Monday, April 14, 2014



            Xhahid Bushati


Përralla e Gjethes së vogël
                                       
                                     -përrallë-

            Në një agim të bukur pranvere, në pyllin e moçëm çeli një gjethe e vogël. Fëshfërinte e ndrojtur. Rrinte e fshehur mes gjetheve. Nganjëherë, ngrinte kokën gjelbëroshe dhe vështronte përreth. Nuk i vinte mirë që, gjethet që i kishte pranë, ishin më të mëdha në moshë se ajo. Brengën e saj nuk ia shprehte dot askujt, sepse ende nuk kishte zënë shoqe.
Kur dielli po perëndonte, një gjethe iu afrua gjelbëroshes të sapoçelur e i tha: “Një ditë do ta ndjesh veten të rritur edhe ti!”.
Gjethja e vogël ktheu kokën për ta njohur bashkëfolësen, por nuk arriti ta dallojë, se ajo humbi shpejt mes gjetheve. Gjelbëroshja ndjeu një gëzim të brendshëm, u qetësua dhe fëshfëriti e gëzuar fësh-fësh-fësh..!
            Kaluan ditë, por gjethen e vogël nisi ta brejë, përsëri, mendimi: “U bënë tre ditë që kam çelur, dhe askush nuk kujtohet për mua. Veç në të rrallë vjen Flladi i Pranverës. Por dhe ai..., vjen herët në agim e më zgjon nga gjumi. Pastaj ikën dhe kujtohet të vijë në muzg, kur bëhem gati të fle. E, në këtë orë të muzgut pëshpërit ca fjalë të vogla përkëdhelëse, kur unë dua të bisedoj gjatë...”
            Gjethja nisi të mërzitej për vetminë e saj..., deri një ditë, kur në pyll erdhi shiu i pranverës. Si një shi i shkurtër që ishte hodhi shpejt e shpejt mijëra e mijëra pika. Një pikë shiu, si një balerinë, vrapoi e kërceu mbi të voglën gjethe. Shëtiti sa shëtiti, pastaj u lodh e mbështeti kokën mbi jastëkun e gjelbër.  
            - Cila jeni ju?! – pyeti gjethja e vogël.
            - Një pikë e vogël shiu që më solli Shiu i Pranverës.
            - Qan, ti pikë e shiut? – pyeti gjethja e vogël.
            - Unë..?! Mos vallë të dukem si pikë loti?!.. – Unë jam një pikë pastërtore.
            Pika e shiut nuk foli më, se në qiell doli papritur një diell i qeshur. Rrezet e tij erdhën dhe në pyllin e gjelbër, ku takuan gjethen e vogël vetmitare. Ajo u çudit, kur dëgjoi fjalët e një rrezeje që u thoshte shoqeve:
            - Dua t’ju njoh me një gjethe që rrobat i mban përherë të pastra.
            - Uaaa, sa gjethe e bukur! Qenka si dritë! – thanë njëzëri rrezet dhe gjelbëroshja u bë e artë. 
            - O rreze, mos e njihni një pikë të vogël shiu, që pak më parë ishte mysafire në shtëpizën time? – pyeti gjethja.
            - Po, - foli një rreze. E takova nëpër shtëpizat e gjelbra të gjetheve që e bëjnë pyllin të jetojë.
            - Ajo më gjelbëroi, ndërsa, ju më dhatë dritë, - tha gjethja.
            - Ne dhurojmë dritë, por dhe marrim dritë, si sot nga gjelbërimi yt, - tha rrezja dhe u bashku me shoqet flokarta.
            Gjethja e vogël vështroi ylberin e dritës dhe e kuptoi se ishte rritur! Kishte lënë pas fëmijërinë dhe i gëzohej pranverës... 

No comments:

Post a Comment