Wednesday, March 26, 2014


Xhahid Bushati

Çadra e luleve
            
                      -përrallë-

Një ditë, një bletë krahëlehtë fluturoi larg, shumë larg. Matanë pyllit të gjelbër. Shoqet i  kishin thënë se, atje gjendej një lëndinëz e vogël me lule shumëngjyrëshe, që ngjante si një gjerdan i çmuar. Bleta punëtore udhëtoi drejt këtij thesari, e pas ca bredhjesh e fluturimesh, më në fund e gjeti. U gëzua, ashtu siç gëzohet një lule. Lumturinë e gjeti duke shëtitur lule më lule, e lule më lule mblodhi nektar!..
Kur u ngarkua ding, përshëndeti lulet shumëngjyrëshe me fjalën magjike:
-Faleminderit! – e zhu-zhu-zhu, mori rrugën për në shtëpi.
Rrugës pa një dallëndyshe, e cila fluturonte aq ulët, sikur donte të prekte tokën. Më tej pa ca harabela të vegjël që po zhgryheshin në pluhur. Bleta u çudit, por edhe u mendua... Pyeti veten: “Çfarë duan të thonë dallëndyshja dhe harabelat?!..” Bleta donte t’i pyeste, por ata ishin larg, shumë larg... Edhe po të donte të shkonte, ajo, bleta krahëlehta t’i takonte, përsëri nuk ishte e mundur; ajo mezi ecte nga nektari i mbledhur...
E  menduar, vazhdoi rrugën, zhu-zhu-zhu…

                                                           (Ilustrimi: Safo Marko)
Nuk vonuan dhe u dukën pikat e para të një shiu pranveror. Bleta u kujtua menjëherë se, lajmërimet e para ia dhanë dallëndyshja dhe harabelat.
Punëtoren duarartë e zuri shiu i pranverës në rrugë.
Zhu-zhu-zhu, ku të shkoj? – pyeti veten bleta punëtore. – Zhu-zhu-zhu, shtëpinë e kam larg, shumë larg… Tani, edhe pylli mbeti pas… Nektarin, që mblodha me durim e kujdes, do të ma lagin pikat e shiut… Zhu-zhu-zhu, nuk di si t’ia bëj?!..”
Bleta fliste me veten e saj, ndërsa lart në qiell retë kishin ngrysur vetullat. Ata bënë që shiu i pranverës ta shtonte edhe më shumë numrin e pikave. E vogla bletë, tani, mezi lëvizte krahët. Ecte më ngadalë..., ndërsa pikat shtoheshin më shumë.
Bleta, zhu-zhu-zhu, ecte e ecte përmes perdes që kishin krijuar pikat e shiut. Ecte e ecte..., dhe po i afrohej ngadalë -ngadalë  një lulishteje, që edhe kjo i dukej si një lëndinëz me lule shumëngjyrëshe.
I pari që dalloi bletën, ishte një zymbyl. E thirrri (ashtu siç dinë të thërrasin lulet):
-Bletë, moj bletë; eja në shtëpizën time! Ti mos u tremb, pse quhem lulja e shiut. Lulëzoj pas shiut të pranverës…
-Mos më harro mua, moj bletë, - tha tulipani ngjyrë lejla dhe u ngrit pakëz, e qëndroi në bishtin e hollë e të drejtë, që ta shihte bleta më mirë.
-Eja, o bletëz, eja tek unë…, - ia priti luleshqerra. Unë vërtet mbyll sytë gjatë tërë natës, por zgjohem sapo dalin rrezet e para të diellit. Eja, të pres!..
Pastaj e thirrën zambaku, sheboja, manushaqja… (... e cila lule nuk e thirri: “Eja, o bletë, o shoqja jonë, eja në shtëpizën tonë!”)
Krahëlehta ndjeu një gëzim të vërtetë. Fluturonte, dhe... sikur s’i ndiente mbi trup e mbi krahë pikat e shiut që binin pa numërim. U drejtua nga lulet, por nuk hyri tek asnjëra prej tyre. Lulet u çuditën, e përmes fëshfërimës, pyetën njëra-tjetrën:
Cila nga ne e ka zemëruar bletën?
-Unë, jo…
-Edhe unë, jo…
-Edhe unë, jo…
-Jo...
-Jo...
Lulet, përsëri, përmes fëshfërimës, pyetën njëra-tjetrën:
Atëhere, përse, bleta nuk hyn tek asnjëra lule?!..”
-Zhu-zhu-zhu, i dua njëlloj të gjitha lulet, - tha bleta. Të gjitha lulet i kam xhan! Prandaj…
-Mos u mërzit, bletëz!, - i thanë lulet dhe i folën njëra-tjetrës: “Ejani motra e  vëllezër të mblidhemi kokë më kokë.”

Lulet zgjatën petalet-duar dhe formuan një çadër shumëngjyrëshe, që ngjante si çadër cirku. Bleta punëtore hyri në çadrën e luleve me një gëzim dhe lumturi të tillë, sa edhe vetë, xhaxhi lulishtari, miku më i mirë i luleve, e ka të vështirë ta tregojë...   

No comments:

Post a Comment