Tuesday, March 18, 2014

Shkëlqimi dhe pikëllimi i një poeti

Xhahid Bushati

                                                            -Ese, në kujtim të poetit Frederik Reshpja-

Kam filluar ta kujtoj më shpesh Frederikun ose Fredin, siç e thërrisnim për shkurt.
            E kujtoj atë rrugicë që mban emrin e patriotit Dedë Gjo’ Luli. Kam ardhur shumë herë e shumë herë vij... Ardhja ime e parë ka qenë, kur isha gjimnazist.
            Kjo rrugicë ka fiksuar në kujtesë, ecjen e shpejtë, pa zhurmë, shpesh vetmitare të Fredit. Kjo ecje (si një gjurmë poetike) mbarte në vetvete kontrastin e njohjes e të mosnjohjes për këtë njeri me shtat të vogël e të mençur, e deri diku edhe indiferencën e banorëve  për komshiun e tyre të moçëm. (Nuk e di pse kjo frazë më kujtoi psikologjinë e mentalitetin e amullt, të mbylljes në vetvete, të (mos)-‘matanë murit’, të shumë personazheve të tregimeve realiste e moderne të E. Koliqit,  për Shkodrën). 
Bota e tij sikur nuk përkonte me ‘botën’ e lagjes ku banonte. Planeti i tij poetik, edhe pse shpesh i përjashtuar, amën e tij e kishte ‘Në këtë qytet’, ku Fredi me përulësi dhe nderim kishte vënë shpirtin si një gur varri (muranë), lirikat si dëshmi, përrallat si ëndrra magjiplote. 
Kjo rrugicë, shumë e shumë vite më parë kishte fiksuar ecjen e atdhetarit, poetit e dramaturgut Hilë Mosi. Më pas, ecjen e piktorit e arkitektit Kolë Idromeno. Rrugicë-muze! Rrugicë që mbarti e mbartë histori.
            Në këtë rrugicë shëtiti fëmijëria e Fredit, një fëmijëri e vështirë, me një përkujdesje mëmësie. Lulëzoi, ndoshta, te ajo shega që e pati mbjellë shumë e shumë vite më parë Hilë Mosi për djalin e tij të vdekur. Historia e tij, akti i tij na kujton motivin e dhimbshëm të baladave të moçme, ku vdekja animizohet përmes një simboli dhe bëhet e gjallë.
            (Fëmijëria mbeti  një nga  kodet e poezisë së Fredit. Ajo botë plot ëndrra, për të cilën poeti trishtohej e qante, vetmohej dhe ndiente mall,  është “vizatuar” përmes ngjyrave të trëndafilave, të pëllumbit, të lotit e të harresës. Në kontekstin poetik simbolika e trëndafilit lë “shenjë” më shumë. Po në këtë kontekst, në të shumtën e herës, humbet përftesa e  elementit zbukurues, si kuptim i parë etimologjik. Kemi rrjedha të tjera ngjyrimesh. Nga i gjithë cikli me poezi, “rrënjën” e ruan ajo me titull: “Trëndafilat e fëmijërisë”. Veç shpirtëzimit të fëmijërisë së autori, jetesa e saj bëhet e mundur në saje të lidhjes me mitiken. Ato sjellin në mënyrë biblike një modelim përrallor, të cilën e gjejmë si truall  në krijimet dhe në kujtesën popullore. Autori shkon më tej. E shenjtëron, duke pohuar: “Në fund të kopshtit banonte mitologjia / në një Olimp prej trëndafilash.” Kjo figurë  gjatë gjithë ciklit evidentohet në dy mënyra: a) përdorimi i njëjësit për shumësin për t’i dhënë më shumë frymëmarrje dhe b) përdorimi i shumësit për njëjësin për t’i dhënë konkretësi. Si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë raportet e konkretes me abstrakten sjellin dhe ruajnë imazhe e përfytyrime ireale. Spektri i krahasimeve, me objekt të vetëm dhe në qendër trëndafilin, (që nga psherëtimat deri te drurët e vdekur) nuk janë gjë tjetër veçse vibracione të gjendjes shpirtërore të Fredit. Në finale, përvijojnë elementë të dukshëm të profilit të tij poetik. Në komunikimin artistik, këtë gjendje emocionale, këto akuarele nga bota floreale,  e ruajnë dhe e shprehin edhe faqe të tëra të romanit “Zëri i largët i kasolles”. Një roman që është i dallueshëm në letërsinë tonë shqipe për  tiparet e një proze poetike. Një roman që kritika letrare pati shumë ngurrime dhe nuk ishte aspak entuziaste në gjykimet e saj. Zakonisht kështu ndodh me të tilla dogma, të cilat në mënyrë diktatoriale i krijoi metoda e realizmit socialist.
Nuk gaboj po të them se poezia e Fredit lulëzoi së pari te ai gjelbërim spontan që shfaqej në oborrin e tij, gjelbërim që i ngjante një mrekullie. Kjo mrekulli i ngjante një pikture surreale, veçanërisht netëve kur hëna hidhte rrezet e saj lodërtare. Kjo mrekulli kishte “çelur” edhe në shpirtin e Fredit dhe ruhej po e tillë në lirizmin e poezisë së tij. Lulëzoi edhe te ato trëndafila, që u bënë metafora ëndrrash e dhembjesh. Çelën, lulëzuan e kurrë s’u thanë në vetminë poetike të Fredit.
            (Veçanërisht, vitet e fundit, në konceptin filozofik e poetik të krijuesit Frederik Reshpja, metafora e VETMISË u bë domethënëse dhe e dukshme, gjalluese, ripërtëritëse (në konceptin e lajtmotivit) në krijimtarinë e tij. Shpërfaqja e tij e plotë u duk në vëllimin e fundit poetik “Në vetmi”( botim, 2005), vëllim që i ngjan një testamenti lamtumire,  një guri të çmuar e të rrallë në fondin e lirikës shqiptare.
            Duke pasur si objekt e shqyrtim librin e fundit, metafora e VETMISË gjen mbështetje në dy rrafshe:
a)      në lirikën surreale, e cila përbën dhe tiparin themelor të krijimtarisë së tij.
b)      në spontanitetin, i cili përbën një nga veçoritë e personalitetit poetik dhe krijimtarisë së tij me theks veçanërisht në lirikën moderne.
Anatomia e poezisë së Reshpjes është pazgjidhshmërisht e lidhur me jetën e tij. Një simbiozë në dukje e çuditshme, por e vërtetë. Aty duhet t’i kërkojmë fillesat dhe bulëzimet poetike, për të qenë më të qartë për rrugën e tij poetike, që nga libri në libër sillte befasi e imazhe të reja, dukuri, vlera e risi. Njëkohësisht, për të kuptuar, përse metafora e VETMISË ( mistikja, si element i krijimtarisë poetike) shëtit aq lirshëm në hapësirat e tij poetike. Dhe përse gjatë kësaj hapësire gëlojnë simbolet të fëmijërisë, të dhembjes (njerëzorja), të fatit e të vdekjes (tragjizmi i tij)).
Unë nuk mund t’i harroj ato vite, (se ato vite jetojnë), kur unë kam ngrënë bukë te ajo sofra e drunjtë, nga duart e zemra e nënë Drandes. Ishte nëna e Fredit, ajo. Një grua fisnike. Çdo gjë fisnike ishte tek ajo grua malësore!.
            E kam parasysh dhe tani atë grua të pashme, të gjallë, shumë e shoqërueshme dhe mirëbërëse. Sikur kishte lindur për të bërë mirë!
            Vështrimi i saj, Fredit gjithherë i sillte një paqe hyjnore. Kurse vështrimi i Fredit ishte një kurorë nderimi për të.
            Di, që nënë Drandja qepte bukur rrobat kombëtare, veçanërisht ato të trevës së Shkrelit, ku kishte lindur. Ishte mjeshtre e vërtetë. Mjeshtër i vërtetë ishte dhe Fredi në këtë lamije, që ia trashëgoi e ëma. Mjeshtër, në qepjen e xhamadanëve!
            (Poeti Reshpja i kushtoi figurës së nënës, dy poezi. Ata titullohen: “Vendlindja e nënës” dhe “Elegji për nënën”. Ndonëse të para në këndvështrime të ndryshme, ato fokusohen në një pikë të përbashkët, në dhënien e dimensionit artistik të portretit të njeriut më të shtrenjtë, më të paharrueshëm e më të dhembshur për Fredin. Poezitë nuk mund të kuptohen pa njëra-tjetrën, janë plotësim i njëra-tjetrës, veçanërisht në dhënien e detajeve për të plotësuar “biografinë” e saj. Në komunikimin artistik, prania e poetit ndjehet dukshëm. Ngjan si pikë loti, pse i kthyer në lot.
            Në poezinë e parë figura e nënës është shkrirë me vendlindjen. Arketipi i poetit: shkallë drite, gremina, druri i lahutës, pasqyrime krojesh. Ose e thënë ndryshe: adhurim e përjetësim.
            Poezia krahas përjetimit lirik, ruan si dekor dhe ca fllade të lehta tragjizmi.
            Në poezinë e dytë pikëllimi i poetit pikon mbi elegjinë që ka thurur me plot dhembje. Një pikëllim që përligj pesimizmin e poetit. Momentin tragjik të ikjes së nënës, e cila ka një hapësirë homerike, Fredi e shpreh: “Ishte një botë e tërë kur ishe ti / por erdhi kjo vetmi e madhe që fshin gjithçka”.
            Poezia, ndonëse ruan tiparet e elegjisë, ndërtimi i saj strukturor, përdorimi i anaforës e apostrofit përmes kadencave e ritmeve, na bën të pohojmë se ajo është parë dhe konceptuar,  duke u bazuar mbi shfaqjen e natyrën tradicionale të vajtoreve të Veriut. Dhe ky rit që në këtë poezi mbart vlerën e mitit është parë në tre aspekte: a) të trishtimit b) të madhështisë c) të përjetësimit).
            Unë nuk mund të harroj edhe atë ditë maji. Frederiku sapo ishte kthyer nga Tirana. Më tregon se, sapo kishte marrë recensionet e librit më të ri që po bënte gati për botim, atë me titull “Në këtë qytet...”. Unë në fakt, nuk i pashë recensionet, por të gjitha shënimet me laps, i pashë. E shumë pikëpyetje mbi vargje, pashë. Shumë pikëpyetje mbi metafora e mbi guximin krijues të Frederikut. Të shumta. Tani ishin përballë njëri-tjetrit, bota e shënimeve me lapsa të zinj si nata të recensentëve me botën fisnike e poetike të Frederikut. “Po tani, ç’do të bësh?!”- i thashë  unë. Frederiku qeshi. Tundi një herë dorëshkrimin dhe nuk u përgjigj më. Krijoi një heshtje, që mua mu duk se edhe ajo heshtje ishte poetike.
            Më pas libri me vjersha dhe poema “Në këtë qytet” u botua në vitin 1973. Me një format të vogël. Nuk e di, çfarë ka ndryshuar Frederiku në atë libër? Sa i ka marrë në konsideratë mendimet e tyre? Për sa e njoha, për një gjë isha i sigurt, se nuk bënte kompromise. Frederiku, me talentin e tij, kishte ardhur në fushën e artit për të bërë art pa kompromise. Dhe i tillë mbeti, ndonëse shumë herë e kryqëzuan.
            (Ashtu si krijuesit e Qarkut të Veriut, edhe poeti Reshpja, nuk mund të kuptohej krijimtaria e tij, pa pasur një motiv për qytetin e tij të lindjes. (Një përmbledhje e tillë do të kishte vlera antologjike). Dhe e mishëroi në poezinë e gjatë me frymëmarrje poeme të titulluar “Në këtë qytet”, që shoqërohej me një shënim: Për Shkodrën, ku kam lindur.
            Poezinë e gjatë, duke mos e larguar nga koha dhe klima kur është shkruar, ia vlen të themi se ajo është ndërtuar përgjithësisht mbi një raport intim të poetit me vendlindjen përmes lajtmotivit “Qytet i dashur”. Legjenda dhe historia, vështrimi i tyre në kohë, evidentimi i detajeve artistike si produkt e përgjithësim i realiteteve të caktuara historike, shoqëruar si dekor  me plot ngjyra lirike, tentojnë t’i bëjnë portretin këtij qyteti, por siç thotë autori: “Figura jote lëviz, si një portret që s’e kapin dot penelet / dhe para meje telajua e poemës mbetet e bardhë.”
            Dashuria, dhembja, malli e lëvizja mbeten “gurët” e themelitë ku ngrihet godina e kësaj poezie të ndjerë e me varg të lirë si element përcaktues formal  për të mos qenë i ngurtësuar, por si tendencë drejt një shtrirje dhe frymëmarrje sa më të gjerë.
            Vite më vonë, poeti Reshpja do ta ketë përsëri Shkodrën, objekt motivi. Tani poeti ka kualitete të reja artistike, pasuri imazhesh e teknikash. Vargu i tij është më i ngjeshur e i mbarsur me figura artistike, që të lenë pa mend. Ndjeshmëria e fantazia flasin për një botë poeti për tu pasur zili. Lirikat e tij, tani, janë modele.”)
            Unë nuk mund t’i harroj fletët e bardha të shkruara me stilograf. Edhe zamin (ngjitëse) me furçë në atë shishen e vogël. Nga korrigjimet që bënte vendoste herë pas here shirita letrash. Po i jepte “shikimin” e fundit dramës “Andrra për tokën”. Siç di unë, ajo pati fatin të shfaqej vetëm një natë. Një dramë në premierë. (Kam pasur fatin të jem spektator në atë premierë). Siç thuhet për teatrin, veprat lindin, rriten dhe vdesin brenda një nate. Të tillë pati fatin edhe ajo dramë. Më pas u bënë mbledhje. U bë zhurmë. Zhurmë, sepse shumë telashe u nxori konvencioni i kësaj drame. Dhe shumë telashe i nxorën poetit. U mbyll perdja e asaj shfaqjeje-premierë, për t’u mos u hapur më.
            Drama “Andrra për tokën” pati fatin e shfaqjes së një nate. Edhe pse me pak fat, teatri e ruajti në kujtesën e tij, pavarësisht se mbi të ra pluhuri i harresës. Po drama tjetër, ajo me titullin “Myku i kaltër?”, ç’u bë? Vallë, nëse jeton sot, në ç’sirtar ndodhet ajo? Mos vallë ai dorëshkrim ndodhet në kujtesën  e heshtjes e të vdekjes? Sa do të kisha dashur ta shihja, qoftë edhe një herë, sigurisht në skenë!
            Nuk e di pse më lindi ideja t’i kërkoja librat e Frederikut në bibliotekën e qytetit, shumë kohë më parë. Punonjësja më tha t’i kërkoja në skedar. Ashtu bëra. I kërkova te germa R. Nuk i gjeta. Mendova t’i kërkoj te germa Rr, se mos ndoshta kanë ngatërruar germën e parë të mbiemrit. Edhe aty nuk gjeta gjë. Pyes punonjësen: “Përse nuk janë?!” Ajo e qetë më përgjigjet: “Mos ka qenë i ndaluar?”  “Po, në kohën e diktaturës” – i përgjigjem. “Atëherë, janë në fondin e ndaluar! Kështu që e kam të vështirë t’i gjej” – më përgjigjet përsëri punonjësja.
            Mbeta i habitur, por më shumë i hutuar. Dhe i fola vetes: “Ende të ndaluara veprat e tua, Frederik?! Ende i “ndaluar” liriku më i madh i letërsisë shqipe?! Dhe ku është ndaluar... në vendlindjen e tij, për të cilën poeti Reshpja këndoi: “E dua këtë qytet / ...o, më merr malli për vjeshtën tënde, për gurët! / kur jam larg teje / më merr malli për këngët që këndojnë erërat e tua netve”.
            Nuk e di pse në çast mu kujtua se ka qenë një vit i zi kur Fishtës së madh ia hodhën eshnat në lumin Drin, se ka qenë edhe një vit (edhe ky i zi) kur Migjenit ia thyen mermerin e varrit e pjesë nga busti i tij ia copëtuan në mënyrë shnjerëzore, se ka qenë një vit, kur Koliqi i linte porosi në formë testamenti së bijës: “... shko lum bija n’at Shkodrën time / ... Atje si t’gjindesh, sytë e mi n’ball / tandin do t’hapen! / N’ty kena me u ngjall, / për mue ti Shkodrën / për mue sodite / mallin e sjellun n’vorr / shafite, /
Nuk e kisha menduar që me Fredin do të takohesha përsëri te hotel “Argenti”, dhe ky do të ishte takimi i fundit. Pas një muaji ai do të ndërronte, papritur, jetë.
Kur kamerieri më solli kafenë, më tha, si padashur: “Janë mbledhur ca njerëz rreth një njeriu të çuditshëm, atje te tavolina e fundit. Thonë për të se është poet...”
Kamerieri iku. Unë ktheva kokën dhe nuk e pata të vështirë të njihja mikun tim të vjetër. U përqafuam me mall. Ashtu si unë edhe Ai qau.
Po e vështroja me dhembje e mall. I mbështetur në karrige, me kapelë republike e me xhamadan. Ishte dobësuar. Sytë ruanin ende gjelbërim e magji. Mu dukën si sy të pafajshëm fëmije. Më foli me një zë prej përralle. Më kujtuan përrallat e tij brilante në libri i fundit “Aventurat e fundit të Gishtos”. Nuk e di pse më kujtuan Andersenin...
Folëm gjatë. Njerëzit përreth rrinin si të hutuar dhe nuk e kuptonin dot. Ishin jashtë botës së tij. Ai fliste dhe një metaforë natyrshëm çelte si një gjethe në shpirtin e tij tashmë të lodhur e të drobitur.
Më kishin thënë për Fredin, se vinte herë pas here në qytetin e tij të lindjes!... Ndoshta për t’u çmallur, ndoshta për të kërkuar fëmijërinë e tij, që tani “jetonte” edhe “Në vetmi-në” e moshës e të poezisë. Vinte në qytetin, për të cilin Fredi-poet kishte shkruar: “Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua”.    
Kam filluar ta kujtoj më shpesh Frederikun ose Fredin, siç i thoshim për shkurt.. Kujtoj kompozimin e ngjyrave brenda poezisë së tij, bashkëjetesën në parregullsinë e rregullsinë e tyre, tingullin e zërit të aedit me jehonën e lashtë të mitit, aromën lirike dhe autentiken e saj, finesën, elegancën, poetiken, magjinë e një mjeshtri që na dhuroi një poezi të papërsëritshme, botën e saj të haluçinacioneve që e krijojnë vetëm poetët e mëdhenj. E kujtoj..., dhe se si më kujtohen këto vargje që kam dëshirë t’i përsëris: “Na zuri mëngjesi në udhë. / moj kapelja ime e vjetër.”
Dhe do ta takoj në udhë e në një mëngjes Fredin, se... “Unë vetëm nga një vizitë u bëj stinëve, o njerëz, / kurse zemrën e kam tek ju.”



No comments:

Post a Comment