Xhahid Bushati
Poeti i ngjyrave, fluturimit dhe i
hapësirave
-Xhevahir
Spahiut, në ditëlindjen e tij, më 1 mars 1945
Poeti i shquar Xhevahir Spahiu,
si vetë emri që e identifikon, i tillë është në panteonin poetik të letrave
shqipe, po i tillë është edhe në letërsinë për fëmijë e të rinj, me librat
poetikë që ka botuar, si: “Ti, qytet
i dashur...” (1973), “Zambakët e Mamicës” (1981), “Ekrani i kaltër” (1982),
“Kitaristët e vegjël” (1987), “Kryeartëzat” (1988), “Dielli i lodrave” (1990).
Poezitë më të mira e më të bukura të këtyre vëllimeve poetike janë përmbledhur
në librin “Zogj të kaltër” (Shtëpia Botuese “Mësonjëtorja e Parë”, Tiranë,
1999).
Krijues i talentuar që i ka mbetur besnik poezisë!.. Si poeti
Xhevat Beqaraj. Këtu, tek poezia, duhet ta kërkojmë: origjinalitetin,
përceptimin poetik, tiparet, etj., të krijimtarisë letrare të Xhevahirit. Këtu,
te poezia, ku nuk gabojmë po të themi se është “vendlindja” e tij. Sepse nga
kjo “Vendlindje”, erdhën këto libra, që u botuan brenda një periudhe 17
vjeçare. Duke i shfletuar, njihemi me plot motive jetësore, interesante dhe të
përceptuara me syrin e poetit e të fëmijës-lexues. Brenda asaj bote libri
‘gëlojnë’ hapësirat përrallore me fantazi të besueshme e të pabesueshme, me
rrjedhat e burimit, lumit e të detit që e ndjekin njeriun në udhëtim, që i
shfaqen në gjumë dhe në zemër i buçasin. Brenda asaj bote libri ndrit dielli i
shtëpisë si një dashuri e madhe, me lodrat e ëndrrat për to, me abetaren që rri
në krye, me fjalën magjike: Të lumtë dora!; me dritaren në kohë; me zërat e
fëmijërisë e të kujtimeve; me gjurmët në jetë e në muze, me fluturime të kaltra
e fluturime shqiponjash... Kjo është dhe arsyeja që Xhevahir Spahiu, duke qenë
poet i hapësirës, shprehet kështu: “Dëgjomëni mua: ju duhet të mbeteni fëmijë
sa më gjatë. Pa shihmëni në sy: herë-herë jam fëmijë e shkuar fëmijës. Mburrem
me këtë. ... Po të mos u zija pusi fëmijëve të mi, juve, vetes sime, t’i merrja
bukuritë e shpirtit fëmijëror, ato do të humbisnin sikur të mos kishin qenë
kurrë dhe një mjerim i madh, i pasosur do ta mbulonte këtë botë!... Kam vetëm një kërkesë: mbaroni njëherë librin
së lexuari dhe, pastaj, të drejtën e autorit le ta mbrojë botërisht një trup
gjykues i përbërë nga: një shqiponjë, një kalë dhe një lis.”[1]
E, duke marrë shkas nga parathënia,
e cila është konceptuar e tëra si një polifoni
tingëllimash e ritmikash të larme poezie e vibrim kohor, është e
pamundur të mos vësh re rrëfimin e sinqertë të poetit si në poezitë e tij, komunikimin
dhe marrëdhëniet me lexuesin-fëmijë si në poezitë e tij, shprehësinë
emocionuese, figuracionin e pasur artistik e spontaitetin si në poezitë e tij.
Malli për fëmijërinë e tij, malli për zemrën e lexuesit të vogël, si dhe malli
i zemrës së lexuesit të vogël për zemrën plot motive pafund e të befta të
poetit, që depërton aq bukur në botën shpirtërore të fëmijës; mbetet i pashuar
dhe me një dritë kujtimesh, që, vërtet të merr malli. Dhe... po sjell ca fragmente nga magjia e
Xhevahirit:
‘Vogëlush, o vogëlush,
vogëlush që s’të ka kush,
sado lart që fluturon
zogu çerdhen s’e harron’ (poezia: A s’më thuaj, si e qysh?..)
‘Rri atje mbi kodër
Dhe mendon, mendon...
Ulli katragjysh,
ç’ngjarje po kujton?
Tregoja filizit
Që bri teje mbiu.
Gjelbëro ulli,
o mik i njeriut!’ (poezia: Katragjyshi i drurëve)
‘Hënë e bukur, hënë,
qofsh për yjet nënë,
nëpër shtigje malesh
llampë udhëtarësh!
................................
Pa kur del në degë,
Pa kur del në degë,
skuq si kokërr shegë,
dorën zgjat fëmija
t’i shuhet uria.’ (poezia: Hënë, e mira Hënë)
Kjo botë poetike shfaqet plot
ndjenja e mendime të freskëta. Në shpirtin e saj gjallon bashkëkohësia.
Reflektojnë motivet e ditës, por edhe në kohë e në hapësirë. Trajtesa poezish
në mënyrë origjinale, larg skematizmit e stampave të krijuara, larg krijimeve
të pavlera e motiveve të përsëritura, larg vargëzimeve të thata e porosive
didaskalike të rëndomta e të mërzitshme, të cilat jo pak e mundojnë në këto
vite letërsinë për fëmijë e të rinj.
Të mos harrojmë se, Xhevahir Spahiu vjen nga letërsia për të rritur. Në
dimensionet e saj, ai ka shfaqur dinjitetshëm portretin e tij poetik. I ngjan
një guri të çmuar. Për vlerat dhe kontributet e shfaqura, me të drejtë një
studiues thotë: ‘Xhevahir Spahiu është ndër zërat më të spikatur dhe më
autentikë të poezisë bashkëkohore shqiptare’.
Në këtë periudhë të mirëseardhjes në letërsinë për fëmijë e të rinj, ai
pasuron më tej larminë e individualiteteve poetike që besnikërisht shkruajnë
për fëmijë dhe i janë kushtuar asaj, siç ishin: O. K. Grillo, Xh. Beqaraj, A.
Mamaqi, T. Gjokutaj, B. Harxhi. Ndërsa poezisë për fëmijë të tri niveleve i jep
frymëmarrje më të gjerë, veçanërisht me trajtimin e temave të njerëzores, të
vlerësimit të dinjitetit, humanizmit, qytetarisë dhe socialitetit, etj; të
cilat realisht i mungonin kësaj letërsie. Ardhja e Spahiut nga letërsia për të
rritur në letërsinë për fëmijë, është e njëllojtë edhe me ardhjen e poetëve,
si: Moikom Zeqo, Llambro Ruci e më vonë Anton Papleka, e më vonë Pandeli Koçi
(Sazan Goliku). Te Moikomi: krahas fabulave, legjendave, gojëdhënave, përrallave
(shpesh edhe në prozë), motivi i detit merr përparësi, bëhet metaforë e
krijimtarisë së tij. Te Llambroja: zëri i historisë është i pashuar, meloditë e
pavdekshme të Jugut ‘strehohen’ natyrshëm e plot finese në vargjet e poezive,
aftësia komunikuese mbart emocion dhe ngjyrë. Te Anton Papleka (prozë:
legjenda, përralla e tregime dhe poezi) kujtesa historike për të mos e humbur
vjen si një muze i gjallë, motivet poetike ruajnë pastërtinë dhe freskinë e
bjeshkëve duke i trajtuar me një këndvështrim origjinal. Te Pandeli Koçi (Sazan
Goliku): (prozë: përralla, legjenda e tregime dhe poezi), gjejmë besnikërinë
ndaj fabulës, spektrin ngjyror të fjalës dhe zhdërvjelltësinë në ecurinë e
veprimeve të personazheve.
Në këto 17
vjet të krijimtarisë poetike për fëmijë e të rinj, është e pamundur gjatë
leximit e rileximit të poezive të xhevahirta të Xhevahirit, të mos ndalesh në
disa tipare, të cilat janë fjalë-çelësa për të njohur dhe shijuar këto krijime.
-Edhe kur motivi është i njohur,
Spahiu do ta konceptojë artistikisht dukurinë nga një kënd tjetër vështrimi,
duke i mëshuar gjetjeve të reja, figurave origjinale, të thjeshta e të këndshme
dhe në fund... një rrëfim i sinqertë fëmijëror: “Babi, babi, thuaji zogut: /
“Zbrit një çikë, o yll!” / të këndojë në dorën time, / siç këndon në pyll. //
Do ta puth në të dy faqet, / t’i them: - Fluturo! / Në mëngjes tek xhami, eja,
/ tak-tak-tak! Më zgjo... (poezia: Zgjim, f. 11)
-Poeti është vëzhgues i hollë i jetës së fëmijëve, njohës i mirë i
psikologjisë së tyre. Ndaj dhe momentet poetike Xhevahiri i gdhend me mjeshtri:
“Një ditë shkon. Pas saj vjen tjetra, / ti mbjell një pemë, një gur t’i vë; /
nga guri, ja, u ngrit ndërtesa, / dhe pema pyll i madh u bë! // Koha vrapon.
Vrapon si lumë; / nga kalendari fleta ra. / vetvetes pyetjen i bëj unë: “Ditës
ç’i dhe e çfarë të dha?” (poezia: Një pyetje e domosdoshme, f. 92)
-Figuracioni është me shumë fantazi dhe merret po nga bota fëminore.
Flladi lirik si një puhizë e ëmbël ‘shëtit’ në të gjitha germat e fjalët e
poezisë, dhe më në fund ‘troket’ ëmbël në ‘portën’ e zemrës së lexuesit të
vogël. Dhe ja se si: “Udha vetëm nuk kalohet, / udha shokun e kërkon; / është e
gjatë – zvogëlohet, / është e rëndë – më pak rëndon. // Dora dorës i fal
brigje, / fjala fjalës i jep zjarr, / Kur është vetëm nëpër shtigje / mban një
shkop çdo udhëtar. (poezia: Shokët, f. 110)
-Çdo fjalë në poezitë e Spahiut
është e qëndisur me kujdes. E në këtë qëndisje nuk mungojnë që plot poezi mbyllen
gjithmonë me një kurorë të bukur, me një gjetje të papritur, ku lexuesi krahas
mahnitjes buzëqesh si vetë mosha. Mes shumë poezive zgjodhëm atë më titull: Dy
shqiponja. Poeti rrëfen: “Dy shqiponja atje lart / çajnë qiellin e pamatë. //
Njëra erdhi që nga malet, / ec e ec e s’di të ndalet. // Tjetra ngritur majë brigjeve
/ nga hareja e fëmijëve. // Njëra krahët rreh paprerë, / ulet, ngrihet, s’pyet
për erë. // Tjetra është një shqiponjë, / vizatuar në balonë. // Djemtë e
lagjes, ëndërrtarë, / me balona qiellin çajnë. // Dy shqiponja fluturojnë, /
një e gjallë e një balonë.
Librat poetikë të Spahiut, të para
në optikën time studimore, janë letërsi e botës së madhe të fëmijëve, të cilët
janë pafundësisht kurreshtarë dhe pyesin pafundësisht... Shfletoni këto libra
dhe mendimet e mësipërme do t’i gjeni të pasqyruara në shumë poezi, të cilat,
siç thotë poeti janë ‘dritare në kohë’. Një bashkëbisedim me të, ti, lexues i
dashur i çdo moshe, do të përpiqesh të njohësh dhe të përjetosh një botë të
qytetëruar... Por... do të kuptosh se edhe në ç’pozicion je ti... Dhe kjo është
arsyeja pse duhet të investohet për këtë letërsi... Një botë që duhet njohur!..
Xhevahir Spahiu është një poet
lirik. Si i tillë, peneli i ngjyrës, veçanërisht: të kaltrës është i pranishëm
dhe metafora e saj flet dhe ka domethënien e saj... ndoshta... të fal qetësi e
qartësi, ngjyrën e qiellit e të detit, të zogut e të malit, tendencat e një
harmonie. Ndoshta... të fal akoma një fjalë të pathënë të autorit; eh, sa të
fal!.. Poeti si një një bashkëbisedues i mirë na lë të kuptojmë se përmes kësaj
ngjyre, ai njeh mirë psikikën dhe interesat e fëmijëve.
Studiuesi Ilia Lëngu, duke
folur për alkiminë e fjalës së Spahiut, në mes të tjerave, thotë: “... i jep në mënyrë të vetëdishme fjalës poetike më
tepër liri e pavarësi, në kuptimin që ai i bashkon e i lidh fjalët mes tyre
gjithmonë e më tepër sipas konceptit modern të dashurisë së lirë, të aventurës
së fjalës, ku takimet e papritura, efekti i befasisë ka pjesën e vet në aktin
apo “çastin hyjnor të krijimit”. Për të zbuluar sadopak këtë tharm poetik, po
përmend shumë fjalë-shenja që më kanë shoqëruar gjatë leximit dhe studimit të
poezive të poetit, si: mëngjesi, stinët, qielli, dielli, hëna, yjet, lumi,
deti, mali, shiu...; zogu, foleja, plepi, kavakët, bleta, lulishtari, lulet...;
vendlindja, fëmijëria, lodrat, malli, kujtimet, ora, guaska e detit, nëna,
babai, gjyshi, gjyshja, motra, vëllai...; shqiponja, luleshqiponjat, balonat,
furtuna, kuajt, udhëtimi, mësuesi, Gjuha shqipe...
Duke njohur
poezinë e Xhevahir Spahiut, nuk ruajmë të njëjtin mendim, me ndonjë kritik, i
cili vite më parë ka shkruar kështu: “... për një kujdes më të madh në
vargëzim”, si dhe “për të shmangur ndonjë konceptim ideoartistik të patretshëm
prej fëmijëve”. Mjafton të themi, se në këto krijime poetike ruhen si relikte
të shenjta: vazhdimësia logjike e mendimit, natyrshmëria e rrëfimit, qëmtimi
befasues i detajeve poetike, për çdo poezi synon të gjej një fabul, sado të
vogël rreth së cilës organizon tërë poezinë, por ndodh shpesh që vetë detaji
poetik luan rolin e një fabule në miniaturë; gjetja interesante, aftësia për të
depërtuar në botën shpirtërore të fëmijës.
Bota
shpirtërore e fëmijës! Poeti i fali talentin, shpirtin dhe pagjumësinë e tij! I
fali Xhevahiri fjalën e Spahiut, një fjalë poetike gjithë fisnikëri që të mbush
me botë e të bën që ta shikosh me vëmendje botën... Se ‘Koha rrjedh e rrjedh si
lumë, / Kurrë s’ndalet koha... / Ngreje kokën, vogëlush, / më thuaj: Sa është
ora?’
-Sa është
ora? Në këtë fillimmarsi do të shkojmë në ditëlindjen e poetit të shquar
Xhevahir Spahiu. Marsi është festa e vjollcave... Dhe vjollcat bëhen tufa-tufa.
E urojnë poetin së bashku me autorin e këtij shkrimi: Edhe 100 pranvera
Xhevahir, o miku ynë i mirë! Dhe ndiej se ‘Nën qiell të hapur ndritin yjet /
dhe hesht liqeni atje tej; / përhapen zërat e fëmijëve / si zogj të kaltër
gjithandej.’
Të kujtohen
këto vargje..., patjetër, Xhevahir!.. I ke shkruar në Shkodër, në vendlindjen
time. T’i rikujtova, si për të të thënë: Fjala e poetit është Jetë, është
Pavdekësi!.. Dhe ti prapë thua me shpirtin tënd të gjerë e fisnik: “Më vjen
ndër mend një fjalë e gjyshes: / -Lirinë
e tjetrit mos e prek!
Shkodër, 01.03.2014
[1]
Spahiu, Xhevahir: Zogj të
kaltër, (poezi të zgjedhura nga klasa e parë në klasën e pestë), Mësonjëtorja e
Parë, Tiranë, 1999; parathënie: Një pyetje e (pa)çuditshme, f. 4-5.
No comments:
Post a Comment