazh
Një dukuri që
spikat në krijimtarinë e poetes Mamaqi është marrëdhënia autore – personazh,
një marrëdhënie që rrezaton ngjyrë, ngrohtësi e dritë. Prania është jo vetëm te
përralla, por edhe te poezia, gjini që autorja e lëvron po me aq dashuri sa
edhe përrallën. Kështu, në shumë vëllime me poezi, kjo marrëdhënie ka
konfiguracionin e saj, larg përsëritjes së njëllojtë. Për ilustrim, po sjellim
një shembull nga libri “Vjershat e Majlindës”. Sipas studiuesit Astrit
Bishqemi: “Në qendër të çdo vjershe është vënë i njëjti personazh, vogëlushja
Majlindë. ... Rrëfimi është në vetën e parë. Çdo fëmijë mund ta vërë emrin e
vet në vjershë dhe, në vend që të thotë
Jam
Majlinda vogëlushe / a nuk ngjaj si lule fushe?, të deklamojë:
Jam Albana... kështu lexuesja bëhet
vetë heroinë e librit dhe kjo ia ndez më tepër fantazinë.”
Ndërsa poeti Odhise K. Grillo për këtë dukuri thotë: “Ajo (Majlindja, - shënimi
im Xh. B.) vepron vetë nga një vjershë në tjetrën, apo tregon për ato që ka parë
e ka dëgjuar. Kjo i jep vëllimit tiparet e një poeme të ndarë në shumë pjesë, në mënyrë që fëmijët ta lexojnë e përvetësojnë
më lehtë.
Kjo
mënyrë paraqitjeje, pra, protagonizmi i personazhit, duke lënë shenjë në çdo
poezi si pjesëmarrës a i nënkuptuar, mendojmë se autores i është kthyer në një
veçori të krijimtarisë së saj. Por nga libri në libër ka sjellë larmi dhe
këndvështrime interesante. Përmendim gjatë ecurisë së krijimtarinë së autores,
librat: Goni trazovaçin, - siç thotë poeti Agim Deva: “Unë botës ia prish
qetësinë”, Xhoin-Toin, etj.
Marrëdhënia e
autores me këta personazhe që vë në qendër të librave shkon deri në adhurim. Autorja
shqetësohet, loton, dëshpërohet, zhgënjehet, beson, qesh, buzëqesh, lodron, ëndërron
dhe gëzohet me personazhin; drithërohet dhe emocionohet si ai! Sepse
personazhin e ka të shtrenjtë. E rrëfen bukur atë, e skalit, po aq sa krijimin
e saj në tërësi.
Personazhi i
falë botën e tij autores, atë botë që falë frymëzimit e krijoi më parë
autorja, se: “Autorët janë porsi
aktorët; ne hyjmë nën lëkurët e personazheve tona, për të jetuar jetët e
tyre...”
E, duke
ndjekur udhën e personazhit, ku e kërkoi, ku e gjeti dhe si e krijoi atë,
autorja shprehet kështu: “Pak nga pak, m’u bë diçka e natyrshme që, nëpërmjet
disa fëmijëve të lidhem me të gjithë vogëlushët, të përpiqem të komunikoj me ta
dhe, midis tyre, të gjej edhe motivet e personazhet. “Goni trazovaçin”, për
shembull, e gjeta pak te djali im, që atëherë ishte më i vogël se Goni, pak te
një djalë i pallatit, që ishte më i madh se Goni, pak te një djalë çamarrok, që
kalonte rrugës, dhe, kësisoj, lexuesit e vegjël njohën një Gon që mund t’u
ngjante disi edhe vetë atyre.”
Libri “Xhoi –
Toi”
paraqitet që në koncept i ndërtuar në mënyrë lodërtare. Vetë fjala TOI, në
anglisht, do të thotë lodër. Kjo lojë si koncept e bërthamë nuk mbetet vetëm te
ky libër, por gjurmët e kësaj natyre i gjejmë edhe në botimet e fundit në këtë
gjini të autores, si te “Sa shtëpi ka dielli?” e “Pinguini Ping Ping Pi”,
ndonëse këto libra i përkasin një grup moshe më të rritur. Pra, në këto poezi
me këtë status, elementi lodërtar zë një hapësirë të konsiderueshme. Por
autorja duke i qëndruar besnike kësaj natyrë-poezie, edhe prozës (përrallës)
herë pas here nuk harron t’i fal “pjesë”, “sythe”, “gjethe” e “pjesëza”
lirizmi. Na vijnë në mendje shumë fragmente në veprat: “Si e gjete folenë, moj
dallëndyshe” e “Zogu Pup në shtëpinë prej xhami”, dhe na ngjan sikur po lexojmë
poezitë e autores.
Xhoi – Toi, realiteti dhe fëmijëria
Po
kthehemi përsëri te libri “Xhoi – Toi”. Tematika e poezive paraqitet me një
fytyrë të re, me larmi motivesh e rrezatim fantazie, me një fjalor interesant e
komunikim dashurie, me një qiell ëndrrash e bëmash të natyrshme e të
përligjura. “Xhoi – Toi si personazh i bashkon të gjitha vjershat. Vizatohet me
realizëm e besueshmëri në një realitet që enkas e krijon mosha dhe fantazia e
saj, por që më parë, të mos harrojmë, e ka “prekur” pena dhe talenti i
shkrimtares Mamaqi. “Prekja” ka krijuar një
realiteti të magjishëm, sepse i magjishëm është dhe personazhi i
krijuar. Në këtë vështrim është e pamundur të mos ndjesh mall për fëmijërinë
tënde, është e pamundur të mos thuash me nostalgji: “Ah, sikur të bëhesha edhe
një herë i vogël!” Në fund të fundit, pse të mos kujtojmë edhe fëmijërinë e
autores. Mos vallë fëmijëria aktuale e Xhoi-sit i ka sjellë gjyshes fëmijërinë
e saj apo dukuri të kësaj fëmijërie?.. Gjithsesi mendoj që këto dy fëmijëri
diku “takohen”, jo rastësisht, por si përligjje e si vazhdimësi organike e
qëndrueshmërie të trungut familjar. Ndaj, me të drejtë thuhet se: “ Vargjet e
Adelinës të vetmen qetësi shpirtërore e kanë kthimin në fëmijëri të vetë
poetes... Zëri i saj është një zë i veçantë i një krijuese e zhytur
emocionalisht në kohën e fëmijërisë, arti i së cilës në fakt është një shprehje
emocionale e pamjeve të përditshme nga bota e fëmijëve.”
Realiteti
artistik që përftojmë nga prania e tij në këtë vepër është larg përsëritjes së
librave të mëparshëm të poetes. Në këtë larmi autorja shpalos si gjithnjë
fuqishëm personalitetin e saj artistik. Për këto raporte: realitet artistik -
shkrimtar, studiuesi nga Kosova Faik Shkodra shprehet: “Adelina Mamaqi i fali
letërsisë për fëmijë vepra të vlefshme dhe shumë të dobishme. S’ka dyshim se
ajo është krijuese që me kohë ka kuptuar rregullat dhe ligjësitë, të cilat do
të duhej të respektoheshin në procesin e krijimtarisë letrare. Me fjalë të
tjera, ajo shkruan për probleme, për çështje, për dukuri e gjësende, që
objektivisht i përgjigjen botës dhe kërshërisë së fëmijës.”
“Xhoi – Toi”
është një personazh që të lë mbresë. Siç të lënë mbresë edhe plot poezi për
gjetje të befasishme brenda fabulës së krijuar, për detajet interesante me të
cilët operon, krijimin e një mjedisi floreal. Përmendim poezitë: “Xhoi – Toi”,
“Kush ta fali emrin?”, “Yll, o yll i vogël!”, “Xhoi do një... vjershë”, “Tri
pyetjet Xhoisit”, “Kjo lule dhe ti”, “Pyet, pyet... mos pusho!”, “Tring..
tring... telefoni!..”, “Xhois flet me Shibën”, “Nina – nana...”, “Xhoisin e
uron pranvera”, etj. I përmenda këto poezi, ashtu siç do përmendja edhe të
tjera, për të pohuar një tipar tjetër të autores, atë të origjinalitetit. Dhe
origjinaliteti i Adelinës sikur përkon me një përcaktueshmëri të tillë, se:
“Çdo krijues ka përpara realitetin, të cilin jo vetëm e sheh, por edhe e jeton,
pasi ai vetë është pjesëmarrës aktiv në transformimin e tij. Nga ky realitet ai
merr temat, subjektet, brumin jetësor, të cilin do t’ia japë lexuesit
artistikisht. Nga syri me të cilin e shikon këtë realitet, nga ajo që zgjedh
dhe veçanërisht nga mënyra si ua transmeton lexuesve varet shumë origjinaliteti
i krijuesit.
Kjo autore e
shikon realitetin me syrin e të vegjëlve, ashtu siç e shikojnë fëmijët, dhe kjo
është një nisje e mirë për të qenë origjinal.”
Xhoisi, në
këtë libër, ka universin e saj. Shëtit së bashku me lojën e saj (realizim i
produktit të imagjinatës), lojë që i fal gëzim, buzëqeshje e lumturi, kureshtje
dhe e zgjon të bëjë pyetje nga më të çuditshmet. Kjo e bën kumtin poetik të
komunikimit të figurshëm, me ngarkesë emocionale e me ngjyresë figurative. Kjo
ndodh, sepse: “... poetesha, më tepër se çdo figurë tjetër parapëlqen
metaforën, e cila jo vetëm freskon kuptimin e përgjithshëm të vjershës, por
edhe e thellon atë duke nxitur te fëmijët fantazinë për të zbërthyer
domethënien e vërtetë të figurës. Vizionet poetike dhe përfytyrimet që lindin
krijojnë imazhe të qarta poetike, konkrete dhe të sakta, zgjojnë efekte me
forcë të madhe psikologjike dhe emocionale mbi ndërgjegjen e lexuesit të
vogël.”
Një tipar tjetër i krijimtarisë së autores,
është edhe ai i shkrirjes së natyrës poetike mes shpirtit të shkrimtares
dhe shpirtit të personazhit. Ndërsa, po
ta shohim në planin njerëzor, ka bërë që “biseda” poetike mes autores dhe
Xhois-it, pra, mes gjyshes dhe mbesës të jetë në një ndërprerje rrafshesh: ku
intimja, shoqërorja, socialja etj., shquhet për një kod etik e mbresëlënës, për
një komunikim aq të dëshiruar edukativ, për një fjalor edukativ, për një fjalor
të pasur prej përralle, ku mbizotëron e magjishmja dhe e mrekullishmja.
“Jeta” e
Xhois-it jetohet përmes dy realiteteve. Realiteti i parë është ai i mjedisit
lodërtar, (ku njohja fillon nga e afërta dhe “udhëton” te më e largëta).
Realiteti i dytë është ai i mjedisit
jetësor (ku njohja fillon përmes marrëdhënieve me prindërit). Në këtë njohje
jetike për Xhois-in, shohim veprimet e saj “më të kontrolluara”, elementet e
para të formimit të karakterit, pëlqimet e mospëlqimet e saj, veprimet e
sinqerta dhe të pafajshme, botën lodërtare, e cila krijohet e ndërtohet nga
bota e fantazisë së saj, etj. Për ilustrim po nënvizojmë vargjet: ... jam gaz e
zemër, e bukur si barbi, jetë e nënës, dritë e diellit, nur i hënës, etj. ...),
në mjedisin imitues e onomatopeik (kujtojmë poezitë: “Pllash e Pllush!” e
“Bubi, Bubi!”, “Xhois flet me Shibën”, “Kukull, moj Edlirë!”), në mjedisin
njohës e dituror ( mendojmë që hyjnë poezitë: “Tri pyetjet Xhoisit”, “Pyet,
pyet... mos pusho!”).
Të tilla
modele, ku në qendër të veprës është personazhi kryesor, gjejmë si në letërsinë
shqiptare për fëmijë ashtu edhe në letërsinë botërore për fëmijë. Mjafton të
kujtojmë serialin e Veshkaushit të O. Grillos, Çufon e G. Bushakës, Çapaçulin e
D. Bubanit, Çaçon e S. Haskos, etj., etj., ; për të vazhduar me Pipin
çorapegjatën e A. Lindgren, Guliverin e Xh. Suift, Pinokun e K. Kolodit,
Çipolinon e Xh. Rodarit, Lizën... e L. Kerollit, Nils Holgersonin e S.
Lagerlëft, Piter Panin e Xh. Barrit, Bambin e F. Salten, Tom Sojerin e Hak
Finin të M. Tueinit, “Dhomën e vogël të librave” të Elenër Farxhon, serinë e
librave të bazuara në karaktere të veçanta të vizatuara për grupe të ndryshme moshash të Enid Mary Blyton, “Ninën...” e
Moony Ëitcher etj., etj.; për të vazhduar me personazhe të tillë proverbialë,
si: Rosaku i shëmtuar, Kësulkuqja, Borëbardha, Hirushja, Gishtoja, Bukuroshja e
fjetur, Maçoku me çizme, Xho Llolli, Lota etj., etj.; për të arritur deri te
“Enciklopedia” Harry Potter i J. K. Roëling, një personazh popullor, që ka
pushtuar mendjet dhe zemrat e fëmijëve të të gjithë kontinenteve.
Libra të
tillë, me personazhe të tillë, që i përmenda më lart, për vlerat që kanë
mbartur i kanë kapërcyer kohërat. Në këtë të vërtetë – emblemë është letërsia e
vërtetë. Bëmat, aventurat, historitë e fantazitë e tyre të rrëfyera
mjeshtërisht, jetojnë tok me emrin e autorëve që u dhanë jetë personazheve, të
cilët në rrjedhën e tyre letrare u bënë “pronë” e sa e sa brezave..., janë
“pronë” e së tashmes, gjithashtu janë “pronë” e së Ardhmes.
Në shtegtimin
e tyre këto libra kanë edhe një veçori shumë të rëndësishme se, ato nuk lidhen
vetëm me fëmijërinë e atyre njerëzve që ishin lexuesit e parë, por ajo
transmetohet, mbetet “e gjallë dhe aktuale” edhe tek fëmijëria e fëmijëve, me
po atë interesim, magji e kureshtje. I
parë në konceptin e kohës dhe të hapësirës, këto problematika, siç është
në këtë rast për letërsinë e vërtetë, mbetet
motiv i përhershëm: se interesat për librin nuk duhet të flenë, por duhet të
jenë gjithnjë zgjuar kur është fjala për kulturën dhe ardhmërinë e brezave. Se
librat e vërtetë nuk njohin plakje e flakje, ata ruajnë të fshehtat e misteret,
që në të vërtetë të parët i dinë poetët dhe shkrimtarët, por kur bien në duart
e lexuesit, përmblidhen në një emërues të përbashkët: Këto libra lexohen me
dëshirë, ëndje e kërshëri..., lexohen në çdo kohë, nuk i fshihen kohës,
komunikojnë me kohën, komunikojnë me ardhmërinë e saj.
Mendojmë se
këtë fat ka edhe libri me poezi “Xhoi – Toi” i shkrimtares Adelina R. Mamaqi.
Fati i personazhit Xhois nuk harrohet lehtë. Siç thotë autorja: “...shtëpinë e
mbush plot dritë!”... dhe vazhdon më tej: “Ti je jetë, / Je më shumë se ne
vetë!”
Në afro pesë
dekada, autorja Adelina R. Mamaqi krijoi raporte të ngushta me veprat që shkroi
deri tani, raporte që krijon natyrshëm shkrimtari me letërsinë që shkruan,
konkretisht për autoren, është letërsia për fëmijë e të rinj. Ajo derdhi
frymëzimin e saj. Në këtë frymëzim, përcaktoi poetikën e saj, që rrezaton nga
libri në libër. Dhe nga libri në libër, ndiejmë dhe atë pyetje që në vetvete është
e zakonshme, por për një poete me një potencë të tillë poetike, është gjithnjë
udhërrëfyese: “Ç’do të thotë të shkruash për fëmijë?” Dhe poetja që ka falur
jetën për këtë letërsi, përgjigjet: “Të shkruash për fëmijë do të thotë së pari
të kesh një talent të spikatur. Letërsia për fëmijë është pjesë integrale e letërsisë
së një kombi dhe shkrimtarët që e lëvrojnë, pa diferencim, janë shkrimtarët e
atij kombi. ... ... letërsia për fëmijë është një lule delikate, si vetë
lexuesit e saj.”
Gjatë leximit
të tekstit që na ofron shkrimtarja Adelina R. Mamaqi dhe qasjes së herë pas
hershme ndaj tij, mësojmë se, librat që ajo krijon, përmes mesazheve që përcjellë,
për të janë dhe u ngjajnë dritareve të shpirtit; të cilat janë shkruar për t’i
prirë lumturisë së vërtetë të fëmijëve, të ardhmes së tyre. Ja, se çfarë na
thotë autorja: “Me dritare i bëjmë shtëpitë / Të kenë ajër e diell e dritë //
Po një libër i bukur me fletë, / A e di, vogëlush, ç’mund të ketë? // Ai ka mbi
njëmijë dritare, / Të shikosh gjithë botën e madhe!
Lënda krijuese
e deritanishme e ofruar nga shkrimtarja Mamaqi e shquan një kod magjik, kod që
shenjon: ngrohtësi, çiltërsi, ngjyra, ëndrra të pafund që i ka vetë bota dhe
jeta e fëmijëve (edhe lexuesi i saj). Po rikujtoj dy vepra të hershme nga
krijimtaria e autores, për të cilat kritika letrare ka thënë: “ Një fantazi të
pasur e tërë veprim sjellin veprat poetike të Adelina Mamaqit “Orizi i
milingonave” e sidomos “Goni Trazovaçi”.
Duke vërejtur në kohë dhe në hapësirë librat që më pas botoi Adelina, gjatë
studimit tonë kemi vërejtur se këto dy parametra jo vetëm që nuk kanë humbur në
rrjedhën e procesit krijues letrar, por kanë ardhur duke u forcuar dhe marrë
ndjesi e përjetime interesante; sepse
çdo krijimi Adelina i jep një këndvështrim befasues. Befasimi është i lidhur me
natyrën e saj poetike, të cilën e shpalos përmes një dialog përrallor, si te
kjo vjershë që po citojmë: “Xhois, e vogla, porsi lulet, / Vjen pranë meje, do
të ulet. // Cicëron si dallëndyshe: / - A ke zemër ti, moj gjyshe? // -Zemra
ime, kam posi, / - A të ulem e të rri? // Xhois ulet, buzëqesh: / - Gjyshe,
thuajmë një vjershë! // - Zemër, sa të duash ti, / Gjithë librin tim të ri!
Koha e personazhit
Në marrëdhënien e saj, autorja i vë rëndësi
lëvizjes dhe kohës së personazhit. Për shembull: si jeton ai, dhe si jeton koha
e tij. Mendojmë se është më shumë se një marrëdhënie. Është kredo e
shkrimtares. Këtë e gjejmë në rrëfimin përrallor të procesit krijues të saj. Si
model po marrin përsëri figurën e Xhois-it. Nëpërmjet kësaj marrëdhënieje çdo
vjershë bëhet e afërt dhe e thjeshtë. Autorja rrëfen për personazhin. Zgjedh
fjalë, shprehje, situata; ofron struktura dhe detaje me ngjyresa sa më
figurative, të cilat brenda një konteksti të caktuar përcjellin mesazhin e
vjershës. Kjo është dhe arsyeja që, në krijimtarinë poetike të shkrimtares zë
vend të dukshëm edhe sistemi figurativ, si: metaforat, epitet, krahasimet, simbolet,
anaforat, enumeracioni etj.
Gjithashtu, në
këtë marrëdhënie, përveç lëvizjes dhe kohës së personazhit, autorja kujdeset në
mënyrë të veçantë në zgjedhjen e një gjuhe figurative që vihen në funksion të saj.
I beson personazhit! Kjo është arsyeja
se autorja i takon asaj aradhe poetësh që gjuhën metaforike në vjershë e kanë
njëherësh element parësor të kumtimit artistik dhe marrëdhënie bazale komunikimi
me lexuesin e vogël.
Në një vjershë
si kjo, sistemi figurativ është i “përhapur” në tërë strukturën e poezisë, por
ruan edhe një shpirtëzim (metaforë) të dyfishtë (në formë inversi): një
fëmijë-lule, një lule-fëmijë.
“Kjo lule ka
çelur që të jetojë / Ashtu si ti. / Kjo lule pret të rritet, / Si pret dhe ti.
// Kjo lule i gëzohet diellit, / Si i gëzohesh ti. / Kjo lule i përkëdhelet
puhizës, / Si prindërve ti. // Kjo lule ka dëshirë të jetojë, / Se, jetë ka si
ti. / Oh!.. Po e këpute, / Ti, / Nuk je më ti!”
Raporti shkrimtar - lexues
Adelina R.
Mamaqi i takon atij grupi shkrimtarësh që “bisedojnë” brenda tekstit ekzistues.
Për rrjedhojë, raporti shkrimtar – lexues, ka vlerën e jetëgjatësisë në
hapësirat librore, ku “lëviz” pareshtur loja, plot fantazi e magjike, e cila:
“..., në fakt, përbën veprimtarinë më të dendur e më kënaqësi-prurëse të
fëmijës.”
dhe “... fëmija arrin të vendosë fare mirë
një vijë dalluese mes kësaj botësie ( dhe është fjala për krijimin e botës
përmes lojërave të tij, - nënvizimi im, - Xh. B.) dhe realitetit, dhe argëtohet
duke i ndërlikuar objektet dhe situatat e imagjinatës së tij me objektet e
prekshme dhe të dukshme të realitetit.”
Pikërisht për këtë problem, pra për lojën,
m’u kujtua një shkrim i poetit dhe studiuesit Hasan Hasani. Teksa fliste për poetin
e talentuar të letrave shqipe për fëmijë Agim Deva, në mes të tjerave thoshte:
“Duke marrë të shumtën e herave lojën si objekt frymëzimi, ky krijues ka
arritur që krijimtaria e tij poetike të bëhet një lektyrë e këndshme, e
kërkuar, e domosdoshme për të vegjlit.”
Më lejoni të heq një paralele dhe ta “transferoj” thënien e studiuesit Hasani
edhe për krijimtarinë e Adelina R. Mamaqit, e cila e mbart të njëjtin tipar të
qenësishëm brenda krijimtarisë së saj.
Në tavolinën
time të punës dhe në bibliotekën personale kam gjithë librat e poetes Adelina
R. Mamaqi, ashtu si të shumë krijuesve të tjerë të letërsisë për fëmijë.
Arsyeja është e thjeshtë. Zgjidhjen e ka dhënë Federico Moccia, kur thotë: “
E gjej veten në faqet e shkrimtarëve që
dua, ...”.
I shikoj. Më
shikojnë. U flas. Më flasin.
Dua të kujtoj
edhe një dukuri tjetër të krijimtarisë poetike të Adelinës. Shumë poezi të saj kanë
në thelb embrione përrallash. Shumë poezi janë vetë përralla. Sepse bujaria dhe
lavdia e përrallës kanë dhe fshehin universin e një bote mrekulli-madhe të
fantazisë së saj. Shumë urtësi janë thënë për këtë gjini të moçme. Për shembull Mitrushi i Madh shprehet kështu:
“Ne të gjithë e thithim, të magjepsur, në vegjëli, që në djep ose sapo të ngritur nga djepi, e dëgjojmë me ëndje të
madhe në mituri e në të ri dhe e shijojmë rishtas e rishtas, me mall, në moshë
të thyer dhe në pleqëri.”
Kjo është
arsyeja që shumë poezi të Adelinës ngjajnë si piktura me fabula përrallash, ku
spikat natyrshëm karakteri figurativ që është në natyrën e poezisë së autores.
S’mund të kuptohet pa të. Në të kundërt nuk mund të flasim më për ngjyrë, dritë
e emocion, që gjithashtu janë
karakteristika të poezisë së Adelinës, e krijimtarisë së saj që “...
përvijohet në afinitetin e saj për të poetizuar e rrëfyer fenomene, ngjarje e situata
të ndryshme që i vrojton, i zbulon dhe portretizon në çaste të caktuara
frymëzimi.”
Po
sjellim një fragment poezie që ngjan herë si akuarel e herë si magji përralle:
“Diellin
e mbuloi reja
Me
çarçaf të madh te koka.
Zogjtë
struken te foleja
Edhe
kafshëzat te strofka.
........................................
........................................
Flenë fluturat mbi lulet,
Flenë
drurët nëpër pyje.
Hëna
i mbështolli supet
.....................................
.....................................
Përveç
karakterit figurativ, poezia e Adelinës shikohet dhe perceptohet edhe në këto
drejtime: *te thjeshtësia, *te ndjenja e
humorit dhe optimizmi, *te karakteri pyetës. Kurse studiuesi Hasan Ulqini
spikatjen e vlerave të krijimtarisë së autores e shikon edhe: “... në mënyrë të
veçantë (te) humori i lehtë (kujtoni “Goni trazovaçi”) në të cilin me aq pasion
dhe dashuri përshkruhet bota e bukur e fëmijës, gjallëria dhe optimizmi i tij.
Një vazhdim i tillë në ngjitje, gjejmë edhe tek libri “Bregu i kaltër”.
Lidhja
autore – lexues ndeshet edhe në ato vjersha, ku trajtesat artistike janë në
formë pyetjeje. Me të drejtë studiuesi Hasan Ulqini, thotë: “... Po mbi të
gjitha fëmijën e karakterizojnë pyetjen që bën. Ai duke hyrë në jetë me hap të
sigurt për ta njohur atë, vazhdimisht pyet.
... Adelina Mamaqi e njeh këtë natyrë të fëmijës... Tek Adelina Mamaqi,
fëmijët kanë gjetur poeten e dashur dhe të mirë. Ata i pëlqejnë me dëshirë
vjershat e saj, gjejnë botën e tyre (ajo është plot poezi).”
Shembujt
që kemi qëmtuar në disa libra të kësaj autoreje, sjellin një mozaik të tillë:
Nga
libri: “Mësoi Adi shkronjën A”
-
Kush është pranvera? (f.18)
-
Pse qeshte soba? (f.26)
Nga libri: Kaltëroshi, tekanjozi”
-
A lundrojnë varkat në rërë? (f.10)
-
Kush nuk di as “Hesht!”, as “Mos!”? (f.13)
-
Kush troket te dera? (f.22)
Nga libri: “Si thoni ju?”
-
Ç’faj ka skuadra jonë? (f.9)
-
Si thoni ju? (f.19)
-
Ç’bën kështu ti, moj Tanushë? (f.24)
Nga libri: “Pinguini Ping Ping Pi”
-
Si u lind Ping Pingu? (f.15)
-
Vogëlush, e di përse? (f.21)
-
Si të ngjitemi në re? (f.24)
Po të shohim natyrën e pyetjeve, do t’i
gruponim në këtë mënyrë:
-
Pyetje që formulohen dhe zënë vend, si: titull libri, titull poezie,
brenda vargut poezisë, apo si përmbyllje e poezisë.
-
Pyetje kurreshtare.
-
Pyetje humoristike.
-
Pyetje nxitëse.
-
Pyetje formuese.
-
Pyetje njohëse.
-
Pyetje dialoguese.
-
Pyetje konkluduese.
Bëj
përpjekjeve të bëj një përcaktim përfundimtar për vlerat e krijimtarisë së
shkrimtares Adelina R. Mamaqi. Çuditërisht, shkrimtarët janë përsëri ato, që të
parët më vijnë në ndihmë. Kujtoj një thënie të Mitrushit Madh: “Autori i përrallave është shkrimtari më i
madh dhe më i talentuar i gjithë kohërave, ...”.
Gjithashtu
bëj përpjekje të di se çfarë reflekton në krijimtarinë e autores Adelina R.
Mamaqi? Si përgjigje, po i referohem shkrimtarit, editorit dhe gazetarit Ramiz
Kelmendit: “Kjo poeteshë e madhe ka një shpirt të pasur me një imagjinatë të
papërshkrueshme, ku aq bukur i ka ilustruar veprat e saj, të cilat të fusin
thellë në ngjarje dhe të bënë të ndihesh si të jesh në mesin e personazheve të
saj. Kjo poete gjeti fjalët më të mirat për t’i thurur në veprat e saj. Gjeti
fjalët më të bukura për fatosat (fëmijët, - nënvizimi im Xh. B.) tanë, ku i dha
jetë dhe gëzim botës fëminore.
“Shkruaj që të
lexohem, ...” , - do të thoshte Anne Rice.
Këtë të vërtetë në poetikën e Adelina R. Mamaqit, e gjejmë të mishëruar në këtë
poezi
,
të cilën dëshirojmë t’ia bëjmë të njohur edhe lexuesit, në mbyllje të këtij
studimi:
.........................................................
Dhe pres një stinë, që ende s’ka ardhur,
Ku dielli i perëndimit të
shkëndisë,
E të ma ngrohë zemërzën e
mardhur,
Një xixëllim, një yll i
dashurisë.
Pa jeta vjen e më afrohet pranë,
Më thotë: “Jeto, jeto për të dhe
ca!
I thuaj fjalët që ende s’u thanë.
Dhuroji dashuritë e mëdha!”
Jetoj për të, me gjithë qenien
time,
Mbështetur si i verbëri te ai!..
Një dashuri, që kurrë s’më dha
zhgënjime,
Dhe s’më braktisi ende gjer
tani!..
Milano, 1999
Rama, Shukrije: Shpirti plot rubinë (studim, Vepra
letrare e Adelina Mamaqit), Rozafa, Prishtinë, 2007.
Nelaj, Milaim: Profile letrare (studime), OMSCA-1,
Tiranë, 2008; shkrimi: Kopshti i bukur i
vjershave dhe përrallave të Adelina Mamaqit, f. 9-15.
Moccia, Federico: “Kush jam...”, gaz. SHQIP,
22.10.2009.
Moccia, Federico: “Kush jam...”, gaz. SHQIP,
22.10.2009.
Në veprën “Bardhoshi Xhepkoshi”, të bëjnë
përshtypje funksioni dhe vlera e hiperbolës si figurë letrare e artistike.
Humbet në një botë përrallore, ku loja dhe rrjedhat e veprimeve, ngjarjet dhe
situatat janë të pa parashikuara, etj., etj.
Personazhi kryesor, Bardhoshi, pas përpunimit, ruan
freskinë e motivit të realizuar në këtë poemë-përrallë. Poemës, mbase është e
nevojshme t’i përmendim edhe një histori si kjo: “Në vitin 1966, Shtëpia
Botonjëse “Naim Frashëri” (Tiranë) boton librin “Xhepi i madh” i S. Marshak
(tregim në vargje për fëmijët e moshës parashkollore), përkthyer nga
shkrimtarja Adelina Mamaqi. Edhe pse do të kalonin vite, shkrimtarja –
përkthyese nuk do të shkëputej nga ky krijim dhe nga magjia krijuese e S.
Marshakut. Kështu, në vitin 2007, pas 41 vjetësh, sipas idesë së S. Marshakut,
Adelina R. Mamaqi boton librin “Bardhoshi Xhepkoshi”.”
Po si
paraqiten këto dy libra që i ndan një
kohë prej më se katër dekadash?
Modeli
Marshak. Autori e ka trajtuar fabulën
dhe subjektin pothuaj të njëjtësuar në zhanrin e tregimit në vargje. Është
kujdesur, veçanërisht, për mënyrën e të rrëfyerit dhe narracionin linear si vlerë e rëndësishme,
themelore e subjektit. Në këtë vështrim autori S. Marshak i ka mbetur besnik
konceptit të ndërtimit të një strukture, e cila mishërohet në një kompozicion
klasik, traditë e krijimeve të tregimeve (në vargje) me subjekt.
Modeli
Mamaqi. Autorja e ka trajtuar fabulën
dhe subjektin pothuaj të njëjtësuar në një shtrat përrallor. Ndryshe nga S.
Marshaku ka preferuar gjininë e përrallës. Një gjë të tillë e vërejmë te aventurat e njëpasnjëshme brenda
caqeve fëmijërore, që jepen e spikasin dukshëm përmes natyrës lodërtare.
Në poemën-përrallë, krahas
Bardhoshit, i pandashëm me të, është dhe “shoku” i tij, Xhepkoshi. Kjo marrëdhënie Bardhosh –
Xhepkosh paraqitet në poemën-përrallë përmes situatave gazmore.
Veçoria e parë e këtij krijimi
është raporti që shkrimtarja ruan me fëmijën. Ai është personazh, lexues, por
edhe personazh e lexues njëkohësisht. Si në të gjitha librat mëparshëm, edhe në
këtë libër që po shqyrtojmë, komunikimi dhe dialogu shquhet për natyrshmëri,
thjeshtësi, çiltërsi dhe gjuhë të pasur poetike.
Veçoria e dytë që dallojmë në këtë krijim është se,
edhe pse rrëfimi si ngjarje ka ngjyra e nuanca përrallore, nuk i mungon
konkretësia dhe informacioni artistik e
edukativ.
Veçoria e tretë që përftojmë është se, në rrjedhat e
historisë çudibërëse e në të papriturat e saj, Bardhoshi (personazhi real)
është gjithnjë përballë Xhepit (personazhi
ireal, i shpirtëzuar). Në këtë përballje
e “ballafaqim” artistik mes veseve e virtyteve, ata nuk mund të kuptohen pa
njëri-tjetrin dhe, skenë pas skene, ndodhi pas ndodhie me gabimet, rrëmujën,
ngatërresat, prapësitë, fantazitë, zhurmën, lëvizjet e shpenguara, etj.,
shpërfaqin tiparet, natyrën, mendësinë dhe psikologjinë fëmijërore.
Po si është parë personazhi i Xhepkoshit nga autorja Adelina R. Mamaqi?
- Për t’u bërë i besueshëm në marrëdhënie e në intrigë
me Bardhoshin, ky personazh është shpirtëzuar.
- Shpesh Xhepkoshi paraqitet në pozita pritëse. Me
zgjuarsinë e tij ai kupton të gjitha
veprimet, sjelljet e qëllimet e Bardhoshit, dhe për t’i zbuluar më tej,
ai nuk refuzon asgjë të tij, pranon të bëhet “magazinë”, pranon edhe epitete e
metafora, si këto: kosh, barkalec, etj.
- Paraqitja butaforike e Xhepkoshit zgjon perceptimin
dhe kërshërinë te lexuesi i vogël, të cilët duan të mësojnë sa më parë ngjarjet
që ndodhin nga “prapësitë” çudibërëse të Bardhoshit.
Në përfundim theksojmë se, në hapësirat e këtij libri,
loja ka rolin e saj dhe mbetet bërthama e poemës-përrallë “Bardhoshi Xhepkoshi”.
Kjo poemë-përrallë u kujton herë pas here lexuesve të vegjël lodrat, ngjarjet,
skenat ku pësimi bëhet mësim, fjalori i përdorur, etj., (përmes lodrës e
përrallës) që ndodhen në kopshtin e Bardhoshit. “Bisedojnë” dhe “komunikojnë”
me to. Si miq të ngushtë, krijojnë dhe realizojnë një “botë” dhe “realitet” tjetër, sigurisht më të bukur
e më madhështor se në realitetin e përditshëm, falë dëshirave e ëndrrave
fëmijërore, që një ditë edhe këtij realiteti ku jetojnë e rriten t’i falin
përrallën e moshës së tyre.
Ibishi, Ibrahim: “Magjia e shkrimit dhe përjetimi i
leximit”, Rozafa, Prishtinë, 2008, f.
82.
Po të vërejmë me kujdes krijimtarinë (poezi e prozë)
të autores Adelina R. Mamaqi, është e pamundur të mos “takohesh” me personazhe
të shumtë, që parakalojnë në faqet e tekstit të saj. Sigurisht, personazhe të
tjerë do të vijnë e do të pasurojnë librat e ardhshëm. Por them që, një
personazh do të jetë më jetëgjatë se të tjerët. Ky do të jetë Xhoi-s. Me
siguri, “njohja” me të, do të bëhet në “stacione të tjera poetike”: në subjekte
e fabulave të reja, në situata e rrethana interesante e të jashtëzakonshme, në
ndodhi e ngjarjeve të larmishme.
Libri “Xhoi-Toi” ka në përmbajtjen e tij 21 poezi. Dhe
mund t’i grupojmë në këtë mënyrë: a) poezi që kanë marrëdhënie të
drejtpërdrejtë me Xhoisin b) poezi që kanë marrëdhënie indirekt me Xhois-in.
Gjithsesi, direkt apo indirekt, aspektet dhe dukuritë që na ofrojnë poezitë
përmes problematikave të tyre, shpërfaqin botën, psikologjinë dhe realitetin që
krijon personazhi që “lëviz” në hapësirat e librit. I themi këto, se në faqet e
librit gjejmë disa struktura “bashkëbisedimi”, që janë ndërtuar si modele
vlerash për lexuesin e vogël dhe prindin e tij:
- Shenjat e komunikimit në mes (Autores (shpesh të
gjyshes) dhe personazhit. Për shembull: “fort e dua”, “e kam zemër”, “zemër”,
“e kam shpirt”, “jetë e nënës”, “Dritë e Diellit”, “nur i Hënës”, “... porsi
lulet”, etj.
- Shenjat e komunikimit të Xhois-it me autoren, si për
shembull: “Më zgjat doçkat”, “çuçurit”, “Se, jam gaz e dritë”, “Zilen, sa
dëgjon: / Tring... tring! ... Menjëherë, / Babin e shikon, / Doçkat zgjat: “Më
merr!”, etj.
- Shenjat e komunikimit të Xhois-it me mjedisin që e
rrethon, si për shembull: “O arush, o ari”, “Yll, o yll i vogël”, “ Lepurush,
dhe ti bëj nani”, “Fle me kukullën gusha-gushë...”, “Barbi zemra, edhe unë /
Kur më lajnë me banjo shkumë, / Fare s’qaj e as bëj zhurmë!”, “Kukull, kukull,
moj Edlirë, / Unë jam çupkëzë e mirë. / Sapo zgjohem në mëngjes / mamin, babin
përshëndes.”Bubi, bubi, mos leh shumë, / se kam kukullën në gjumë...”
Nga njëra vjershë në tjetrën, shohim si zbulohet bota e
Xhoisit, e cila “s’është lodër”, por është “e bukur si barbi” dhe zbulohet përmes realitetit që ajo krijon, që
nga marrëdhëniet e saj me ariun, yllin, lepurushin, kukullat, bubin, Shibën,
lodrat... e gjer te telefoni, etj., etj.
Xhoisi si personazh ka disa karakteristika që i zbulojmë
vjershë pas vjershe te ky libër, si: *imagjinatën e saj shkon sa drejt çudisë,
sa drejt befasisë, sa drejt paparashikueshmërisë... *ka intuitë të pagabuar *është
e zhdërvjelltë dhe e lirë në realitetet që krijon duke i besuar imagjinatës së
saj të pasur.
Si konkluzion: Çuditë e çudive, bëmat, lëvizjet dhe
veprimet e Xhoisit reflektojnë fatin e personazhit në këtë hapësirë poetike, e
thënë ndryshe në hapësirën jetësore. Dhe këtu duhet ta kërkojmë vizionin poetik
të autores, vizion që shpesh nuk e ndeshim në veprat letrare të letërsisë për
fëmijë e të rinj. Kështu që shkrimtarja nuk ka bën gjë tjetër, veçse shkruan
një pjesë të jetës së saj si shkrimtare-gjyshe. Ndaj, me të drejtë është thënë
jo vetëm për këtë libër, por për gjithë
krijimtarinë e saj se: “Adelina... shpalosi botën poetike, dhe nëpërmjet kësaj
bote të madhe ka bërë portretizimin dhe individualizimin e fëmijëve”.