Tuesday, April 29, 2014


Xhahid BUSHATI


Pse zogu u bë mik i pyllit?
                                                   -përrallë -
Një mëngjes, një zog i vogël, që për nga bukuria ngjasonte me një yll, fluturoi hapësirave të qiellit. Ngaqë hapësirat e qiellit janë të pafund, zogu i vogël u lodh shpejt. Iu lodhën edhe krahët. Më pas iu lodh edhe sqepi. Ishte e pamundur të vazhdonte më tej fluturimin. Vendosi të kthehej. Edhe pse larg, diku... dalloi... një pyll. Aty do të pushonte.
Nga fluturimi që zvogëlohej e zvogëlohej, toka sikur i afrohej gjithnjë e më shumë. Më në fund u bë mysafir i këtij pylli me lisa të moçëm. Këtu, zogu vinte për herë të parë.
Pylli, sa e pa mysafirin, e përshëndeti dhe i tha:
            -Zog i vogël, qenke lodhur shumë!.. – Pusho te ky lis. Deri tani asnjë zog nuk ka ndërtuar fole.
            -Të faleminderit! – tha zogu dhe ‘hop’ pushoi mbi një degëz të lisit plak.
            Zogu po pushonte ende, kur dëgjoi përsëri zërin e Pyllit, që i pëshpëriti ca fjalë... Në çast degëzat e lisit u zgjatën dhe ca gjethe u afruan dhe nisën të freskojnë zogun e vogël, t’i heqin lodhjen. Zogu u çudit. Cicëroi ëmbël, si mirënjohje për kujdesin që treguan për të.
            Zogu nisi dalëngadalë të lëvizte sqepin, krahët dhe të lumturohej. Kur i iku lodhja e, u gjallërua i tëri, dëgjoi zërin e Pyllit që i tha:
            -Zog i vogël… sikur… ta ndërtosh folenë në pyllin tonë. Ja, te ky lisi plak. U bëtë dhe miq.
            -Folenë?!.. – pyeti papritur zogu.
            -Po, folenë. Nuk të pëlqen pylli ynë?!..
            -Ci-ci, ngaqë më pëlqeu, erdha të pushoj. - Ci-ci, po unë e kam një fole… E kam ndërtuar me sqepin tim, me këngën time, me puplat e mia, me fluturimet e mia… Nuk kam si ta harroj… Nuk kam si ta braktis… Dhe, tani… e ndiej se po më thërret… Më duhet të shkoj… - Për gjithçka që bëre për mua, unë të falenderoj baba Pyll! – tha zogu e fluturoi...
            Pylli, që ndiqte fluturimin e zogut të vogël, fëshfëriti dhe foli:
            -Edhe pse i vogël, o zog, urtësia jote i shtoi gjelbërim pyllit. – Mos harro: Eja, miku im! 
            Fjalët e baba Pyllit e ndoqën zogun e vogël në fluturim. Ai ktheu kokën, ngriti puplën për ta falënderuar dhe cicëroi:
            -Ci-ci, do të vij!.. Jam një zog që lë gjurmë dhe respektoj çdo gjurmë të urtë e të mirë...

No comments:

Post a Comment