Tuesday, April 22, 2014

Xhahid Bushati

Mos e ul kokën...
       - përrallë -
  
            Në pyll binte një shi i zemëruar. Nuk dëgjohej asnjë cicërimë e asnjë fëshfërimë...
            Shiu, siç kishte nisur, nuk kishte ndërmend të pushonte. I dukej vetja perandor në pyll. E perandorët të mërzisin... Pylli dukej sikur qante.
            Disa pika shiu goditën një gjethe. Gjethja i duroi goditjet e para. Por kur u bënë të panumërta, gjelbëroshja ndjeu dhembje, e dhembje të mëdha. Nisi të qajë: ëh, ëëh, ëëëëhhhh! Por askush nuk i dëgjonte dënesat e saj, se i mbyste zemërimi i shiut. Aq shumë dëneste, sa nuk ndjeu as ardhjen e një zogu të vogël. Vetëm kur uli më shumë kokën nga dhembjet e mëdha, takoi papritur një si... si... sqep, kështu iu duk asaj. U çudit kur e pa dhe u gëzua që s’kishte gabuar.
            - Përse ke ardhur në shtëpizën time prej flete? – e pyeti gjelbëroshja.
            - Shiu më zuri në udhë. U ndala të gjej një strehëz të përkohshme, se folenë e kam larg...
            - Hyr, o zog, në çadrën time prej flete!
            - Të faleminderit!
            - Hyr më brenda, se mund të lagen puplat, bishti, ..., - tha gjelbëroshja. Por... të kesh kujdes, o zog se, pikat e zemëruara të shiut duan ta rrëzojnë shtëpizën time prej flete. Dhe...
            -  Prandaj e ul kokën?!.. – pyeti zogu.
            - Po. Shiu është më trim se unë.
            - Do të ndihmoj unë që mos ta ulësh kokën kurrë, - tha zogu e zgjati sqepin.
            - Mos u mundo... Nuk i mund dot pikat e shiut, - foli gjethja, e cila përpiqej të ngrinte kokën me ndihmën e zogut.
            Zogu, pas sqepit, nuk vonoi dhe zgjati krahët. Atëherë gjethja drejtoi trupin dhe kokën. S’i besohej ende, kjo që po ndodhte... I dukej si një ëndërr...
            Shiu vazhdonte të binte pikë-pikë. Ajo mbahej fort pas sqepit dhe krahëve të zogut. Pikat e shiut binin dhe ajo nuk e ulte më kokën.
            - E shikon: je një gjethe trime, - tha zogu dhe i dhuroi ca cicërima gëzimi.

            Gjethja bënte çmos që zogu të mos lagej. Ajo, tashmë, ngjante si një çadër e gjelbër. Edhe pse shiu binte i zemëruar, ajo shikonte më larg... më larg... drejt horizontit. Ndoshta priste të shfaqej në qiell ylberi shumëngjyrësh.

1 comment:

  1. Veprat e artit te verteta, aktivizojne imagjinaten e atyre qe i shijojne, aq shume, saqe secili ka nje interpretim te vetin ne mendjen e tij, mirpo asnjeri nga keta interpretime nuk duhet te koinçidoje me ate qe autori ka dashur te thote ne te vertete. Urime profesor!

    ReplyDelete