Monday, April 7, 2014


            Xhahid Bushati


Një lirikë për Frederikun...
                     
         

Perëndimi si vrasës me thika ndër duar,
                                                                                Nëpër dhimbje, nëpër hënë,
                                                                    
Tërë jeta ime, si këto ujëra nën thika
                                                                      
Por mua asnjë vdekje nuk më zë.
                                                                            


                                (F. Reshpja “Por mua asnjë vdekje nuk më zë”)

            Poeti Frederik Reshpja vdiq në vetmi. Ca miq, sigurisht të paktë në numër, mbi varrin e tij, vunë ca lot kurorash atë ditë shkurti.
            Shkurti erdhi përsëri. Iku. Më saktë data 18 erdhi dhe iku. Ajo do të vijë në ritualin e saj të zakonshëm, por pa Frederikun. Më saktë Frederiku erdhi, por i heshtur dhe i vetmuar siç e kishte zakon. Sigurisht, miqtë e atëhershëm, të paktët miq, përsëri do ta kujtojnë me mall. Ndonjë lirik, vetmitar, i pasionuar pas vargjeve të Fredit, do të pëshpëritë ca vargje mbresëlënëse sa do të bëjë një mimozë të çel në kujtim të poetit. Kujtesa dhe memoria do të vihen në lëvizje. Përsëri diçka do të gdhendet. E di, ngadalë. Ato shenja dhe konvencione, herë të deshifruara e herë jo, do të jenë faqe të reja e plotësuese, sigurisht të pakta, të testamentit poetik të Fredit.
            “tani erdhi ora të vdes përsëri...” – thotë në një vjershë Fredi dhe ashtu ndodhi pa kuptuar e vërtet... Iku nga kjo botë, në heshtje dhe i vetmuar, liriku më i shquar i letrave shqipe, mjeshtri i lirikës moderne, së cilës i dha zërin e vet (i cili qe fat apo ishte i pafat) të magjishëm e flurorë, tronditës e të pikëlluar.
            Statusi i lirikës së Fredit lidhet me përjetimin tragjik të fatit të Frederikut. Është një përjetim solid, bashkëveprues dhe i ndërsjelltë ( krijues e krijim), për të vazhduar më tej: nga imazhet e deri te konceptimi, për të vazhduar më tej: nga stilemat drithëruese te përfytyrimi, edhe më tej: nga raporti i ngjyrave te ndërtimi e arketipave.
Peizazhi i endur, për nga mënyra e ndërtimit arkitekturor, ruan frymën dhe parafytyrimin tënd poetik (artistik), për të cilat ka sigurinë e plotë të talentit. Në poezinë tënde çdo fjalë është e shenjtë. Ti i shenjtëron fjalët! Ato fjalë që kthehen në figurat e krijuara nga “uni” i poetit Frederik Reshpja, të cilave u rri besnik, sepse kanë të bëjnë me tiparet, mjetet e shprehjes, emocionin dhe në fund të fundit përcaktojnë individualitetin e tënd.
             Më bën përshtypje metafora e hënës, e cila shëtit në hapësirat e poezisë. Ajo është më shumë se një bashkudhëtare, është bashkëjetesë në fatin e poetit. Mënyra e perceptimit, shfaqja e saj, porcionet që zë, pesha që mbart si ngarkesë emocionale, “shenja” që lë si element i kudo pranishëm sa në rrafshin horizontal apo vertikal të krijimit, i bën dritë  jo vetëm poezisë por edhe vetë poetit, sepse, ashtu siç shprehet dhe vetë: “dhe hëna projekton profilin tim në xham. / Kështu do të iki, vizatuar nga hëna”. E me këtë hënë poeti bisedoi gjatë...  
            1. Hëna si dëshmitare e ngjarjes
            “Ndoshta shkallët e kësaj nate, deri te Hëna,/ Do t’i ngjisnim dorë për dore”, “Tani te Hëna shkoj i vetëm”.
            2. Hëna në ornamentikën e peizazhit
            “Hëna mbi lumë vizaton/ Një urë për ëndrrat e yjeve”, “Rreth drurëve të galvanizuar me hënë”, “Pikon hëna”, “Hëna ikën nëpër mjegulla”, “Edhe dimrit kur ranë gjethet/ pema frushullonte mbi përrenjtë prej hëne”.
            3. Hëna si element tipizues i personazhit
            “Vijnë ciganët me daulle dhe me hënë”, “Po kthehen barinjtë por hënën e harruan ndezur në mal”, “Ti erdhe nëpër udhën e hënës”, “Atje hëna ngre shkallë drite mbi gremina”, “Dhe hëna projekton profilin tim në xham”, “Por, e dashur, ç’je hënëzuar kështu?”, “Tani jam bir i hënës, tërë ishujt e tjerë janë të rremë”.
            4. Hëna – dhembje, adhurim, mall, shpresë, trishtim, kujtim...
            “Mallkuar me dashuri dhe me hënë”, “Për daulle dhe për hënë i trishtuar”, “Hëna e pikëlluar nëpër re”, “Hënë e artë mesdhetare,/ si zemra ime rri varur mbi pemët”, “Hëna po shuhet në pëllëmbët e gjetheve”, “Hënë s’ka”, “Por, zemra ime, hëna nuk ekziston,/ Që ditën që u shfaqe ti”, “Nëpër dhimbje, nëpër hënë!”, “Tingulli i kambanës, si gjëmim hëne”, “... Nga ç’qiell ra tërë kjo dhembje, / Që hënëzoi këtë dimër?”, “Ah, ndofta së mbrami kujtoi me mall/ Atë hënë argjendi, korijen e gëzuar”, “Nën një hënë që më do”, “Do desha të shkoja në hënë”, “O Medaur! Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,/ Tani që ra hëna e syve të mi”.
            5. Hëna si element përrallor e mitologjik
            “Për hënë e për magji”, “Shi hëne”, “Me një qiri prej hëne në dorë”, “Hëna dhe zanat fshihen”, “Qiriu i hënës në duart e erërave”, “Një hënëz argjendi e larë me flori”, “Kasolle prej hëne!”, “Hënë s’ka, yje s’ka”, “O hënë e shiut,/ Bëje një Iliadë për mua”.
            6. Hëna si element tragjik
            “Ah, hëna që më vrau mua”, “Nën hënën e një nate të prerë përgjysmë”, “Fshehur nën shira hëne”, “Hëna e shqyer në dhëmbët e vetmisë”, “Dal netëve pa hënë i vetmuar”, “Ndaj më keni parë netëve pa hënë të vetmuar nëpër rrugë”, “Kështu do të iki, vizatuar nga hëna”, “Prerë nga hëna e majit”, “Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë”, “Vizatohen në sfond të vetëtimave/ Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës”, “Kur vdesin hënëzat, kur vdesin yjet”.
            E në këtë pemë gjenealogjike të “përpiluar” me mjeshtri nga autori Frederik Reshpja, ku në trung të saj ka METAFORËN E HËNËS, është e pamundur të mos vësh re hyjnizimin e hënës si hyjni e natyrës, besimin tek ajo, së cilës i falet, e adhuron, i lutet përmes  “formulave sa poetike aq dhe magjike reshpjane”. E hëna shfaqet herë si kult e herë si simbolikë përmes përjetimeve të poetit, por duke ruajtur si gjithnjë universin e saj. Po universi i Fredit ku është: te poezia “Fat” apo te poezia “Kur vdesin hënëzat”, apo...? Ndoshta edhe te këto vargje: “Mirëpo, unë jam pagan i vjetër; / Pa këtë fat të keq nuk ndihem mirë,/ çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet/ kam edhe unë për prehje dhembjen time.”
           

No comments:

Post a Comment