Xhahid Bushati
Odhise K. Grillo -
shkrimtari i papërsëritshëm i letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj
(21 mars 1933 – 24 shtator 2003)
………………………….
një
fjalë kam me ty:
Ti,
që më pret e më përcjell
me
mall e dashuri,
M’i
ruaj, moj, si gjë të rrallë
ato
dy-tri kujtime,
që
kur të vij ta gjej të gjallë
fëmijërinë
time.
Odhise K. Grillo (Fëmijëria ime)[1]
Odhise K. Grillon, si shkrimtar, e
njoha që në fëmijëri. Kështu që fëmijëria ime pati privilegjin të bëhej edhe më
e bukur, sepse herë pas here e shtegtonte drejt fantazisë e ëndrrave lodërtare,
zëri i shkrimtarit të madh nga Vunoi.
Çuditërisht, pas shumë e shumë
vitesh, shkrimtari Grillo do t’i rikthehej fëmijërisë së tij dhe do ta
shenjtëronte atë nëpërmjet një cikli poetik, që do të ishte i pranishëm në një
libër me poezi[2],
ku: “Një nga motivet kryesore në këtë libër, siç del edhe
nga vetë titulli, është fëmijëria. Kthimi i poetit në të vërteton se largimi
nga ajo nuk mund të ndodhë kurrë. Vendlindja dhe fëmijëria janë kujtime të
cilat njeriun e shoqërojnë në jetë. Ato nuk shlyhen, sidomos kur janë të
lidhura me njëra-tjetrën.”[3]
Vëllimi poetik “Mollëkuqja e fëmijërisë” do të ishte dhe libri i fundit
në gjallje të tij.
Dhe kujtoj nga ky libër, në mes të tjerave, edhe këto dy fragmente
poezish:
...................
Më presin mijëra çerdhe
të fshehura diku...
Po çerdhja me kujtime
ku është vallë, ku?
Këtu mes qiparisash
ajo çdo vit më pret...
Si çerdhja me kujtime
asnjë fole nuk ngjet![4]
apo edhe atëhere kur
koha e fëmijërisë përmes simbolikës së asaj kandrrës së vogël[5],
bëhet kujtesë e pleqërisë:
.................................
Po unë sytë nuk i mbyllja dot,
se luaja me mollëkuqen
e fëmijërisë,
ajo si në ëndërr më del
edhe sot,
kur eci me tri këmbë,
duke trokitur trak e trok!
Mbështetur te shkopi i
pleqërisë.[6]
Pikërisht, edhe me këtë libër (atëherë i
sapodalë në qarkullim) më lidh dhe ai takim i paradites në një nga lokalet e
qendrës në Tiranë. Takimi (shpesh e risjell nëpër mend dhe e rijetësoi) ishte
jo i zakontë, kishte humor e të qeshura, dhe zgjati si orar më shumë se herët e
tjera. Më vonë, nga ajo çka mësova për
atë që ndodhi, kishte qenë takimi... i fundit me mikun tim dhe poetin e shquar
të letërsisë për fëmijë e të rinj Odhise K. Grillo.
Në këtë takim mësova
se, pas një jave Odhiseja së bashku me Vangjelonë, të shoqen, do të niseshin
për në SHBA, ku kishin një pjesë të shpirtit të tyre, tek e bija, Ani.
Në fund të takimit, para se të përshëndeteshim,
Odhiseja me humorin e tij karakteristik më tregoi se miku i tij i ngushtë,
shkrimtari humorist Dionis Bubani i kishte dhënë si dhuratë rreth 50 e ca fije
format A4, për t’i kujtuar se, duhet të na vish patjetër me një vepër të re.
Por...
Dua ta përsëris
trishtueshëm se, ishte biseda e fundit e një takimi të fundit... Kur e përmend,
nuk dua ta besoj. Nuk e pashë më. As nuk do ta shihja..!
Por... shpesh, për arsye të studimeve të mia në
fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj, shfletoj herëpashere librat e tij.
Sikur më shfaqet i “gjallë”, aty, pas një gërme, pas një shkronje, pas një
vargu, pas një... Dhe kam menduar gjithnjë se kjo është përjetësia e veprës dhe
pavdekësia e shkrimtarit. E zë të bisedoj me të... Më saktë kam nevojë të
bisedoj me të... Dhe bisedoj vazhdimisht me të... Siç thotë liriku i shquar
Xhevat Beqaraj: “Po Odhisenë nuk e kemi më, e mallin do ta shuajmë me kujtimet
që i ruajmë për të e me librat e shumtë, se shumë shkroi ai e, në çdo gjini që
provoi veten, mbetet një krijues i denjë i letërsisë për fëmijë.”
Mbase biseda nis edhe nga biografia e
shkrimtarit, aty ku zë fill rrënja, historia, pema gjenealogjike apo tradita e
tij familjare... Po e nis kështu: Çuditërisht njoha një shkrimtar që thoshte:
“... pat (ëm) një fëmijëri pa libra.”[7]
E, që, në vazhdim thoshte: “I lexuam e i rilexuam me dhjetra herë ato katër –
pesë libra të përkthyer të Kolodit, Kërellit, Molnarit, De Amiçisit, Gajdarit.
... Të gjithë këto libra, që nga viti 1945 e gjer më sot (origjinalë e
përkthime, në prozë e në poezi) jo vetëm i kam lexuar e rilexuar por për çdo
njërin prej tyre kam shënime e mendimet e mia për të mirat dhe dobësitë që
kanë. Herë pas here u kthehem librave e shënimeve dhe shoh gjërat që më
interesojnë, veçanërisht ato që lidhen me botën e të vegjëlve dhe me probleme
të mjeshtërisë. Kështu mësoj në të dy drejtimet, nga të gjithë shkrimtarët.”[8]
Të gjitha këto detaje që përmend krijuesi
Grillo, fare mirë, dhe nuk gabojmë t’i quajmë “të pathënat”, të cilat i di vetëm shkrimtari, të cilat nuk duhet të
mbeten mister për lexuesin. Ato duhet të shpalosen, sepse, kështu, plotësojnë
më mirë portretin e shkrimtarit; individualiteti i tij krijues merr një
hapësirë më dimensionale.
Në fillim të kësaj sprove, përmenda Fëmijërinë time. Jo më kot. Jo se ajo
ishte vetëm hershmëria më e lumtur e jetës sime; por edhe për një fakt tjetër
që lidhet pazgjidhshmërisht me të:
shkrimtari Odhise Grillo shkroi gjatë gjithë jetës së tij për
fëmijët. Dhe më ngjan absulutisht e vërtetë: Çdo vit i jetës së tij “u zbardh”
dhe “u thinj” për letërsinë për fëmijë. Korpusi i veprave të tij dhe botimet e
pafund tregojnë se, i deshi shumë fëmijët, jetoi me ta, jetoi për ta, zemra
gjer në çastin e fundit rrahu për ta... Kjo mbase është arsyeja që, si
shkrimtar në çdo krijim që sillte, tregonte njëherazi edhe përpjekjet e tij që
ta njihte sa më mirë e sa më thellë botën dhe psikikën e fëmijëve, tregonte
edhe talentin e tij. Një refleks të tillë e gjejmë edhe te kjo poezi që po
citojmë:
I thotë malit: - Shtrihu! –
Dhe ai shtrihet,
I thotë fushës: - Ngrihu! –
Dhe ajo ngrihet,
I thotë gjolit: - Thahu! –
Dhe ai thahet,
I thotë gurit: - Çahu! –
Dhe ai çahet,
I thonë ditës: - Zgjatu! –
Dhe ajo zgjatet,
I thotë zemrës: - Hapu! –
Dhe ajo hapet.
Një gjë fëmija të kërkojë
Në çast ndryshon
Sikur të ish lojë![9]
Ndaj, çdo libër që mbante emrin e tij, ishte me
vlera e cilësi artistike, ndonëse thoshte: “... librat për fëmijë, nga volumi i
mban edhe zogu në sqep, por jo nga vlerat...”[10];
por, ama, vazhdonte prapë të thoshte: “Sado të pasura e të bukura të jenë
mbresat e kujtimet që mbart shkrimtari nga fëmijëria e vet, ato janë shumë të
varfra e të kufizuara në krahasim me botën e madhe e të pasur të fëmijëve
bashkëkohorë.”[11]
Emri i Odhise K.
Grillos, me të tjera vepra që do të vinin, “bisedoi” edhe me adoleshencën, më
pas me rininë time, më pas..., derisa erdhi ai takim i parë i shumëpritur me
shkrimtarin e shumë ëndërruar...
Isha akoma student, kur dorëzova për botim një
vëllim me skica e tregime të titulluar
“Dita e parë e dëborës”, në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Ishte viti
1975.
Takimi, ndonëse i parë
me shkrimtarin Odhise Grillo, ishte shumë miqësor, aq miqësor, sa më dukej
vetja se njiheshim prej vitesh. E mbaj mend, si tani, kishte veshur një xhaketë
me kuadrate dhe në kokë mbante një fes francez, siç i themi ne nga Shkodra. Teksa
bisedonim, e vëreja herë pas here me kujdes. Rrezatonte mirësi. Por, se si më bëhej a se si më
dukej se, herë pas here buzëqeshte si hidhur. Nuk e di pse, po… sikur një
hënë e zbehtë i pushonte mbi fytyrë. I jepte një pamje paksa trishtuese. Nuk
mund të thoja asgjë, nuk mund të bëja dhe një pyetje, nuk mund të
bëja qoftë edhe një krahasim, sepse ishte hera e parë që e takoja. Në raste të
tilla takimi me shkrimtarin, siç ishte Odhiseja, ishte një
privilegj. Dhe privilegji nuk duhet humbur. Në të shumtën e rasteve ruan vlerën
e margaritarit. Ishte “...ky njeri i madh, (që) kishte hyrë në botën e
fëmijëve, në ëndrrat dhe imagjinatën e tyre. Ndaj prej shpirtit të tij buronte
mirësi." [12]
Ndjesia për shkrimtarin e shumë ëndërruar që më në fund u
bë realitet, m’i largonte edhe ato pak re dyshimi që shfaqeshin në fytyrën e
tij. Megjithatë…
sikur diçka nuk shkonte... Këtë e mora vesh më vonë... Më
erdhi keq, shumë keq sa një hënë pikëllimi ra në sytë e mi.
Brengosjen, dramën tragjike që ia shkaktuan të tjerët, e
më pas paparacët, ma fshehu me shumë dinjitet. Nuk u dha për asnjë çast para
meje. Më ka mbetur në mëndje: mënyra se si më fliste, se si më pyeste, si
interesohej, si kujdesej e si më këshillonte. T’ju
them të drejtën, atë
ditë, me mua nuk ishte kush. Fjalët e urta të shkrimtarit Odhise K. Grillo (të cilat i ruaj edhe sot e kësaj
dite) më dhanë krahë, ndonëse ishte libri im i parë.
Mbi të gjitha ishte
komunikimi shumë i bukur e me dimension njerëzor, që përfshinte edhe vlerat e
librit tim të parë, aq vlera sa mund të kishte ai. Këtë moment s’e harroj!
Kur u ndamë, më siguroi se, patjetër, njëri nga recensuesit e librit do të ishte poeti i
mirënjohur Xhevat Beqaraj, dëshira që ia shfaqa gjatë bisedës. Me Xhevatin[13]
kisha një njohje të vjetër, që edhe sot e kësaj dite e mbaj si diçka të vyer
dhe të shtrenjtë.
Odhisea, edhe pse
ishte shpirt trazuar, amanetin ma kreu.
Teksa ecja rrugëve të Tiranës me emocionin e dorëzimit të
librit të parë, ndoshta edhe të botimit, të një takimi të shumëpritur me një
shkrimtar të dëgjuar, se si më bëhej dhe, ktheja kokën herë pas herë pas, se
mos e takoja përsëri atë njeri, me të cilin doja të vazhdoja bisedën... ta
vazhdoja... ndoshta gjer në pafundësi.
Takimi me shkrimtarët gjithmonë janë një shpresë dhe
ëndërr e bukur!.. Veçanërisht, kur ato realizohen, marrin dimension dhe
thellësi përjetimi. Aq më shumë, kur nuk e ke pritur e, shkrimtari i shumë ëndërruar me gjestin e tij normal dhe fisnik
të fal si vlera tiparet e tij njerëzore: thjeshtësinë, modestinë dhe
komunikimin miqësor. Dhe për këtë, shumë vite më vonë solla një nga urtësitë e
novelistit Mario Vargas Llosa, të cilën dua ta shënoj në këtë sprovë letrare.
Ai thoshte: “Prirja për të shkruar, për mendimin tim, është pikënisja e bisedës
sonë, për atë që të emocionon dhe të turbullon: pra, si të bëhesh shkrimtar.
Kjo është pa dyshim një punë e mistershme, e mbështjellë me dyshime dhe
subjektivizëm.”[14]
Gjithashtu,
mu kujtua, miku im, shkrimtari dhe studiuesi i talentuar nga Kosova, Xhevat
Syla, i cili e përshkruan ngrohtësisht takimin me Odhisenë.
“Me Odhise Grillon për herë të parë u takova në Tiranë, në njërën nga shkuarjet e
mia atje që nga viti 1992. Na takoi Skënder Zogaj, në një restorant afër
ndërtesës ku dilte “Rilindja” e ndaluar në Kosovë, e ku Skënderi redaktonte
faqet e fëmijëve. Ishte një gëzim i veçantë për mua kur Skënderi më tha se
nesër do të takohesha me Odhise Grillon. U takuam si dy miq të hershëm që nuk
ishin parë gjatë. Odhiseu u bë imi me gjithë shpirtin, familjen e shtëpinë e
tij. Edhe para se të takoheshim, edhe derisa po bisedonim me shumë dashuri me
njëri-tjetrin, vazhdimisht më kujtoheshin fjalët e Vehbi Kikajt, që m’i pat
thënë diku në vitet shtatëdhjetë: “Nga
Shqipëria jam kthyer edhe më shumë i pasur për shumë miq-vëllezër”. Të njëjtën
gjë tash, pas shumë vitesh, e përjetova dhe unë.” [15]
E në këtë vazhdë kujtimesh që u ngjajnë yjeve, që nuk
bëhen kurrë meteor, dua të shkëpus njërin prej tyre: “Gjithashtu me rastin e
përvjetorëve të lindjes së Odhisesë nga miq e kolegë të tij janë thurur edhe
vargje, çka ndodh rrallë me krijuesit. Kështu, me rastin e 60-vjetorit
shkrimtari nga Kosova Rifat Kukaj ka thurur poezinë me titull: “Kur bisedoj me
vëllanë Odhise”, ku burojnë nga zemra e tij e madhe edhe këto vargje për
vëllanë, shokun, mikun e tij:
Kur bisedoj me vëllanë Odhise në telefon,
Çdo gjë dridhet në tokë e në ajër,
Këtu e në detin Jon.
-
Alo, të
gjithëve ju puth me mall,
Do vini në Tiranë?
Si i kam vëllezërit shkrimtarë?
Po kolopuçët kosovarë?
Kur bisedoj me Odhisenë,
Në shpirt ndiej harenë
E loti më djeg në qepallë,
E zemra më regëtin:
Dëshira për ta takuar përsëri shkrimtarin Odhise Grillo
më shoqëroi, edhe kur shkova pas disa muajsh për t’u interesuar për librin tim
se në ç’fazë gjendej ai, ndonëse për “përkujdesje” kisha lënë një nga shokët e
mi të fëmijërisë, Hamidin, të cilin sa herë që e takoj, më shfaqet para syve
libri im i parë dhe amaneti i kryer prej tij plot devocion. Por... si shefe e
redaksisë më doli para një grua, e panjohur, por shumë dashamirëse. Quhej Liljana
Cukalla. E dija që shkruante tregime për fëmijë. (Më kishte mbetur në mendje,
veçanërisht tregimi: “Një grusht kripë.” Më erdhi e papritur. Dhe... sikur
s’doja ta besoja... se ai njeri nuk do më dilte përpara. Se në korridoret e
redaksisë së fëmijëve do të mungonte zëri dhe hapi i tij. Para se të pyesja për
librin tim, e pyeta për Odhisenë. Ajo, jo pa shqetësim, më tregoi se çfarë i
kishte ndodhur... Di që mes nesh shfaqi perandorinë heshtja dhe keqardhja. Di
që nuk fola. Nuk foli dhe ajo. Di që edhe heshtja ime ishte e pikëlluar, si ai
pikëllimi që bart poeti i talentuar Frederik Reshpja[17]
në poezitë e tij. Di që heshtja hyri në kuvlinë e vetmisë për të mos e trazuar askush.
Qante shpirti im...
U kujtova se, takimi i parë më të i asaj dite qershori, kishte
qenë dhe dita e fundit e shkrimtarit Odhise K. Grillo në Shtëpinë Botuese “Naim
Frashëri”. Atë e kishin dënuar për vjershën “Syzjarret partizane”.
Dikush
lart në piramidën famëkeqe e kishte lexuar. E kishin thirrur urgjent në
Komitetin e Partisë. Aty i kishin thënë se ke djegur simbolet e komunizmit. Të
nesërmen, me gjithë familje e nisën në rrethin e Elbasanit, ku qëndroi pesë
vjet. Iu hoq e drejta e botimit për dy vjet, iu hoqën të gjithë librat dhe emri
nga tekstet letrare, nga bibliotekat dhe iu kthyen në karton dy libra, një
përmbledhje me katër novela të zgjedhura që ishin në shtyp gati për të dalë. Ky
moment tragjik i jetës së këtij poeti të talentuar, shkrimtari Fatos Kongoli e
ka shprehur kështu: “Edhe ky, (është fjala për Odhise Grillon, - nënvizimi im
Xh. B.) në të njëjtën epokë çmendurie, i dënuar, i përzënë nga Tirana për të
punuar në Elbasan, i privuar nga e drejta e botimit për disa vjet, për shkak të
një vjershe të vetme për të vegjël. Kjo na i paskej ngacmuar nervat diktatorit,
këtij paranojaku, që gjente kohë të merrej edhe me vjershat për fëmijë dhe të
lëshonte rrufe.” [18]
Nuk u mjaftoi tragjizmi që i krijuan në jetën e në
shpirtin e tij, por e luftonin në mënyrë të pandërprerë që të harrohej si
krijues. Por kishin harruar se hëna e Vunoit shkëlqen më shumë me bukurinë dhe
madhështinë e saj, pikërisht atëherë, kur në det shfaqen dallgët egërshane. Më
magjinë, bukurinë dhe poezinë e saj ajo sfidonte përherë kryeneçësinë e
dallgëve që thërrmoheshin shkëmbinjve të Vunoit dhe ktheheshin në stërkala të
pavlefshme. Kështu ndodhi dhe me Odhisenë. Në vitet që do vinin shkrimtari do
të bënte për vete mijëra lexues të vegjël, e për rrjedhojë figura e tij si
krijues do të ridimensionohej vazhdimisht...
Një nga tiparet e shkrimtarit Odhise K. Grillo ishte se
ai i respektonte krijuesit e rinj. Nuk vinte mure me to. Shkrinte moshën e tij
me tyren. I quante “kolegë” dhe kështu niste një miqësi të re. Kështu filloi
edhe e jona që zgjati gjithmonë, deri në ikjen e tij... Ishte miqësi e lidhur
prej afro tre dekadash. Një miqësi që u shoqërua edhe me një varg të pafund
kujtimesh, të cilat i kam të paharruara.
Me mikun tim Grillo, (tashmë ai më ka lejuar ta quaj
kështu) miqësia, vit pas viti erdhi duke u forcuar. Kjo miqësi la gjurmë dhe u
gdhend në kujtesën time. Për këtë unë jam fatlum dhe njëkohësisht i jam
mirënjohës tërë jetën, sepse mësova shumë nga shkolla “Grillo”. Vitet e
miqësisë më bënë të njoh natyrën e tij, karakterin, heshtjen e mirësinë..., mbi
të gjitha zemrën, e cila ishte portë ku hyje pa trokitur e që rrahu deri në
çastin e fundit për letërsinë për fëmijë. I dha gjithçka asaj, bile edhe jetën
... “Odhiseja ishte shpirti, zemra, melodia, kënga, loti, ngjyra dhe gjaku i
fëmijëve.” [19]
Shkrimtari Odhise K. Grillo lëvroi me sukses të gjitha gjinitë
e zhanret e letërsisë për fëmijë, në të cilën la gjurmë e vlera të rëndësishme.
Si i tillë, për vlerat që dha, meriton fjalën prindërore: “Babai i letërsisë për fëmijë”. Me të drejtë studiuesi Astrit
Bishqemi thotë: “Shkrimtari Odhise Grillo është njëri nga ata që vunë gurët
themeltarë në letërsinë tonë për fëmijë të Pasçlirimit, një nga personalitetet
e saj.”[20]
Për korpusin e madh të veprave
që la (të cilat janë mbi 130), Grillo është një nga krijuesit unikalë në
Shqipëri që zor se do të arrihet... Nderim, Profesor! Se “Veprat e Odhise
Grillos janë shkruar në kohë dhe situata të ndryshme. Secila vepër, në mos me
tërësinë e saj, së paku me pjesët e thurura me mendime e stil figurativ
arsyetojnë shenjën dalluese të kohës.” [21]
Për këtë kontribut të
vlefshëm, shkrimtarit të mirënjohur Odhise K. Grillo, sikur i shkon për shtat
urtësia e Horhe Luis Borhes, i cili thotë: “... për mua të shkruarit është e
vetmja mënyrë për të jetuar.” Dhe në këtë rrafsh Odhiseja “...ka ndjekur dhe ka
plotësuar kërkesat e fatit të shkrimtarit”.
Dhe “fatin e këtij shkrimtari” në
procesin krijues e letrar, e ka studiuar dhe analizuar më mirë se kushdo
studiuesi dhe shkrimtari Astrit Bishqemi. Optika e tij, veçanërisht, në fushën
poetike (poezi dhe poemë) jo vetëm paraqet interes për rrugëtimin letrar të
poetit Grillo në konteksin historik në të cilat janë shkruar veprat, por është
një model shkencor se si zbërthehen imtësisht dhe evidentohen vlerat në
krijimtarinë e bollshme të këtij autori. Për këtë spektër të gjerë poetik, studiuesi
Bishqemi si një nga njohësit më të mirë të letërsisë shqipe për fëmijë e të
rinj, bën këtë definicion që për mua është i saktë, kur thotë se veçoritë e
poezive të Odhise K. Grillos, duhet t’i kërkojmë: “Në radhë të parë (te)
gjerësia e larmia e motiveve që trajton, e temave që kap. Ato janë nga natyra e nga bota që e rrethon fëmijën, nga
jeta e tij në familje, në kopsht, në shkollë e jashtë saj. Nga historia e nga
jeta që zjen përreth.”[22]
Për këtë autor ruaj mendimin se,
shkëlqimin më të madh e pati te poezia, në mënyrë të veçantë te poemat “...
poet që shkëlqeu në poemat për të vegjlit.”[23]
Do të kujtojmë: Balada e Burrave të Vunoit”, një perlë e letërsisë shqiptare
për fëmijë e të rinj.
Por shkëlqimet e
rrezatimet nuk mungojnë. I kërkojmë në krijimtarinë e tij dhe i gjejmë të
përmbledhura në konkluzionet e shkrimtarit Skënder Hasko, i cili thotë: “Si në
poezi ashtu edhe në prozën e Odhise Grillos bie në sy fabula, e cila shërben si
një strumbullar për ta ndërtuar “ngrehinën” e poezisë, përrallës, tregimit apo
novelës, për të shpurë te lexuesi atë që i ka vënë vetes si qëllim. Dhe këtë e
arrin me plot sukses. Në të gjithë krijimtarinë e këtij autori, tepër të
suksesshëm, takojmë humorin, i cili, në krijimtarinë për fëmijë, ka një vlerë
të veçantë. Ky humor qëmtohet midis fëmijëve dhe, duke u filtruar e përpunuar
në procesin krijues të shkrimtarit, u rikthehet atyre i ngritur në art. Këtu
vijmë të një veçori tjetër e Odhise Grillos: te cilësia e lartë artistike, të
cilën nuk e neglizhoi kurrë. Në vëmendjen e tij ka qenë dhënia e njohurive,
duke përfshirë të gjitha fushat, jo vetëm ato të jetës njerëzore, por edhe të
florës e faunës.
Kështu, lexuesi, te
çdo krijim i Odhisesë gjen diçka të re, diçka që e mëson, që i pasuron dijet.
Por, edhe këtu, ky shkrimtar ka bërë kujdes të veçantë për karakterin argëtues
të krijimeve të tij. Ai ka realizuar më së miri katër kërkesa të domosdoshme të
krijimtarisë për fëmijë: që ato të kenë cilësi të lartë artistike, të kenë
karakter njohës, të kenë karakter edukues dhe argëtues.”[24]
Pas viteve ’90 e derisa iku nga kjo botë, shkrimtari
Odhise K. Grillo pati botues kryesor Shtëpinë Botuese Toena, botime të cilat i
vazhdon edhe sot e kësaj dite duke i falur vlera cilësore letërsisë sonë për
fëmijë dhe njëkohësisht jetëgjatësi shkrimtarit. “Dhe letërsia e sotme është më
e varfër, më e hollë dhe më e zbehtë pa punën dhe mësimet e përvojën e
Odhisesë.” [25]
Botimi i kohëve të fundit, nga kjo Shtëpi Botuese i katër
vëllimeve me përralla të zgjedhura[26]
nga spektri i gjerë i krijimtarisë së autorit Grillo, riafirmon kontributin e
tij të vyer në gjininë e përrallës. Përmbledhjet përrallore ravijëzojnë jo
vetëm individualitetin e Odhisesë në këtë fushë
fort të dashur, por edhe
evidentojnë konceptet e tij estetike të përrallës së shkrimtarit, që
përgjithësisht si përrallë u ndërtua, u mbështet apo u përshtat mbi tharmin e
përrallës sonë popullore.
Përmenda gjininë e përrallës, sepse qysh në hapat e para
të krijimtarisë letrare e ka lëvruar atë. Po t’i referohemi shifrave, do të
thoshim se ka botuar rreth 15 libra me përralla. Në fillim përrallën në vargje,
më pas atë në prozë, që daton rreth viteve ’50. Në këtë periudhë përralla (në
prozë) është e vogël në numër botimesh. Libri i parë është ai me titull “Shtatë
ngjyrat” (1954). Më pas boton “Kush e ka kapuçin?” që përmban tri përralla.
Në
vitet që do të vijnë, gjinia e përrallës merr përparësi në krahasim me gjinitë
e tjera. Këtu shënohen një varg botimesh të Odhisesë; “Gabimet e Veshkaushit”,
“Vëllai i Veshkaushit”, “Shokët e Veshkaushit”, “Miqtë e Veshkaush Llapushit”,
“Të fala nga një dhelpër”, dhe dy përmbledhjet me nga pesëdhjetë përralla
secila, me titujt: “Hajduti me çizme” dhe “Dy gomarë këngëtarë”; “Shtriga që
prodhonte... gomarë”, “Binjakët me pika në faqe...”, “Shoqata “Me lugë në
gojë...””, “Kur këndon guguftuja” (përralla të zgjedhura 1, 2), Dredhitë e
Picimulit” (përralla të zgjedhura), “100 majmunë zbardhin dhëmbët”, “Gënjeshtra
që kishte bisht miu” (përralla të zgjedhura), “Thëllëza këndon për ketrushët”.
“Mollët
magjike” është libri i tetë me përralla në prozë i këtij autori. Në të janë
përfshirë përralla të shkruara qysh nga viti 1992 e gjer më sot dhe të
pabotuara. Sipas autorit Grillo: “Shumica e tyre janë krijime origjinale. Në
mes tyre ka edhe përralla popullore të rikrijuara, disa përralla shkencore (ky
lloj është shumë i përhapur në letërsinë botërore për fëmijë në ditët tona), e
së fundi ka edhe përralla të tjera të dëgjuara apo, të lexuara që m’i kanë
treguar shokë, miq, etj.”
I gjithë ky rrëfim i autorit lidhur me natyrën e këtij
libri me përralla lidhet me konceptin e tij për këtë gjini, se përrallat ashtu
si edhe gjëzat, këngët,... janë udhëtare, pra, udhëtojnë subjektet. Një dukuri
e njohur dhe e natyrshme për letërsinë për fëmijë dhe të rinj.
Po të vështrojmë me kujdes korpusin përrallor të
përrallëtarit Odhise K. Grillo, do të evidentojmë disa veçori, të cilat janë:
*Përrallat shquhen për personazhe e situata humori, për
një qasje të shumëllojshme të frazeologjisë popullore, ku shpalosen urtësitë e
virtyte të popullit tonë.
*Përrallat, shpesh, nuk u rrinë besnik gjinisë. Mbartin
elementë të tregimit dhe anasjelltas. Ndjejmë të pranishëm ndërthurjen e
elementëve realë me ato fantastikë.
*Zhvillimin e përrallës shkencore. Bëhet pjesëtarë i
denjë i grupit të shkrimtarëve, si: Bedri Dedja, Naum Prifti, Adelina R.
Mamaqi, A. Bishqemi, etj., që lëvrojmë me sukses këtë zhanër.
*Prania
e personazheve, si: magjistari, magjistrica, shtriga, shtrigani, engjëlli,
djalli etj., që siç thuhet me të drejtë në sistemin soc-realist ishin “mollë e
ndalueme”.
Dashurinë
ndaj letërsisë për fëmijë, po edhe ndaj lexuesve të vegjël, shkrimtari Odhise
Grillo e shpreh edhe me rikrijimet e shumta që u bën veprave të dalluara të
letërsisë sonë dhe të asaj botërore. Ai u kujdes që fëmijës shqiptar t’ia bëjë
aq të afërta veprat si “Don Kishoti i Mançes” të Servantesit, “Historinë e
Skënderbeut” të Naim Frashërit, “Lahutën e Malsisë” të Fishtës, Epin e
Gilgameshit të rikrijuar me titullin “Kur njerëzit kanë bisht”, “Odisenë” e
Homerit etj.” [27]
E,
duke iu rikthyer herë pas here veprave të shkrimtarit Odhise K. Grillo, nuk
kam se si të mos u kthehem shënimeve
dhe skedave të mia që kam mbledhur e mbledhë gjithnjë në shërbim të shkëlqimit
të vlerave të kësaj krijimtarie. Në njërën prej tyre lexoj këtë shënim: “...Së
shpejti del një libër me titull “Libri i çudirave”, i cili është në procesin e
botimit. Shtëpia botuese “Toena”, ku ai ka qenë redaktor, ka marrë përsipër të
botojë veprën e tij të plotë. ...”[28]
Dhe
pas dy vjetësh nisa “bisedën” me poemën “Libri i çudirave.” [29]
“Libri
i çudirave” ka një konceptim dhe strukturim, të cilin autori nuk e ka përdorur
në librat e mëparshëm të tij, të zhanrit humoristik, zhanër që e lëvroi me
sukses, veçanërisht, në gjininë e poemës. Prirja e tij për larmi e forma të
reja, dhe, që librat mos t’i ngjajnë njëri-tjetrit, mbetet një dukuri e njohur
e personalitetit të tij artistik. “Çuditë” brenda faqeve të librit ndodhin në
një hapësirë të madhe gjeografike. Në vetvete janë unike. Por, për arsye të një
pauze të nevojshme, autori i ka ndarë me
një intermexo, në të cilën mësojmë se çuditë ia ka thënë i nipi, Odi i ri, dhe
se ky binom Odi-çudi është i pranishëm në çdo vjershë ( që në tërësinë e vet
kanë portretin e poemës), si elementë të domosdoshëm të një bashkëbisedimi sa
më të afërt me lexuesin e vogël.
Rrëfimi
përrallor e lodërtar, mbushur me skena humori e fantazi “të pabesueshme”,
ndonëse shpesh përkojnë me dukuri të realitetit, shoqërojnë si “pjesën” e
parë ashtu edhe “pjesën” e dytë të
çudive, të cilat, këto të fundit, ofrohen më shumë me përrallëzat dhe shfaqin më konkretësi në drejtim të
ndërtimit më të kujdesshëm të fabulës.
Libri përfundon me një strofë, të cilën e ka titulluar: “Dhe dalje...” që, krahas rolit të lajtmotivit, autori gjithsesi u
pohon artistikisht kalamajve: Ky është
libër me çudira, në këtë libër bota qesh, në të do të gjeni befasi dhe qesh e ngjesh!
E në
këtë vazhdë të botimeve Toena, unë nuk kam si të mos hedh në këtë sprovë
letrare, një nga kujtimet e pashlyeshme të Botuesit Fatmir Toçi, i cili e
shpreh në këtë mënyrë: “E botuar dhe e ribotuar me dhjetëra herë, vepra e
Odhise Grillos na vjen gjithnjë e freskët dhe aktuale. Qindra dhe mijëra
lexuesit të tij të vegjël e duan dhe e kërkojnë vazhdimisht; me të jemi rritur
ne dhe po rriten edhe fëmijët tanë. Ata e kërkojnë gjithnjë dhe e lexojnë me
endje, kanë mësuar përmendsh qindra vargje dhe ritregojnë përrallat, lexojnë
tregimet për figurat më heroike të kombit tonë dhe s’i lëshojnë nga dora
ritregimet e veprave më madhore të letërsisë botërore, pasi xhaxhi Odhiseja
diti të hyjë në botën e tyre të pastër fëmijërore dhe të bëhej një prej miqve
të tyre më të mirë.”
Me shkrimtarin Odhise K.
Grillo, gjatë viteve, patëm një korrespondencë letrash. Kjo
korrespondencë, sot, ka marrë imazhin e një arkivi, të cilën e ruaj si një gjë
të çmueshme e të vlerë. Këtë korrespondencë në një të ardhme të afërt do ta
botoj.
Nëpërmjet letrave, të cilat i lexoj herë pas here dhe
shuaj mallin, zbulohen cilësi e tipare, të cilat Mjeshtrin e palodhur Odhise K.
Grillo e bënë njeri të nderuar, shkrimtar të
shquar e personalitet të madh
të letrave shqipe, i cili do të ketë nderimin e mirënjohjen e fëmijëve, mik i
të cilëve ishte përjetësisht…
Po ç’është në vetvete korrespondenca? “Një mënyrë për me
studiue nji personalitet asht edhe letërkëmbimi i tij me njerëz të shquem të
brezit të tij. Në letërkëmbim, ose siç thirret korrispondencë del në pah, vëhet
në dukje, jo aq shumë krijimtaria e shkrimtarit por shumë herë bota e
brendshme, ndiesitë e zemrës, fisnikëria e naltë e shpirtit. Në letërkëmbimi në
të shumtën e rasave nuk ka vend çensura, flet shpirti i lirë jo i ndrydhun prej
publikut admirues apo kritikues. Prandej korrispondenca asht nji element
përbas, themelor për kritikën letrare dhe historinë e letërsisë per me njoftë
botën komplekse të shkrimtarit dhe krijimtarinë e tij. Në korrispondencë
zbulohen të fshehta rreth ideve dhe shkrimtarit të vepravet, çështjevet
shoqnore e politike e historike të vendit, kuptojmë gjendjen shpirtnore dhe
morale të shkrimtarit, atë çka zemra e tij mendon e shmendon në atë periudhë të
caktueme të jetës së tij.”[30]
Tri nga shumë letra që “pushojnë e frymojnë” në arkiv,
kam dëshirë t’u bëj të njohura edhe ju, të dashur lexues.
1.
I dashur Xhahid me familjen,
Gëzohemi të jeni mirë të gjithë. Edhe ne disi jemi
mirë... Nga spitali kam dalë e jam mirë. Të falënderoj për fjalët e mira e për
urimet. Edhe fjalët e ngrohta për “Çamçakëzin”. Të tilla urime të dërgoj edhe
unë ty. E bashkë me to edhe kopjet e librit “Kush t’i solli yjet, hënën?” që
sapo doli. Botofsh edhe dhjetëra të tjerë! (Honoraret i vumë më 28 maj dhe së
shpejti të vijnë. T’i hani me shëndet, edhe pse janë pak.)
Vjershat i mora. Unë kam bërë një projekt për ata që
mendoj të fus në “Antologjinë e poezisë shqipe për fëmijë” (1872 – 1987). Të
shohim ç’do të thonë komisionet, dashamirët dhe keqdashësit! Në projekt je edhe
ti, se e meriton dhe jo se më pëlqen.
Po të dërgoj katër kopje të librit. Urime edhe një herë.
Një kopje po e mbaj për revistën “Fatosi” (rubrika “Libra të rinj”). Po të
mbaja edhe një për “Yllkat”, bëheshin shumë... (Për librin me përralla “Kush i
hëngri manaferrat?” u botua diçka në “Fatosi”, do të botohet në “Yllka” dhe u
fol në televizion para ca kohësh. I ke parë? I shkruaj unë...
Përfundoj duke te uruar shëndet, punë të
mbarë e suksese!
Të fala njerëzve të tu nga të gjithë ne.
Veçanërisht nënës!
Përqafime:
Tiranë, më 30 maj 1987 O. Grillo
2.
I dashur Xhahid me familjen,
E mora letrën tënde të datës 24.08.1992 dhe së pari u
gëzova që jeni mirë familjarisht (nuk më thua si u bë fëmija që e ke pasur
sëmurë? Ç’thanë mjekët italianë në Durrës. Qofshi mirë e shëndoshë si kokrra e
mollës!); dhe së dyti se, nga dhjetë letra që nisa nëpër rrethe, hë për hë
vetëm ti më je përgjigjur. Të faleminderit për dashamirësinë dhe korrektesën.
I mësoja ç’më shkruaje dhe të faleminderit.
...
Të falënderoj veçanërisht edhe për fjalët e mira që më
thua për poemën “Budallushët”. Ta kthefsha me urime në të tilla raste! Është
një poemë e shkruar katër vjet më parë, po me që jam “prodhimtar” sipas zotit
Gaqo Bushaka e jo “cilësor” nuk m’u botua në Sh. B. “Naim Frashëri”. Atje
botohen vetëm imitacionet e librave “Pantallonat e Sem Derrkucit” dhe “Me
doktor Dulitllin” (kovë në të cilën ka pirë ujë “Bubi kaçurrel”... Nejse, më
fal se u zgjata).
Më pyet për librin tënd dhe ke shumë të drejtë. Edhe unë
kam dy libra në shtyp prej tre vjetësh. Librat tanë dhe të shumë të tjerëve
(rreth 200 libra) po vegjetojnë në shtypshkronja se s’ka letër, s’ka makineri,
s’ka asgjë. Po më tepër s’ka njerëz që të punojnë. Shtypshkronja nuk na i jep
po t’i kërkojmë. Po edhe sikur të na i japë, ku do t’i botojmë? Filluan disa
shtëpi botuese private mirëpo tatimet që vuri kohët e fundit Qeveria, me sa
duket do të mbyllen. (Qeveria kërkon 30% tatimfitim, 15% fitim mbi xhiro etj.
Po ç’do të marrë shtypshkronja, shpërndarja, autori, botuesi? Vetëm
shtypshkronja kërkon 60%. Më konkretisht: për librin tim (përshtatje në prozë
për fëmijë) “Lahuta e malsisë” të Fishtës, me 110 faqe daktilografike,
shtypshkronja kërkon 120 lekë të vjetra për çdo kopje (letrën e ka botuesi). Po
të shtosh 100 lekë copa letrën dhe ato që kërkon shteti, shpërndarja, botuesi,
autori, ryshfetet etj., etj., çmimi shkon 1000 lekë të vjetra. Kush mund të
blejë një libër të tillë? Prandaj edhe botuesi e mban në sirtar dhe bashkë me
autorin pret ditë më të mira...
Çfarë të them veç dhimbjes se nuk do të botoj më dot
librat tanë modestë? Po mbase vijnë ditë më të mira edhe për ne që kemi rrogat
më të vogla në Republikë. Duhen rrogat e katër shkrimtarëve për të arritur
rrogën e një polici! (E di që ai ka vështirësi etj., po jo të arrijë puna gjer
këtu... Vëntë dorë Zoti që është në qiell! Le të shpresojmë.)
Kam këtu pak lekë nga vjersha e parë që t’u botua te
“Bota e fëmijëve”. Nuk t’i kam dërguar se nuk e vlen barra qiranë. T’i ruaj dhe
do t’i bashkoj me ato të vjershës tjetër. Pastaj t’i dërgoj. Besoj se s’ke
ndonjë kundërshtim. Ose kur të vish ndonjëherë eja të takohemi. Më gjen në
shtëpi si zakonisht. Të pres se të dua, të respektoj dhe të vlerësoj si mik, si
shok dhe si shkrimtar me talent, që nuk shet vargje “moderne” pa asnjë vlerë
siç shesin shumë epigonë të Uitmanit etj., dhe që shiten e na i shesin flori
24-karat edhe pse janë pare kallb...
Po ne do të vazhdojmë punën tonë se shkruajmë me shpirt
(ashtu siç shkruajmë, se nuk kemi pretendime vetë, ato do të na i japë lexuesi
i vogël e i madh... Dhe gjer më sot na i ka dhënë ato që meritojmë. Lexuesit
për këtë gëzojnë mirënjohjen tonë, pavarësisht se Lidhja e vjetër dhe e re
(s’ndryshojnë fare nga njëra-tjetra) nuk na llogaritin si shkrimtarë. Paçin
faqen e zezë dhe u dëgjofshim me të mira. Të keqen nuk ia duam askujt!)
Në familje shumë të fala nga unë dhe nga
familja ime. Nuses të fala. Fëmijën e puthim
me dashuri
Tiranë, 01.09.1992 O. Grillo
3.
I dashur Xhahid me familjen,
Ju uroj nga zemra të gëzoni shëndet të gjithë, të mëdhenj e
të vegjël, punë të mbarë e, ty, edhe krijimtari të frytshme, ashtu si
gjithmonë.
U bë
një kohë e gjatë që nuk jemi parë dhe unë nuk kam ardhur dot aty e me sa duket
edhe ti nuk ke ardhur këndej, se ndoshta do të ishim takuar. Por ama, s’ka
mbetur rast pa pyetur për ty ndonjë të njohur nga Shkodra...
...
Po kështu, në shkrimet e mia, në bisedat në radio e
gjetkë s’ma lënë rast pa të përmendur (ndofta ndonjëherë kam harruar, padashur,
ty ose ndonjë tjetër). Ti e di dashamirësinë time e qëndrimin tim ndaj teje.
Besoj se të njëjtin qëndrim ke edhe ti ndaj meje.
Kohët e fundit, në “RD” mora vesh se ke botuar një libër
të ri. Urime e përsëri urime. Mbase do të më bjerë në dorë e do t’i shkruaj dy
fjalë te “Rilindja”, në rubrikën “Vitrina e librit të ri”. Uroj të botosh edhe
me dhjetëra të tjerë, si gjithnjë e më të mirë.
Gjersa isha te “Rilindja” të kam botuar çdo gjë, prozë,
poezi, origjinale e përkthime. Tashmë kam dy muaj që kam ikur nga redaksia...
...
Në “dinastinë” time të ka mbetur pa botuar vetëm një
poemë përrallë, asgjë tjetër. Edhe poema nuk u botua se Kryeredaktori, i cili
është shumë dashamirës me ty, është kundër botimit të krijimeve të gjata.
T’ishte për mua e kisha botuar prej kohësh. Nejse.
Siç e ke parë, në “Rilindja” mbaj rubrikën “Të njohim
shkrimtarët tanë”. Nuk e di ç’mendim ke për të, megjithëse ajo është një
bio-bibliografi e jo krijim. Gjer tani janë botuar rreth 30 shkrimtarë. Në
listë je edhe ti. Kam disa të dhëna, por për të qënë më i saktë, të lutem, më
dërgo disa të dhëna biografike (vendi e datëlindja, shkollimi, vendet e punës,
etj.) dhe bibliografike (librat e botuar, prozë e poezi, përralla, tregime,
vjersha etj., dhe vitet e botimit).
Po kështu më dërgo disa krijime, në prozë ose poezi, si
të duash. Po kështu një fotografi-bust. Mundësisht sa më parë. M’i dërgo dorazi
me ndonjë njeri ose me postë në adresën e shtëpisë. Besoj se nuk do t’i vonosh.
Të falënderoj qysh më parë.
Tjetër gjë ç’po shkruan. A ke ndonjë libër në shtyp?
Siç e ke parë, unë kam botuar disa libra. U jam shumë
mirënjohës P. Ymerit, L. Doçit, S. Dedes etj., që m’i kanë botuar pa paguar
asnjë samtim. Po të ishte më parë s’do kisha botuar asgjë. Kam në dorë disa
gjëra. Kam shpresë mos botoj nja dy-tri prej tyre këtë vit (nuk e di pse, po
makina nuk po më punon mirë, veçanërisht shiriti i kuq...). Janë nja dy poema
humoristike, një novelë, një përmbledhje me përralla, përshtatja e
“Gilgameshit”, një përmbledhje me vjersha e poema... Në Shkup sapo m’u botua
“Historia e Skënderbeut”. Pres të dalë në Prishtinë “Lahuta e Malësisë”. Më
duket se fola shumë. Mos ma merr për mungesë modestie, se me ty flas si me vëllezërit
ë mi. Besoj edhe ti këtë përshtypje ke.
...
U zgjata e do të më falësh.
Ty dhe familjen tënde u dëshiroj dhe u uroj gjithçka të
mirë e të bukur! Qofshi me shëndet e të lumtur.
Po të kesh kohë e mundësi më shkruaj.
Të
fala e përqafime:
O.
Grillo
Tiranë, 26.01.1995
Në studion time të punës kam shumë dosje, ku në kapakë të
këtyre dosjeve kam të shënuar emrat e shkrimtarëve, dhe brenda tyre “jetojnë”
librat autorialë, shënimet e mia që i pasurojnë vazhdimisht, shkrime të
ndryshme herë në formë recensioni a studimi për veprat e shkrimtarëve apo për
problematikat e caktuara rreth veprave të tyre. Njëra nga këto dosje është edhe
ajo me emrin e nderuar Odhise K. Grillo.
Libri i parë që më “doli” para ishte “Lahuta e Malësisë i
At Gjergj Fishës, ritreguar për fëmijët nga Odhise K. Grillo. [31] Nisa ta shfletoj, sikur po shfletoja fletët e
një pjese Historie të Atdheut tim. Në faqen e parë ishte dhe një shënim i
autorit: Xhahid Bushatit, vëllazërisht
O. Grillo, 27.5.1995.
Sa ishte gjallë nuk ia bëra një pyetje të tillë, si kjo:
“Cila është shtysa, motivi që disa vepra të letërsisë për të rritur i ritregon
për fëmijë?” Dhe shkrimtari Grillo sikur më jep përgjigje, teksa shkruan: “...
prandaj iu vura punës dhe e përshtata këtë kryevepër që studiuesit e kanë
quajtur “Iliada shqiptare”. E ritregova në prozë, në mënyrë që ta lexoni e ta
kuptoni sa më mirë, edhe pse jam i sigurt se do t’i mbetem borxhli këtij
mjeshtri të fjalës shqipe...
Kur të bëheni të mëdhenj ju do ta lexoni në origjinal dhe
do ta kuptoni edhe më mirë bukurinë e madhështinë e poemës “Lahuta e malsisë”.
Me përshtatjen time në prozë unë s’po bëj gjë tjetër veçse laj një borxh ndaj
poetit që e mohuan për pesëdhjetë rresht dhe ju grish që ta merrni në duar kur
të rriteni dhe ta keni më të lehtë për ta shijuar e përvetësuar sa më mirë.”[32]
Në shenjë nderimi për shkrimtarin Odhise K. Grillo do të
risjell një copëz nga intervista që i pata bërë disa vite më parë për revistën
“Lulebora”, ku isha kryeredaktor i saj. Njëra nga pyetjet ishte kjo: “Në këtë
moshë që jeni bërë gjysh dhe shkrimtar i shquar i letërsisë për fëmijë, e
kujtoni fëmijërinë?” Dhe Odhiseja, në mes të tjerave, përgjigjej kështu: “A ka njeri në këtë botë që të mos e kujtojë
fëmijërinë?... Si të mos kujtoj ato vite të lumtura që kalova në vendlindje, në
Vuno të Himarës, një nga fshatrat më piktoreskë të Bregdetit, që po të kishte
pasur fatin ta kishte selitur njeriu, do të ishte nga më të rrallët në botë.
...Dhe jo vetëm kaq, po unë i kam kënduar me shpirt fëmijërisë së Vunoit dhe
ndofta “Balada e Burrave të Vunoit” (poemë) është krijimi im më i mirë në
fushën e poezisë. Më besoni, sa herë
kujtoj fëmijërinë e Vunonë më mbushet zemra me gëzim e mall e sytë me lot. Aty
e kam zemrën time, aty dua të ngrys ditët e fundit e të prehem në gjirin e
bashkëfshatarëve përjetë. Kjo është ëndrra ime dhe dëshira ime e zjarrtë. E kam
lënë amanet”.
Dhe
ai, sot, prehet si një ëndërr e bukur në vendlindje, në Vuno, ku vjen çdo ditë
dhe e përshëndet dielli i mëngjesit.
Vunoi, na kujton se shkrimtari Odhise K. Grillo lindi 21
mars të vitit 1933.
Vunoi, na kujton familjen me tradita atdhetare, kulturore
e arsimore të shkrimtarit. Kujtojmë këtu, fjalët e nacionalistit të shquar
Mit’hat Frashëri, i cili ka thënë: “Po të mos ishin Kasnecajt, Grillojt e
Varfajt, nuk do të kishim Himarë shqiptare”. Gjithashtu kujtojmë se, babai i
Odhisesë ka hapur të parën shkollë shqipe në Vuno dhe nga familja e tij, gjatë
50-vjeçarit të dytë të shekullit të 19-të i ka dhënë arsimit shqiptar pesë
mësues.
Vunoi, na kujton gjithashtu se Odhise K. Grillo vdiq në
Tiranë, më 24 shtator të vitit 2003 dhe e la si amanet të prehet përjetësisht
në Vendlindjen e tij të dashur dhe të shtrenjtë, që në çdo kohë për të “portën
e kishte lënë hapur”.
Vunoi, na kujton edhe një thënie të mikut të tij të
ngushtë prej më se gjysmë shekullit, shkrimtarit Dionis Bubani, i cili e
“vizatoi” figurën e Odhisesë në këtë mënyrë: “... krahas talentit, që i fali
natyra e Bregdetit tonë të mrekullueshëm, Ai punoi shumë, ditë e natë, me një vullnet
të çeliktë, duke ndërtuar me durim kështjellën e tij letrare, me dhjetëra e
dhjetëra libra të krijuar me frymëzimin e tij spontan dhe plot pasion”.
Vunoi, më kujton edhe një thënie të shkrimtarit e
skenaristit të talentuar të Kinostudios, Kolec Traboini, që në esenë e tij, në
mes të tjera thoshte: “... Dëshiroj ta mbyll këtë ese nderimi për këtë njeri të
madh, që ndodhet në udhën e tjetërsimit të trajtave të qenies, ku sipas Biblës:
baltë kemi qenë e në baltë do të kthehemi, me një shprehje të gjeniut të
kinemasë Frederiko Felini “Atje nuk është fundi. Atje nuk është fillimi. Atje
është fundi i pasioneve të jetës”, - e më pas të shtoj fjalët e mia të nderimit
për njeriun as të gjallë e as të vdekur ODHISE GRILLO: E desh fati ta njihja,
Zoti ma solli në shteg dhe Ai më qëndroi në krah si një engjëll roje.[33]
“Vunoi, ku tani pushon e prehet trupi i Odhise Grillos,
është krenar, dhe gurë e drurë, shkëmbinj e ullinj sikur e kujtojnë me
dinjitetin më të lartë poetin, sepse Vunoin Ai e deshi me loçkë të zemrës. Duke ruajtur ndjenjën e mirënjohjes
e të kujtimit për poetin ne të gjithë dëshmojmë dashurinë e madhe e fisnike, që
për Odhisenë tonë do të mbetet një borxh i ndërgjegjes sonë për të dhe veprën e
tij përherë të freskët e të gjallë në zemrat tona si jetë e punës dhe idealit
të Odhisesë.”[34]
Dhe ja... miku im dua
ta vazhdoj “bisedën” me ty... U bënë njëmbëdhjetë vjet (21 mars 1933 – 24
shtator 2003) që u ndave nga jeta. Me 21
mars, 81 vjetorin e ditëlindjes... Por u ndave në një kohë, kur letërsia për
fëmijë e të rinj kishte shumë nevojë për të, kur kolegët bashkëmoshatarë,
krijuesit më të rinj, lexuesit e vegjël ende prisnin vepra të reja nga ti,
prisnin të gjithë: mendimin, buzëqeshjen, urtësinë dhe miqësinë tënde… E kush
të ka njohur, e ka të pamundur të mos ruaj një kujtim të bukur, një fjalë
shprese e një rrezatim mirësie prej teje…
Duke
njohur korpusin e veprave tuaja, është e pamundur të mos thuash se, ishe një
krijues poliedrik, më i spikaturi në fushën e letrave për fëmijë e të rinj pas
çlirimit të vendit, sjellësi i disa risive, veçanërisht në shqipërimin e në
përshtatjen e veprave nga letërsia për të rritur në letërsinë për fëmijë,
modeli i shkrimtarit që edhe rrahjen e fundit të zemrës e pate për atë letërsi
që e dashurove, e krijove dhe e ëndërrove… Si një agim i bukur i një mëngjesi
të ndritur na vijnë përjetësisht fjalët e tua proverbiale që ishin princip në
udhën e procesin tënd krijues, si: “Në punë, në krijimtari e në jetë, mua më ka
udhëhequr trinomi i shenjtë: Zoti në qiell, Atdheu në tokë dhe Letërsia në
shpirt.”
Dua
të lë “mënjanë” vitet e miqësisë dhe të kujtimeve të pashlyeshme, kuvendimet e
shpeshta e bisedat telefonike me ty…; kësaj radhe preferoj të ‘bashkëbisedoj”
me monografinë letrare të titulluar “Kur lexojmë Odhisenë…” të studiuesit të
talentuar Milaim Nelaj.[35]
Një monografi, ndër të paktat e këtij lloji në studimet tona letrare shqipe për
fëmijë, e shkruar për një shkrimtar të letërsisë për fëmijë e të rinj. Një
monografi e shkruar me dashuri dhe frymëzim, me pasion e vërtetësi, me një
poetikë rrezëllitëse e me ligjërim të
fjalës shqipe; në të cilën studiuesi përmes 19 kapitujve në rrafshe të
ndryshme e këndvështrime interesante gdhend portretin tënd njerëzor, letrar e
artistik si krijues i talentuar që ishe. Faqe pas faqe na shfaqet: Vendlindja
jote –Vunoi si dhe trashëgimia e pasur
sa arsimdashëse e patriotike e familjes Grillo, fëmijëria, dëshirat, ëndrrat,
fillimet letrare, talenti, veprat radhë-radhë, këmbëngulja, palodhshmëria,
hulumtimet dhe studimet, shqipërimet, pjesëmarrja në veprimtari e tubime
letrare, mendimet e vyera për një vepër të një kolegu të vjetër a të ri,
miqësia dhe kujtimet mes miqsh e kolegësh, korrespondenca me miqtë e vegjël
krijues, ngrohtësia familjare veçanërisht e Vangjelosë, ëndrra e tua bërë
realitet për Kosovën, ku kishte ‘vëlla’ poetin e talentuar Rifat Kukajn, etj. E
gjitha kjo i ngjan një “shëtitjeje” mbresëlënëse ku shfaqet me realizëm mozaiku
shumëngjyrësh e i papërsëritshëm i krijimtarisë tënde letrare. E, duke iu
referuar këtij kopshti të bukur poetik, pra këtij korpusi letrar që na le si
shkrimtar; me të drejtë studiuesi Milaim Nelaj e ka strukturuar, ndërtuar dhe
mbështetur monografinë e tij mbi elemente analitike, ku krahas konkluzioneve të
përgjithshme, ai herë pas here vë theksin në vepra të veçanta, ku gjejmë
zbërthime vlerash e interpretime të shumë dukurive letrare, që i mbartte jo
vetëm krijimtaria jote por edhe letërsia jonë për fëmijë e të rinj. Pra, në
këtë monografi elementet analitike mbeten bërthama kryesore e evidentimit të
kontributeve dhe vlerave të shkrimtarit në fjalë, që në të shumtën e rasteve
ishin bazale në zhvillimin e gjinive dhe zhanreve të letërsisë shqipe për
fëmijë e të rinj, ku si autor i papërsëritshëm i lëvrove me sukses. Kjo është
dhe arsyeja që këto kapituj, kur bëhet fjalë për kontributet dhe arritjet e tua
në fushat: e poezisë, poemës, poezisë humoristike, baladave dhe legjendave me
motive historike e patriotike, të prozës për larminë e temave dhe të formave
artistike, të përrallës me tharmin popullor e të modeleve të kësaj natyre
rrëfimi, të përshtatjes letrare, të hulumtimit e të rolit të studiuesit, etj,;
mendojmë që janë më të realizuarit të kësaj monografie.
Lënda
e ofruar e kësaj monografie na thotë se studiuesi Milaim Nelaj është një njohës
i mirë i opusit të veprës tënde. Ai na paraqitet një hulumtues i zellshëm, e
deri diku i disa problemeve që paraqet krijimtaria jote, të cilën s’e ka
shkëputur nga problemet që mbartte vetë letërsia shqipe për fëmijë e të rinj,
në kushtet e realizmit socialist, si dhe pas viteve ’90. Duke pasur prirjen
drejt një shterrimi dhe paraqitjeje sa më të plotë të monografisë, autori ka
gërmuar edhe në arkivin personal, si dhe e ka pajisuar atë me veprën tënde të
plotë të ndara sipas kriterit gjinor, me artikujt studimorë dhe shkrimet
letrare të botuara në organet e shtypit e gjatë viteve. Në këto të fundit
paraqitet kontributi yt i vyer, si krijues i palodhur në dhënien e mendimeve të
shumë e shumë veprave të shkrimtarëve, poetëve e letrarëve të letërsisë shqipe
për fëmijë e të rinj. Mjafton vetëm kjo punë e mundimshme dhe fisnike për të
përcaktuar marrëdhëniet tuaja me veprat e kolegëve, gjykimet sa profesionale aq
dhe dashamirëse, qasjen në evidentimin e vlerave artistike, ecjen reale dhe
zhvillimin e kësaj letërsie, si dhe shpalosjen e botës tënde të madhe.
Herë
pas here në disa kapituj, studiuesi enkas ka shpërfaqur karakteristika e cilësi
tuaja, të cilat i ka zbuluar gjatë studimit të veprave të tij. Mendojmë që janë
të sakta, vlerësime të tilla, si: “Odhise Grillo ishte dhe mbetet ndër
shkrimtarët më përfaqësues e më të kompletuar të letërsisë për fëmijë; ai
shkroi e botoi më shumë se çdo shkrimtar tjetër i kësaj letërsie dhe në veprën e
tij rroku tema e fusha të parrahura nga të tjerët; krijimtaria e tij e pasur
dhe shumëplanëshe ka qenë gjithnjë e frytshme, cilësore dhe e suksesshme, e
mbështetur fuqishëm në motivet popullore, si rrjedhojë e njohjes mirë të gjuhës
së popullit, zakoneve, traditave, këngëve e legjendave të tij; ai guxonte e
përpiqej vazhdimisht të sillte diçka të re në letërsi dhe e pasuroi atë me
risi, përvoja, elemente dhe forma të reja artistike; ai kishte lindur për të
shkruar letërsi për fëmijë, duke qenë një krijues i mirëfilltë i saj, dhe iu
përkushtuar asaj tërë jetën, me talentin, pasionin dhe aftësitë krijuese që
zotëronte; etj.”[36]
Ashtu
siç e thamë më sipër, ti, miku im, me shumë dashuri e përkushtim shkrove për
një mori veprash të letërsisë shqipe e të huaj për fëmijë e të rinj. Por të mos
harrojmë, duke marrë shkas edhe nga vlerat e njëmendta të kësaj monografie,
edhe veprat tuaja u bënë “pronë” e shumë studiuesve dhe shkrimtarëve, të cilët
me studimet e tyre vlerësuan krijimtarinë tënde. Si një kujtim i bukur, si një
kurorë nderimi e lavdie rrijnë shkrimet e kujtimet e I. Kadaresë, D. Agollit,
P. Markos, J. Bulos, Xh. Spahiut, N. Jorgaqit, D. Shapllos, N. Priftit, B.
Dedjes, D. Bubanit, T. Gjokutajt, Xh. Beqarajt, A. Mamaqit, S. Haskos, P.
Koçit, A. Bishqemit, Xh. Bushatit, B. Gaçes, A. Devës, R. Kukajt, Q. Batallit,
F. Shkodrës, Xh. Sylës, etj.
Dhe
në mbyllje: teksa shfletojmë monografinë “Kur lexojmë Odhisenë…” të Milaim
Nelajt, ndiejmë që kujtesa është mos-harrim, ndiejmë erën e mallit që nga Vunoi
dhe ne pëshpërisim me dashuri ca vargje nga vargjet e tua të xhevahirta: “Mbi
krahët e ëndrrës / brodha në Evropë, / pashë tjetër jetë, / pashë tjetër botë.
/ Mirëpo Eifelin, / që pashë në Paris, / s’kisha për ta ndërruar / me një
qiparis. / Shatërvanët e Londrës, / në argjende larë, / s’kisha për t’i
ndërruar / as me një ujëvarë. / Edhe Koloseun / në Romën plot bujë / s’kisha
për ta ndërruar / me kalanë në krujë. / Plazhet që ka Spanja, / sikur të m’i
falin, / s’do t’i ndërroja kurrë / me plazhin e Jalit. / Me plazhin e Jalit, /
që shkëlqen si xham, / ku kam plot kujtime / dhe vendlindjen kam.”
[1] Grillo, K. Odhise: “Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema, f.
16, Shtëpia e librit OMBRA GVG, Tiranë, 2001.
[2] Grillo, K. Odhise: “Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema,
Shtëpia e librit OMBRA GVG, Tiranë, 2001.
[3] Syla, Xhevat: “Kush e shkruan poezinë”, (Vlerësime për letërsinë për
fëmijë), Faik Konica, Prishtinë, 2005; shkrimi: “Tufë nga lulet më të bukura”,
f. 18, Grillo, K. Odhise: “Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema, Shtëpia
e librit OMBRA GVG, Tiranë, 2001.
[4] Grillo, K. Odhise:
“Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema, f. 18, poezia: “Më presin…”,
Shtëpia e librit OMBRA GVG, Tiranë, 2001.
[5] Mollëkuq-ja: kandërr e vogël, me trup në trajtë vezake dhe me dy palë
krahë, nga të cilët dy të sipërmit janë të fortë, të kuq e kanë shtatë pika të
zeza. (Fjalor i Gjuhës së sotmë Shqipe, Akademia e Shkencave të Shqipërisë,
Tiranë, 1980; f. 1162.
[6] Grillo, K. Odhise: “Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema, f.
21, poezia: “Mollëkuqja e fëmijërisë...”, Shtëpia e librit OMBRA GVG, Tiranë,
2001.
[7] Grillo, K. Odhise: “Panoramë Letrare” 2 (Nëpër faqet e letërsisë sonë
për fëmijë), Toena, Tiranë, 1998, shkrimi: (Intervista) “Rrugë për të hyrë në
botën e fëmijëve…”, f. 144.
[8] Po aty, f. 144.
[9] Grillo, K. Odhise: “Mollëkuqja e fëmijërisë”, vjersha dhe poema, f.
13, poezia: “Kur flasin fëmijët”, Shtëpia e librit OMBRA GVG, Tiranë, 2001.
[12] Vranari, Vilhelme: “Dora e ngrohtë e një miku” (Ese për Prof. Odhise
Grillon), gazeta Nacional, Viti II i botimit, Nr. 66, 10-17. 10. 2010.
[13]“Ekipi me të cilin punoja në gazetë
(“Pionieri”, - shënimi i mi) ishte dashamirës dhe i mirëkuptueshëm. Në mënyrë
të veçantë kisha mbështetjen e Xh. Beqarajt, gazetarit që s’kishte, si shumë të
tjerë, as dëshirën më të vogël për karrierë, njeri i trishtuar, idealist dhe i
ndershëm, siç ka mbetur edhe sot e kësaj dite.” (Kadare. Helena: Kohë e
pamjaftueshme, -kujtime-, Onufri, Tiranë, 2011; Pjesa e dytë: Jeta në çift, f.
164.
[14] Llosa, Vargas Mario: “Letra e shkrimtari të ri” (përktheu: Engjëllushe
Shqarri), Onufri, Tiranë, 2008; (Parabola e tenjës”, f. 9.)
[15] Syla, Xhevat: “Harmonika e Atdheut” (poezia e Xhevat Beqarajt),
Shtëpia Botuese FAIK KONICA, Prishtinë, 2005; kapitulli “Njohja”, f. 14.
[16] Nelaj, Milaim: Kur
lexojmë Odhisenë (monografi letrare), OMSCA-1, Tiranë, 2011; pjesa: Odhise
Grillo – figurë e shquar e letërsisë sonë për fëmijë”, f. 13 (arkivi O. G.)
[17] “… poeti i shquar, rebel
e i dëshpëruar, Frederik Reshpja.” (Kadare. Helena: Kohë e pamjaftueshme,
-kujtime-, Onufri, Tiranë, 2011; Pjesa e tretë: Ngrirje dhe shkrirje, f. 264.
[18] Kongoli, Fatos: Iluzione në sirtar (pothuajse roman – për vetveten),
TOENA, Tiranë, 2010, f. 93.
[19] Shkodra, Dr. Sc. Faik: Portrete dhe vepra, Rozafa, 2005; shkrimi:
Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos si vlerë artistike dhe dëshmi e
pjekurisë estetike (Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos), f. 102.
[20] Bishqemi, Prof. as. Dr.
Astrit: Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, (Botim it retë, i
plotësuar dhe i përmirësuar), dy Lindje dhe dy Perëndime”, Tiranë, 2008;
kapitulli 4.2.2.2 Poezia për fëmijë, 4.2.2.2. 1 Udha e zhvillimit të poezisë
sonë për fëmijë, Odhise Grillo, f. 191.
[21] Shkodra, Dr. Sc. Faik: Portrete dhe vepra, Rozafa, 2005; shkrimi:
Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos si vlerë artistike dhe dëshmi e
pjekurisë estetike (Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos), f. 102.
[22] Bishqemi, Prof. as. Dr.
Astrit: Histori e Letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, (Botim i tretë, i
plotësuar dhe i përmirësuar), dy Lindje dhe dy Perëndime”, kapitulli 4.2.2.2
Poezia për fëmijë, 4.2.2.2. 1 Udha e zhvillimit të poezisë sonë për fëmijë,
Odhise Grillo, f. 191.
[25] Shkodra, Dr. Sc. Faik: Portrete dhe vepra, Rozafa, 2005; shkrimi:
Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos si vlerë artistike dhe dëshmi e
pjekurisë estetike (Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos), f. 102.
[26] Grillo, K. Odhise: Dredhitë e Picimulit, Kur këndon guguftuja 1, 2;
Gënjeshtra që kishte bisht miu, Thëllëza këndon për ketrushët (përralla të
zgjedhura, Toena, Tiranë, 2004, 2005, 2005, 2005, 2006).
[27] Syla, Xhevat: Kush e shkruan poezinë (Vlerësime për letërsinë për
fëmijë) Sh. B. FAIK KONICA, Prishtinë, 2005, shkrimi: Kur vinte Odhise Grillo
në Kosovë kishin festë shkrimtarët dhe lexuesit, f. 315.
[28] Shkrimi (Intervistë): “Si
i kalova dy vite pa Odhisenë”, flet Vangjelo Grillo, gazeta “Sot”, 24.06.2005,
autore Rezearta Çollaku.
[30] Demaj, At Viktor: “At
Gjergj Fishta: Tetë letra nga korrespondenca”, Gazeta shqiptare, (Milosao)27.12.2009.
[31] Grillo, K. Odhise: Lahuta
e Malsisë nga At Gjergj Fishta, -ritreguar për fëmijët-, Dituria, Tiranë, 1992.
[32] Grillo, K. Odhise: Lahuta
e Malësisë nga At Gjergj Fishta, - ritreguar për fëmijët -, Dituria, Tiranë,
1992; parathënia me titull: Të dashur
lexues të vegjël, f. 7 – 8.
[33] Traboini, Kolec: Requiem
për një mik – as i gjallë e as i vdekur (Ese nderimi për redaktorin tim të parë
Odhise Grillo), botuar në gazetën “Illyria” Neë York, Nr. 1267, 19-21 gusht
2003. Po shkëpus nga kjo ese nderimi edhe këtë pasazh; “Në këto ditë të hidhura
për njeriun që po ndahet ose është ndarë nga jeta, (në gjendje komo të
pakthyeshmë sipas fjalëve), as gjallë e as vdekur, jo gjallë – se jeta e tij
tashmë po shkimet tragjikisht, as vdekur – sepse veprat e tij i japin trajtën e
mbijetesës në të ardhmen, për këtë shkrimtar të dashur e mik të mire të
njerëzve më zgjohet një mallëngjim e krenari e brendshme, edhe sepse në librin
tim të parë, (“Petalet e bajames së hidhur” –tregime-, - nënvizim i imi) të
cilin e ruaj si relike e vjetër personale në bibliotekën time, që në krye është
emri i shkrimtarit të madh himariot Odhise Grillo dhe piktores pasionante Safo
Marko.”
[34] Shkodra, Dr. Sc. Faik: Portrete dhe vepra, Rozafa, 2005; shkrimi:
Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos si vlerë artistike dhe dëshmi e pjekurisë
estetike (Krijimtaria për fëmijë e Odhise Grillos), f. 116.
[35] Nelaj, Milaim: Kur lexojmë Odhisenë, monografi letrare, OMSCA-1,
Tiranë, 2011.
[36] Nelaj, Milaim: Kur lexojmë Odhisenë, monografi letrare, OMSCA-1,
Tiranë, 2011; kapitulli “Odhise Grillo-figurë e shquar e letërsisë sonë për
fëmijë, f. 16-17.
No comments:
Post a Comment