Monday, March 10, 2014


            Xhahid Bushati

    
                 Kolë Shiroka, Mjeshtri i madh i karnavaleve
                                                        
   
                                               
                        Kolë Shiroka u lind më 16 gusht të vitit 1900 në Shkodër. Rridhte nga një familje e vjetër peshkatarësh. (Siç duket mbiemrin e ka marrë nga vendi ku ka jetuar, në Shirokë). Ishte djalë i vetëm mes tri motrave. Edhe pse i tillë, ndërkohë që i ati Lushi dhe e ëma Silja e shikonin si sytë e ballit, në moshën 13-vjeçare ai merr rrugët e dhimbshme të mërgimit. I merr ato rrugë, duke lënë pas si një peizazh të trishtuar fëmijërinë dhe plot ëndrra lundrimi me varkë... Do të punojë shërbëtor e berber nëpër dyert e shtëpive të Cetinës, në Mal të Zi, deri në vitin 1918.
            Rrugët e mërgimit do ta sillnin përsëri në vendlindje. Tani i nënshtrohet profesionit të berberit, ndonëse nuk e ka me qejf. Kështu, hap një dyqan në lagjen Gjuhadol. Dyqani, nis si pakuptuar, të kthehet në studio e në klub ahengxhinjsh. Kola nis të pikturojë e, së bashku me disa shokë, formon edhe një orkestër. Gjithashtu, ai do të jetë i pranishëm edhe si instrumentist në Kafe të Madhe, duke i rënë xhezit e duke shoqëruar profesorin italian Muçi, që i binte pianofortës. Peneli i piktorit Kolë Shiroka la ca peizazhe nga Shkodra, portrete të ndryshme e deri reklama tregtie. Allçia e skulptorit Kolë Shiroka na la të skalitur një grua, e cila mbante një shtambë për të mbushur ujë te truma e Dugajve të reja. Të vjen keq që kjo vepër u shkatërrua dhe humbi përgjithnjë. Sidoqoftë gjurmët e talentit të Shirokës i shikon ende sot. Dëshmitar i heshtur është tavani i ndërtesës së Prefekturës së Shkodrës. Në katër cepat e saj janë punuar me allçi katër shqipe.
            Kola, në orkestrën që do të formojë, do të jetë bashkë me Kolë Lufin e Kolë Vjerdhën. Tre Kolat... së bashku me të njëjtin emër, ishte thjesht një rastësi. Përveç kitarës, Kola do t’i bjerë edhe violinës, mandolinës, braçit, etj. Më vonë, me disa miq të tij (zanatçinj, nëpunës, mësues e punëtorë të talentuar), si: Simon (Gurakuqi) Rranxi e Shuk Paloka, këpucarë Cin Nush Daija, marangoz, Gjon Laca, rrobaqepës, Luigj Dajçi mekanik, Ton Daja, berber, mësuesi Kolë Kosmaçi, nëpunësit Kel Luka e Gegë Gurakuqi etj, formojnë shoqërinë “Rozafat”, më 13 shkurt 1918, e cila vijoi veprimtarinë e vet për rreth 20 vjet. (Kryetari i parë i saj u zgjodh Kel Luka, nënkryetar, Simon Gurakuqi (Rranxi), këshilltar Cin Daija. Anëtarë të tjerë të kryesisë ishin Luigj Daja, Gjon Laca, Shuk Paloka.)
            Për këtë shoqëri, aktori veteran Gjon Karma ka thënë: “... “Rozafati” ishte e vetmja shoqëri në Shkodër, ku anëtarët e saj mblidheshin me familje, burra, gra, vajza dhe kalonin mbrëmjet me bufetë dhe kërcime moderne e valle popullore, recitime dhe fjalë gazi, etj. ... Kolë Shiroka ishte vjershëtari, skenografi e aktori i grupit. Ka interpretuar në lojërat e gazit “Dy të fejuem në nji burg”, “Serreti”, “Lejleku në Shirokë”, në komeditë “Njeri me hanë”, “Batakçia”, në dramat “I mërguemi”, “Vdekja e Skënderbeut”.”
            Talenti i Kolë Shirokës preku shumë gjini të artit, por veçanërisht ai shkëlqeu dhe u bë personazh me karnavalet, që Shkodra i kishte traditë.
 “Dialogu” i Kolë Shirokës me karnavalet, përmes viteve 1931, 1932, 1934, 1936, e ai që s’doli më 1937; ka shumë peripeci, histori e ngjarje të këndshme e të pakëndshme, gëzime e zhgënjime, censurë dhe tentativë për burgosje...

            Duke njohur historikun e karnavaleve, mësojmë se ata përgjithësisht bëheshin me maska të përpunuara e me kostume të vjetra. Gjithsesi kjo iniciativë ishte e mirë, por tingëllonte disi anakronike për kohën. Hyrja e Kolës në këtë hulli interesante humoristiko-satirike bënë që karnavalit, në një masë të konsiderueshme, t’i ndërrohej fytyra duke i vënë “maskë” të re mendimi, problematike e humori. Ai luftoi dhe e konceptoi karnavalin më folës, më shprehës i nevojave e halleve të njerëzve e me një ngjyrim sa më të kohës. Aq sa për disa vjet rresht doli i vetëm para publikut shkodran...
            Në vitin 1931 Kolë Shiroka formoi një grup, shumicën e të cilit e përbënin anëtarët e shoqërisë “Rozafat”. Ky grup doli rrugëve me karro alegorike që mbarte një flutur të madhe, në krahët e saj dukeshin maskat e pikturuara të anëtarëve të grupit.
            Në vitin 1932 Shiroka me grupin e tij u veshën bukur me rrobe moderne dhe kaluan rrugës së qytetit hipur mbi një vapor të madh, duke iu rënë veglave muzikore e duke deklamuar bejte që trajtonin krizën e papunësisë.
            Në vitin 1934 grupi i Kolë Shirokës u shpërnda se kishte rënë në sy të qeverisë për kritikat ndaj saj. Kësaj radhe Kola u maskua dhe doli vetëm. Bëri një karro simbolike, mbi të cilën vuri globin e tokës. Vetë u vesh si astronom. Me anën e bejteve trajtonte problemin e krizës që kishte mbërthyer botën e njëkohësisht kritikonte kumarxhinjtë, alkoolistët, dembelët, kapadainjtë, femnistët, etj. , që ishin shndërruar në fenomen shqetësues për qytetin.
            Në shkurt të vitit 1936, Kolë Shiroka kurorëzoi apogjeun e karnavalit shkodran. Me fantazinë e tij vuri mbi karro, ditën e karnavaleve, një lopë të dobësuar kockë e lëkurë, gjinjtë e së cilës i thithnin me radhë ministrat e asaj kohe. Bejtja e thurur me këtë rast demaskonte me humor e sarkazëm punën e ministrave. Mjafton të përmendim këto vargje: “S’ka njoftë ligje as rregullore/ ka qenë raje çdo zyrtar/ ma randësi ka pas një horre/ se ma i nderti qytetar. // Në e paç pasun ndoj kushëri/ ministër a deputet/ ke pas të drejtë për nëpunësi/ pa ditë të shkruajë emnin e vet.” Dhe 34 strofat e këtij karnavali, përfundojnë me një humor paksa tragjik nga bejtexhiu Shiroka, i cili thotë: “T’gjithëve mbarë tue iu përshëndetë? Pleq e t’ri sido qit jeni/ po tham, si sot nji vjetë/ për në m’pafshi qar e keni...”
            Nga kjo kritikë e rëndë në adresë të qeverisë, Kola pësoi shumë telashe, të cilat i kapërceu me shumë vështirësi. Ai u dënua që të mos dilte kurrë më në karnavalet përgjatë tërë jetës së tij. Kremtimi i karnavaleve vazhdoi edhe për disa vite. Pushoi së qeni në vitin 1939.
Që nga ky vit e deri më 1944, në rrugët e Shkodrës nuk u dukën surretnit e karnavaleve. Nëpër vite-karnavalesh Kola doli herë me maskë kuçedre, herë me maskë triumfi, herë mbi karron që e meremetonte vetë me kujdes e gjithë humor, ku do të recitonte bejtet. Karnavalin e Kolë Shirokës nuk e panë me sy të mirë autoritetet e kohës. Po t’i shikosh sot pjesët e mbetura dhe të arkivuara nga familja, shumë strofa janë të ngjyera me të zeza. Ajo ngjyrë e zezë e keqdashëse nuk ishte e zonja të rezistonte, sepse shumë strofa gjithë humor kapërcyen vitet dhe erdhën gjer në kohën tonë, e na flasin qartë që gazmoret e Kolë Shirokës sfiduan anakronizmin e kohës e censurën e asaj kohe...
            Kolë Shiroka vdiq më 14.10. 1984 në Shkodër, në moshën 84 vjeçare. Ai na la vargje humori që s’harrohen lehtë nëpërmjet udhëtimeve të karnavalit.
           
Ende sot, shkodranët kujtojnë vargje të shumta nga krijimtaria e karnavaleve të autorit Kolë Shiroka. Teksa i kujtojnë, në fytyrat e tyre i ravijëzohet buzëqeshja... S’mund ta kuptojnë emrin e komikut Kolë Shiroka pa humor e buzëqeshje. Dhe kanë të drejtë... se jeton humori i tij brilant.

No comments:

Post a Comment