Monday, April 21, 2014


Xhahid Bushati



              Trimëri me fjalë

                                - përrallë - 


            Ishte ditë pranvere, kur Lepurushi Ciko  u takua me iriq Gjembaçin. Lulet këndonin nga flladi i ëmbël i erës. Diku, ca kërpudha të vogla, herë pas here tundnin kapelat e verdha.
            Lepurushi lëvizi veshët e mëdhenj, ndërsa Ciko lëvizi tik-mustaqet. Lepurushi u trimërua aq shumë, sa na i tha Gjembaçit:
            -  I shikon këta muskuj?! – dhe shtrëngoi në fillim dorën e djathtë, pastaj shtrëngoi dorën e majtë.
            -  Po, - u përgjigj iriqi i çuditur. – Ç’do të thotë, kjo?!..
            - Janë aq të fortë, sa askush nuk mund të matet me to..!
            - Ashtuuu-ë?! Nuk e kam ditur që qenke kaq i fortë?! - tha iriq Gjembaçi. - Pa t’i shikoj një herë këta muskujt e tu..., - dhe mori një gjilpërë në dorë.
            - Jo, jo, jooo, - foli shpejt e shpejt lepurushi. Ngadalë, mos u rrëmbe?! Harrove  se  je iriq dhe vetëm gjilpëra di të bësh.
            - Trimat si ti, nuk frikësohen nga një gjilpërë e vogël. - Provoje një herë, vetëm një herë!.. – iu lut iriqi.
            - Jo, jo, jooo! - Duhet të matesh mirë me gjilpërën tënde,  - u përgjigj lepurushi dhe në çast u frikësua.
            - Atëherë nuk qenke i fortë, - foli Gjembaçi.
            - Kush, unë?! – mori guxim e tha lepurushi dhe rrotulloi një herë sytë e mëdhenj.
            - Po, ti...
            - Ha-ha-ha! – qeshi aq shumë lepurushi Ciko sa iu dukën dy dhëmbët e mëdhenj. - Dëgjo, o Gjembaç e dëgjo  mirë për trimërinë time: Kur nata  e zezë zbret ngadalë në pyll, dhe  çdo gjë bie në qetësi, ja, unë, unë lepurushi Ciko i rri roje pyllit. E ruaj me trimëri e  guxim. E ruaj me guxim e trimëri. Dhe këtë punë e bëj çdo natë...
            - Po kur fle?! – pyeti i çuditur Gjembaçi.
            - Trimat nuk flenë, - u përgjigj lepurushi dhe qeshi për mençurinë e tij.
            Kur lepurushi u bë gati të tregonte përsëri për trimëri të tjera, lart në pemë një ketër ngjyrëgështenjë me emrin Stik, që i kishte dëgjuar bëmat e Cikos, iu drejtua atij:
            -  Lepurush, o trim! Po shoh së largu dhelprën bishtkuqe. S’e kam parë ndonjëherë duke vrapuar si tani. Më duket, sikur... rrugës... përmend herë pas here emrin tënd...
            - Emrin tim?! – kërceu, hop, lepurushi dhe nisi të dridhej si purteka. - Ç’ka ajo me mua?! Unë s’i kam bërë gjë?! Ku ësh... Me... me si...guri...  është  l...a...r...g!
            - Ende e shoh dhelprën. Sapo kaloi gëmushën. Nga çasti në çast ajo do të jetë këtu, - foli Stiku.
            - Gë... gë... me, qen... ka a...fër, - tha Ciko duke belbëzuar, e ia mbathi i tmerruar me të katra.
            U bë erë. U bë lepurush.
            - Ndalo, o Ciko! Ndalo!.. - Ku e le trimërinë?! Do t’i mungosh sonte pyllit me trimëritë e tua, – thirri me të madhe Gjembaçi.
            - Ndalo, o Ciko! Ndalo! – Nuk ka as gjëkundi dhelpër, – thirri gjithashtu me të madhe e duke qeshur Stiku.
            Po lepurushi vraponte e vraponte. Ishte larguar kaq shumë, sa nuk i dëgjoi as fjalët e Gjembaçit e as fjalët e Stikut.
Vraponte  sa i hanin këmbët... Donte  të ishte sa më larg dhelprës. Nuk kishte dëshirë t’ia përmendte e t’ia dëgjonte as emrin e as mbiemrin.


            Po ku do të jetë lepurushi në këtë orë?! Përsëri vrapon do të thoni ju, apo...?!
            Pyeta përrallën. Ajo, akoma, nuk e kishte mësuar emrin e gëmushës së re. Ndoshta e dinte, ndoshta s’e dinte... Se përralla ka plot të fshehta e të papritura...   Kushedi... se ku mund të ishte në këtë orë lepurushi!..
            Për lepurushin se ku mund të ishte, pyeta edhe një lis të moçëm, që e kishte shtëpinë në hyrje të pyllit.
            Lisi m’u përgjigj përmes fëshfërimave të ca gjetheve, që më pas pushuan së kënduari. Ndoshta e njihte, ndoshta s’e njihte... Mbase e dinte se ku ishte fshehur, mbase nuk e dinte se ku ishte fshehur...
            Kushedi... se ku mund të ishte në këtë orë lepurushi Ciko!..
            Mos vallë, lepurushi ende vrapon, apo...?!
Ah, çfarë i bëri trimëria gënjeshtare, Cikos!..
            Ketri Stik zbriti nga pema. Qeshën gjatë me iriq Gjembaçin. Eh, sa gjatë, tamam si në përrallën që sapo e lexuat!..  









No comments:

Post a Comment