Friday, March 14, 2014





 Xhahid Bushati
                                    « … marrë frymë ajrin e Atdheut »

                              -Ese për liridashësin, mendimtarin e lirë, ushtarakun,                               
                                politikanin, filozofin dhe poetin Hamid Gjylbegaj-

                                                            Ndër trojet e Skenderbeut
                                                            Kur “Virtyti” t’ bahet “Besë”
                                                            Përparimi i këtij Atdheut
                                                            “Ideal” i gjallë do t’mbesë!
                                                                        Hamid Gjylbegaj, poezia “Monumenti i Atdheut”
1.
            Hamid Gjylbegajn e kam takuar dy herë në jetë. Në të dyja rastet nuk kam biseduar qoftë edhe një fjalë me të, por e kam fiksuar portretin e tij me sytë e fëmijërisë.
            Shumë vite më vonë dëgjova si nën zë shumë ngjarje e histori paksa të çuditshme që lidheshin me emrin e këtij burri, që unë shumë e shumë vite më parë e kisha njohur. Këto ngjarje e histori që  lidheshin me të si protagonist e që tregoheshin  me zë të ulët, me siguri përkonin me këtë moment që historiani Dashnor Kaloçi shkruan në një shkrim të tij: “… nga viti 1945 e deri në vitin 1979 ai nuk mori pjesë asnjëherë në votime, duke i bojkotuar rregullisht ato. I gjithë populli i Shkodrës dhe i Elbasanit, ku ai jetoi, e mbajnë mend fare mirë se Hamidi nuk shkoi asnjëherë pranë kutive të kuqe të votimit.
...
            Ai ngrysej dhe gdhihej i vetëm në shtëpinë e tij, duke kaluar netët e gjata dhe të acarta të dimrit pa kushtet minimale të jetesës. Hamid Gjylbegu, shkodrani me bindje antikomuniste, që mbahet mend si rast i rrallë në të gjithë Shqipërinë për bojkotimin e rregullt që u bënte zgjedhjeve gjatë viteve të regjimit të Enver Hoxhës, ...”[1]
            Shumë vite më vonë, lexova e rilexova gjithë librat e tij (me nga 16 faqe, a diçka më shumë), dhe sytë e fëmijërisë sime nuk e kishin tjetërsuar atë portret. Imazhi qëndronte i gjallë, i paprekur si atëherë...
            Dhe... portreti i Hamidit, sipas mikut të tij të ngushtë dhe studiuesit Izet Bebeziqi: “Vetun, në një karrikë, vrashëm në vedi, në ballë të rrudhun e me sye të tretun në kurrgjë, si i tretun n’agonie mejtimesh e andrimesh po pushote Hamidi. Burrë i naltë, i shëndoshë, ezmerë, me mustaqe të zie, me dukje t’errët, por me shpirtë të çelët e syni i tij shkëndie e pa-plakrueshëme e në të shtjerrun rrëfente nji bujarië të veçantë.”
            Dhe... portreti i Hamidit, siç e njoha unë shumë e shumë vite më vonë: “Ishte serioz. Serioz tërë kohën. Të dukej sikur i kishte humbur buzëqeshja, sikur nëpërmjet bisedave e kërkonte atë… Fliste rrallë, duke tundur kokën. I ulur në një karrige shpesh meditonte në vetminë e ditëve fatin e shkruar dhe të pashkruar… I vrazhdë në vetvete. Me ballë të rrudhosur e sy të tretur deri aty ku s’arrin dhe pik’e lotit. Shpesh kërciste dhëmbët si shenja nervozizmi për t’i bërë sfidë kohës që e mundoi dhe e plagosi shumë për fjalën e lirë, për peshën e lirisë, për karakterin e vendosur e të admirueshëm. Esmer, me mustaqe që iu zbardhën në pleqëri, por me një shpirt të çelur që rrëfente një bujari të vërtetë. (Të mos harrojmë që ai shpirt mbante dramën që ia shkaktoi egër e torturuese diktatura e egër dhe e pashpirt, që ai shpirt qante në heshtje e mbante të ndezur dritën e shuar të të birit të vetëm, Virtytit[2], që e donte më shumë se sytë e ballit). Reflekset e tundimit shpirtëror, të krizës morale i gjejmë dukshëm të pasqyruara në librat “Zana e shitueme”, “Fyelli i barive” e “Harpa e thyeme”, botime të vitit 1943.
            Një bardhësi e bukur i mbulonte kokën. Siç duket kjo bardhësi si një lirizëm fatlum ishte krijuar enkas për të zbutur pamjen e zemrën e këtij njeriu që më shumë mendonte se sa fliste, që kishte rënë 27 herë në luftë e ishte plagosur 2 herë. Të dukej sikur Hamid Gjylbegaj me një botë poeti, jetonte diku mes kufijve të ireales me realen, të legjendës me mistiken, të amëshimit me pafajësinë, të ëndrrës që nuk arriti kufijtë e realitetit… Jetonte vetëm me “ajrin e atdheut”, të cilin e deshi aq shumë.”                      
           

2.
            Hamid Gjylbegaj lindi më 28 shkurt të vitit 1889 (ndonëse ka versione të ndryshme) në një familje me emër e nga më të vjetrat të qytetit të Shkodrës, siç ishte ajo e Gjylbegajve. Shkollën fillore dhe të mesme ushtarake i ndoqi në vendlindje. Vitin e fundit e bëri në Manastir. Akademinë Ushtarake e përfundoi pas tre vjetësh studimi në Stamboll. Në korrik të vitit 1912 emërohet instruktor i rekrutëve të regjimit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës Ballkanike u gjend në koopormatën e Selanikut në frontin me serbët dhe mori pjesë në luftime në Kumanovë, Qyperli, Perlep, Manastir e pastaj në front me grekët në Bilisht, Korçë, Janinë. Më 6 mars 1913 Janina ranë duart e grekëve dhe Hamidi dërgohet rob lufte në ishullin Zanta. Në tetor të vitit 1913 lirohet e kthehet në Stamboll. Më pas vjen në Shqipëri për të punuar për forcimin e shtetit shqiptar. Zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Klubit “Lidhja Kombëtare”. Me krijimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, më 1918 zgjidhet anëtar i Kryesisë së atij Komiteti. Bën pjesë në grupin e atyre që caktoi Komiteti për përgatitjen e Kongresit të Lushnjës. Në mars të vitit 1920, u emërua nënprefekt në Pukë. Drejton veprimet luftarake në fazën e parë të Luftës së Koplikut (korrik-gusht 1920).
            Qeveria e Fan Nolit e nxori në pension. Hoqi dorë nga veprimtaria politike. Arsyen e mbulon heshtja. Vdiq në Elbasan, tek e bija, më 24.02.1979, katër ditë para se të mbushte moshën 90-vjeçare.

            3.
            Hamidi zotëronte: turqisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht. I pajisur me një kulturë të gjerë ushtarake, filozofike e letrare, të cilat reflektuan në punën e tij, bënë që gjithë herë të udhëhiqej nga bindjet nacionaliste.
            Poezitë e para i botoi në revistat “Agimi” dhe “Afrimi”. Më pas botoi librat: “Flutura ndër lule” (1924), “Pak a shum” (1925), “Fjala e Virtytit” (1929), “Monument i Atdheut” (Shtypshkronja “Saide” Elbasan, 1930), “Kunora e Lumnis /  Caku i filozofis” (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1931), “Fletra e jetës” (Shtypshkroja “Ora e Shkodrës”, 1932), “Drita e S’vërtetës” (1933), “Kopje origjinale” (Shtypshkroja “Ora e Shkodres”, 1933), “Fyelli i Barive”, Tiranë, 1943), “Zana e shitueme”, 1943, “Harpa e thyeme”, 1943) etj.
            Në dorëshkrim i mbetën poezi të bëra pas çlirimit e disa përkthime. Mblodhi këngë lirike në trevat e Malësisë së Madhe. Një pjesë i botoi. Ka shkruar dhe artikuj politikë në gazetat “Populli” në Shkodër, “Dajti” në Tiranë, herë me emër, herë me pseudonim…

            4.
            Kritiku Izet Bebeziqi në studimin e tij mbi krijimtarinë e Hamdi Gjylbegajt në mes të tjerave thotë: “Po, po, koha do të vijë dhe penda (pena) e tijë do të çmohet”. Krahas këtij vlerësimi, kritiku në fjalë e ka njohur shumë mirë kulturën, filozofinë  dhe karakterin e Hamidit. Në analizën që i bën shumë poezive të tij, evidenton këto dukuri që i krahason me poezitë e poetit gjerman Storn-i . Aq më shumë kjo gjë përforcohet, kur sipas autorit Bebeziqi poezia e Hamidit gjen pika takimi me të Storn-it. (me sa duket ky emër ka qenë një preferencë e Hamidit dhe ndikim i tij, e, në bisedat e ndryshme me Bebeziqin, duhet ta ketë përmendur shumë herë).
Dhe Bebeziqi vazhdon të thotë kështu: “Me nji fjalë: Storn-i asht nji poet i lindun, kurse Hamidi nji vjershtor i përbamë ndëpër  rymë të kohës, të rrethanave e t’ambientit me mendime të shndoshta të nji pende të pjekun.”[3]
Dhe për ta përligjur mendimin e mësipërm, nga studimi i I. Bebeziqit shkëpusim këtë fragment si argument: “Vjershat e tija janë vende-vende me një frymë lyrike nja që të kandëshëme e të natyrshme, sa që n’ ”Urata e Dashtnisë”, “Vera”, “Vjolca”, “Bylbylit”, “Vegimi i sajë” etj., të thueshë se flet Storn-i. Si ky ashtu dhe Hamidi nuk dijnë t’i veshin ndjenjat e tyne me lule e fjalë pompoziteti, por i shprehin siç i ndijnë: Me za të popullit”.[4]

            5.
            Jeta e Hamid Gjylbegajt i ngjan një deti të trazuar, valët e të cilit e rrahën egër dhe në mënyrë të pamëshirshme, por nuk e gjunjëzuan dot. Kantian nga filozofia. Karakter i një edukate gjermane. I prerë në vendime si ushtarak i Akademisë turke, të cilën e kreu. I heshtur gjer në dhembje. E gjitha kjo ishte bota ku shëtiste Hamidi, parimet e së cilës nuk i cenonte, por nuk lejonte t’ia cenonte askush. Dhe ëndërrisht, në poezinë: “Kuptim i jetës”, Gjylbegu shprehej: “Në kjoftë qellimi i jetës “Jeta” / Si e shtremba, si e drejta, / Të gjitha ngjarjet janë të shkreta / S’asht kurrëgja, as e vërteta.”




           











[1] Kaloçi Dashnor: “Gjylbegu, njeriu që s’votoi kurrë”, Gazeta Shqiptare, 12.10.2003.
[2] Çoba, Ejëll: Jetë e humbun, - Shënime për veten time – (Kujtime të shkruara në vitet 1973-1978), Botues: Adelprint, Botimi i dytë, Tiranë, 2012
f. 193-194-195
                Me të  burgosunit e Elbasanit e  kishte ardhë në kamp (është fjala për atë të Vloçishtit, - nënvizim i imi, Xh. B.) nji djalë i ri shkodran, Virtyt Gjylbegu. Ishte i biri i Hamid Gjylbegut, shkrimtar, njëfarë filizofi, për të cilin Fulvio Kordinjano kishte shkrue se në veprat e tij kishte krijues nji fe të re. Jeta e tij shumë e gjatë e plot vuajtje e tregoi njeri me karakter të fortë.
                Virtytin e kishin caktua skuadërkomandant, por mbas pak ditsh e hoqën, se nuk pranoi me raportue shokët e punës, si bashin komandantat e tjerë, dhe e vunë në lopatë. Nji ditë na vunë në radhë indiane e na thanë me parakalue para nji djali të lidhun për shtyllë në mes të kampit, me ftyrë të zhigatun me mjaltë. Të gjithëve, 1500 vetë, na dhanë urdhën ta pështyjshim. Kur iu afrova, e njoha se ishte Virtyti. Kontrolli ishte i rreptë, si i rojeve, si i komandantave. Edhe mue m’u desht me ba gjestin sikur po pështyjsha. Pashë se shumë prej atyne që kishin parakalue para meje kishin spastrue mirë kanalet e frymëmarrjes dhe hundët në fytyrën e Vietytit të shkretë.
                Na dolëm në punë; Virtytin e kishin lanë të tanë ditën aty, në pishë të diellit në atë gjendje. Mora vesh se Virtyti hante bukë bashkë me të fejuemin e motrës, nji kolonjar. Një ditë, kur Virtyti nuk kishte dalë në punë mbasi ishte me raportë të mjekut, në drekë kishte ngranë nga ushqimet e përbashkëta e prandej edhe nga mjalta që i kishte ardhë kolonjarit. Ky në darkë e kishte akuzue te roja se i kishte nganë mjaltën. Dy-tri herë më ndodhi me punue afër Virtytit, pse edhe atë si mue nuk e lejofshin me punue me shokë që të mos shfrytëzofshim mundin e të tjerëve. U mundofsha me i dhanë kurajë, pse e shihsha shumë të dëshpruem, megjithëse fliste pak dhe e mbyllte bisedën duke më thënë:
                - Ah, mor zotni Çoba, nuk mundem... !
                - Unë që jam 40 vjeç, - i thosha, - po mundohem me i ba ballë, jo ti që je 28 vjeç. Por e shihsha se fjalët e mia nuk mjaftofshin, se përsëriste: “Nuk durohen, nuk durohen!”.
                S’shkoi shumë e nj inatë në gjumë, ndigjuem të shtime pushkësh. Të nesërmen mora vesh se Virtyti, mbasi ishte kthye prej pune, ishte la, pastrue e kishte veshë rrobat ma të mira që kishte.
                Nji roje, që e kishte pa ashtu të veshun mirë, me ton tallje, i kishte thanë:
                - Virtyt, mos do të lirohesh që qenke veshur si dhëndërr?
                - Po, do të lirohem, - i ishte përgjigjë me plot gojë.
                Posa kampi kishte ra në gjumë, Virtyti, ashtu i veshun, kishte dalë prej kaparonit e u ishte afrie telave të kampit të ndriçuese prej llampadinave të shumta. Roja i kishte thirrë dy-tri herë: “Ndal! Ndal!”, por Virtyti nuk ishte ndalë dhe kishte vazhdue me iu afrue me iu afrue telave tue i thanë rojes: “Shtin!”.
Roja kishte zbatue urdhrin e marrun e Virtyti kishte ra i vdekur në çast.
Në mëngjes, ndër 1500 vetat që dolën në punë askush nuk fliste!
[3]Bebeziqi, Izet: Hamid Gjylbegu prej Izet Bebeziqit (studim), botuar në gazetën: La Nouvelle Albanie,   Constantza Roumanie, No. 525, DIRECTEUR: Mihal S. Xoxe.
[4]Bebeziqi, Izet: Hamid Gjylbegu prej Izet Bebeziqit (studim), botuar në gazetën: La Nouvelle Albanie,   Constantza Roumanie, No. 525, DIRECTEUR: Mihal S. Xoxe.



No comments:

Post a Comment