Wednesday, March 5, 2014

 Rubrika: Shkodra ime


            Xhahid Bushati

  
MJESHTRI I SKENOGRAFISË

                                    ......................................................
                                    shko ti, lum bija, n’at Shkodrën t’ime
                                    kur n’terr do t’sosem
                                                            me trup e andrrime:
                                    atje si t’gjindesh, syt e mij n’ball
                                    t’andin do t’hapen:
                                                            n’ty kam m’u ngjall.[1]  

                                   
Lec Fishta lindi më 5 mars 1920 në Shkodër, dhe vdiq më 4 korrik 1995, po në qytetin e lindjes. Ashtu i dobët nga trupi dhe imcak në fytyrë, fjalëpak e me një buzëqeshje deri diku hënore, me punën dhe heshtjen e tij gjer në dhembje, lidhen afro 210 premiera, ku aktiviteti i tij në fushën e skenografisë është i shpërndarë (dhe i përmbledhur) në teatrin “Migjeni”, në shtëpinë e Kulturës, në estradën e qytetit, në teatrin e kukullave, etj.
Tregojnë për Lecin e vogël: më parë se lodrat, ‘trokitën’ librat, me dritaret e tyre të diturisë, në fëmijërinë e tij. I ndriçuan moshën njomëzake. Ndërsa, vetë, fëmijëria e Lecit e pa Botën përmes botës së librave, e cila u ngjante netëve të kaltra me xixëllonja ëndërrimtare, netëve me yje farfuritës – lajmëtarë që thonë se dijet duhet ‘të pushtojnë’ hapësira të panjohura...
Bota e magjepsur plot dritare të reja të librave e bëri të udhëtojë drejt një dëshire, drejt shumë ëndrrave... Ndoshta drejt vjershave të ëmbla, plot këshilla e motive stinore të Ndre Mjedës, përrallave diturake të Mati Logorecit, tregimeve të shkurtra me plot subjekte të papriturash e tërheqëse të Anton Xanonit; që iu dukën si piktura çudibërëse, paksa surreale, a si dekore të largëta... Ndaj, gishtërinjtë e tij të njomë si petale lulesh, nisën të kërkojnë lapsa me ngjyra, bojëra uji, penela, akuarele, fletë e blloqe vizatimi..., më vonë ngjyra vaji e tavalocë... që atë botë plot ngjyra ëndërruese ta kthente në një realitet magjik, në çmueshmëri, sipas përceptimit fëmijëror.
            Tani nuk mund të rrinte më fshehur..., dita-ditës po çelte gonxhja e dëshirës fëmijërore për tu bërë piktor! Por Leci kishte edhe një dëshirë tjetër, që tashmë ishte materializuar:  pasioni për lulet. E kishte të trashëguar nga babai. I ati kishte punuar lulishtar në spitalin ushtarak, dhe më vonë në parkun e fëmijëve pranë Shtëpisë së kulturës. Të tilla trashëgimi Shkodra kishte pasur plot. Të tilla trashëgimi ishin të lidhura me traditat e hershme shpirtërore të shkodranëve, dashuria rrezatuese, luluese  për lulet. Jo më kot, edhe sot e kësaj dite, aroma e mbretërisë së luleve mbetet e kandshme në lulishten e kangëve popullore shkodrane, lulishte që ngjan si një parajsë e vërtetë. Ky pasion pasqyrohej realisht dhe artistikisht në oborrin e Fishtorëve, oborr që kishte lloj-lloj lulesh shumëngjyrëshe si në një pajë nuseje, qëndisur anash me levanturë e me shimshirë radhë-radhë. Jo vetëm oborri, por edhe salloni i shtëpisë kishte një sërë lulesh (jo të ngjashme me të oborrit), të cilat ngjyronin dhe nuanconin bukurinë farfuritëse të këtyre mjediseve pak a shumë të mbyllura, të cilat i ka pasqyruar me mjeshtri në tregimet e tij, Koliqi modern dhe i papërsëritshëm. Në këtë ambient floreal, me një estetikë joshëse e mahnitëse, që ishte karakteristikë e oborreve shkodrane, nuk kishte se si të mos ishin të pranishme edhe dora krijuese, mendja plot fantazi e kujdesi i pafund i Lecit, të pasionuarit pas “parajsës” së oborrit të vet. Në këtë ambient floreal, syri nuk e kishte të vështirë të dallonte copëza e copëza dekoresh, të cilat i paraprinin dekoreve teatrore, për të cilat për Lecin do të bëheshin pjesë e jetës së tij artistike e pse jo edhe të jetës së përditshme. Maketet që la pas janë një dëshmi jo vetëm e talentit të tij, por edhe një “shkollë Fishtjane” që duhet të ketë jetëshkrimin e saj.
            Shkollën fillore e kreu pranë Jezuitëve, semimaturën e mori ndër Françeskan, ndërsa maturën e mori pranë Gjimnazit të Shtetit Shkodër, në vitet 1942 – 1943. Pas vitit 1944 hyri në Shtëpinë e Rinisë Shkodër, ku u mor me pikturë e teatër. Pas një problemi të ndërlikuar vetjak, kërkon të largohet nga qyteti i tij i lindjes. E dërgojnë të punojë në Pogradec për përgatitjen e materialeve figurative dhe dekorative në kampin e parë “Elioterapik” të pionierëve. Më pas e emërojnë pranë redaksisë së gazetës “Pionieri”. Nuk qëndron gjatë se, në fund të vitit 1945 kthehet përsëri në Shkodër, në qytetin “...andrrave të mija”, - siç do të thoshte një poet i njohur shkodran, për të jetuar përgjithnjë, deri në frymën e fundit të jetës së tij.
            Fillon punën si piktor dhe skenograf pranë Shtëpisë së Kulturës deri më, 25.01.1948. Gjatë kësaj kohe është dhe mësues vizatimi i kursit pedagogjik. Nga 25.01. 1949 deri më 02.12.1950 shërben nën armë. Me hapjen e teatrit të Ushtrisë popullore fillon punën në Shtëpinë Qëndrore si skenograf, ku ka një bashkëpunim të ngushtë me regjisoren Zina Pano.
            Leci vjen përsëri në Shkodër. Hyn përsëri në teatrin e Shtëpisë së kulturës. Me që vendi ishte i zënë, më 08.01.1951 hyn si piktor pranë Shtëpisë së Oficerëve të Garnizonit Shkodër, deri në tetor të vitit 1955. Disa vite më vonë transferohet pranë teatrit “Migjeni”, si skenograf. 
            Le të kthehemi përsëri në fëmijërinë e tij. Ishte shtatë vjeç kur shikoi për herë të parë shfaqjet e tipit marionetë, të cilat i mbetën të pashlyeshme në kujtesë. Ndoshta këtu duhet t’i kërkojmë bulëzimet e para të krijimtarisë së tij të lidhura me teatrin e kukullave. Ndër vite ai realizoi 27 dekore për këtë teatër. Kështu, spektatorit të vogël do t’i mbeten në kujtesë pjesët: “Bariu dhe fyelli”, “Zana e malit”,”Keci me zile”, “Ermira e pyllit”, “Shtatë kotelet”, “Rozafa” etj.
            Kur mbushi nëntë vjeç mori pjesë në melodramën “Një familje me gungaça”. Në subjektin e kësaj pjese ishin rreth 10 a 12 fëmijë, të gjithë gungaçë, që bënin lëvizje gungaçore dhe vallëzonin rreth një këngëtari. Skenografi i kësaj pjese ishte Kolë Plani.
            Prirjen për pikturë që kishte Leci, ia zbuloi i pari, mësuesi i vizatimit, Arturio Sala, i cili ishte skulptor dhe ikonograf. E mbajti pranë Lecin. I jepte të bënte vizatime në shtëpi. I dhuronte kartolina, të cilat kishin peizazhe të ndryshme, kryesisht natyra të qeta. Njëkohësisht mësuesi i vizatimit i krijoi mundësi dhe i mësoi Lecit shumë procese të ndryshme të punës së skenografit dhe të fshehtat e kësaj gjinie arti, dije të cilat do t’i thellonte më vonë, në studimin e librit “Dietro il velario” (Mbas siparit).
            Krijimi i Shoqërisë Antoniane  rreth vitit 1933, i dhanë hov aktiviteteve të tij teatrore-artistike. Skenografi i ardhshëm Lec Fishta, shikoi shumë shfaqje, të cilat e formuan atë si artist.
            Gjatë viteve në Shkollën Françeskane u njoh edhe me piktorin Simon Rrota, që aso kohe punonte në realizimin skenik të pjesëve që viheshin në skenë. Edhe kur u largua Leci nga ajo shkollë e hyri në gjimnazin e shtetit, orët e vizatimit i bënte përsëri me piktorin Simon Rrota, sepse vetëm në atë orë shpreheshin aftësitë e talenti i vërtetë i Lec Fishtës. Këtë, piktori Simon Rrota e kishte kuptuar mirë pasionin e pandashëm të Lecit, ndaj shpesh e merrte në shtëpi. I shpjegonte teknikat e lapsit, karbonit, akuarelit e vajit.
            Miqësia erdhi duke u forcuar. Shpesh Leci e shoqëronte piktorin-mësues, kur dilte për të pikturuar në natyrë. Por nxënësi i tij nuk “harronte” të bënte ndonjë skicë me laps apo me pastel. Më vonë piktori Simon Rrota e njohu Lecin me piktorin Zef Kolombi dhe piktorin-arkitekt Kolë Idromeno. Kjo njohje lë gjurmë të reja, aq më shumë kur personaliteti i tyre artistik tashmë kishte kapërcyer hapësirat e vendlindjes. Tani, në ndërgjegjen artistike të Lecit, ndikimi i “shkollës artistike” të mjeshtërve shkodranë bëhet më i madh dhe e vë më shumë në lëvizje.
            Me mjeshtrin Idromeno, Lecit i qëllonte të rrinte më shpesh. Idromenoja, të cilin e karakterizonin thjeshtësia, natyrshmëria dhe respekti për talentin, i tregonte “kolegut” më të ri në moshë, herë pas here punimet e tij... Modeli i mësuesit piktor rri në kujtesën e Lecit si një dritare e hapur...
            Gjatë kësaj periudhe njohjeje me piktorët e shquar të Vendlindjes së tij, ( që përbën edhe një moment të rëndësishëm në krijimtarinë e tij) Leci punon dekoret e farsës “Shapka dhe fllanxa” (kur dhe vetë interpretoi një rol), të komedisë me një akt “Nastradini i vogël”, të pjesës muzikore “Kunora e humbun”.
            Nga viti në vit, aktiviteti i tij artistik njeh rritje. Në gusht të vitit 1940 punoi skenografinë e dramës “Thomas Moore”, vënë në skenë nga regjisorët Agostin Ashiku dhe Mark Ndoja. Drama-premierë u dha me 15 gusht 1940. Në të interpretuan: Luigj Toni, Pjetër Gjergji, Tom Leci, Pjetër Gjoka, Ndoc Shllaku, Injac Toni, Tonin Rrota, Shtjefën Shahini, Jak Ndreca, Lec Toni, Lin Kujxhija, Tish Baba, Kel Paloka, Rrok Berisha, Mark Shani dhe Ndrekë Shkjezi.
            Më vonë punoi skenën e parë të lojës së gazit më titull “Dy shurdhanët”, e cila u shfaq më 06.07.1941. Së bashku me piktorin Gjon Hila bënë realizimin skenik të dekoreve të pjesës “Frati Texos”. Kjo pjesë ka një të veçantë për Lecin. Ai interpretoi rolin e një personazhi femër. Me siguri, në historinë e artit tonë dramatik raste të tilla nuk janë të shpeshta. Lecin si aktor do ta shohim edhe në lojërat e gazit, si: “Bari i marrisë” e “Fotografi i hutuam”, kësaj here të realizuara nga Shoqëria Antoniane.
            Në vitin 1946, Leci martohet me Antoneta Ndokillinë (Fishta), njërën nga aktoret e para profesioniste të teatrit “Migjeni”. Në jetën e tyre familjare, bisedat për artin nisën të zinin vend më shumë. Jetë artistësh!..
            Leci, si skenograf në Shtëpinë e Kulturës, dha ndihmesën e talentin e tij për ekzekutimin e dekoreve të dramave “Bujtina e të varfërve” të M. Gorkit, “Çështja ruse”, “Portreti”, “Dy binjakët venecianë”, “Nën gështenjat e Pragës”, “Dasma shkodrane” (melodramë), e vite më vonë opera “Mrika” të P. Jakovës. Në ditarin e tij Leci do ta kujtojë kompozitorin e shquar Jakova, edhe për këtë detaj: “Krahas aktivitetit tim në Shoqërinë Antoniane, Prenkë Jakova më zgjodhi mua për të marrë pjesë në fanfarën e kësaj shoqërie, duke më besuar veglën muzikore trombë basse-sibemol”. Dhe kështu, ne, zbulojmë edhe një pasion tjetër të skenografit Fishta, muzikën.
            Lec Fishta, kur filloi veprimtarinë artistike në teatrin “Migjeni”, ishte skenografi i dytë i këtij teatri.
            Nga bisedat me aktorë, miq të tij, portreti i Lecit vjen dhe vizatohet si artist. Ndërsa, duke parë numrin e maketeve skenografike, që ende ruhen në arkivin familjar; kuptojmë se mjeshtri Fishta ishte shumë punëtor. Harronte a ka orar pune, a s’ka orar pune. Nocioni i kohës për të sikur kishte humbur... Po t’ia përmendje, ishte diçka absurde. Ndaj, fillonte në mëngjes e rrinte deri në mëngjesin e ditës tjetër për të mbaruar punën e nisur. Kjo i ndodhte jo rrallë, dhe sikur i ishte kthyer në ritual. Ajo botë që falte, e shoqëronte dita-ditës...
            Realizimet e mjeshtrit Fishta në pikëpamje të konceptit i takojnë skenografisë tradicionale.
            Me punën e tij të palodhur dhe me heshtjen gjer në dhembje që e karakterizonte, Leci përballoi jo vetëm punën në teatër, por edhe në estradë e në teatrin e kukullave, pa folur për Shtëpinë e Kulturës dhe aktivitete të tjera artistike. Një jetë me ngarkesë të jashtëzakonshme, ku drita e shpirtit të tij dhe e krijimit qenë bashkudhëtarë, ndritën dhe nuk u shuan kurrë...
            I mbyllur në të shumtën e rasteve në mbretërinë e heshtjes e të ngjyrave ku objektet, ndonëse të pa lëvizshme në dekoret e tyre, nderonin mjeshtrin e tyre, që herë pas here rrudhat e viteve e bënin më të menduar, e ku shtëllungat e hirta të cigareve që pinte pa pushim..., herë e ‘humbisnin’ e herë e shfaqeshin përsëri...
Leci realizoi 210 skenografi, ndër të cilat veçojmë: “Zani i Amerikës”, “Nën okupacion”, “Shtrëngata”, “berberi i Seviljes”, “Tirani i Padovës”, “Shtatë shaljanët”, “Kunora e Nurijes”, “Votra e huej”, “Plaku i Maleve”, “Bileta e llotarisë”, Këshilli i ndrikullave” etj.
            Në jetëshkrimin artistik të Lecit zënë vend edhe ekzekutimet e maketeve të piktorëve a skenografëve, me të cilët lidhej regjisori i shfaqjes. Kështu ka realizuar me mjeshtri, por njëkohësisht duke ruajtur individualitetin artistik të skenografit, maketet e skenografëve të shquar, si të: Agim Zajmit, Shaban Hysës, Bep Shirokës, etj.
            I pajisur me një kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve të huaja, Leci shkroi edhe pjesë për fëmijë, si tekstin e melodramës “Mësimi i pyllit”, apo përkthimet e disa tregimeve të autorëve italianë, pa harruar edhe personazhet që i interpretoi edhe vetë në skenë. Por puna e tij, me të cilën lidhet dhe emri i tij i plotë dhe gjurmëlënës, ka qenë skenografia.
            Ndër vite, në skenën e teatrit “Migjeni” apo në të tjera skena, plot aktorë interpretuan në role kryesore, të dyta e episodike. Interpretuan përmes situatave me rrjedha epike, dramatike dhe lirike. Shpalosen plot momente gëzimi e hidhërimi, në përjetime monologësh, zhvillime dialogësh e shkëmbime batutash, ... E gjithë këta aktorë, që derdhën talentin e tyre në skenë, që krijuan sa e sa personazhe interesantë e mbresëlënës; asnjëherë nuk harruan të ‘bisedonin” në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi edhe me Mjeshtrin profesionist të skenografisë Lec Fishta, sepse Ai ishte aty, përjetësisht aty, si një artist dhe spektator i heshtur...; ku fliste magjia e tij përmes gjuhës së konvencionit të dekoreve... 
             








[1] Poezia: SHKO TI…, f. 240; Ernest Koliqi, Vepra I, Faik Konica, Prishtinë, 2003.

No comments:

Post a Comment