Thursday, April 24, 2014

XHAHID BUSHATI


Miqtë e vërtetë…

            1.
            Dielli po udhëtonte, kur dëgjoi një zë. Ai, zëri, po qante. Dikush po qante...
Dielli u afrua te dritarja dhe dalloi një vogëlushe me rrëkeza lotësh në sy e në faqe. Dielli ndjeu dhembje dhe u zbeh në fytyrë. Për ta qetësuar vogëlushen, dërgoi një rreze. Rrezja u bë shami dhe ia fshiu të gjitha lotët. Vogëlushja pushoi së qari. Qeshi pa lot.
            Rrezja nuk u largua. Ajo u bë lodër dhe lodroi çuditshëm me vogëlushen, derisa erdhi Ora e Përshëndetjes.
            Vogëlushja mendoi t’i bënte një dhuratë. Ajo, si pakuptuar, i bëri dy dhurata: I fali buzëqeshje dhe me lëvizjet e doçkave shkroi në ajër: “Mos harro, të pres nesër!.. Të pres syzgjuar!..”
            Rrezja u largua. Gjatë gjithë rrugës deri te dielli, bisedoi me veten e saj për fëmijërinë e qeshur të vajzës.

            2.
            Pëllumbi po fluturonte, kur dëgjoi një gugatje. U çudit. Bëri disa fluturime dhe nuk pa gjë. Gugatja u përsërit. I ngjante një luleje magjike që shëtiste në ajrin mëngjesor.
Pëllumbi u afrua te dritarja dhe dalloi një vogëlushe. Dritarja ishte hapur. Ajo ishte si një ftesë mirëseardhjeje. Pëllumbi e kuptoi dhe hyri pa vështirësi. Si një mik dhe i njohur që prej shumë vitesh.
Pëllumbi iu afrua shtratit të vogëlushes, gugati disa herë, dhe e pyeti:
            - Mos vallë fluturon edhe ti si unë..?
            Vogëlushja e vështroi, puliti disa herë sytë, gugati, e më pas lëvizi doçkat e i përkëdheli krahët e bardhë. Kurse pëllumbi lëvizi sqepin e nisi të lodrojë me vogëlushen, derisa erdhi Ora e Përshëndetjes.
            Vogëlushja mendoi t’i bënte një dhuratë. Ajo, si pakuptuar, i bëri dy dhurata: I fali buzëqeshje dhe me lëvizjet e doçkave shkroi në ajër: “Mos harro, të pres nesër!.. Të pres syzgjuar!..”
            Pëllumbi u largua. Gjatë gjithë rrugës deri te foleja, bisedoi me veten e saj, pse fëmijëria e vajzës ishte kthyer në fëmijëri pëllumbi.


            3.
            Një ditë rrezja dhe pëllumbi erdhën njëherësh te vogëlushja. Ato i sollën si dhuratë një kukull prej reje. Lodruan me vogëlushen, derisa erdhi Ora e Përshëndetjes.
            Vogëlushja mendoi t’u bënte një dhuratë. Me lëvizjet e doçkave shkroi në ajër: ‘Miqtë e vërtetë dinë të falin vetëm buzëqeshje!’



No comments:

Post a Comment