Monday, October 27, 2014




            Xhahid Bushati

                 Drita e xixëllonjës
                        -përrallë-


            Ora e shëtitjes erdhi edhe për Xixëllonjën e vogël. Ajo doli nga guva dhe fap-fap ndezi fenerin.
            Xixë-xixa nisi të shëtiste e të ndriçonte me fenerin e saj hapësirat e pyllit. Në këtë orë pylli po flinte. Në këtë orë nata i falte qetësi pyllit. Veç një fllad i lehtë rrinte zgjuar dhe herë pas here, si lozonjar që ishte, i trembte dritën xixëllonjës. Xixa qeshte me flladin naiv. Ajo vazhdonte shëtitjen në pyll, pa trazuar gjumin luleve, gjetheve e zogjve.
Kur po i afrohej një shelgu lotues, papritur dëgjoi një zë të dobët, që i tha:
            - Të lutem, më ndihmo!
            Xixëllonja u tremb. Ndezi e fiku fenerin disa herë. U afrua. Ishte një rrëkezë e vogël që zhurmëronte pa pushim. Xixa e pyeti:
            - Përse nuk fle?!
            - Nuk mund të fle, se i kam dhënë fjalën një fidani gjelbërosh. Ai më pret sonte. Ai ka etje. Do të rritet. Kurse unë... u bëra vonë se humba rrugën,  nga që nata, sonte, erdhi pa yje e pa hënë. Më ndihmo, të mbaj premtimin!
            - Po, - tha Xixëllonja dhe i ndriçoi rrugëzën rrëkesë së vogël.
            - Drita jote qenka e çuditshme dhe magjike. Ajo m’i largoi edhe lotët nga sytë e mi, - tha rrëkeza, që udhëtonte e udhëtonte pa pushim.
            - Vogëlushja-rrëkezë, drita ime është e zakonshme. Ajo kurrë nuk shuhet e kurrë nuk zbehet, sepse nuk e mbaj për vete, por, për të ndriçuar e dritësuar të tjerët, - tha xixa dhe vazhduan udhën... 
            - Me dritën tënde, unë arrij te fidani në orarin e caktuar, ashtu siç i kam premtuar. Sepse, edhe pse e vogël, drita jote Xixëllonjë është e vërtetë! – foli rrëkeza, që nuk ecte, por kësaj nate vraponte... 


Shkodër, tetor, 2014



Friday, October 24, 2014




Xhahid Bushati

            Kam një shportëzë me mollë

            1.
            Vjeshta erdhi dhe iriqit
            na i dha një shportë me mollë,
            dhe i tha: - Të pret mësuesja, -
            mos vono, nisu në shkollë!
            2.
            Dhe gjembaçi ëmbël foli:
            -Ti më prit e dashur shkollë, -
            pa më prisni dhe ju, shokë,
            kam një shportëzë me mollë.
            3.
            Dhe u nis gjembaç iriqi
            thoshte rrugës: - Më prit shkollë;
            se ty klasë, shokë e bangëz
            do t’u vijë era mollë…
           
            Shkodër, tetor, 2014.
           

Monday, October 20, 2014



Përrallat lodërtare
                       
                                 Përse nuk zgjohej gjinkalla?




            Dielli u zgjua nga gjumi. Rreze të panumërta hodhi në pyllin e gjelbër.
            Rrezja e parë trokiti në folenë e Dallëndyshes.
            -Tak – tak, zgjohu!
            (Si thoni, a u zgjua Dallëndyshja?)
            Rrezja e dytë trokiti në folenë e Qukapikut.
            -Tak – tak, zgjohu!
            (Si thoni, a u zgjua Qukapiku?)
            Ndërsa rrezja e tretë trokiti në folenë e Gjinkallës.
            -Tak – tak, zgjohu!
            Gjinkalla s’i dha përgjigje.
            Atëherë Rrezja i tha:
            -U zgjua…
            (Cilët thoni ju…)
            Gjinkalla e përgjumur u përgjigj:
            -Zë, zë, zë, është herët akoma; dua të fle!
            Rrezja e dëgjoi sa e dëgjoi, dhe vendosi të pyes fëmijët:
            -Përse nuk zgjohej Gjinkalla?